Brigjet dinarike dhe prapatoka e tyre
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Brigjet dinarike dhe prapatoka e tyre

Brigjet lindore të Adriatikut janë të orientuara nga veriperëndimi në juglindje në bregdetin e ish-Jugosllavisë. Më pas, sapo kapërcehet kufiri shqiptar, drejtimi i përgjithshëm i bregut pëson një përkulje: ngarend prej veriu në jug, nga Shkodra deri në Vlorë. Duke filluar nga Vlora, bregu merr përsëri të njëjtin drejtim që ndjek në bregdetin kroat. Më tutje, Epiri grek e pastaj Peloponezi ruajnë të njëjtin drejtim.

Nuk ka kontrast më të fuqishëm sesa ai ndërmjet fushës së Venetisë dhe Karsos, pas Monfalkones. Nga njëra anë, një hapësirë e vutë, me bujqësi intensive, me rreshtat e saj të plepave dhe, nga ana tjetër, lartësitë prej guri të bardhë gëlqeror, me ca buqeta të rralla bimësie aty-këtu dhe me ato këneta rrëzë tyre, që u bëjnë shoqëri vironjve. Që më 1945, Karsoja italian është i kufizuar brenda një rripi të ngushtë bregdetar, nja njëzet kilometra të gjatë, ndërmjet Triestes dhe Monfalkones.

Nga Triestja deri në kufirin shqiptar, bregdeti i asaj që dikur quhej Jugosllavi paraqet veçori fizike tejet të theksuara: është një bregdet që përkon me një masiv gëlqeror të fuqishëm e të rrudhosur, pjesërisht të përmbytur nga ngritja e nivelit të ujërave detare. Përgjegjëse për vijën bregdetare është tejshtrirja flandriane dhe kjo dukuri ka zgjatur të paktën deri në shekullin III të erës sonë. Në vijë ajrore, ky bregdet është 600 kilometra i gjatë, por mënyra se si shpaloset e shpie këtë gjatësi në 2000 kilometra.

Atij i paraprijnë një mori ishujsh të të gjitha përmasave, ishuj të shtrirë për së gjati paralelisht me bregun. Këta ishuj përkojnë me majat e rrudhave që kanë pësuar fundërresat gëlqerore të karstit. Ngritja e nivelit të ujërave detare që nga epoka akullnajore i ka përmbytur luginat, duke i kthyer këto pala sinklinale në kanali. Herë-herë, disa radhë ujëdhesash të vockla dëshmojnë për ravijëzimin nëndetar të një antiklinaleje. Në shumicën e rasteve, fshatrat dhe portet gjenden në bregun jugor  të ishujve, për shkak të erërave të rrëmbyera që fryjnë vazhdimisht nga veriu. Trajtat bregdetare janë krejt të freskëta: aspak lyshtëra, sepse lumenjtë janë të rrallë dhe rrëketë që rrjedhin nga prapatoka gëlqerore i kanë ujërat të kulluara. Edhe grykëderdhjet e tyre, si ajo e Kërkas në Shibenik, janë të pushtuara nga deti dhe, njëlloj si riat bretone, janë më të gjera nga sa e kërkon prurja e rrjedhës së ujit. Në gjithë këtëbregdet ka vetëm një deltë, ajo e Neretvës, sepseky lumë buron nga Bosnja Qendrore, një zonëku shkëmbinjtë janë të shumëllojshëm dhe jo më vetëm gëlqerorë: ujërat e tij, më të ngarkuara me lyme, i grumbullojnë ato në deltë; ky është edhe vendkalimi më i lehtë përmes rrafshnaltave të Karstit ndërmjet prapatokës dhe bregdetit.

Pllajat e Karstit përbëhen nga një trashësi e stërmadhe (mbi 1000 metra) shkëmbi gëlqeror krejt të pastër. Në bregdet, këta gëlqerorë zbresin shumë nën nivelin e detit. Trajtat e karstit janë aq të veçanta saqë çdo terminologji e lidhur me to është huazuar nga serbokroatishtja: fjala karst është bërë një emër i përgjithshëm; flitet për reliev karstik dhe fushëgropat e mbyllura quhen dolina uvala ose polje, sipas përmasave që kanë. Ndërsa ponore quhen honet nëpërmjet të cilave rijedhat e ujit humbasin në brendësi të nëntokës.

Në fakt, tipari kryesor i sistemit karstik është qarkullimi nëntokësor i ujërave. Lumenj të shumtë zhduken në një pjesë të rijedhës së tyre për të dalë sërish më tutje: qëllon që këta vironj të hdodhen edhe në ishuj apo brenda në det.

