Demokracia në Athinë
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Demokracia në Athinë

Hap pas hapi që revolucionet ndiqnin rrjedhën e tyre dhe shoqëritë largoheshin nga regjimi i vjetër, qeverisja e njerëzve bëhej gjithnjë e më e vështirë. Duheshin rregulla më të stërholluara, mekanizma më të shumtë e më të hollë. Një gjë e tillë shihet qartë në shembullin e qeverisjes së Athinës.

Athina kishte një numër tepër të madh magjistratësh. Në radhë të parë, ajo kishte ruajtur të gjithë magjistratët e kohëve të para, arhontin, i cili zgjidhej çdo vit dhe ruante përjetësinë e kulteve shtëpiake, mbretin që përmbushte ritet e flijimeve, polemarkun që ishte prijës i ushtrisë dhe gjykonte të huajt, gjashtë tesmotetët që në letër duhej të jepnin gjykimet, por që në fakt kryesonin juritë e mëdha; më tej ajo kishte dhjetë tepoTroiot, që këshilloheshin me orakujt dhe bënin disa flijime, napdoiroi, që shoqëronin arhontët dhe mbretin nëpër ceremoni, dhjetë athlotetët, të cilët qëndronin në detyrë për një periudhë katërvjeçare për përgatitjen e kremtimeve të Athinasë, e së fundmi pritanët, që përbënin një trupë prej pesëdhjetë vetash e që qëndronin të mbledhur në mënyrë të përhershme, për t'u kujdesur për mirëmbajtjen e vatrës publike dhe vazhdimësinë e vakteve të shenjta. Përmes kësaj liste shihet se Athina u qëndronte besnike traditave të kohëve të lashta; aq shumë revolucione nuk kishin mundur të shkatërronin ende këtë respekt supersticioz. Askush nuk guxonte të prishte format e lashta të besimit kombëtar; demokracia vazhdonte kultin e ngritur nga eupatridët.

Vinin më pas magjistratët e krijuar posaçërisht për demokracinë, të cilët nuk ishin priftërinj dhe që kujdesoheshin për interesat materialë të qytetit. Në radhë të parë ishin dhjetë strategët që merreshin me çështjet e luftës dhe të politikës; pastaj, dhjetë astinomët që merreshin me policinë; dhjetë agoranomët që përkujdeseshin për tregjet e qytezës dhe të Pireut; pesëmbëdhjetë sitofilakët që kontrollonin shitjen e grurit; pesëmbëdhjetë metronomët që kontrollonin peshat dhe masat; dhjetë rojat e thesarit; dhjetë mbajtësit e llogarive; të njëmbëdhjetët, të cilët ishin të ngarkuar me ekzekutimin e dënimeve. Le të shtojmë këtu se pjesa më e madhe e këtyre magjistraturave përsëriteshin në çdo fis dhe në secilën denië. Në Atikë, edhe grupi më i vogël i popullsisë kishte arhontin, priftin, sekretarin, vjelësin e taksave, prijësin e vet ushtarak. Në qytezë ose në fshatra nuk mund të bëhej hap pa u ndeshur në një magjistrat.

Këto funksione ishin të përvitshme; prej këtu rridhte se nuk kishte thuajse asnjë njeri që të mos priste të ushtronte sipas radhës ndonjë prej këtyre funksioneve. Magjistratët-priftërinj zgjidheshin me short. Magjistratët që ushtronin vetëm funksione të rendit publik zgjidheshin nga populli. Megjithatë, athinasit tregonin kujdes ndaj tekave të shortit dhe votimeve të përgjithshme: të gjithë të zgjedhurit rishtas i nënshtroheshin shqyrtimit, qoftë përpara Senatit, qoftë përpara magjistratëve ende në detyrë, e së fundmi edhe përpara Aeropagut; ky shqyrtim nuk bëhej sepse kërkoheshin prova aftësie apo talenti; hetimi kryhej lidhur me ndershmërinë e njeriut dhe të familjes së tij; gjithashtu kërkohej që çdo magjistrat të zotëronte një pasuri në ngastra toke.

