Formimi i qytezës
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Formimi i qytezës

Fisi, ashtu si edhe familja dhe fratria, ishte ndërtuar për të funksionuar si një trup i pavarur, pasi ai ushtronte një kult të veçantë, prej të cilit i huaji përjashtohej. I formuar një herë, ai nuk pranonte më në gjirin e tij asnjë familje të re. Për më tepër, dy fise nuk mimd të shkriheshin në një të vetëm; besimi e kundërshtonte këtë. Por ashtu sikurse shumë fratri bashkoheshin në një fis, shumë fise do të arrinin të shoqëroheshin me njëri-ljetrin, me kusht që kulti i secilit të respektohej. Ditën e arritjes së kësaj aleance, do të krijohej edhe qyteza.

Nuk ka shumë rëndësi të njohim shkakun që do t'i detyronte disa fise fqinje të bashkoheshin. Bashkimi ishte herë i vullnetshëm, herë i imponuar nëpërmjet forcës më të madhe të një fisi apo nga vullneti i pushtetshëm i një njeriu. Ajo që është e sigurt është se, lidhja që krijonte këtë shoqërim, vijonte të ishte ende kulti. Fiset që u grupuan për të formuar një qytezë nuk do të mungonin kurrë të ndiznin një zjarr të shenjtë dhe t'i jepnin f vetes një fe të përbashkët.

Kështu pra, në gjirin e kësaj race, shoqëria njerëzore nuk do të rritej në trajtë rrethore, të zgjerueshme pak nga pak, duke kaluar nga fqinji te fqinji. Përkundrazi, janë grupe të vogla, të krijuara shumë kohë më parë, të cilat do t'i bashkëngjiteshin njëri-tjetrit. Disa familje krijuan fratrinë, disa fratri formuan fisin dhe shumë fise qytezën. Familje, fratri, fis, qytezë, janë të gjitha shoqërime saktësisht të ngjashme me njëra-tjetrën dhe që kanë lindur nga njëra-tjetra nëpërmjet një sërë lidhjesh.

Madje, duhet nënvizuar se, paralelisht me shoqërizimin e grupeve mes tyre, asnjë syresh nuk do të humbiste as individualitetin dhe as pavarësinë e tij. Ndonëse në një fratri të vetme bashkoheshin shumë familje, secila prej tyre mbetej e pdërtuar si në epokën kur ajo ishte e veçuar nga të tjerat; në të nuk kishte ndryshuar asgjë, as kulti, as funksioni priftëror, as e drejta e pronësisë, as drejtësia e saj e brendshme. Më pas, kuritë shoqëroheshin mes tyre; por secila ruante kultin e vet, kuvendet; festat, prijësin e vet. Nga fisi u kalua te qyteza, por një gjë e tillë nuk do të shpinte në shpërbërjen e tij dhe secili prej tyre do të vazhdonte të përbënte një trup të mëvetësishëm, njëlloj sikur qyteza nuk ekzistonte. Besimi vijoi të ruante një mori kultesh të vogla, mbi të cilat u vendos një kult i përbashkët; në politikë, vazhduan të funksiononin një mori qeverisjesh të vogla dhe mbi to u ngrit një qeverisje e përbashkët.

Qyteza ishte konfederatë. Kjo është arsyeja që e detyroi atë, të paktën për shumë shekuj, të respektonte pavarësinë fetare dhe qytetare të fiseve, të kurive dhe të familjeve, pa pasur kurrfarë të drejte për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të secilit prej këtyre entiteve të vogla. Ajo nuk gëzonte asnjë të drejtë në gjirin e një familjeje; ajo nuk mund të gjykonte atë që ngjiste brenda saj; ajo i njihte babait të familjes të drejtën dhe detyrën për të gjykuar të shoqen, të birin, klientin e vet. Pikërisht, kjo përbën arsyen se përse e drejta private e epokës kur familjet jetonin të veçuara nga njëra-tjetra, mundi të mbijetonte edhe në qy tezë dhe t'u nënshtrohej ndryshimeve shumë vonë.

Kjo formë lindjeje e qytezave të lashta mund të dëshmohet nga disa zakone të mbijetuara gjatë. Nëse do të shohim ushtrinë e qytezës së periudhave primitive, do të konstatonim se ajo është e shpërndarë sipas fiseve, kurive, familjeve, "në mënyrë të atillë, thotë një autor i lashtësisë, ku çdo luftëtar ka për shok, në krah të tij, gjatë luftimit, atë me të cilin, në kohë paqeje, ai ofron në të njëjtin altar libacionet dhe flijimet." Nëse gjatë shekujve të parë të Romës, do të shihnim popullin e mbledhur në kuvend, do të konstatonim se ai voton sipas kurive dhe gentevë. Nëse do t'i hedhim një sy kultit, në Romë do të gjejmë gjashtë Vestale, dy për çdo fis; në Athinë, arhonti kryeson ceremoninë e flijimit në emër të krejt qytezës, por gjatë kësaj ceremonie fetare, ai ndihmohet nga po aq prijës sa ka edhe fise.

