Ikonoklastia dhe luftërat kundër bullgarëve: Konstandini V
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Ikonoklastia dhe luftërat kundër bullgarëve: Konstandini V

Me gjithë lavdinë që i kishte sjellë fitorja mbi arabët, teprimet e ikonoklastisë e shkatërruan popullaritetin e Leonit III. Me vdekjen e tij, erdhi në fron i biri, Kostandin V (741-775). Të drejtat e princit të ri mbi fronin ishin të pakundërshtueshme. Ai e mbante kurorën perandorake qysh prej 20 vjetësh, kur në moshën 2-vjeçare, në Pashkët e vitit 720, u kurorëzua prej të atit si bashkëperandor dhe trashëgimtar. Por nuk kishte kaluar ende një vit nga ardhja e tij në pushtet, kur një antiperandor u ngrit kundër tij dhe i uzurpoi fronin për disa muaj. Ky antiperandor ishte pikërisht Artavazde, që dikur kishte qenë strateg i themës armene dhe kishte ndihmuar Leonin për të ardhur në pushtet; si shpërblim kishte marrë dorën e vajzës së perandorit, titullin kuropalates dhe emërimin si komes i themës Opsikion. Në cilësinë e kryekomandantit të të gjitha forcave ushtarake të rajonit më të madh e më të rëndësishëm ush-tarak, Artavazde nuk e pati të vështirë të guxojë e të uzurpojë pushtetin në dëm të kunatit të tij të ri. Ajo çka në fund të fundit përcaktoi suksesin e tij qe fakti që ai u paraqit si kampion i kultit të ikonave. Lufta midis tij dhe peran- dorit të ligjshëm zhvillohej nën petkun e konfliktit fetar. Në qershor të vitit 742, gjatë një fushate kundër arabëve, ndërsa po marshonte nëpër themën e Opsikionit, Konstandini u sulmua në befasi prej Artavazdes dhe u thye. Menjëherë pas kësaj, Artavazde u shpall perandor dhe hyri në bisedime me Teofan Monutën, regjent i Konstandinit në Kostandinopojë. Ky u hodh në anën e uzurpatorit dhe po ashtu vepruan edhe shumë funksionarë të tjerë të kryeqytetit. Fakti flet që politika ikonoklaste nuk gjente doemos mbështetje as edhe në gjirin e bashkëpunëtorëve më të afërt të perandorit. Artavazde me armatën e tij marshoi drejt Kostandinopoj.ës, ku mori kurorën perandorake nga dora e patrikut Anastas, që ndryshoi përsëri anë. Paskëtaj emëroi dja- lin e vet Niqiforin si bashkëperandor, kurse djalin e vogël Niketën, e emëroi kryekomandant të armatës dhe e dërgoi në themën armene. Në Kostandi- nopojë, ikonat'e shenjta u rivendosën në vendet e tyre. Po dukej se epoka e konfliktit ikonoklast kishte përfunduar. Ndërkaq, Konstandini V kishte ikur në Amor, që kishte qenë qendër e komandës ushtarake të themës anatolike, ku kishte drejtuar i ati, dhe këtu iu rezervua një pritje e zjarrtë. Edhe thema trake, që para pak kohe ishte ndarë nga thema anatolike, u rreshtua në krah të perandorit të ri ikonoklast. Ndërkohë, kampioni i kultit të ikonave, Artavazde, e gjeti mbështetjen më të fortë në themën europiane të Trakës, strategu i së cilës, djalë i Teofan Monutit, u ngarkua me mbrojtjen e kryeqytetit. Në Azinë e Vogël kaluan me Artavazden dy themat, Opsikon e Armeni, që kishin qenë nën komandën e tij dhe që ishin lidhur personalisht me të. Por ka shenja se edhe në këto krahina politika e tij pro kultit të ikonave gjeti një pritje shumë të ftohtë, fakt ky që së bashku me talentin ushtarak më të madh të Konstandinit përcaktoi përfundimin e luftës. Trupat e Opsikonit porsa kishin depërtuar në Trakë e Niketa bashkë me trupat armene ende nuk kishte mbërritur për të ndihmuar të atin, kur Konstandini i shkaktoi një humbje të rëndë uzurpatorit pranë Sardit, në maj të vitit 743. Pastaj i doli përpara Niketës dhe e vuri në vrap ushtrinë e këtij në afërsi të Modrinës, në muajin gusht. Kështu fitorja u sigurua dhe në shtator të po atij viti ai kishte mbërritur nën muret e Kostandinopojës. Pas një rrethimi të shkurtër, më 2 nëntor ai hyri solemnisht në kryeqytet dhe u hakmor egërsisht mbi kundërshtarët e vet. Artavazde e dy bijtë e tij, nipër të perandorit Konstandin, u shëtitën të lidhur e pastaj u verbuan në hipodrom. Përkrahësit e tyre pjesërisht u vranë, pjesërisht u qorruan ose u sakatuan (humbën këmbët ose duart). Patriku i pabesë Anastasi u shëtit rreth e rrotull hipodromit hipur mbi një gomar, por pas këtij poshtërimi pub- lik mundi ta ruajë detyrën e tij, gjë që zbulon qëllimin e perandorit për të diskretituar autoritetin më të lartë kishtar. Kështu u mbyll sundimi i Artavazdes, i cili për gjashtëmbëdhjetë muaj kishte mbajtur kurorën perandorake dhe që ishte njohur si perandor nga Roma.

