Aristoteli
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Aristoteli

Politika Mbi historinë e kafshëve Mbi mrekullitë e dëgjuara

Aristoteli lindi në vitin 384 para e. sonë në qytetin Stagira të Maqedonisë. Vdiq në vitin 322, i tërhequr nga jeta politike. Aristoteli është filozofi më i shquar dhe mendimtari më me influencë i kohës antike. Qysh në moshë të njomë shkoi në Athinë dhe u bë nxënës i Platonit. Më vonë Aristoteli krijoi këtu shkollën e tij filozofike që ishte në kundërshtim me atë të Platonit. Mbas një qëndrimi prej 20 vjetësh në Athinë dhe tre vjetësh në Azi të Vogël, Aristoteli u kthye në Maqedoni, ku u mor me edukimin e Aleksandrit të Madh. Kur Aleksandri filloi ekspeditën kundër persëve, Aristoteli e la oborrin mbretëror dhe shkoi në fillim në Stagira dhe më vonë, në vitin 334, në Athinë ku hapi një shkollë filozofike që njihet me emërin shkolla peripatetike. Kur mbas vdekjs së Aleksandrit në Athinë filloi të marrë përpjestime lëvizja antimaqedone, u vu në rrezik edhe jeta e Aristotelit, prandaj ai u tërhoq në pronat e tij në Eube ku mbas pak edhe vdiq.

Veprat që kemi trashëguar nga Aristoteli me përjashtim të atyre të humbura që nuk i njohim veçse nga ndonjë shënim i zbetë, tregojnë se sa e gjerë ka qenë veprimtaria e tij shkencore historike e letrare. Vepra kryesore e tij e përbërë nga tri pjesë të pakoordinuara: Metafizika, Fizika e Psikologjia, trajton çështje filozofike. Ndër veprat e tjera me rëndësi duhen përmendur shkrimet e tij mbi moralin, politikën dhe artin. Tek vepra "Politika" Aristoteli trajton doktrinën e tij mbi familjen dhe shtetin. Doktrina e tij mbi shtetin paraqet një përpjekje pa sukses për të justifikuar rendin skllavo-pronar, për ta paraqitur atë si një gjendje të përjetshme dhe të natyrshme të shoqërisë dhe për të forcuar shtetin skllavopronar. Simbas tij njeriu është "Zoon politikon" (Një qenie e gjallë e aftë për të krijuar një bashkësi të organizuar). Përsosmëria e këtij organizimi arrihet tek shteti. Përsa i përket formës së regjimit, Aristoteli është përkrahës i idealit aristokratik, të cilin e quan si sundim të njerëzve më të zot.

Në veprën "Politika" të Aristotelit ne gjejmë disa të dhëna të fragmentuara, shpesh jo të qarta mbi mënyrën e qeverisjes në Epidamn, Apolloni dhe tek molosët.

Aristoteli ka shkruar mbi 158 kushtetuta (Politeia) greke e të huaja, ndër të tjera edhe kushtetutën e Dyrrahit, epirotëve dhe të molosëve, por këto për fat të keq nuk kanë arritur deri tek ne. E vetmja kushtetutë e ruajtur është ajo e Athinës që u zbulua në Egjipt në fund të shekullit të kaluar.

Vepra të tjera që i atribuohen Aristotelit janë: "De animalium historia" (Mbi historinë e kafshëve) dhe "De mirabilibus auscultationibus" (Mbi mrekullitë e dëgjuara).

Në këto dy veprat e fundit gjejmë një tok shënimesh të vlefshme me karakter ekonomik për Ilirinë dhe Epirin.

Politika

LIBRI II

Ky autor në sistemin e tij legjislative ngjan, gjithashtu, sikur nuk ka dashur të ndërtojë tjetër veçse një qytet-shtet të dorës së dytë, përderisa këtu të gjithë zejtarët do të ishin skllevër, pronë e përbashkët, dhe këta zejtarëj nuk do të formonin një pjesë të rëndësishme të shtetit. Por, nëqoftëse do të dëshironim që ata të kryejnë punë të dobishme publike, të jenë skllevër të shtetit, atëherë kjo duhet të bëhet si në Epidamn dhe ashtu sikurse Diofanti ka dashur ta vendosë në Athinë...