Në këtë mënyrë, qyteza nuk është një bashkëngjitje dhe grumbullim individësh; ajo është një konfederim i shumë grupeve, të krijuara para saj dhe që ajo i lejon të mbijetojnë. Tek oratorët e lashtë shohim se çdo athinas bën pjesë njëkohësisht në katër shoqëri të dallueshme; ai është pjesëtar i një familjeje, i një fratrie, i një fisi dhe i një qyteze. Ai nuk hyn njëherazi dhe në të njëjtën ditë në të katërta ato, si për shembull, francezi, i cili sapo lind i përket njëkohësisht familjes, komunës, departamentit dhe atdheut. Fratria dhe fisi nuk janë ndarje administrative. Në të katra këto shoqëri, njeriu ka hyrë në epoka të ndryshme dhe ai është ngjitur, si të thuash, nga njëra te tjetra. Fillimisht, fëmija pranohet në familje nëpërmjet një ceremonie fetare që organizohet dhjetë ditë pas lindjes së tij. Disa vite më pas, ai hyn në fratri nëpërmjet një ceremonie, të cilën e kemi përshkruar më sipër. Më vonë ai bëhet pjesëtar i fisit. Së fundi, në moshën gjashtëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë vjeç, ai paraqitet për t'u pranuar në qytezë. Atë ditë, në prani të një altari dhe përpara mishit të pjekur të një viktime, që nxjerr ende tym, ai shqipton një betim, nëpërmjet të cilit, mes të tjerash, ai betohet se do të nderojë gjithnjë fenë e qytezës. Nga ajo ditë, ai shugurohet në kultin publik dhe bëhet qytetar. Mjafton të vëzhgojmë djaloshin athinas, që ngjitet nga shkalla në shkallë, nga kulti në kult dhe do të kemi përfytyrimin e shkallëve përmes të cilave ka kaluar shoqërizimi njerëzor. Ecja që djaloshi është i detyruar të ndjekë, është ajo që krejt shoqëria ka ndjekur para tij.

Kjo do bëhej edhe më e qartë nëpërmjet një shembulli. Nga lashtësia e Athinës, deri te ne kanë ardhur shumë tradita dhe kujtime, të cilat na kthjellojnë disi mënyrën se si është formuar qyteza athinase. Fillimisht, thotë Plutarku, Atika ishte e ndarë në bazë familjesh. Disa nga familjet e epokës primitive, si Eumolpidët, Cekropidët, Gefirenët, Fitalidët, Lakiadët, do të përjetësoheshin edhe në epokat e mëvonshme. Në atë periudhë, qyteza athinase nuk ekzistonte; por çdo familje, e rrethuar nga degëzimet më të vogla dhe klientët e saj, zinte një sipërfaqe të caktuar dhe jetonte në pavarësi të plotë. Secila prej tyre kishte besimin e vet të veçantë: Eumolpidët, të vendosur në Eleusis, adhuronin Demetrën; Cekropidët, të cilët banonin mbi shkëmbin ku më pas do të ndërtohej Athina, kishin për hyjni mbrojtëse Poseidonin dhe Athinën. Në krah, mbi kodrën e vogël, ku u vendos Aeropagu, perëndia mbrojtëse ishte Aresi; në Maratonë, ishte Herkuli, në Prasia një Apolon, në Flies një tjetër Apolon, në Cefalos, Dioskurët, e kështu me radhë në të gjitha vendet e tjera.

Duke pasur perëndinë dhe altarin e vet, çdo familje, kishte gjithashtu edhe prijësin e vet. Kur Pauzanias vizitoi Atikën, ai gjeti në lagjet e vogla tradita të lashta, të përjetësuara bashkë me kultin; por këto tradita do t'i mësonin atij se çdo lagje kishte pasur një mbret, përpara se në Athinë të mbretëronte Cekropsi. A nuk është ky një kujtim i një epoke të largët, kur familjet e mëdha patriarkale, të ngjashme me fiset kelte, kishin secila prijësin e vet të trashëgueshëm, që ishte njëkohësisht edhe prift edhe gjykatës? Pra, në krejt vendin, jetonin të veçuara njëra nga tjetra rreth njëqind shoqëri të vogla, të cilat nuk kishin mes tyre as lidhje fetare dhe as lidhje politike, secila me territorin e vet, që shpesh suhnonin njëra-tjetrën dhe në analizë të fimdit, ishin aq të veçuara nga njëra-tjetra, saqë mes tyre, shpeshherë, nuk lejohej as martesa.

