Luftërat civile
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Lufta ndërmjet Cezarit dhe Pompeut (49-48)

Në vitin 59, lex Vatinia i siguroi Cezarit qeverisjen e Galisë së këtej Alpeve dhe të Ilirikut, me tre legjione që ishin të përqendruara në Akuile (Cezari, B. G., I 10, 3). Iliriku përmblidhte të gjithë zonën bregdetare ndërmjet Istries dhe Epirit. Kërcënimi i dakëve të Burebistës, që rëndonte mbi veriun e Adriatikut dhe mbi bregdetin dalmat, e përligjte mundësinë e kësaj ndërmarrjeje në drejtim të verilindjes së Italisë. Nga njëra anë, tërheqja e dakëve që, përkundrazi, i kthyen sulmet e tyre në drejtim të Olbias dhe, nga ana tjetër, trazirat e Ariovistit dhe të suevëve që i kanoseshin ekuilibrit në Galinë gjetheshumë (Gallia comata') si edhe paqes në Narbonezë, i ndryshuan planet e Cezarit që e la të zgjaste situatën e brishtë mes Danubit dhe bregdetit adriatik për t’iu kushtuar tërësisht çështjeve të Galisë së përtej Alpeve. Ai shkoi në Akuile për të marrë të tri legjionet që i përforcoi me dy të tjera shtesë dhe, duke kaluar nëpër malin Genevra, arriti në lumin e Ronës në maj të vitit 58. Në brigjet e Adriatikut ai u duk sërish vetëm në janarin e viti 49, kur kapërceu Rubikonin që ndante provincën e tij, Galinë e këtej Alpeve, nga Italia, në veri të Ariminumit (Riminit). Ndërkohë që ai pushtoi qytetet Pisaurum, Fanum dhe Ankonë në bregdetin adriatik, Pompeu dhe Senati u larguan nga Roma për në Kampanie. Në mars 49, Pompeu dhe pasuesit e tij e lanë Brundisiumin dhe shkuan në Dyrrahium. Italia i kishte mbetur Cezarit dhe Adriatiku po shërbente si kufi ndarës ndërmjet dy grupimeve.

Pasi e kaloi vitin 49 duke bërë luftëra në Spanjë dhe përpara qytetit të Marsejës, Cezari e gjeti mundësinë për t’u kthyer drejt Adriatikut. Pompeu e përforcoi ushtrinë e tij në Maqedoni para se të zinte pozicion rreth e përqark Dyrrahiumit, me qëllim që të mos e linte kundërshtarin e vet që të kapërcente kanalin e Otrantos. Ai po e mbante bregun nga Lissosi në veri deri në Orikos në jug. Cezari provoi një lundrim të rrezikshëm në mes të dimrit (janar 48) dhe skuadrilja e tij mbërriti në bregun e Palestes, në jug të maleve Akrokeraune (Apiani, L. C., II, 54), ku zbarkuan të shtatë legjionet që e shoqëronin. Atyre iu desh që, duke marshuar në dëborë, të kapërcenin qafën e Llogarasë në mënyrë që ta zinin në befasi portin e Orikosit, në fund të gjirit të Vlorës; megjithë praninë e pompeasit L. Torquatus dhe të garnizonit të tij me parthinë, qyteti ra. Cezari marshoi pastaj mbi Apoloni: L. Staberius, i cili ishte komandanti i qytetit për Ilogari të Pompeut, donte të organizonte qëndresën, por apoloniatët e kundërshtuan, sepse nuk donin t’ia mbyllnin dyert konsullit të Romës. Staberiusi ia mbathi, Apolonia ua hapi portat njerëzve të Cezarit dhe shembullin e saj e ndoqën edhe banorët e Bylisit dhe të Amantias. Por Cezari mbërriti tepër vonë për të shtënë në dorë Dyrrahiumin dhe të dyja ushtritë i ngritën fushimet tyre në të dy anët e lumit Apsos (Semanit të sotëm). I lodhur nga pritja e përforcimeve të Antonit dhe nga frika se mos ato kapeshin nga flota e Pompeut, Cezari u orvat të hidhej fshehurazi në Brundisium, por shtrëngata nuk e la të dilte në det nga porti lumor i Apolonisë (shih kapitullin 2). Në mars 48, anijet e transportit të trupave përshkuan Adriatikun dhe kaluan në detin e hapur përballë Apolonisë dhe Dyrrahiumit, por një erë e fortë nga jugu i shtyu përtej Lisit ku trupat mundën të zbarkojnë, megjithëse mjaft larg nga pozicionet e Cezarit. Ai vit 48 e tregoi qartë se sa i pasigurt ishte lundrimi përmes Adriatikut gjatë stinës së keqe: anijet nuk mund. ta parashikonin pikën e mbërritjes së tyre, e cila mund të zhvendosej mbi 100 kilometra në drejtim të veriut apo të jugut, sipas drejtimit të erërave. Megjithatë Antoni dhe Cezari e bënë bashkimin e forcave të tyre. Pompeu i shkatërroi skuadriljet e Cezarit në Lis dhe në Orikos. Cezari u përpoq ta izolonte Pompeun mbi lartësitë në jug të Dyrrahiumit, në Petra, por Pompeu ia doli mbanë t’i çante vijat mbrojtëse të Cezarit, i cili u tërhoq në drejtim të Apolonisë. Pas kësaj, të dyja ushtritë u shtynë thellë në drejtim të lindjes dhe Pompeu u mund në Tesali në betejën e Farsalës, më 9 gusht 48. Dyrrahiumit iu desh ta paguante shtrenjtë zgjedhjen e gabuar që ishte shtrënguar të bënte. Edhe ilirët që kishin mbajtur anën e Pompeut u detyruan nga Cezari që të paguanin haraç dhe të dorëzonin pengje (Apiani, II., 13). P. Vatinius, me tri legjione, u ngarkua nga Cezari të mblidhte detyrime dhe pengje ndër popullsitë ilire. Më në veri, A. Gabinius, një pasues i Cezarit, i humbi të pesë kohortat e tij që u asgjësuan nga ilirët (Apiani, II. 12). Pompeasit bënë edhe një përpjekje tjetër për t’u rigrupuar në Epidaur, por dështuan dhe u detyruan të largoheshin nga ishulli i Korkyrës.