LIBRI IV

Por nuk është e mjaftë që këto shtete të përkufizohen vetëm me kaq; përkundrazi, meqenëse pjesët përbërëse edhe të demokracisë edhe të oligarhisë janë më të shumta, duhet akoma të pohojmë se kemi demokraci kur te ilirët, megjithëse më të pakët, sundojnë mbi shumicën jo të lirë të popullsisë, sikurse ngjan në Apolloni, që është në detin Jon dhe në Therë, (në këto dy qytete ishin të nderuar ata që shquheshin nga fisnikëria dhe që rridhnin nga ata që themeluan së pari kolonitë, megjithëse ishin të pakët ndër të shumtit), por nuk mund ta quajmë demokraci nga ana tjetër, kur sundojnë të pasurit edhe pse janë me shumicë, siç ndodhte në Kolofonë në kohë të vjetra. Atje më të shumtit zotëronin një pasuri të madhe, para se të bëhej lufta me lydët. Por ka demokraci, kur janë zotër të pushtetit të lirët dhe të varfërit, të cilët janë më të shumtë, kurse ka oligarhi, kur sundojnë të pasurit dhe më fisnikët, të cilët janë të pakët...

LIBRI V

Kushtetura pësoi edhe në Epidamn një ndryshim të pjesshëm; vendin e fylarhëve e zuri bulea. Kurse në helie, është e nevojshme akoma që të marrë pjesë paria, kur është rasti për të zgjedhur ndonjë zyrtar. Nga ana tjetër qenia në krye e një arhonti ishte një shprehje e regjimit oligarhik në këtë shtet.

Në shtetin e Epidamnit për arsye të një martese u shkaktua një trubullirë. Një qytetar kishte fejuar të bijën me një djalosh. I ati i këtij, që ishte një qeveritar, e dënoi me gjobë të jatin e vajzës, i cili duke e ndjerë veten të fyer, ngriti në favor të tij të gjithë ata, që nuk gëzonin të drejta politike.

Mbi historinë e kafshëve

LIBRI II

1,499 b ... Në Iliri dhe në Paioni, sikundër edhe gjetkë, ka derra njëthundrakë...

LIBRI III

20,522 b ... Lopët e Epirit, të mëdhatë japin secila një shtamë e gjysëm nga të dy sisët. Mjelësi qëndron në këmbë, duke u kërrusur pak, sepse nuk mund të arrijë po t'i qendrojë ndenjur. Përveç gomarit, në Epir, rriten edhe kafshë të tjera të trasha, dhe mbi të gjitha qetë dhe qentë. Kafshët e mëdha kanë nevojë për shumë ushqim, por kjo krahinë ka shumë kullota të mira dhe vende të përshtatshme në çdo stinë.

Qetë dhe delet më të mëdha janë ato që quhen pirrike, të cilat e kanë emrin nga mbreti Pirro...

LIBRI VI

18,572 b ... Në kohën e ndërzimit demi kullot me lopët dhe zihet me demat e tjerë; në kohë tjetër sekset rrinë të veçuar; kjo quhet "përbuzja e kopesë", ata, në Epir, shpesh nuk shihen për tre muaj; dhe përgjithësisht të gjitha, ose afërsisht të gjitha kafshët e egra, nuk kullosin bashkë me femrat përpara kohës së ndërzimit...

LIBRI VIII

7,593 b ... Kopetë e bagëtive vuajnë më pak kur lëvizin në ngrica, se sa në dëborë. Ato rriten nëqoftëse veçohen për një kohë të gjatë nga ndërzimi, prandaj barinjtë në Epir i mbajnë kopetë pirrike, si quhen ato, për nëntë vjet pa i ndërzyer që të mund të rriten. Këtë ata e quajnë apotauri e lopëve. Numuri i këtyre kopeve arrin në katërqind dhe janë pronë e mbretit. Ato nuk rrojnë dot në vend tjetër, megjithëse është bërë një provë e tillë...

28,606 b ... Temperatura gjithashtu ndikon shumë; prandaj në Iliri, Thraki dhe Epir, gomarët janë të vegjël. Në Skythi dhe vendet keltike ata nuk gjenden fare, sepse në këto vende dimri është i ashpër...