Konstandini V qe një gjeneral akoma më i madh dhe një ikonoklast akoma më i vendosur se i ati. Nga pikëpamja e fizikut dhe e statutit psikologjik nuk krahasohej me ushtarin e fuqishëm, siç kishte qenë Leoni III. Nervoz, i prekur nga sëmundje të rënda, i pushtuar nga pasione të sëmura, ishte një natyrë e komplikuar dhe kontradiktore. Egërsia e parrëfyer me të cilën persekutoi dhe torturoi kundërshtarët e vet fetarë, nuk buronte nga ndonjë brutalitet primitiv, por nga hipertensioni i tij anormal. Megjithatë nuk ishte hovi i pakontrolluar por dinakëria e llogaritur prej strategu largpamës si dhe guximi i madh personal, ato që i siguruan fitore të bujshme mbi arabët e bullgarët, fitore që e bënë idhull të ushtarëve të vet.

Punët në lindje kishin marrë një rrjedhë pozitive për Bizantin. Forca e arabëve ishte tronditur si nga luftërat e kohëve të Leonit III, ashtu edhe nga një krizë e rëndë e brendshme. Dinasia e lavdishme e Omajadëve po shuhej dhe pas një lufte të gjatë civile u zëvendësua nga dinastia e Abasidëve (750). Zhvendosja e qendrës së shtetit nga Damasku në Bagdadin e largët shoqëroi këtë ndryshim dinastie. Në këtë mënyrë, presioni në këtë krah të Bizantit u dobësua dhe u krijuan për kundërmësymje. Që në vitin 746 Konstandini vërshoi në Sirinë veriore dhe pushtoi Germanikenë, vendin e të parëve të tij. Duke ndjekur metodat tradicionale të politikës koloniale bizantine, ai shpërnguli një numër të madh robërish në Trakinë e largët, ku akoma në shek. IX do të ndeshen koloni të monofizitëve sirianë.68 Edhe në det Bizanti arriti një fitore të madhe: komandanti i marinës bizantine, strategu Kiberestëve, asgjësoi më 747 afër Qipros një flotë arabe që vinte nga Aleksandria. Një sukses akoma më të bujshëm korri perandori gjatë fushatës së vitit 752 në Armeni e Mesopotami: dy kështjella kufitare të rëndësishme, Teodosipoli e Melitena ranë në duar të bizantinëve. Edhe kësaj radhe robërit u dërguan në Traki, afër kufirit bullgar, që u fortifikua me urdhër të perandorit.69 Këto suksese nuk i sollën ndonjë pushtim territorial të qëndrueshëm perandorisë, pasi shumë shpejt fortesat e pushtuara ranë përsëri në dorë të arabëve. Por fitoret e Konstandinit përgjatë kufijve lindorë patën megjithatë rëndësi të madhe, pasi treguan se gjendja kishte ndryshuar. Kishte kaluar koha kur Bizantit i duhej të luftonte për ekzistencën e vet. Lufta arabo-bizantine kishte marrë tani tiparet e një konflikti kufitar, gjatë të cilit iniciativa qëndronte shpesh në duart e perandorit bizantin. Në Lindje, Bizanti qe kthyer nga i sulmuar në sulmues.

