Ilaçet
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Ilaçet

Ilirët njihnin shumë barëra mjekuese, me të cilat mjekonin sëmundjet e ndryshme. Disa nga bimët e këtilla u bënë të njohura edhe në periudhën romake për shkak të veçorive të tyre të jashtëzakonshme mjekuese. Edhe ato mund të na japin një pamje fare të zbehtë dhe jo të plotë të farmakopejës së pasur. Ne do t’i përmendim, sepse ilaçet që janë bërë prej tyre, e bënë të njohur këtë farmakope në tërë Perandorinë Romake.

Ndër këto bimë, më të njohura ishte lulëshpata, e njohur në kohën antike me emrin Iris Illyrica, veçoritë e shumta mjekuese të së cilës i lavdërojnë shumë autorët antik, prej filozofit grek Teofrastit e deri te mjeku Dioskurid dhe polihistoriani Plin. Sipas Dioskuridit, trungjet e thara të lulëshpatës i shpërthejnë të thatët, vënë në gjumë, shërojnë dhimbjet e kokës, ndërsa kërcejt e bluara, të përziera me mjaltë shkaktojnë abort e të tjera. Plini thotë se trungu i luleshpatës mjekon edhe shumë sëmundje të tjera, gjithashtu ky trung, për shkak të aromës së këndshme, shërben edhe për përgatitjen e lëngjeve aromatike. Pluhuri i irisit, i përzier me disa barëra të tjera shërben për përgatitjen e hapeve, të cilat zonjat e larta romake i mbanin të rreshtuara rreth qafes në mënyrë që të zhduknin erën e pakëndshme të djersës. Është interesant edhe fakti se Plini rekomandon që trungu i tharë i luleshpatës t’i varej në qafë foshnjes kur të nisnin t’i dilnin dhëmbët. Ky zakon është ruajtur, në të vërtetë, në disa vise tonat edhe sot! Edhe shumë autorë të tjerë shkruajnë për kualitetet ejashtëzakonshme, natyrisht të tepruar, të irisit që rritet në Iliri (Columella, Galen, Paulus Aegineta dhe gati të gjithë që në antikitet shkruan për mjekësinë dhe farmakologjinë) duke vërtetuar kështu popullaritetin shumë të madh të kësaj bime në botën e atëhershme.

Prej një numri të madh bimësh të tjera mjekuese që janë rritur në truallin ilir dhe eksportoheshin nëpër tërë Perandorinë Romake, famën e arriti genciana ose sanëza, në terminologjinë bashkëkohore botanike e njohur si Gentiana lutea L. Ilirët, e mandej edhe të tjerët e përdornin këtë bimë kundër sëmundjeve të ndrysme, të thatit etj., ndërsa emrin e mori nga mbreti ilir Genci, për të cilin thonë se i pari e mësoi veçoriën mjekuese të saj.

Prej këtyre shënimeve mund të përfundojmë se mjekësia popullore e bazuar në përdorimin e bimëve mjekuese ishte mjaft e zhvilluar te ilirët. Përveç kësaj mjekësie racionale, bazuar në përvojë, ekzistonte edhe tjetra, ndihmën e së cilës e kërkonin të sëmurët atëherë kur bimët mjekuese nuk mund t’i mjekonin sëmundjet ose plagët e tyre. Kjo ishte mjekësia magjike, e cila duket qartë se ishte e përhapur sa edhe ajo e para. Në kohën romake ishin veçanërisht të njohur magjistarë nga Panonia. Është ruajtur edhe lajmi për një magjistar të tillë, i cili gjoja, me të prekur e mjekoi perandorin Hadrian nga ethet.

Nuk ka dyshim se edhe në popullarizimin e madh të perëndisë Eskulap në mesin e ilirëve, në kohën romake, duhen parë dëshmitë indirekte për zhvillimin e mendimit mjekësor midis tyre. Aq më tepër simbas mendimit të linguistit Milan Budimir, bile edhe vetë emri i kësaj perëndie të mjekësisë te grekët dhe romakët ka origjinë ilire.

info@balkancultureheritage.com