LIBRI IX

1,608 a ... Qentë e gjuetisë të Molosisë nuk ndryshojnë aspak nga qentë e vendeve të tjera. Por qentë e kopeve të kësaj krahine ua kalojnë qenve të tjerë si në madhësi, ashtu edhe përsa i përket guximit të tyre, kur përleshen me kafshët e egra. Nga kryqëzimi i qenve molosë me ata lakonë del një lloj qeni që shquhet për guxim e durim...

45,630 a Bonasi gjendet në Paioni, në malin Messap, i cili ndan Paioninë nga Media. Paionët e quajnë monap. Është i madh sa një dem dhe më i rëndë; por nuk është një kafshë e gjatë dhe lëkura e tij kur rripet mund të mbulojë një shtresë ku të ulen shtatë vetë. Në formë i pëmgjan demit, por ay ka një perçe si të kalit që i arrin gjer te shpatullat, qimja e tij është më e butë e ajo e kalit dhe më e shkurtër. Ngjyra e qimes së tij është e kuqe. Ato janë të trasha e zbresin gjer te sytë dhe kanë një ngjyrë midis së kuqes dhe bojës së hirit jo si ajo e kuajve gështenjë po më e thellë: qimet e tij poshtë janë si lesh. Ato nuk janë as shumë të zeza, as shumë të kuqe.

Zëri i tyre është si ai i kaut. Brirët i kanë të përkulura e të mpleksura, të papërshtatshme për mbrojtje, të gjata një pëllëmbë ose diçka më shumë, aq të trasha sa secili prej tyre mund të mbajë një hemikoe ose diçka më shumë. Pjesa e zezë e brirëve është e mirë dhe e lëmuar. Një tufë flokësh është vendosur në mënyrë të tillë midis të dy syve, sa kafsha duket më mirë anash, se sa përballë. Si kau, ai nuk ka dhëmbë të sipërme përpara, ashtu si nuk kanë edhe kafshët e tjera me brirë. Këmbët i ka të ashpra dhe thundrat e çara. Bishtin të vogël në përpjestim me trupin, si atë të kaut, ai rrëmih tokën me thundrën e tij si demi. Lëkurën e pjesëve të sipërme e ka të fortë. Mishi i tij është një ushqim shumë i mirë dhe për këtë e gjuajnë...

Mbi mrekullitë e dëgjuara

832 a,Thonë se tek ilirët e quajtur taulantë, bëjnë verë nga mjalti, pasi i shtrydhin hojet /mjaltit/ i hedhin ujë dhe e ziejnë në kazan gjersa të mbetet gjysma. Këtë e hedhin ndër enë prej balte, dhe e lënë gjersa të mbetet gjysma, pastaj lëngun e shtien ndër enë prej druri. Këtu thonë se e lënë të fermentojë për një kohë të gjatë dhe bëhet si verë, dhe bile një verë e ëmbël dhe e fortë. Kurse tani thonë se kjo bëhet edhe në disa vende të Helladës dhe e tillë që nuk ndryshon aspak prej verës së vjetër aq sa ishte e pamundur për kërkuesit që ta dallonin...

833 a,36 Thonë se në Atintani, pranë kufijve të tokave të Apollonisë, ndodhet një shkëmb, nga i cili nuk duket se del zjarr i vërtetë, por ndizet duke i hedhur vaj.

833 b,45 Për Paioninë thonë se kur bien shira të vazhdueshme, në tokën e zbutur gjendet i ashtuquajturi ar i padjegshëm.

Flitet se toka në Paioni është aq e pasur me ar, sa shumë vetë kanë gjetur copa ari më të rënda se një mna. Thonë se janë gjetur edhe i janë dërguar mbretit të atjeshëm dy copë, njëra e rëndë 3 mna dhe tjetra 5 mna.

835 b,75 Thonë se në Epir ka drerë, të cilët duke gërmuar tokën me bririn e djathtë bëjnë gropa; ky bri është i dobishëm për shumë sende.