Kështu, ndërsa rreziku arab sa vente e zbehej, po dilte gjithnjë e më shumë në plan të parë rreziku bullgar. Masat e marra nga Konstandini V për mbrojtjen e Trakës tregojnë se qeveria bizantine nuk mund f i besonte më gjendjes së paqes që mbretëronte gjatë kufirit me Bullgarinë. Por bullgarët iu përgjigjën ndërtimit të fortifikatave në kufirin e tyre me një inkursion në territoret e perandorisë (756). Kështu fillonte epoka e ndeshjeve të mëdha të Bizantit me Bullgarinë. Konstandini V e kuptoi se bullgarët ishin armiqtë kryesorë të perandorisë dhe drejtoi vetë ekspeditat më të mëdha ushtarake të kohës së tij: plot nëntë ekspedita në Bullgari. Tensioni midis dy kundërshtarëve arriti kulmin më 762, kur pas luftërave të gjata të brendshme, Telezi, përfaqësues i partisë agresive antibizantine, mundi të hipë në fronin bullgar. Në Bullgari vazhdonte të zhvillohej konflikti midis masave sllave dhe fisnikërisë së vjetër bullgare, e shqetësuar të ruante privilegjet e veta, sidomos partia intrazigjente e bojarëve, që me Telezin mori frenat e pushtetit. Mbas hipjes së tij në fron, një masë e madhe bullgarësh emigroi nga territori bullgar drejt Bizantit. Perandori u caktoi atyre toka në Bitini, ku edhe paraardhësit e tij kishin vendosur nj numër të madh sllavësh. Në këtë mënyrë elementi sllav u forcua së tepërmi në themat e Azisë së Vogël.

Konstandini V iu përgjigj inkursionit të bullgarëve në Trakë me një ekspeditë të përgatitur më së miri. Një flotë luftarake u dërgua në derdhjen e Danubit për të mbështetur veprimet e kalorësisë bizantine atje. Vetë perandori përshkroi Trakën dhe me një ushtri të fortë çau në territorin armik. Kalorësia që nga Daubi zbriste drejt Jugut dhe armata e perandorit që nga Traka marshonte drejt Veriut, u takuan në Ankialos, në bregun e Detit të Zi. Më 30 qershor 763 këtu u zhvillua një betejë e përgjakshme, që zgjati nga agimi e deri në mbrëmje dhe që përfundoi me thyerjen e plotë të bullgarëve. Konstandini V e festoi këtë fitore të madhe, më e madhja e tij, me një hyrje triumfale në Kostandinopojë dhe me lojëra të ndryshme në hipodrom. Telezi ra viktimë e një revolte dhe në vitet e mëvonshme Bullgaria do të bëhej arenë kryengritjesh të pafundme e ndërrimesh sovranësh. Herë e merrte fuqinë pritja probizantine dhe herë ajo antibizantine, por fjalën e fundit e tha perandori bizantin që e quante të drejtën e vet të vendoste mbi problemet e brendshme të Bullgarisë dhe, në rast se ngjarjet merrnin një rrjedhë të pafavorshme, ndërhynte me forcën e armëve. Vetëm në vitin 770, kur Telerigu energjik mori pushtetin, Bullgaria u shkund dhe rifitoi forcën ushtarake të dikurshme. Për rrjedhojë, më 773 Konstandini V ndërmori një ekspeditë të madhe gjatë së cilës zbatoi taktikën e sulmit të dyfishtë, si më 763, dhe i detyroi bullgarët të pranojnë të hyjnë në bisedime. Në tetor të po atij viti Telerigu u përpoq të invadojë Maqedoninë, por edhe kësaj radhe u thye shpejt e me lehtësi nga trupat perandorake. Por sado që epërsia ushtarake e perandorit bizantin ishte e padiskutueshme, ai nuk mundi t'u imponojë bullgarëve nënshkrimin e një paqeje të përhershme. Konstandini V qe i detyruar të luftonte kundër tyre deri në fund të jetës së tij. Ai vdiq pikërisht gjatë një ekspedite kundër bullgarëve, më 14 shtator 775.

Luftërat kundër Bizantit e kishin dobësuar ndjeshëm shtetin bullgar.