Qëndrimi i Oktavianit në Apoloni (45-44)

Ishte vjeshta e vitit 45, në të gjallë të dajës së tij të madh Jul Cezarit, i cili e kishtebërë bir në shpirt, kur Oktaviani i ri u dërgua në Apoloni për të bërë studime (Velei Paterkuli, II, 59, 4; Apiani, L. C., III, 9-10; Suetoni, Augusti, 8, 2, 1; Dion Kasi, XLV, 3, 1; Plutarku, Bruti, 22, 2), por disa autorë shtojnë se qëllimi ishte edhe që atij t’i jepej një edukim ushtarak, me synimin që t’i besohej detyra e ekspeditës kundër parthëve, madje edhe që të mbikqyrte përgatitjet e kësaj ekspedite të rëndësishme. Shokët e qëndrimit i kishte të mirë, si Agripën, dhëndërrin e tij të ardhshëm, të zotin për t’i mësuar rolin që i takonte si udhëheqës lufte; aty ai mësoi gjuhën greke, por ky qëndrim qe tepër i shkurtër për ta folur atë rrjedhshëm.

Kur morilajmin e vdekjes së Cezarit, Oktaviani, që ishte caktuar si trashëgimtari i tij, ngurroi lidhur me vendimin që duhej të merrte: të shkonte në Maqedoni të takohej me legjionet, të rrinte në Apoloni, apo të kthehej në Romë (Nikolla i Damaskut, në fragmentet 16-17 tek Jeta e Cezar Augustit, jep një rrëfim të gjallë të reagimeve të tij dhe të qëndrimit që mbajtën apoloniatët). Më së fundi, ai shkoi në bregun italian dhe mbërriti në Romë, por shpejt do të shfaqeshin tensionet me Mark Antonin. Ky i fundit kishte marrë provincën e Maqedonisë, të cilën donte t’ia linte të vëllait, Kajit që ishte pretor, për t’i zhvatur Galinë e këtej Alpeve Decimus Brutit, sepse ajo ishte më e begatë në ushtarë e në para, dhe pikërisht në Apoloni i mblodhi legjionet e tij Mark Antoni në nëntor të vitit 44. Ai ngadhënjeu mbi Decimus Brutin, por u ndesh me koalicionin e Oktavianit dhe të konsujve të vitit 43 në atë që u quajt “lufta e Modenës . D. Bruti u përpoq në vitin 43 të përshkonte Ilirikun nga Akuilea deri në Maqedoni, por dështoi përballë kundërshtimit të japodëve.

Lufta e re civile kundër vrasësve të Cezarit (44-42)

