Libri XXVIII
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Libri XXVIII

Kur Olympia, e bija e Pirros, mbretit të Epirit, humbi burrin e saj, Aleksandrin, i cili në të njëjtën kohë ishte edhe vëllai i saj, ajo u bë tutore mbi dy bijtë që kishte prej tij, Pirron dhe Ptolemeun dhe mori përsipër drejtimin e shtetit. Në këtë kohë etolët donin të merrnin një pjesë të Akamanisë, të cilën i ati i fëmijëve e kishte marrë më parë si pjesë të plaçkës së luftës . Olympia iu drejtua për ndihmë mbretit të Maqedonisë Demetrit. Demetri kishte për grua motrën e Antiohut, mbretit të Sirisë, por Olympia i dha atij për grua të bijën Ftian, që me anë të krushqisë të merrte nga Demetri, për keqardhje, atë ndihmë që ai nuk kishte mundur ta merrte më parë...

Akamanët nga ana e tyre, duke mos pasur besim tek epirotët, kërkuan kundër etolëve ndihmën e romakëve. Ata arritën ta bindin senatin romak që të dërgonte delegatë për t'u thënë etolëve që të largojnë garnizonet e tyre nga qytetet e Akamanisë dhe t'i lënë të lirë ata, të cilët qenë të vetmit që nuk u dhanë ndihmë grekëve kundër trojanëve, prej nga rrjedhin romakët.

Ata /etolët/ i kthyen mbrapsht delegatët romakë... dhe filluan të shkretojnë tokat e Epirit dhe të Akamanisë.

Në këtë kohë Olympia ua kaloi drejtimin e punëve të shtetit të bijve; vëllanë që vdiq, Pirron, e pasoi në fron Ptolemeu. Në krye të një ushtrie të armatosur mirë, ai luftoi kundër armiqve, por i goditur nga një sëmundje, vdiq në kohën e fushatës.

Edhe Olympia, e pikëlluar në shpirt nga dy vdekje, jetoi e mjeruar vetëm pak 4 kohë pas vdekjes së të bijve. Prej gjithë fisit mbretëror mbetën vetëm dy vajza — Nereida me motrën e saj Laodamenë. Nereida u martua me Gelonin, birin e tiranit të Siqelisë, kurse Laodamea u vra nga populli tek altari i Dianës ku kishte vajtur për të shpëtuar. Perënditë e pavdekshme u hakmorën për këtë krim; fatkeqësi të njëpasnjëshme ranë mbi popullin /e Epirit/ dhe ai pothuajse u shfaros krejt; ata /epirotët/ vuajtën nga thatësira dhe uria, i brejtën grindjet e brendshme dhe, më në fund, thuajse u vranë krejt ndër luftërat me armiqtë e jashtëm. Kurse Miloni, vrasësi i Laodamesë, u bë si i çmendur dhe duke torturuar trupin e tij me hekur, me gurë dhe më në fund me dhëmbë, vdiq pas dymbëdhjetë ditësh.

Ndërkaq vdiq mbreti i Maqeodnisë Demetri, i cili la mbrapa një djalë të mitur, Filipin. Si tutor atij iu caktua Antigoni. Si u martua me të ëmën e fëmijës jetim, ai filloi të synonte për të marrë pushtetin mbretëror. Pas disa kohësh, kur ndodhi një kryengritje e madhe dhe Antigoni u rrethua në pallat nga kryengritësit, ai doli pa besnikët e tij në popull dhe si hodhi para turmës diademën dhe veshjen e purpurt, kërkoi që populli t'ia jepte ato një tjetri, i cili nuk do t'i urdhëronte për asgjë, ose njërit të cilit mund t'i bindeshin. Kurse ai, nga ky pushtet i urryer mbretëror, nuk gjente ndonjë kënaqësi, por kishte vetëm mundime e rreziqe. Pastaj u kujtoi të mirat që kishte bërë dhe se si kishte nënshtruar aleatët që ishin shkëputur, si qetësoi dardanët e thesalët, të cilët u gëzuan nga vdekja e Demetrit, se si ai jo vetëm mbrojti dinjitetin e maqedonëve, por e ngriti këtë edhe më lart. Në qoftë se ata nuk ishin të kënaqur prej gjithë këtyre, ai jepte dorëheqjen, sepse me sa duket, ata kërkonin një mbret, mbi të cilin do të mund të sundonin /dhe jo t'i sundonte/. Kur populli i turpëruar vendosi që Antigoni ta merrte prapë pushtetin, ai kundërshtoi derisa i dorëzuan shkaktarët e kryengritjes, për t'i dënuar.

info@balkancultureheritage.com