Gjendja në bregun lindor të Adriatikut (323-272)
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Gjendja në bregun lindor të Adriatikut (323-272)

Pas mbretërimit të Aleksandrit, ngulimet e mëdha, Epidamn-Dyrrahioni dhe Apolonia, patën telashe të shumta që nuk i lanë ato të jetonin në pavarësi veçse për periudha të shkurtëra: ndërhyrjet e maqedonasit Kasandër u përplasën me mbretin ilir Glaukus, sipas Diodorit (XIX, 67,5-7) si edhe Polienit (IV, 11,4); nëse maqedonasi i mori të dy qytetet më 314, garnizoni që kishte vendosur në Apoloni u rrethua e u dëbua nga Glaukia dhe korkyrasit, të cilët vepronin edhe në Epidamn më 313 (Diodori, XIX, 70, 7 dhe 78, 1). Akrotati i Spartës që kishte zbritur në trojet e Apolonisë, e kishte gjetur atë të rrethuar nga Glaukus që po kërkonte të zbonte andej garnizonin maqedonas të lënë nga Kasandri. Me fjalë të tjera, apoloniatët ishin mbërthyer mes një garnizoni maqedonas të vendosur brenda mureve të tyre dhe Glaukusit që kishte vendosur rrethimin për ta detyruar garnizonin të kapitullonte; ndodhi rastësisht që spartani erdhi dhe i shtoi edhe ndërhyrjen e tij kësaj situate të vështirë. Në vitin 312, Apolonia i bëri qëndresë një sulmi të ri nga Kasandri (Diodori, XIX, 89, 1-2) dhe të dy qytetet kaluan nën mburojën e mbretit ilir. Këtu mori fund për gati një shekull prania maqedonase në brigjet e Adriatikut, ngaqë duheshin pritur perpjekjet e Filipit V kundër Apolonisë që zunë fill më 216, si edhe suksesi i tij në Lis më 213, në mënyrë që të vërehej një ngulitje e re e një mbreti maqedonas në bregdetin juglindor të Adriatikut.

Mbretëria ilire e GLAUKUSIT, i cili ishte taulant, pati një jetë të shkurtër, për asye të hipjes së Pirros në fronin e Eakidëve në Epir në vitin 297. Megjithatë, mbretëria e tij qe shumë e shtrirë; i cilësuar deri atëherë si mbret i taulantëve, ai e siguroi mbretërimin mbi ilirët pas vdekjes së Klitit, birit të Bardhylit, që ishte mundur nga Aleksandri i Madh në Pelion më 335 dhe kishte gjetur strehë tek Glaukusi, në prapatokën e Epidamn-Dyrrahionit. Asgjë nuk dihet për veprimtarinë e Glaukise mes viteve 335 dhe 317 dhe nuk thuhet dot me saktësi se kur e mori ai titullin “mbret i ilirëve”, madje as nëse e ka mbajtur atë me gjithë mend ndonjëherë. Në vitin 317, Glaukia e mori Pirron e vogël dyvjeçar dhe e rriti për dhjetë vjet bashkë me fëmijët e tij, aq sa edhe e birësoi. Në vitin 307, ai e vendosi në fronin e Molosisë por, më 302, molosët e dëbuan ngaqë parapëlqyen Neoptolemin. Vetëm pasi mori pjesë në betejën e Ipsos krahas Antigonidëve dhe pasi u dërgua si peng në Aleksandri, PIRROJA arritii ta rifitojë përfundimisht fronin e vet më 297, pa dyshim me mbështetjen e Ptoleme Soterit, thjeshtrën e të cilit, Antigonën, e kishte marrë për grua.

Vitet e para të mbretërimit qenë të zëna me forcimin e mbretërisë eakide, e cilai mblidhte të gjitha ethne-të epirote (tesprotët e kasopët u bashkuan me molosët më 330 dhe kaonët shërbyen në ushtrinë e Pirros në Itali, siç e tregojnë Dionisi i Halikarnasit. XX, 1, dhe Plutarku, Pirroja, 28, 2 dhe 30, 4). Nuk është e lehtë të përcaktohet kufiri verior i Epirit të Madh, për arsye të pasaktësive të teksteve të lashta: sipas Apianit (Ilirike, 7), diku rreth vitit 231, mbreti “Agron mbretëronte në atë pjesë të Ilirisë e cila ndodhej mbi gjirin e Jonisë që kanë pasur dikur nën zotërim Pirroja, mbreti i Epirit, dhe trashëgimtarët e tij”, gjë që jep mundësi për të pohuar se mbretëria e Pirros shtrihej në një pjesë të mirë të Ilirisë së Jugut, me siguri në Apoloni e, mbase, edhe në Epidamn- Dyrrahion. Ka shumë të ngjarë që kufiri i saj shkonte përgjatë lumit Shkumbin. Një fragment i Dion Kasit6 bën fjalë gjithashtu për nënshtrimin e dinastëve ilirë ndaj Pirros.

Prerja e monedhave nga ana e mbretit Monuni shtron, natyrisht, disa çështje lidhur me gjendjen e dy qyteteve. Staterët huazuan tipin tradicional të staterëve të Dyrrahionit e të Apolonisë: në anën e parme, lopa në këmbë e paraqitur nga e djathta, me kokën e kthyer për të lëpirë viçin që po mënd me qumësht, shpesh me nofullën e derrit të egër përmbi lopën; në anën e pasme, motivi me lule që ndoshta simbolizon kopshtet e Alkinoit me shkurtimin etnik ose e ndonjëherë një majë shtize apo një çomage, ku emri i prerësit të monedhës është i zëvendësuar me shënimin MONOYNIOY. S. Islami7 ka dashur ta shihte këtë prerje monedhash si provë që, rreth vitit 280, mbretëria e Monunit kishte arritur një shtrirje të krahasueshme me atë të Gaukusit. Sidoqoftë, duhet vënë në dukje se tetradrahma e vetme që ruhet në Kabinetin e Medaljeve në Paris dhe që është e tipit maqedonas - në anën e parme, me kokën e Aleksandrit djathtas me lëkurën e luanit të Herakliut dhe, në anën e prapme, me Zeusin e ulur që mban shqiponjën dhe skeptrin e me të njëjtin mbishkrim MONOYNIOY, - nuk mund të interpretohet si dëshmia e pushtimit të Maqedonisë nga Monuni, por vetëm si shenja e një ambicjeje për ta vënë veten në radhën e pasardhësve të Diadokëve, me rastin e konfliktit të tij me Ptoleme Keraunin, që përmendet nga Trog-Pompeu. Sot për sot, nuk ka asnjë arsye që të lërë shteg për ta quajtur tetradrahmën e tipit maqedonas si të ndonjë mbreti tjetër Monun e jo të atij që del në monedhat e tipit të Epidamn-Dyrrahionit. O. Picard ka treguar më së miri se përvetësimi i tipeve të monedhave nuk nënkupton pushtim ushtarak; Monuni mund t’i ketë prerë këto monedha për të lehtësuar shkëmbimet e mbretërisë së vet, pa e pasur nën zotërim qytetin port. Pas vdekjes së Pirros, në vitin 272, pasuesi i Monunit, Mytili, mund të ketë vepruar në të njëjtën mënyrë, pa e zotëruar as ai qytetin e Epidamn-Dyrrahionit.

info@balkancultureheritage.com