Koha e ekspeditave legjendare
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Koha e ekspeditave legjendare

 

KONTAKTET E PARA mes botës greke dhe pjesës perëndimore të Gadishullit Ballkanik kanë qenë objekt legjendash të shumta, të cilat janë përcjellë nga autorë të ndryshëm grekë dhe latinë. Rrëfimet e tyre, të transkriptuara ndonjëherë në një kohë të mëpasme, mund të ballafaqohen nganjëherë me të dhëna arkeologjike e, më vonë, me burime epigrafike, numismatike ose toponimike, pa qenë fjala që të merren si të vërteta historike ca legjenda që shpesh ngjajnë më fort me eposin. Këto legjenda janë përshtatur, zbukuruar e ndryshuar shpesh, ashtu si t’ua kishte ënda rrethanave. Në shumicën e rasteve është pra e pamundur që të përcaktohen në kohë ngjarjet e rrëfyera e madje shpeshherë edhe që të vendosen në hapësirë popujt e zënë në gojë ose përshkrimet e vendeve të përmendura.

Vendi fatlum i HIPERBOREANËVE ndodhej në veri, por nuk dihej asnjë udhë detare a tokësore që të shpinte atje. Megjithatë, tek Pindari (Pitika X, 29-36, 44-48), Perseu shkon t’i kërkojë Gorgonat pikërisht në vendin e hiperboreanëve; edhe pse poeti e shpjegon se “askush nuk do të dinte, as nëpër det, as mbi dhe, ta gjente shtegun magjik që të shpie tek festat e hiperboreanëve [...], ai i gjeti ata duke i flijuar perëndisë therori madhështore gomerësh ; gostitë dhe nderimet e tyre nuk reshtin së qeni ngazëllimi më i madh për Apolonin”. Ky nuk është përcaktimi më i shpeshtë i vendit të Gorgonave, e sidomos i atij të Meduzës që shkon të vrasë Perseu : Hesiodi (Teogonia, 274-275) i vendos ato “përtej Oqeanit të ndritur, në kufirin e natës, në vendin e Hesperidave zhurmëmëdha”. Eskili (Prometeu i lidhur, 791 e vijim) parapëlqen t’i lokalizojë diçka më shumë në drejtim të lindjes. Apoloni i Rodit (IV, 614) afrohet me Pindarin, duke treguar një gojëdhënë kelte e cila i shpjegon lotët e qelibarit me ata të Apolonit të syrgjynosur nga Zeusi tek hiperboreanët (të cilët njësohen me sa duket me keltë’, sipas një tradite të vonë), në luginën e epërme të lumit Po, edhe pse vetë nuk e beson. Herodoti (IV, 32-36) u kthehet gjatë hiperboreanëve dhe pohon se më të mirinformuarit rreth tyre janë deliakët: “Blatime të mbështjella me kashtë gruri, të ardhura nga vendi i hiperboreanëve, ishin sjellë, siç thuhej, tek skithët; nga Skithia, popujt, që i merrnin secili nga fqinji i vet, i përcillnin në drejtim të perëndimit, deri sa mbërritën më në fund në brigjet e Adriatikut; prej aty, i shpinin drejt jugut; dodonasit ishin grekët e parë që i pritën”. Prej atje, ato ishin dërguar deri në Delos. Tek Herodoti haset një rrugëtim që shkon nga veriu i Adriatikut në drejtim të Dodonës, sipas një udhe që të sjell ndër mend rrugën e qelibarit. Është e vërtetë se R. L. Beaumont e hedh poshtë këtë itinerar, thjesht për arsyen se teksti i Herodotit saktëson se “dodonasit ishin grekët e parë që i pritën”; sipas tij, nëse këto blatime vinin nga deti, ato do të duhej të kishin zbarkuar më parë në Apoloni ose në Orik, pra në një qytet grek, po ta zëmë se këta ekzistonin tashmë. Mbase nga kjo do të kuptohej thjesht se Dodona ishte faltorja e parë që i priti. Por ideja e Bomonit është që ta përcaktojë vendin e hiperboreanëve diku në Epir, madje në afërsi të Dodonës, dhe ai mbështetet në një shënim skoliastik A tek Iliada (II, 750 dhe XVI, 233), ku Dodona cilësohet si “vend në anët e hiperboreanëve”. Kjo e dhënë e vërteton mendimin se deri edhe këto krahina të veriperëndimit të Greqisë ndodheshin në skajin e botës së të gjallëve. Sa për kërkimin e ndonjë vlere historike apo të një vendndodhjeje gjeografike të përcaktuar për këto legjenda, është e qartë se kjo është krejt e pamundur.

Sipas Eskilit (Prometeu i lidhur, 800), Prometeu i shpjegon lojës gabimet që ajo ka bërë dhe, pikërisht aty, i jep një shpjegim edhe emrit të GJIRIT JONIAN, me të cilin quhej në kohën e lashtë Adriatiku dhe deti Jon: “Sapo mbërrite në fushat e molosëve e në çukën e lartë të Dodonës, ku janë orakulli dhe selia e Zeus Tesprotit, me mrekullinë e pabesueshme të dushqeve që flasin, të cilët, qartazi e pa enigmë, iu falën tek ti asaj që duhej të ishte bashkëshortja e lavdishme e Zeusit - asgjë nga këto nuk ta përkëdhel kujtesën? -, ti brofe, e zënë nga zekthi, nëpër rrugën bregdetare, drejt gjirit të paanë të Reas, prej ku ta solli deri këtu vrapin endacak shtrëngata që të ka përlarë. Por, për kohët që do të vijnë, ky gji detar do të jetë, dhe dije pra mirë, gjiri Jonian, dhe ernri i tij do t’ua kujtojë tërë vdekatarëve kalimin tënd në këto anë”. Ama, jo të gjithë janë të një mendjeje lidhur me këtë etimologji të emrit të detit. Apiani (Luf. civ., II, 39) tregon për një gojëdhënë që Jon quan një aristokrat ilir: “Një mbret barbar, me emrin Epidamn, themeloi një qytet në bregdet dhe e quajti Epidamn, sipas emrit të vet. Dyrrahu, i biri i vajzës së tij dhe i Poseidonit, i shtoi qytetit një port dhe e quajti Dyrrahion (Dyrrah). Kur Dyrrahut i shpallën luftë të vëllezërit, Herakliu, që ishte rrugës duke u kthyer nga Eriteia, lidhi besë me të kundrejt një pjese të trojeve të tij; prandaj banorët e Dyrrahionit e mbanin atë për oikistin e tyre, domethënë për themeluesin e ngulimit të tyre, meqenëse ai u kishte një pjesë të tokës, jo ngaqë nuk e pranonin Dyrrahun, por sepse e nderonin Herakliun edhe më fort se një perëndi. Thuhet se, në betejën që pasoi, Herakliu vrau gabimisht Jonin, të birin e Dyrrahut, dhe se pasi i bëri nderimet e përmortshme, ia hodhi kurmin në det në mënyrë që ky të thirrej me emrin e tij. Një kushtim arkaik4 që shoqëron paraqitjen e heroit duke ecur në të djathtë me çomage të ngritur e vërteton këtë kult të parakohshëm të Herakliut kolonial në qytetin e Epidamn-Dyrrahionit.

info@balkancultureheritage.com