Të krijohet përshtypja se këta magjistratë, të zgjedhur me votim të përgjithshëm nga të barabartët e tyre, të emëruar çdo vit, të përgjegjshëm e madje të revokueshëm, kishin pak prestigj dhe autoritet. Por mjafton të lexojmë Tuqididin dhe Ksenofonin, për të mësuar se ata ishin të respektuar dhe gëzonin nënshtrimin e të gjithëve. Në karakterin e njerëzve të lashtësisë, madje edhe të athinasve, ka pasur gjithnjë një lehtësi të madhe për t'u përulur përpara një disipline. Ndoshta, ishte kjo një rrjedhojë e zakoneve të nënshtrimit që qeverisja priftërore u kishte dhënë njerëzve. Njerëzit kishin mësuar të respektonin shtetin dhe të gjithë ata syresh që, në shkallë të ndryshme, e përfaqësonin atë. Njerëzve nuk u shkonte ndër mend të përbuznin një magjistrat, pasi ai ishte i zgjedhuri i tyre; votimi i përgjithshëm konsiderohej si një prej burimeve më të shenjta të autoritetit.

Mbi magjistratët, të cilët nuk kishin detyrë tjetër veç asaj të zbatimit të ligjeve, qëndronte Senati. Ky nuk ishte veçse një trupë vendimmarrëse, një lloj Këshilli shteti; ai nuk vepronte, nuk bënte ligje, nuk ushtronte kurrfarë sovraniteti. E megjithatë nuk kishte problem që ai të zgjidhej çdo vit; ai nuk kërkonte prej anëtarëve të vet as inteligjencë më të lartë e as ndonjë përvojë të madhe. Ai përbëhej nga pesëdhjetë pritanë të ardhur nga çdo fis, të cilët ushtronin me radhë funksionet e shenjta dhe qëndronin të mbledhur gjatë gjithë vitit lidhur me çështjet me interes fetar ose politik të qytetit. Ndoshta, nisur nga fakti që në fillimet e veta Senati kishte qenë vetëm kuvendi i pritanëve, domethënë i priftërinjve të vatrës, ishte ruajtur edhe zakoni që ai të zgjidhej me anë të shortit. Mjafton të themi se pas hedhjes së shortit, çdo emër i nënshtrohej një shqyrtimi dhe rrëzohej nëse ai nuk dukej aq sa duhej i nderuar.

Mbi Senatin qëndronte Kuvendi i popullit. Ky ishte sovrani i vërtetë. Por, sikurse edhe në rastin e monarkive të mirëndërtuara, ku monarku rrethohet prej masash mbrojtëse ndaj trilleve dhe gabimeve të tij, demokracia kishte edhe ajo rregulla të pandryshueshme, ndaj të cilave nënshtrohej.

Kuvendi thirrej nga pritanët ose strategët. Ai mblidhej në një hapësirë të rrethuar, të shenjtëruar nga feja; që herët në mëngjes, priftërinjtë bënin xhiron e Pniksit, flijonin viktima dhe u luteshin perëndive që t'i mbronin. Populli ulej në stola guri. Mbi një lloj podiumi të ngritur, qëndronin pritanët ose proedrët që kryesonin kuvendin. Kur të gjithë kishin zënë vend, një prift thoshte me zë të lartë: "Mbani qetësi, fillon 

heshtja fetare lutuni perëndive dhe perëndeshave (dhe këtu ai përmendte emrat e hyjnive kryesore të vendit), në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë për kuvendin dhe për të mirën e madhe të Afhinës dhe lumturinë e banorëve të saj." Më pas populli, ose dikush në emër të tij, përgjigjej: "Ne i lutemi perëndive që ato të mbrojnë qytetin. Le të mbizotërojë mendimi i më të urtit! Mallkuar qoftë ai që do të na jepte këshilla të këqija, që do të përpiqej të ndryshonte dekretet dhe ligjet apo që do ti zbulonte sekretet tona armikut!"

Më pas, kasneci, me urdhër të kryetarëve, njoftonte me zë të lartë arsyen e thirrjes së kuvendit. Ajo çka tani i paraqitej popullit, ishte diskutuar dhe studiuar paraprakisht nga Senati. Populli nuk kishte atë që në gjuhën e sotme e quajmë nismë; Senati vinte para tij një projektdekret; ai kishte të drejtë ta rrëzonte ose ta pranonte atë, por ai nuk merrte vendim për gjë tjetër.