Forca ushtarake e tij qe tronditur rëndë, organizmi shtetëror qe paralizuar. Telerigu trim u shtrëngua të strehohet në oborrin e pasardhësit të Konstandinit V, për t'i shpëtuar trazirave të brendshme që kishin shpërthyer në vendin e tij. Hegjemonia e Perandorisë Bizantine mbi Gadishullin Ballkanik u vendos në mënyrë të sigurt, por ndërkaq ishte bërë e qartë se Bullgaria ishte bërë një ndër armiqtë më të tërbuar të Perandorisë Bizantine. Kjo përbënte një faktor të ri në politikën e jashtme bizantine, që e detyronte perandorinë të bënte një luftë të vështirë në dy frone.

Sukseset e mëdha të Kostadinit V në luftërat me arabëte në ato me bullgarët e kishin zhvendosur krejtësisht në lindje politikën e jashtme të tij. Dhe ndërsa Konstandini V kremtonte fitoret e tij ë Lindje, sundimi bizantin në Itali pësoi një goditje vendimtare. Tensioni midis Romës dhe perandorit ikonoklast në Kostadiopojë thellohej vazhdimisht. Por për sa kohë që papati shpresonte në një ndihmë të Perandorisë Bizantine kundër presionit longobard e përderisa nuk kishte një fuqi tjetër që të zinte vendi e Bizantit, Roma preferonte t'i linte mënjanë mosmarrëveshjet fetare dhe t'i mbetej besnike perandorisë. Por më 751 Ravena u mor nga longobardët dhe ekzarkati i Ravenës pushoi kështu së ekzistuari. Me këtë ngjarje, sundimi bizantin në Italinë veriore e të mesme mori fund dhe me këtë u venit çdo shpresë e papës për të pasur ndihmën e perandorit bizantin. Por në të njëjtën kohë në horizontin roman u shfaq një fuqi e re, miqësia me të cilën garantonte një mbrojtje më efikase kundër longobardëve dhe qe për kishën e Romës ishte më e pranueshme sesa miqësia me Bizantin heretik: fjala është për perandorinë e re të frankëve. Papa Stefani II kapërceu Alpet e më 6 janar 754 u takua me mbretin Pipin në Pontion. Ky takim historik shënoi fillimin e marrëdhënieve midis Romës dhe mbretërisë së Frankëve dhe hodhi bazat e shtetit të Kishës romane. Papati i ktheu krahët perandorit bizantin dhe u lidh me mbretin e Frankëve. Pas më shumë se gjysmë shekulli, nga një lidhje e tillë mori jetë Perandoria e Perëndimit.

Sidoqoftë, nëse Bizanti detyrohej të tërhiqej nga pozicionet e tij në perëndim, pozita e tij në lindje e në jug forcohej dukshëm. Tensioi me Romë i dha rast qeverisë ikonoklaste bizantine të marrë një masë domethënëse e plot pasoja. Perandori i shkëputi Romës provincat e greqizuara të Italisë jugore, Kalabrisë e Sicilisë si dhe të Ilirikut, që deri atëherë kishin qenë të dioqezës romane, dhe i vuri nën varësi të patriarkatit të Kostandinopojës.73 Protestat e përsëritura të Romës nuk patën rezultat. Kufijtë e rinj të hequr midis dy kishave i përgjigjeshin kufijve ekzistues midis Lindjes greke e Perëndimit latin, ashtu siç i kishte përcaktuar ata zhvillimi historik. Nëpërmjet shtrirjes së dioqezës së Kostandinopojës në provincën ballkanike të Ilirikut e në Italinë e jugut të greqizuar, shkatërruesi i madh i ikonave krijonte bazat për mësymjen që kisha bizantine e filloi porsa u kapërcye kriza ikonoklaste dhe për rrezatimin e fuqishëm të kishës e të kulturës në viset sllave të Ballkanit.

Kështu politika ikonoklaste e Bizantit e thelloi çarjen midis dy qendrave të botës dhe më në fund solli atë që Roma u dëbua nga Orienti grek, kurse Bizanti nga Perëndimi latin. Kjo do të thoshte sesi universalizmit të Perandorisë Bizantine ashtu dhe universalizmit të Kishës romane filloi t'i rrëshqasë toka nën këmbë.