836 a,79 Në ishullin Diomedea, në detin Adriatik, thonë se gjendet një tempull i Diomedit, i admirueshëm dhe i shenjtë; rrotull tij fluturojnë shpendë të mëdha me sqep shumë të gjatë, të gjerë dhe të fortë; kur vijnë këtu helenët ato rrinë të qeta, ndërsa kur vijnë barbarë, që banojnë aty afër, u fluturojnë rreth e rrotull, ua shqyejnë kokët e tyre me kthetra e sqepa dhe mbasi u shkaktojnë shumë plagë i vdesin. Thonë se dikur këta kanë qenë shokët e Diomedit, që e humbën prijësin e tyre mbas mbytjes së anijes, prijës ky që u vra me dredhi nga Aineu, mbreti i atyre fiseve...

836 b,81 ... Atje /në ishujt Elektride/ gjenden me shumicë plepa, prej të cilëve nxirret ai që ne e quajmë qelibar, në fillim si dyllë, pastaj forcohet si gur. Ky mblidhet prej banorëve dhe dërgohet në Helladë. Prandaj thonë se në këta ishuj erdhi Dedali, i pushtoi dhe në njërën bëri fytyrën e vet, kurse në tjetrën të djalit, Ikarit. Pastaj mbasi e dëbuan pellazgët, të cilët shkatërruan Argon, Dedali iku dhe erdhi në ishullin Ikar.

839 a,104 Përveç kësaj pranë Epirit, burojnë ujëra të nxehta, prandaj ky vend quhet Pyriflegeton. Më kot thonë se mbi këtë vend nuk fluturon asnjë shpend, mbasi dihet se atje ka mjellma me shumicë.

839 b,104 Ndërmjet Mentorisë dhe Istrisë thuhet se gjendet një mal me një majë shumë të lartë, që e quajnë Delfion. Kur memtorët, që banojnë pranë Adriatikut, i ngjiten këtij mali, shikojnë së andejmi anijet që lundrojnë në Detin e Zi. Përveç këtij është edhe një vend tjetër ndërmjet [të dy fisevej, në tregun e të cilit tregtarë të ardhur nga Deti i Zi shesin verëra nga ishujt Lesbo, Ko dhe Thaso, gjithashtu sillet verë edhe prej atyre të Adriatikut me amfora të Korkyrës.

842 b,127 Në Apolloni, që ndodhet pranë krahinës së taulantëve, thonë se del asfalt dhe pisë si curila që shpërthejnë nga toka; këtu ai del më i zi dhe më i dendur se i Maqedonisë; dhe banorët thonë se jo larg këtij vendi është një zjarr, që qendron i ndezur vazhdimisht dhe zë një sipërfaqe fare të ngushtë, aq sa përfshin një pentakline0. Këndej del një erë squfuri dhe nishadri; përreth rritet një bar shumë i lartë dhe ç'është më e çuditshme, jo më larg se katër kut prej andej rriten drurë të lartë...

128 Thuhet se tek ilirët gjëja e gjallë pjell dy herë në vit, dhe më të shumtat bëjnë binjakë, bile shumë tre ose katër keca, disa pesë e më tepër. Përveç kësaj thonë se japin me lehtësi nga tri hemikoe qumësht. Thonë se edhe pulat nuk bëjnë një ve në ditë si në vende të tjera, po pjellin dy ose tri herë në ditë. Thuhet edhe se në Paioni qetë e egër bëhen shumë më të mëdhenj nga të gjithë ata që ndodhen ndër popullsi të tjera, edhe se brirët e tyre nxënë katër koe, bile brirët e disave edhe më shumë.

844 b,138 Thonë se në Iliri, tek fiset e quajtura ardiane, pranë kufirit me autariatët, ndodhet një mal i lartë dhe afër tij një gurrë, nga e cila shpërthen ujë me sasi të madhe, jo në çdo stinë, po vetëm në pranverë. Këtë ujë e marrin dhe ditën e ruajnë në një vend të mbuluar, ndërsa natën e nxjerrin përjashta. Kjo punë bëhet pesë a gjashtë ditë me radhë dhe pastaj uji ngrin e bëhet një kripë shumë e mirë; këtë kripë e mbajnë sidomos për bagëtitë. Së jashtmi nuk sjellin kripë në këto vise, për arsye se janë larg detit dhe nuk përzihen me të tjerët. Kripa u duhet shumë për kafshët, të cilave ua japin dy herë në vit. Në rast se s'ua japin, shumica e bagëtisë ngordh.

info@balkancultureheritage.com