Pasi kasneci kishte përfunduar së lexuari projektdekretin, hapeshin diskutimet. Kasneci thoshte: "Kush do e marrë fjalën?" Oratorët ngjiteshin në tribunë, sipas moshës. Mund të flisnin të gjithë burrat, pa dallim pasurie e profesioni, me kusht që më parë të provonin se gëzonin të drejta politike, se nuk kishin borxhe ndaj shtetit, se zakonet e tyre ishin të pastra, se ishin të martuar përmes martesës legjitime, se zotëronin ngastra toke në Atikë, se kishin përmbushur të gjitha detyrimet ndaj prindërve të vet, se kishin marrë pjesë në të gjitha fushatat ushtarake ku ishin kërkuar dhe se nuk e kishin flakur tej mburojën gjatë asnjë beteje.

Pasi verifikoheshin të gjitha këto, populli jepej i tëri pas fjalës së vet. Athinasit, siç thotë Tuqididi, nuk besonin se fjala mund të dëmtonte veprën. Përkundrazi, ata ndienin nevojën për t'u sqaruar. Politika nuk ishte më, sikurse gjatë regjimit të mëparshëm, çështje tradite apo feje. Duhej që arsyet të mendoheshin dhe të peshoheshin. Diskutimi ishte i nevojshëm; pasi çdo çështje ishte pak a shumë e errët dhe vetëm fjala mund ta nxirrte të vërtetën në shesh. Populli athinas kërkonte që çdo çështje t'i sqarohej në të gjitha variantet e veta dhe atij t'i bëhej e qartë arsyeja e votimit pro ose kundër. Ai i donte shumë oratorët e tij; thuhet se ai i shpërblente ata me para për çdo fjalim që ata mbanin në tribunë. Madje ai shkonte edhe më tej: ai i dëgjonte; ai nuk përbënte kurrsesi një turmë zhurmëshumë e të pavëmendshme. Përkundrazi; poeti komik e paraqet atë, tek dëgjon gojëhapët, pa lëvizur, mbi stolat e gurtë5. Historianët dhe oratorët i përshkruajnë shpesh këto mbledhje të popullit; në to nuk shohim thuajse kurrë që fjala e një oratori të ndërpritet; qoftë ai Perikliu apo Kleoni, Eskini apo Demosteni, populli është gjithnjë i vëmendshëm; qoftë kur e lavdërojnë apo lajkatojnë, qoftë kur e sulmojnë, ai dëgjon. Ai lejon që në tribunë të shprehen opinione nga më të kundërtat, me një durim që është për fu lavdëruar. Ngandonjëherë lëshon mërmërima, por asnjëherë klithma apo ulërima. Çfarëdo që oratori thotë, ai e ka gjithnjë mundësinë të shkojë deri në fund të fjalës së vet.

Në Spartë, oratoria nuk njihet aspak. Kjo për faktin se atje parimet e qeverisjes nuk ishin të njëjtat me Athinën. Aristokracia vijon të qeverisë dhe ajo ka tradita të pandryshuara, të cilat nuk e lejojnë atë të debatojë gjatë rreth pro-ve dhe kundra-ve lidhur me çështjet e ndryshme. Në Athinë, populli kërkon të jetë i sqaruar, ai vendos vetëm pasi ka dëgjuar një debat në të kundërtat e veta; ai vepron për aq sa ai është i bindur ose që beson se është. Për të vënë në lëvizje votimin e përgjithshëm, duhet fjala; elokuenca është mekanizmi i qeverisjes demokratike. Ndaj, oratorët, shumë shpejt, do të merrnin titullin demagogë, domethënë, udhëheqës të qytetit, pasi faktikisht janë ata që e vënë atë në lëvizje dhe që i japin atij vullnetin për të marrë vendimet e veta.

Në Athinë ishte parashikuar edhe rasti kur një orator bënte një propozim që shkonte kundër ligjeve ekzistuese. Athina kishte magjistratë të posaçëm, që ajo i quante ruajtësit e ligjit. Në një numër prej shtatë vetash, ata vrojtonin kuvendin, të ulur në stola të lartë, në pozicionin e përfaqësuesve të ligjit, i cili është edhe mbi vetë popullin. Në rast se ata shihnin se një ligj po sulmohej, ata e ndalnin oratorin në mes të diskutimit dhe urdhëronin shpërndarjen e menjëhershme të kuvendit. Populli shpërndahej, pa pasur të drejtë të votonte.

