Kronologjia
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Kronologjia

Për nga konceptimi, varret me fasadë shkëmbore ndahen në dy grupe. Grupi i parë (nr. 1,2) ndjek linjat e arkitekturës sepulkrale maqedonase: hyjnizimin e personave të varrosur nëpërmjet trajtimit të varreve si tempuj kushtuar perëndive. Më qartë me këtë ide përputhet varri 1, i cili ndonëse për një person të vetëm, ka vëllim më të madhe se varret e tjera dhe është pikturuar me afreske.

Varri i tipit distyl, me dy gjysmëkolona në ballë, ka një arkitekturë grosolane, të ngurtë dhe primitive. Shikimi në të përplaset në fasadën e sheshtë dhe të ngjeshur (raporti gjerësi/lartësi 1/0.8), ndërkohë që gjysmëkolonat dhe frontoni nuk arrijnë të krijojnë ndjesinë e thellësisë.

Varri nr. 2, shkëputet nga tipi i thjeshtë i naiskosit dykolonësh, për të kaluar në tipin standard me dy kolona mes cungjeve murale (distyle in antis). Fasada e tij, gjasisht me panele anësore me afreske, ndonëse me vështirësi arrin ta krijojë një ndjesi pseudothellësie. Trajtimi më primitiv dhe më i vrazhdët i elementeve arkitektonike, tregon se varri nr. 1 është më i hershëm se varri nr. 2.82 Ndonëse dhoma e varrimit e varrit nr. 1 është më e madhe se tërë dhomat e tjera, ajo ka një sarkofag të vetëm, çka tregon se varri i përkiste vetëm një personi. Si i tillë ai është Heroon, varr i heroit legjendar të fisit, argument ky në të mirë të përparësisë kohore të varrit nr. 1 ndaj varrit nr. 2 dhe tërë varreve të tjera.

Varret e grupit të parë, shëmbëlltyrën më të hershme e gjejnë në nekropolin verior të Cyrenes në Libi në një varr miniaturë të orderit jonik me dy kolona mes cungjeve murale (dystil in antis) Por, format e rënda dhe koha e hershme e ndërtimit (shek. VI/V p.e.s.) eliminojnë mundësinë e influencës së drejtpërdrejtë. Po aq nuk mund të merret në konsideratë si tepër e vonë, rishfaqja e këtij tipi në vitet 159- 138 p.e.s. Koncepti bazë, gdhendja në shkëmb dhe mosfshehja nga shikimi, i afron varret e grupit të parë të Selcës (nr. 1, 2), me varret me fasadë shkëmbore në Lyki (Telmessos, Myra), Kari (Milas, Kaunos) dhe Paflagoni (Donalar). Varri nr. 2 (distyl in antis) ngjason tepër me serinë B të varreve Hecatomnide të Kaunosit: po me dhoma të vogla kuadratike, me qemer të cekët dhe kamare në mes të timpanit, dukuri kjo e fundit e panjohur nga kund tjetër. Sundimi i Hecatomnidëve në vitet 395-334 p.e.s. e daton dhe varrin distyl të Selcës, në këtë hark kohor. Ndërkohë varret e Selcës ndryshojnë në koncept nga ata të Kaunos.

Arkitektura e varreve në Kaunos është volumetrike, e shkëputur nga shkëmbi. Një zgjidhje irracionale kjo, pasi me gjithë mundin e shpenzuar monumenti mbetet i presuar në shkëmb, ndërsa shikimit i ofrohet vetëm balli. Ndryshe prej tyre, arkitektura e varreve të Selcës është iluzore, butaforike (Blendarchitectur). Ndërkohë, megjithë kursimin maksimal të punës, efektet vizuale të Selcës dhe Kaunos janë të njëjta.

Nisur nga koncepti iluzor/butaforik, përmasat, mbulimi me qemer dhe modelimi i portave, grupi i parë i varreve të Selcës (nr. 1, 2) afron me 70 varret me fasadë të Maqedonisë lindore. Më afiër ai qëndron me gjeneratën e varreve me fasadë jonike, të gjysmës dytë. të shek. IV p.e.s. dhe më larg me varret me fasadë dorike. Por sërish varret e Selcës dallojnë në koncept nga varret maqedonase: Nëse fasada e varreve maqedonase e mbuluar nga tuma e dheut i fshihet plotësisht shikimit, varret e Selcës i shpalosen plotësisht shikimit.

