Kronologjia
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Kronologjia

Urbanistika ilire është një fushë pak e dokumentuar dhe thuaj e pastudiuar. Si e tillë, pa gërmime të rregullta masive, ajo mund të trajtohet vetëm “grosso modo”, në linja të përgjithshme. Për parashtrimin e saj nuk jemi ndalur në tërë rastet, detyrë kjo e një katalogu a inventari të qytetit ilir, por në sprovën për një klasifikim tipologjik, duke e ilustruar me shembujt më tipikë dhe më të lexueshëm.

Qytetet dhe kështjellat e njohura ilire janë 321, shifer e konsiderueshme kjo nëse do të kishim parasysh se numri i tyre në Greqinë e sotme kontinentale (pa Epirin dhe Maqedoninë Greke), pak a shumë në Hellasin e mirëfilltë, është rreth tre herë më i vogël.

Në lindjen dhe zhvillimin e qytetit ilir përcaktues ka qenë niveli ekonomik dhe shoqëror dhe niveli teknik si derivat i dy të parave. Prej 321 aglomeracioneve të mësipërme, 98 % (315) kanë mbrojtje të fuqishme natyrore: në tokë nga pjerrësia dhe thepisja e formacioneve shkëmbore, në det nga uji dhe shkëmbinjtë. Një mbrojtje të tillë nuk e gëzonin vetëm 5 qytete buzëdetare: 3 prej tyre koloni (Faros, Epidamn, Ambraki) dhe 2 autoktone (Salona, Aulona), dy në terrene krejt të rrafshëta (Salona, Faros) dhe tre në rrafshinat buzëkodrinore të qytezave nga lindën (Epidamn/Durrës, Aulona, Ambrakia).

Terreni ku janë ngulitur këto qytete dhe kështjella, i diferencon ato në tre tipa bazë, të ndarë më tej në nëntipa, dhe një tip që nuk i nënshtrohet klasifikimit.

Qytete kupole: a. radiocentrike, b. kurrizore.

Qytet shpati: a. të trashëguara, b. të ndërtuara rishmë.

Qytet rrafshi: a. pllaje, b. fushe, c. të përzier (kodrinorë/fushorë).

Qytete sui generis (të paklasifikueshëm)

Një ndarje e tillë nuk është e prerë me thikë: Falë natyrës së saj pragmatike, urbanistika iu përshtat kapriçiove të terrenit pa ndonjë kompleks si gjinitë e tjera: Në Foinike rrugët dhe blloqet e ngrehinave valëviten sipas serive sinusoidale të terrenit; në Buthrot agora, që do të thotë e larta, zbret fare poshtë, në Daors qyteti 40 hektarësh zgjedh për mbrojtje dhe strehim një akropol 0.60 ha që nuk strehon dot as 1/10 e popullatës. Kjo dhe krijon serinë hibride të modeleve vetjake, sni generis, që nuk i lakohen asnjë kategorizimi.

Njëkohësisht, asnjë prej këtyre aglomeracioneve nuk është një kapicë pa formë, por secili i përmbahet kodit gjenetik të tipit. Ndërkohë, sado paradoksale që mund të duket, struktura më optimale urbanistike, ajo me skarë ortogonale, mund ta zhbirojë ADN-në e saj që në agun e prehistorisë, në palafitet e bronzit, ndoshta dhe neolitit. Fundja kjo zgjidhje është krejt racionale dhe projektuesit e avenyve ortogonale të New York-ut vështirë se janë frymëzuar nga skarat ortogonale të Mohenjo Daro-s (2500 p.e.s.), qoftë edhe nga Priena e Hipodamit.

info@balkancultureheritage.com