Por nevojat dhe ndjenjat do t'i afronin ato mes tyre. Pa u vënë re, ato do të bashkoheshin në grupe të vogla, nga katër, nga pesë, nga gjashtë. Kështu, nga tradita dimë se, katër lagjet e fushës së Maratonës do të bashkoheshin për të adhuruar së bashku Apolonin e Delfit; nga ana e tyre, njerëzit e Pireut, Falerës dhe lagjeve fqinje u bashkuan për ti ngritur një tempull të përbashkët Herkulit. Më në fund, këto qindra shtete të vockla do të reduktoheshin në dymbëdhjetë konfederata. Ky ndryshim nëpërmjet të cilit popullsia e Atikës do të kalonte nga gjendja e familjes patriarkale në një shoqëri më të gjerë, sipas traditës, u atribuohet përpjekjeve të Cekropsit; por me këtë duhet nënkuptuar se, në epokën kur vendoset mbretërimi i këtij personazhi, ky kalim thjesht ka përfunduar, domethënë, rreth shekullit të gjashtëmbëdhjetë para erës sonë. Gjithashtu, shohim se Cekropsi mbretëronte vetëm mbi një prej dymbëdhjetë konfederatave, mbi atë që më vonë do të ishte Athina; njëmbëdhjetë të tjerat ishin krejtësisht të pavarura; secila kishte perëndinë e vet mbrojtëse, altarin e vet, zjarrin e vet të shenjtë, prijësin e vet.

Do të kalonin shumë breza, gjatë të cilëve grupi i Cekropidëve do të fitonte dalëngadalë më shumë rëndësi. Nga kjo periudhë është ruajtur kujtimi i një lufte të përgjakshme, që ata zhvilluan kundër Eumolpidëve të Eleusisit, gjë që do të shpinte në nënshtrimin e këtyre të fundit; duke u lënë atyre vetëm të drejtën e trashëgueshme për përmbushjen e ceremonialit të shenjtë të hyjnisë së vet. Besohet se veç saj mund të ketë pasur edhe luftëra dhe pushtime të tjera, kujtimi i të cilave nuk është ruajtur. Shkëmbi i Cekropidëve, ku ishte zhvilluar pak nga pak kulti i Athinasë, aq sa edhe vetë qyteza do të merrte emrin e kësaj hyjnie kryesore, do të vendoste epërsinë e vet mbi njëmbëdhjetë shtetet e tjera. Kjo periudhë përkon me shfaqjen e Tezeut, trashëgimtar i Cekropidëve. Të gjitha traditat pajtohen në mendimin se ai mimdi t'i bashkonte të dymbëdhjetë grupet në një qytezë të vetme. Faktikisht, ai arriti të vendoste mbi krejt Atikën kultin e Athina Polisit dhe që nga ajo kohë, krejt vendi do të kremtonte bashkërisht flijimin e Panathinasë. Para tij, çdo lagje kishte pasur zjarrin dhe pritanenë e vet të shenjtë; ai vendosi që pritaneja e Athinës do të shërbente si qendër fetare për gjithë Atikën11. Ky moment shënon hedhjen e themeleve të bashkimit athinas; në pikëpamje fetare, çdo lagje apo ndarje do të ruante kultin e vet të lashtë, por të gjithë do të përshtatnin, njëherazi, veç tij, edhe një kult të përbashkët; politikisht, gjithkush ruajti prijësin dhe gjykatësit e vet, të drejtën për t'u mbledhur në kuvende të veçanta, por mbi këto qeverisje vendore do të mbivendosej qeverisja qendrore e qytezës.

Nga këto kujtime dhe tradita aq të sakta, që Athina i ruante besnikërisht, duket se rrjedhin dy të vërteta po aq të dukshme; e para, që qyteza ishte një konfederatë grupesh, të cilat ishin krijuar para saj; e dyta, shoqëria është zhvilluar në funksion të zgjerimit të fesë. Megjithatë, nuk mund të thuhet me siguri se është zhvillimi fetar ai që solli përparimin shoqëror; e sigurt është se të dy këta kanë lindur në të njëjtën kohë dhe në pajtueshmëri të përkryer me njëri-tjetrin.

Në këtë stad duhet të mbajmë mirë parasysh vështirësinë e jashtëzakonshme me të cilën ndesheshin popullsitë primitive për themelimin e shoqërive të rregullta. Midis këtyre qenieve njerëzore, aq të ndryshme nga njëra-tjetra, aq të lira, aq të paqëndrueshme, vendosja e lidhjes shoqërore nuk ishte e lehtë. Për t'i pajisur njerëzit me rregulla të përbashkëta, për të ngritur institucionin e urdhrit dhe të pranimit të nënshtrimit, për të bërë të mundur që pasioni t'ia linte vendin arsyes dhe arsyeja individuale arsyes publike, sigurisht, duhej diçka më e fortë sesa forca materiale, diçka më e respektueshme sesa interesi, diçka më e sigurt sesa një teori filozofike, më e pandryshueshme sesa një konvencion, pra diçka që të gjendej, njëherazi, si në fund të shpirtrave, ashtu dhe të sundonte mbi ta me autoritet.