Nuk është vetëm thjesht një rastësi që këto ngjarje përkuan nga pikëpamja kohore me fillimin e fazës më të ashpër të ikonoklastisë në Bizant. Lufta ikonoklastike arriti kulmin e saj në kohën e Konstandinit V. Por fillimisht, i tërbuar nga jehona që kryengritja e Artavazdes kishte pasur në pjesën europiane të perandorisë e sidomos në vetë kryeqytetin bizantin, ai preferoi të tregohej i kujdesshëm. Ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Konstandini V diti të presë. Vetëm në vitet pesëdhjetë iu përkushtua zbatimit të programit të tij. Nëse Leoni III e sanksionoi ndalimin e ikonave me një dekret perandorak, Konstandini vendosi ta sanksionojë ikonoklastinë me anë të një koncili kishtar. Për të siguruar qëndrimin unanim të koncilit, perandori u përpoq ta vendoste në krye të peshkopatave të ndryshme përkrahësit e vet dhe, për më tepër, krijoi peshkopata të reja drejtimin e të cilave ia besoi përkrahësve të doktrinës ikonoklaste. Këto masa administrative u shoqëruan me një veprimtari propagandistike e letrare intensive. Në vende të ndryshme u organizuan mbledhje të gjera, ku krerët e partisë ikonoklaste mbajtën fjalime përpara popullit dhe ku, herë-herë, pati edhe debate të zjarrta midis ikonoklastëve dhe pasuesve të kultit të ikonave. Por pothuajse gjithmonë, pas përfundim- it të debatit, opozitarët kurajozë përplaseshin në burg dhe në këtë mënyrë bëheshin të padëmshëm për sa kohë vazhdonte punimet koncili.

Në veprimtarinë letrare nuk mungoi të angazhohej edhe vetë perandori. Ai shkroi jo më pak se trembëdhjetë sprova teologjike, dy prej të cilave, ndoshta më të rëndësishmet, i njohim disi nga disa fragmente të shkurtra që kanë mbërritur deri tek ne. Shkrimet e Konstandinit V, që duhet të shërbenin si direktiva për vendimet e koncilit, përfaqësojnë një zhvillim të mëtejshëm të doktrinës ikonoklaste. Ndryshe nga mbrojtësit e kultit të ikonave, që bënin një dallim thelbësor midis figurës dhe arketipit të saj dhe e konceptonin figurën si një simbol, në kuptimin neoplatonik, Konstandini V ndikuar nga koncepte magjiko-orientale, ishte për një identitet të plotë, për një bashkësubstancë midis figurës dhe arketipit.76 Duke zbritur në fushën e debateve kristologjike, ai luftoi sidomos kundër paraqitjes figurative të Krishtit dhe shkon shumë më larg se ikonoklastët e vjetër që e luftonin kultin e ikonave në radhë të parë sepse përfaqësonte një rikthim të idiolatrisë. Ndërsa përkrahësit e kultit të ikonave, siç qe patriku German e sidomos Johan Damaskeni, e përligjnin paraqitjen figurative të Krishtit me aktin e mishërimit (inkarnacionit) dhe e konsideronin paraqitjen e Shpëtimtarit në formën e tij njerëzore si një konfirmim të vërtetësisë së mishërimit të tij, Konstandini e mohon mundësinë e një paraqitjeje të vërtetë të Krishtit për shkak të natyrës së tij hyjnore. Kështu, nga të dy palët lufta ikonoklaste u lidh me dogmatikën kristologjike dhe lufta pro ose kundër kultit të ikonave u bë një vazhdim, në formë të re, i diskutimeve të dikurshme kristologjike. Në shfaqjet e saj më radikale, ikonoklastia ndërthuret me monofizimin dhe shkrimet e Konstandinit V, që përfaqësonte krahun radikal të rrymës ikonoklaste, përmbanin prirje të qarta monofizite. Këtu nuk ka asgjë për t'u çuditur, nëse mbahet parasysh se monofizizmi jo vetëm mbisundonte në kufijtë e perandorisë, në Siri e Armeni, por siç e kishte treguar lëvizja monotelite në kohën e Filipikut, ai ruante ende energji edhe në territoret e perandorisë.