Termi karstik i shkon për shtat si bregdetit ashtu edhe prapatokës. Malet e brendshme paraqesin të njëjtat veçori gjeologjike me bregdetin: edhe atje sundon shkëmbi gëlqeror. Ata paraqiten në trajtën e një trekëndëshi, njërën nga brinjët e të cilit e formon bregu adriatik, një trekëndëshi ku këndi më i ngushtë, i kthyer në drejtim të veri-perëndimit, lidhet me sistemin alpin, ndërsa brinja e kundërt përkon me luginën e Moravës, dikues i bregut të djathtë të Danubit. Lartësitë nuk i kalojnë 2900 metrat. Majat më të larta ngrihen thikë mbi bregdet, aq sa vija ujëndarëse midis shpatit adriatik dhe shpatit danubian kalon fare pranë brigjeve të Adriatikut. Lumi Kupa, degë i Savës që derdhet vetë në Danub, buron vetëm 25 kilometra nga buzëdeti adriatik. Në shumë vende, si në Velebit, në jug të Rijekës, mali ngrihet mbi det si të ishte një mur.

Prandaj ndikimet klimatike të Mesdheut janë të kufizuara rreptësisht. Të gjitha këto male kanë një klimë kontinentale të tipit të Europës Qendrore, e cila sjell në dimër acare të mëdha. Ashpërsia e dimrave e prek madje edhe bregdetin. Bora, era dimërore e veriut, që fryn nga malet me borë, e mbyll hyrjen në porte, i shkreton brigjet veriore të ishujve ku vendbanimet tkurren në shpatet jugore. Ulliri, shumë i kërcënuar prej ngricës në Istrie, shihet vetëm në jug të Splitit. Agrumet mund të rriten vetëm nëpër qoshe të mbrojtura mirë, në jug të Dubrovnikut. Në një mënyrë më të përgjithshme, vargani i bimëve mesdhetare kufizohet në një shirit bregdetar shumë të ngushtë, si ai ndërmjet Rijekës dhe Zadarit, ku mali lartësohet menjëherë mbi breg. Prandaj edhe komunikacionet ndërmjet bregdetit dhe pjesës së brendshme të vendit kanë qenë gjithmonë të vështira: vetëm një luginë, ajo e Neretvës, e përshkon Karstin tejpërtej dhe jep mundësi për lidhje të lehta me faqen veriore të maleve dinarike.

Brezi i tokave me klimë mesdhetare zgjerohet në Istrie dhe midis Zadarit e Splitit, ku disa pllaja të ulta më të shtrira, shpesh të mbuluara me toka pjellore, vendosin një shkallë të ndërmjetme mes bregdetit dhe malit. Ai zgjerohet edhe më në jug, në 

Hercegovinë, në sajë të pellgjeve të brendshme të afërta me bregdetin, ku depërton butësia e klimës me ndikime detare.

Pamja e peizazheve, me shpatet e zhveshura të maleve të thepisura gëlqerore, të shpie lehtë në përfundimin se klima është e thatë. Në shumicën e rasteve, në verë nuk ka reshje për nja dy muaj dhe, për shkak të depërtimit të ujërave në thellësi, në brendësi të karstit, mjaft fshatra të ishujve dhe të bregut vuajnë nga vështirësitë e furnizimit me ujë; për më tepër, në ditët tona, nevojat në verë janë rritur shumë si pasojë e vërshimit të turistëve. Për këtë arsye, mjaft fshatra të bregdetit dhe të ishujve furnizohen gjatë verës me anë të anijeve cisterna.

Stina e thatë është sidoqoftë relativisht e shkurtër dhe stinët e tjera janë, përkundrazi, tejet të lagështa: aty regjistrohen vlerat më të larta të reshjeve në Europë: mesatarisht, mbi 4000 milimetra në vit në malin Lovçen, mbi Kotorr, në Mal të Zi.

Veçoritë klimatike dimërore nuk e kanë penguar zhvillimin e turizmit: dimri, edhe pse herë pas here me ndonjë të ftohtë të theksuar, u duket i butë banorëve të Vjenës apo të Budapestit, ndërkohë që si nxehtësia ashtu edhe thatësira e verës u shkojnë fort mirë për shtat modë së sotme të plazheve. Pikat turistike të Kvarnerit, të cilët u zhvilluan që aty nga fundi i shekullit XIX, ndodheshin vërtet në pjesën më pak mesdhetare të bregdetit, por që ishte ama edhe pjesa ku mund të shkohej më lehtë nga kryeqyteti i perandorisë së Habsburgëve.

info@balkancultureheritage.com