Në grupin e dytë të varreve, çlirimi nga raporti i përparshëm formë-përmbajtje, përkatësisht tempull/varr, u shoqërua me kërkitnin dhe gjetjen e formave të reja, të cilat nuk synonin më hyjnizimin, por aspektin human. Më qartë ky raport kapet në varrin-teatër, i cili shkëputet plotësisht nga heroizmi, duke ju kushtuar vetëm përkujtimit dhe meditimit. Shkëputjen konceptuale nga hyjnizimi, e dëshmojnë dhe dhomat e varrimit, në varrin propile: minjone pa fasadë, me një pllakë kabahe guri si portë, dhe në varrin- teatër: asgjë tjetër, veç një grope. Trajtimi i lirë i varreve të grupit të dytë, e shpëtoi arkitekturën sepulkrale nga tradicionalizmi i ftohtë dogmatik. Si i tillë, ky grup ndahet qartë nga i pari, i ankoruar në arkitekturën sepulkrale maqedonase, dy- dimensionale dhe të thatë. Arkitektura e tij kalon në tredimensionalitet dhe zhdërvjelltësi, duke u dhënë monumenteve liri dhe frymëmarrje. Duke i kthyer ata në përfaqësues tipikë të asaj që njihet si dëshirë a gëzim për të eksperimentuar (love of experimentation, experimentier freude), karakteristike për arkitekturën helenistike fare keq të studiuar.

Apexin, pikën kulmore arkitektura sepulkrale e arrin me varrin propile. Ndryshe prej arkitekturës së qetë të varrit-teatër, tërheqja hemiciklike e varrit propile krijon ndjesinë e harkut të tendosur të shigjetës. Syri në të nuk përplaset më sipërfaqeve të thata dhe të sheshta të varreve të grupit të parë, por udhëhiqet butë nga linjamenti i harkuar i kolonave.

Afresket në rrafshet mes këtyre kolonave, i ç’materializonin rrafshet, duke u dhënë atyre tejdukshmërinë e hapësirave të zbrazëta të propileve hyrjeve monumentale. Së fundi, efekti polikromik, shumëngjyrshmëria e afreskeve, pasqyrohej edhe në oborrin e shtruar me mozaik po shumëngjyrësh.

Vice-versa, me gjithë ndarjen e qartë konceptuale, elementet arkitektonike të dy grupeve kanë lidhje të qarta gjenetike: Kapitelet jonike si të grupit të parë (varri nr. 2), ashtu dhe të dytë (varri nr. 3) i përkasin të njëjtit model specifik dhe raportet diametër/lartësi kolonash janë ekzakt po ato. Ajo që ndryshon është cilësia e punimit, mjaft më fine në grupin e dytë: Në varrin propile; arkitrau ndahet më qartë në tri pjesë, frizi përkulet më me elegancë, kapitelet janë më plastike dhe kolonat janë të pajisura me kanelyra.

Shkak i kësaj diference cilësore nuk është fuqia ekonomike, përkatësisht shpenzimi më i madh: Masa e gurit të gërmuar për modelimin e varreve të grupi të parë është deri 180 % më e madhe se masa e gurit të gërmuar për modelimin e varreve të grupi të dytë. Çka do të thotë se me shpenzime më të vogla, u arrit një arkitekturë më e përsosur.

Trajtimi i lirë, i paankoruar më në protomodelet maqedonase, arritja e rezultateve superiore me kosto më të ulët dhe perfeksionimi në latimin e gurit, tregon qartë se varret e grupit të dytë janë të mëvonshme se ata të grupit të parë. Por, lidhja e qartë gjenetike, tregon se diferenca kohore midis dy grupeve nuk është shumë madhe.

Në përfundim, niveli artistik i monumenteve të mësipërme, tregon se ata nuk u modeluan nga arkitektë të rëndomtë, kopjues modelesh standarde, por nga arkitektë novatorë, rrugëhapës (bahnbrechend). Këta arkitektë, zgjidhnin dhe kombinonin lirshëm elementet në dispozicion dhe i zhvillonin vetëdijshëm më tej, duke kërkuar me guxim tipa dhe forma të reja.

Për fat të keq (në të vërtetë jo dhe aq), këto risi formash dhe elementesh (hark, qemer, eksedër) nuk patën vazhdimësi të drejtpërdrejtë. Ato u rishfaqën vetëm pas një hijatusi 4-5 shekullor në arkitekturën romake, e cila i ktheu ata në kuintelemente arkitektonike, të përdorshme gjerë edhe sot. Jo dhe aq keq, pasi këto hijatuse na japin të drejtën e padiskutueshme që këto forma dhe elementë t’i klasifikojmë si forma dhe elemente të arkitekturës ilire. Në të kundërt, nëse ata do të kishin pasur lidhje dhe vazhdimësi, do trajtoheshin si përherë, si kopje provinciale të protomodeleve helene a romake.

info@balkancultureheritage.com