Pas një përgatitjeje të kujdesshme, më 10 shkurt 754 koncili u mblodh në pallatin perandorak të Hierës, në bregun aziatik të Bosforit. Seanca e fundit u mbajt më 8 gusht në kishën e Vhallernës në Kostandinopojë. Masate marra nga qeveria perandorake nuk shkuan dëm. Mbledhja përbëhej nga 338 peshkopë, të cilët u shprehën që të gjithë në favor të ikonoklastisë. Koncili u drejtua nga peshkopi i Efesit, Teodosi, njëri nga djemtë e perandorit Tiber Absimari, pasi patriku Anastas kishte vdekur aty nga fundi i vitit 753 dhe as papa, as patrikët e Lindjes nuk kishin dërguar përfaqësuesit e tyre. Kjo anomali i dha shkas ortodoksëve t'i ngjisin sinodit epitetin tallës të "sinodit aqefal" (pa kokë). Por pa u bërë merak për këtë, koncili pretendoi të njihej si koncil ekumenik. Gjatë përpunimit të vendimeve të tij, sinodi shfrytëzoi shkrimet programatike të perandorit dhe në këtë mënyrë e vuri problemin kristologjik në qendër të vendimeve të tij, por i shmangu formulimet tepër të shpenguara dhe tonet monofizite, që përmbanin shkrimet e Konstandinit. Koncili i qëndroi besnik tezës sipas së cilës Krishti nuk mund të paraqitet në mënyrë figurative, por pati kujdes të mos binte në konflikt me vendimet e koncileve të mëparshme; jo vetëm kaq, po me një sërë sofizmash arriti deri aty sa të deklarojë se përkrahësit e kultit të ikonave binin fatalisht në herezinë monofizite ose nestoriane, pasi shihnin të paraqitur në ikonë ose vetëm natyrën njerëzore, duke ndarë kështu natyrat e pandashme të Krishtit, siç bënin nestorianët; ose konsideronin të paraqitur në ikona edhe natyrën hyjnore, duke shkrirë kështu siç bënin monofizitët - të dyja natyrat, që përkundrazi bashkëjetojnë të veçuara në të njëjtin person. Diskutimi gjatë të cilit u lexuan shumë pjesë nga Bibla e nga letërsia patristike, u mbyll me një dënim të ashpër të të gjitha figurave të shenjta dhe të çdo kulti të ikonave. Perandori, që e konsideronte veten kre të kishës, në seancën e mbylljes i paraqiti asamblesë peshkopin Konstandin Silean si patrik i ri i Kostandinopojës. Zgjedhjen e kishte bërë ai vetë dhe peshkopëve të mbledhur në sinod nuk u mbetej veç ta bënin publik emërimin e kreut të ri të kishës. Më 29 gusht, në forumin e Kostandinopojës u shpallën vendimet e sinodit, i cili ndalonte në mënyrën më të ashpër figurat e kultit, urdhëronte shkatërrimin e të gjitha statujave të kultit dhe dënonte me çkishërim përkrahësit e partisë ortodokse, ndër të cilët edhe patrikun German si dhe Johan Damaskenin. Në të njëjtën kohë i thureshin lavdet më të mëdha perandorit, që krahasohej me apostujt.

Tani i binte barra perandorit të zbatonte vendimet e koncilit. Ikonat e shenjta kudo që ndodheshin u shkatërruan dhe u zëvendësuan me piktura me tematikë profane. Muret e ndërtesave profane si dhe ato të kishave duliet të mbusheshin me zbukurime ornamentale, me motive kafshësh e bimësh e sidomos me portretin e perandorit dhe me paraqitje skenash me luftë e me gjah, me gara kuajsh e me shfaqje teatrale që do të himnizonin personin e tij. Krahas artit fetar, edhe arti profan kishte një vend të rëndësishëm në Bizant. Tani ishte pikërisht ky art profan i vetmi që duhej të lëvdohej dhe që kishte për mision kryesor glorifikimin e perandorit dhe të perandorisë të përfaqësuar prej tij. Në fakt, ikonoklastët nuk dënonin artin, si të tillë, por vetëm artin fetar dhe kultin e tij.

Detyrë e perandorit ishte që t'i asgjësonte këtë art e këtë frymë. I armatosur me vendimet e një sinodi kishtar, që për të kishte autoritetin e një koncili ekumenik, Konstandini V u bë gati ta zbatojë këtë detyrë me zjarr e hekur.