Kjo diçka është feja. Asgjë nuk është më e fuqishme se ajo mbi shpirtin njerëzor. Feja është vepër e mendjes sonë, por ne nuk jemi të lirë ta ndryshojmë atë sipas dëshirës sonë. Ajo është krijimi ynë, por këtë ne nuk e dimë. Ajo është njerëzore dhe ne e dimë zot. Ajo është rrjedhojë e forcës sonë, por ajo është më e fortë se ne. Ajo është brenda nesh; ajo nuk na braktis; ajo na flet çdo çast. Nëse ajo na thotë të nënshtrohemi, ne nënshtrohemi. Njeriu mimd të mposhtë natyrën, por ai mbetet gjithnjë i nënshtruar ndaj mendimit të saj.

Mirëpo, një fe e lashtë e urdhëronte njeriun të nderonte të parët; kulti i të parëve e kishte grumbulluar familjen rreth një altari. Prej aty kishte lindur feja e parë, lutjet e para, ideja e parë e detyrës dhe morali i parë; prej aty do të rridhte edhe prona, prej aty do të fiksohej edhe rendi i trashëgimisë; së fundi, krejt e drejta private dhe të gjitha rregullat e organizimit shtëpiak. Më pas, besimi u rrit dhe së bashku me të, edhe shoqërizimi njerëzor. Krahas faktit që njerëzit fillojnë të ndiejnë se për ta ekzistojnë hyjni të përbashkëta, ata nisin të bashkohen në grupe më të zgjeruara. Të njëjtat rregulla, të gjendura dhe të vendosura për familjen, nisin të zbatohen njëra pas tjetrës në vijimësi për fratrinë, fisin, qytezën.

E tillë ka qenë mënyra e lindjes së shtetit te njerëzit e lashtësisë; ky studim ishte i domosdoshëm për të kuptuar natyrën dhe institucionet e qytezës. Por këtu ka vend për një rezervë. Nëse qytezat e para u formuan nëpërmjet konfederimit të shoqërive më të vogla, të ndërtuara më parë, kjo nuk do të thotë që të gjitha qytezat e njohura prej nesh të jenë formuar sipas së njëjtës mënyrë. Tani që organizimi i qytezës ishte përcaktuar një herë, nuk ishte më e domosdoshme që për çdo qytezë të re të rifillohej e njëjta rrugë e gjatë dhe e vështirë. Madje, shpesh mund të ketë ndodhur e kundërta. Kur një prijës, që largohej nga një qytezë tashmë e krijuar, për të themeluar një tjetër, ai zakonisht merrte me vete një grusht të vogël bashkëqytetarësh. Rrugës me të bashkoheshin edhe shumë njerëz të tjerë, të ardhur nga vende të tjera e madje që mund t' u përkisnin racave nga më të ndryshmet. Por ky prijës, asnjëherë nuk do të mungonte së ndërtuari shtetin e ri sipas modelit të shtetit që ai kishte lënë pas. Për rrjedhojë, ai e ndante popullin e tij në fise dhe në fratri. Secila nga këto shoqërizime të vogla kishte altarin, flijimet dhe kremtimet e veta; secila prej tyre do të përfytyronte madje edhe heroin e vet të lashtë, prej të cilit ajo besonte se kishte rrjedhur dhe që ajo i kushtonte kultin e vet.

Akoma më shpesh ndodhte që njerëzit e një vendi të caktuar të jetonin pa ligje dhe pa rend, ashtu sikurse kishte edhe raste kur organizimi shoqëror nuk arrinte të vendosej, si për shembull, në Arkadi apo raste të tjera, ku organizimi shoqëror ishte tejet i korruptuar dhe i sfilitur nga revolucione shkatërrimtare, siç është rasti i Cyrenës dhe Turii-t. Nëse një ligjvënës do të përpiqej të vendoste rregulla mes tyre, ai nuk do të harronte kurrë t'i ndante popullsitë e tyre në fise dhe në fratri, sikur të mos ekzistonte kurrfarë shoqërie tjetër veç saj. Në secilën nga këto korniza, ai vendoste një hero eponim, përcaktonte flijimet, përuronte traditat. Në rast se kërkohej krijimi i një shoqërie të rregullt, fillohej gjithnjë sipas këtij rituali. Kështu vepron edhe Platoni, kur ai përfytyron qytezën model.

info@balkancultureheritage.com