Në të vërtetë, ekzistonte një ligj, pak i zbatuar, i cili ndëshkonte çdo orator që dyshohej se kishte këshilluar keq popullin. Gjithashtu kishte edhe një ligj tjetër, i cili i ndalonte hipjen në tribunë çdo oratori, i cili kishte propozuar tri herë marrjen e vendimeve që binin ndesh me ligjet ekzistuese.

Athina e dinte shumë mirë se demokracia mund të mbahej në këmbë vetëm përmes respektimit të ligjit. Kujdesi për të kërkuar ndryshime, që mund të ishin të dobishme për legjislacionin ekzistues u përkiste posaçërisht tesmotetëve.

Propozimet e tyre i paraqiteshin Senatit, i cili kishte të drejtë t'i hidhte poshtë ato, por jo t'i kthente ato në ligj. Në rast miratimi të tyre nga Senati, ai thërriste kuvendin dhe i bënte atij të njohur projektin e tesmotetëve. Por popullit nuk i kërkohej të merrte vendim menjëherë; diskutimi shtyhej për një ditë tjetër dhe në pritje të mbledhjes së kuvendit, populli caktonte pesë oratorë, të cilët kishin për mision të veçantë të nxirrnin në dritë të metat e propozimeve të reja. Në ditën e caktuar, populli mblidhej përsëri dhe dëgjonte, fillimisht oratorët e caktuar për mbrojtjen e ligjeve të vjetra, më pas oratorët që ai kishte caktuar për ligjet e reja. Pas dëgjimit të diskutimeve, populli ende nuk prononcohej. Ai mjaftohej me caktimin e një komisioni të madh në numër, të përbërë krejtësisht nga njerëz që kishin ushtruar funksionin e gjykatësit. Ky komision niste rishqyrtimin e çështjes, dëgjonte përsëri oratorët, diskutonte dhe tërhiqej për marrjen e vendimit. Në rast se ai rrëzonte ligjin e propozuar, gjykimi i tij nuk mund të apelohej. Në rast se ai e miratonte atë, ai thërriste përsëri popullin, i cili, për herë të tretë, më në fund, duhej të votonte dhe votat e tij e kthenin propozimin në ligj.

Pavarësisht nga kujdesi i madh që tregohej, ekzistonte përsëri mundësia që të kalonte një propozim i dëmshëm ose i padrejtë. Por ligji i ri mbante përgjithmonë emrin e autorit të vet, i cili më vonë mund të ndiqej penalisht dhe të dënohej. Populli, si sovran i vërtetë, njihej si i pagabueshëm; por çdo orator mbetej gjithnjë përgjegjës për këshillën që kishte dhënë.

Të tilla ishin rregullat të cilave u nënshtrohej demokracia. Por prej këtu nuk duhet të arrihet në përfundimin se ajo nuk gaboi kurrë. Cilado qoftë forma e qeverisjes, monarki, aristokraci, demokraci, ka ditë kur qeveris arsyeja dhe ka ditë të tjera kur qeveris pasioni. Asnjë ndërtim kushtetues nuk ka mundur të eliminojë një herë e përgjithmonë dobësitë dhe veset e natyrës njerëzore. Sa më të stërholluara të jenë rregullat, aq më shumë dëshmojnë ato se drejtimi i shoqërisë është i vështirë dhe i mbarsur me rreziqe. Demokracia mund të mbijetojë vetëm mbi forcën e maturisë.

