Amantia
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Amantia

Në shek. III p.e.s. kur u ndërtua stadiumi i Amantias, territori i rrethuar me mure i qytetit ishte i zënë nga ndërtimet e tjera. Si pasojë tempulli dhe stadiumi u ndërtuan jashtë rrethimit. Për ndërtimin e stadiumit, mjaft të nevojshëm për përgatitjen fizike dhe ushtarake të qytetarëve, por krejt të panevojshëm në çaste lufte, u zgjodh një tarracë e sheshtë, 230 m larg dhe 60 m poshtë skajit juglindor të qytetit, buzë rrugës për në qytet.

Stadiumi përbëhet prej dromosit, pistës prej dheu të ngjeshur ku zhvilloheshin garat, dhe shkallares që e qarkon pistën në formë U-je të përzgjatur. Pista 12.50 m e gjerë, vijon nga jugperëndimi në verilindje, në mënyrë që dielli të kalonte pas shpinës ose anash spektatorëve dhe vrapuesve të garës kryesore, stadit, pa u dalë përballë dhe verbuar ata.

Pista prej dheu të ngjeshur argjilor pjerret lehtë drejt anës së pambyllur veriore të stadiumit, duke lejuar largimin e ujërave në rast reshjesh. Në fillim të saj ndodhen tre bazamente guri gjasisht për markimin e nisjes dhe mbarimit të vrapimit të dyfishtë vajtje-ardhje (diaulë), dyfish të dyfishtë dhe vrapimit të gjatë 24 stadesh (dolichos), i cili përkon me vrapimin e sotëm 400 metërsh. Nënfishat e largësive të vrapimit, shënjoheshin nëpërmjet shkallëve të shkallares, të cilat, si në stadiumin e Delfit, ndodhen gjysmë plethre (15.7 m) larg njëra-tjetrës. Nisur nga gjerësia standard 1.50 dhe 1.70 m e korsive të vrapimit, në pistën 12.50 metërshe të Amantias mund të vraponin 6-7 garues.

Në juglindje shkallarja mbyllet prej segmentit të harkuar, sfendona-s. Në të kundërt veriperëndimi është i hapët, duke e lënë pistën që të vazhdojë në terren të rrafshët edhe për 150 m të tjerë. Një strukturë e tillë, me sfendona nga njëri fund dhe e hapur nga fundi tjetër, mundësonte garën themeltare, vrapimin njëstadësh (184.8 m) dhe pesëgarëshin (pentathloii), renditja e të cilit ishte kërcim së gjati, vrapim, hedhje disku, hedhje shtize dhe mundje.

Krahu perëndimor i shkallares i mbështeter shpatit te kodrës për 66 m, për dy plethra gjatësi. Krahu perkundret, i cili ruhet në 47 m gjatësi mbështetet në mbushjen prej dheu dhe gurësh shtufi, të mbajtur nga pas prej një muri me blloqe të latuara.

Krahu perendimor ka 17 rreshta për uljen e spektatorëve, ndersa lindon tetë. Rakordimi i kësaj mospërputhjeje kryhej nga segmenti i harkuar, me zbritje graduale të rreshtave nga 17 në tetë.

Rreshtat e shkallares, 0.35- 0.40 m të lartë dhe 0.60 m të gjerë, shërbenin për ndenjje dhe vendosjen e këmbëve të spektatorëve të rreshtit të sipërm. Rreshtat janë ndërtuar me blloqe paralelepipede prej brekçeje shpati, të cilat mbështeteshin në mbushjen prej dheu dhe gurësh shtufi. Në disa prej tyre janë gdhendur një sërë emrash, gjasisht të personave kontribuues në ndërtimin e stadiumit dhe financimin e lojërave. Për një të tillë bëhet fjalë në mbishkrimin Lysanit, sipas të cilit Lysanit iu dha e drejta në një proces gjyqësor “pasi ai dhuroi bujarisht mjetet për garat dhe ngaqë Nikai (kundërshtari i tij) shpenzoi vetëm 600 dinarë” Krahas dëshmisë së çuditshme të shitblerjes së proceseve gjyqësore, mbishkrimi dëshmon se shpenzimet për organizimin e lojërave ishin mjaft më të mëdha se shuma e konsiderueshme prej 600 dinarësh argjendi.

Duke i lënë sipas normave të kohës çdo spektatori 0.36 m, stadiumi rezulton me kapacitet rreth 4300 spektatorë. Në se atyre do t’u shtonim edhe spektatorët që mund të qëndronin shpateve të kodrës ose tej pjeses pa shkallare të pistës, ky numër do të rritej në 6000 vetë, thuaj dy herë më shumë se banorët e qytetit. Kjo tregon se stadiumi i përkiste konfederatës Amante dhe jo vetëm bashkësisë qytetare.

info@balkancultureheritage.com