Por vullneti i tij fanatik shkatërrues ndeshi në një qëndresë po aq fanatike. Kështu filloi një luftë e egër, që arriti kulmin e vet në dhjetëvjeçarin e shtatë të shekullit. Opozita u organizua përreth figurës së abatit Stefan i Monte Auksentios, që tërhoqi gjithnjë e më shumë përkrahës nga të gjitha klasat e popullsisë. Përpjekjet e perandorit të bindte kreun e opozitës të hiqte dorë nga qëndresa dështuan dhe në nëntor 767 Stefani u vra mizorisht në rrugët e Kostandinopojës nga vulgu i ndërsyer. Megjithatë qëndresa nuk u shuajt.

Pakënaqësinë e madhe ndaj sundimit të Konstandinit V e tregon fakti që atij iu desh të ekzekutonte nëntëmbëdhjetë funksionarë e ushtarakë të lartë, ndër të cilët edhe protostratorin, logothetin c dromos, domestikun e gardës pe- randorake, komesin e themës Opsikion, strategët e Trakës e të Sicilisë. Por kundërshtimi më i egër ndaj politikës ikonoklaste vinte nga radhët e klerit manastiror bizantin, ndaj dhe shtypja e kësaj qëndrese mori format më të ashpra. Përndjekjet ndaj përkrahësve të kultit të ikonave, me kalimin e kohës morën gjithnjë e më shumë formën e një fushate kundër botës së manastireve dhe një politikë e tillë anti-monastike gjeti përkrahje në Azinë e Vogël, sido- mos në radhët e ushtrive të dislokuara aty, por pjesërisht edhe në popullsinë e kryeqytetit. Tashmë murgjit përndiqeshin jo vetëm për shkak të simpative të tyre për kultin e ikonave, por edhe thjesht për faktin e të qenit murgj, ndaj detyroheshin me dhunë të braktisnin jetën e manastirit. Shumë manastire u mbyllën ose u shndërruan në kazerma, në shtëpi pushimi ose ndërtesa të tjera publike dhe pronat e pafundme tokësore të tyre u konfiskuan nga shteti. Kështu, në fazën më të ashpër të saj, lufta ikonoklaste u shkri me luftën kundër manastireve të fuqishme bizantine dhe pronave të tyre.

Ashpërsia me të cilën një luftë e tillë u zhvillua nga Konstandini V dëshmohet nga sjellja e strategut të Trakës, Mihal Lakanodrakonit, një ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm të perandorit, që i vuri murgjit e themës së tij përpara alternativës: ose të hidhnin tej rason e murgut e të martoheshin ose të verboheshin e të syrgjynoseshin. Atëherë masa të tëra murgjish u detyruan të emigrojnë, sidomos në Italinë e jugut, ku themeluan shumë manastire të reja e shkolla, duke krijuar qendra të reja të kulturës greke. Në Bizant, furia e luftës ikonoklaste vazhdonte të ngjitej: perandori e ashpërsoi më tej luftën e tij, duke shkuar edhe përtej vendimeve të koncilit të vitit 754 e duke hyrë në kontradiktë të hapur me to. Ai u lëshua jo vetëm kundër kultit të ikonave e të relikave, por edhe kundër kultit të shenjtorëve të adhurimit të Maries. Jeta fetare e Perandorisë Bizantine do të kishte pësuar një ndryshim rrënjësor, sikur vepra e Konstandinit V mos të merrte fund me vdekjen e tij.

Në kujtimin e brezave që erdhën prapa, sundimi i dhunshëm i Konstandi- nit V mbeti si një periudhë e karakterizuar nga një terror i pashpirt. Për shekuj me radhë emri i Konstandin Kapronimit u kujtua me një urrejtje të pashuar dhe pas rivendosjes së ortodoksisë kufoma e tij u largua nga kisha e Apostujve të Shenjtë. Por u ruajt gjithashtu edhe kujtimi i fitoreve ushtarake dhe i bëmave të tij heroike, dhe kur në fillim të shek. IX Bizanti u kërcënua seriozisht nga bull- garët, populli u mblodh përreth varrit të Konstandinit V dhe iu lut perandorit të dilte nga varri dhe të shpëtonte perandorinë nga rreziku.

info@balkancultureheritage.com