Habitemi gjithashtu se sa punë të madhe kërkonte kjo demokraci nga njerëzit. Ishte një qeverisje që kërkonte punë të pafund. Shihni se me se ngjante dita e një athinasi. Një ditë ai thërritej të merrte pjesë në kuvendin e demës së tij, ku ai duhej të deliberonte rreth interesave fetarë apo financiarë të këtij grupi të vogël. Një ditë tjetër, ai thirrej në kuvendin e fisit të tij; bëhet fjalë për marrjen e masave për kremtimin e një feste fetare, për shqyrtimin e shpenzimeve, për nxjerrje dekretesh ose për emërimin e prijësve ose gjykatësve. Tri herë në muaj, rregullisht, ai duhet të marrë pjesë në kuvendin e përgjithshëm të popullit; atje ai nuk ka të drejtë të mungojë. Mirëpo, seanca është e gjatë; atje ai nuk shkon vetëm për të votuar: i ardhur që në mëngjes, duhet të qëndrojë atje deri në një orë të vonë të ditës, duke dëgjuar oratorët. Ai mund të votojë vetëm kur ka qenë i pranishëm që nga hapja e seancës dhe të ketë dëgjuar të gjitha diskutimet. Votimi është për të një prej çështjeve më serioze; herë fjala është për të emëruar prijësit politikë dhe ushtarakë, domethënë ata njerëz të cilëve do t'u besohen interesat dhe jeta e tij për një vit radhazi; herë, për të vendosur një taksë apo për të ndryshuar një ligj; herë duhet të votojë për luftën, duke e ditur mirë se do t'i duhet që po të jetë nevoja të derdhë edhe gjakun e tij apo të birit të vet Interesat individualë janë të lidhur pandashmërisht me interesin e shtetit. Njeriu nuk mund të jetë as indiferent e as t'i marrë vendimet lehtazi. Nëse ai gabohet, ai është i vetëdijshëm se do e pësojë dhe se në çdo votë ai angazhon pasurinë dhe jetën e vet. Ditën kur fushata fafkeqe e Sicilisë u vendos, nuk pati as edhe një qytetar që të mos e dinte që një prej të afërmeve të vet do të ishte pjesëmarrës në të dhe të mos ndiqte me vëmendjen më të madhe, duke peshuar avantazhet dhe rreziqet që kjo luftë paraqiste. Ishte më se e nevojshme që njerëzit të mendoheshin dhe të sqaroheshin. Sepse një dështim i atdheut në këtë ndërmarrje do të ishte për çdo qytetar një pakësim i dinjitetit të vet personal, i sigurisë dhe i pasurisë së tij.

Detyra e qytetarit nuk kufizohej vetëm me votimin. Kur vinte radha e tij, ai duhej të ishte magjistrat në demën apo fisin e vet. Mesatarisht një herë në çdo dy vjet, ai kryente funksionin e heliastit, domethënë të gjykatësit dhe gjithë këtë vit ai e kalonte nëpër gjykata, duke dëgjuar ankuesit dhe paditësit dhe duke zbatuar ligjin. Nuk kishte qytetar që të mos ishte thirrur dy herë gjatë jetës së vet për të bërë pjesë në Senntin e të Pesëqindëve; në këtë rast, ai ishte i detyruar të ulej në bankat e tij, nga mëngjesi deri në darkë dhe të priste deponimet e magjistratëve, llogaridhënien e tyre, ambasadorët e huaj, të përpilonte udhëzimet për ambasadorët e Athinës, të shqyrtonte të gjitha çështjet që duhej t'i parashtroheshin popullit dhe të përgatiste të gjitha dekretet. Së fundmi, ai mund të ishte magjistrat i qytetit, arhont, strateg, astinom, në rast se shorti apo votimi e caktonte të tillë. Pra të ishe qytetar i një shteti demokratik ishte një detyrë e vështirë; një gjë e tillë ishte aq e ngarkuar, sa të merrte krejt ekzistencën dhe për punët personale dhe jetën shtëpiake mbetej shumë pak kohë. Ja pra se përse Aristoteli, me të drejtë, thoshte se ai njeri që mund të jetonte vetëm në saje të punës nuk mund të ishte qytetar. Të tilla ishin kërkesat e demokracisë. Qytetari, ashtu sikurse nëpunësi publik i ditëve tona, i jepej me trup e shpirt shtetit. Ai i jepte atij gjakun e vet në luftë, kohën e tij në paqe. Ai nuk ishte i lirë të linte mënjanë çështjet publike, për t'u kushtuar më shumë kujdes punëve të tij personale. Ai duhej të linte më së tepërmi mënjanë punët e tij, për të punuar për të inirën e qy tetit. Njerëzit e kalonin kohën duke qeverisur njëri-tjetrin. Demokracia mund të ekzistonte vetëm nën kushtin e përpjekjes së pareshtur nga ana e të gjithë qytetarëve. Në rast se zelli i tyre do të pakësohej sadopak, ajo, ose do të zhdukej ose do të korruptohej.

info@balkancultureheritage.com