Dredhitë e pushtetit
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Dredhitë e pushtetit

Bashkëshortja e parë e Zeusit e ka emrin Metisa, që do të thotë ajo formë zgjuarsie që e pamë se i dha mundësi të fitonte pushtetin: metis, dredhia, aftësia për të paraparë gjithçka që do të ngjasë më pas, për të mos u befasuar a shastisur nga asgjë, për të mos ia kthyer kurrë brinjën ndonjë sulmi të papritur. Zeusi martohet, pra, me Metisën e shumë shpejt kjo mbetet shtatzënë me Athinën. Por Zeusi ka frikë se mos i lind ndonjë djalë dhe e heq nga froni, siç bëri ai me të atin. Si ta shmangë këtë? Këtu hasim prapë temën e gëlltitjes. Kroni i gëlltiste të bijtë, mirëpo nuk i shkonte të keqes deri në rrënjë, sepse me anë të një metise, një dredhie, një bar që shkakton të vjella, që e bënë të pinte, qe i shtrënguar t’i nxirrte që të gjithë jashtë. Zeusi do t’i japë problemit një zgjidhje mjaft më rrënjësore: Nuk mjafton që Metisën ta ketë pranë si bashkëshorte; lypset që ai vetë të bëhet Metisa. Ai s’ka nevojë për bashkëshorte, për shoqe; ajo për çka ai ka nevojë është të jetë metis-a dora vetë. Si i bëhet?

Metisa ka aftësinë të shndërrohet, i merr të gjitha format njëlloj si Tetida dhe hyjnitë e tjera detare. Ajo mund të kthehet në kafshë të egër, milingonë, shkëmb, ç’të duash. Një dyluftim dredhish zhvillohet mes dy bashkëshortëve, Metisës dhe Zeusit. Kush do të triumfojë?

Mund të hamendësohet me të drejtë se Zeusi përdor një manovër që e kemi parë dhe në raste të tjera. Për çfarë është

fjala? Sigurisht që nëse matesh me një shtrigë a magjistar me dhunti e fuqi mjaft të mëdha, përballja e drejtpërdrejtë është e dënuar të dështojë. Sidoqoftë, po t’i qasesh me dredhi, ndoshta ka ndonjë gjasë për të fituar. Zeusi e pyet Metisën: “Vërtet mund të marrësh çdo formë që do? A mund të bëhesh luan që nxjerr zjarr nga goja?” Sa sakaq, Metisa bëhet luaneshë që nxjerr zjarr nga goja. Një pamje llahtarisëse.

Pastaj Zeusi e pyet: “A mund të bëhesh një pikë uji?”

“Po, sigurisht.”

“Pa hë!” Me t’u shndërruar ajo në pikë uji, ai e gëlltiti. Kështu pra, Metisa shkon në barkun e Zeusit. Dredhia përsëri kish funksionuar. Sovrani s’mjaftohet së gëlltituri pasardhësit e tij të mundshëm. Në fakt, që tani e tutje, me kalimin ë kohës, në rrjedhën kohore, ai bëhet mishërim i parashikimit dinak që e lejon t’ia prishë që më parë planet kujtdo që do të kërkonte ta zinte në befasi.

E shoqja Metisa, shtatzënë me Athinën, gjendet tani brenda barkut të tij. Athina do të dalë pra, jo nga pëqia e së ëmës, por nga koka e madhe e të atit, që tashmë është fryrë njëlloj si barku i Metisës. Zeusi ulërin nga dhimbja. Prometeu dhe Hefesti thirren për ndihmë. Ata vijnë me vrap me një sëpatë me dy presa, i japin Zeusit një goditje të mirë në çaçkë të kokës dhe, me një klithmë të madhe, Athina del nga koka e hyjit, si virgjëreshë rioshe krejt e armatosur, me përkrenaren në kokë, shtizën, parzmoren dhe shqytin prej bronzi. Athina, perëndesha e mençur, mendjefemër. Ndërkohë, e gjithë dredhia e botës është përqendruar tanimë te vetë Zeusi. Ai është i mbrojtur, askush nuk mund ta zërë më në befasi. Ja tek u zgjidh edhe kjo çështje e madhe e gjithëpushtetit. Bota hyjnore ka një zot që kurrgjë nuk mund ta vërë më në pikëpyetje, sepse ai është vetë gjithëpushteti. Që nga ky çast, asgjë nuk mund ta kanosë më rendin kozmik. Gjithçka ndreqet pasi Zeusi gëlltit Metisën e bëhet kësisoj Metioeis, hyji i bërë plotësisht metis, vetë Mendjemprehtësia.

info@balkancultureheritage.com