Vrasësit e Cezarit, Mark Brutus dhe C. Cassius, u hodhën në Lindje për të bërë rigrupimin e legjioneve kundër Mark Antonit. Apiani (ZZ., 13) rrëfen se vdekja e Cezarit shkaktoi një kryengritjetë ilirëve të Dalmacisë, të cilët nuk pranuan të paguanin haraçin dhe i shpartalluan pesë kohorta të ushtrisë së P. Vatiniusit. Vetë ky i fundit u strehua në Dyrrahium. Senati ia besoi provincën e Maqedonisë M. Brutit, ndërsa Kasit i caktoi atë të Sirisë. Lufta shpërtheu haptas mes Caius-it, vëllait të Mark Antonit, dhe vrasësve të Cezarit, të cilët përkraheshin nga Ciceroni që iu vërsul me ashpërsi dy vëllezërve në ligjëratën Filipike X (5, 11): “Ç’punë kishte ai [Kai Antoni] në Apoloni? Po në Dyrrahium? Po në Iliri? Po me ushtrinë e kryegjeneralit P. Vatiniusi? Thoshte se ishte pasuesi i Hortensit. Mirëpo Maqedonia i ka kufijtë të përcaktuar, statusin të përcaktuar, ushtrinë të përcaktuar, nëse i ka pasur vërtet; po atëherë vallë me Ilirinë dhe me legjionet e Vatiniusit, ç’punë kishte Antoni?”. Në fillim të vitit 43, situata ishte e turbullt; Kai Antoni mbante Maqedoninë, por ish-guvernatori i provincës Q. Hortensi u bashkua me Brutin dhe shkaktoi dezertimin e Dyrrahut ku zbarkoi Bruti (Apiani, L.C., III, 32). Gai i bëri thirije P. Vatiniusit që komandonte ushtrinë në Ilirinë fqinjë, por ky i fundit nuk mund të kishte besim tek trupat e tij. Në ligjëratën Filipike XI (11), Ciceroni mbronte M. Brutin: “Për më tepër, të nderuar senatorë, M. Bruti vazhdon të mbahet nga K. Antoni që ka pushtuar Apoloninë, magna urbs et gravis (qytet i madh e hijerëndë), që ka pushtuar, besoj, Bylisin, ka pushtuar Amantian, i kanoset Epirit, është te portat e Orikut, dhe i cili ka disa kohorta dhe është i pajisur me kavaleri”. Sërish, Dyrrahu dhe Apolonia ndodheshin, secili, në duart e njërit nga dy kundërshtarë të ndryshëm, njëlloj si në konfliktin ndërmjet Cezarit dhe Pompeut. Më në fund, Kai Antoni u kap nga M. Bruti.

Krijimi i triumviratit të dytë mes M. Antonit, Oktavianit dhe Lepidit solli vdekjen e Ciceronit dhe luftën kundër Brutit dhe Kasit. Kai Antoni, i cili u përpoq të ngrejë Apoloninë kundër Brutit, u vra. Në fund të verës së vitit 43, trupat e Triumvirëve kapërcyen Adriatikun dhe mbërritën në Dyrrahium, të cilin e pushtuan, pastaj nëpërmjet via Egnatia-s kaluan në Maqedoni: në tetor 42, vrasësit e Cezarit u mundën dhe u vranë në betejën e Filipit. Ishte koha (më 31 korrik) kur P. Vatiniusi u prit si ngadhnjimtar në Romë për aksionin e kryer në Iliri. Paqja e Brindesit (tetor 40) ia dha Ilirikun Oktavianit dhe Maqedoninë M. Antonit. Që nga ai çast, e gjithë Lindja, që nga meridiani i Skodrës, i takoi M. Antonit, ndërsa Oktaviani mori nën administrim Perëndimin, duke përfshirë edhe Ilirikun (Apiani, L. C., V, 65). Çuditërisht, ky sinor nuk ndiqte kufijtë e provincës së Maqedonisë; ai i linte Antonit katër portet më të rëndësishme të Ilirisë jugore (Orikun, Apoloninë, Dyrrahun dhe Lisin), ndërsa Oktaviani do të mbante vetëm portet më veriore, duke filluar me Grykën e Kotorrit dhe me Epidaurin. Kjo shpërndarje i jepte dorë Lindjes dhe Mark Antonit dhe ishte në dëm të epërsisë së Oktavianit dhe Ilirikut. Brigjet e Adriatikut e humbën kështu për nja dhjetë vjet njësinë e tyre.

Thalasokracia e Gn. Domic Ahenobarbusit

Pikërisht në atë periudhë (vitet 42-40), në kanalin e Otrantos u vendos një lloj thalasokracie2. Sundimi i Gn. Domic Ahenobarbit mbi komunikacionet ndëmjet Italisë dhe bregut lindor të detit Adriatik et të detit Jon pati një jetë të shkurtër dhe u zhduk fare gjatë paqes së Brindesit, e cila shënoi pajtimin mes Oktavianit dhe M- Antonit. Ky personazh ishte i ati i Luc Domic Ahenobarbusit, konsull më 16 para J. K., i njohur në Buthrot falë një mbishkrimi latin. Ky Luc u martua me Antonian, të bijën e M. Antonit; biri i tyre, Gneu u martua me Agripinën e dytë dhe qe i ati ii Neronit. Taciti (Analet, 4, 44) shkruan: “Luc Domici ruante shkëlqimin e të atit që kishte qenë zoti i detit gjatë luftës së parë civile deri sa u bashkua ine partinë e Antonit e pastaj me atë të Cezarit (Oktavianit)”. Tek Jeta e Neronit (3) Suetoni tregoni se si e mori Gneu kontrollin e flotës: “Pas vdekjes së Brutit e të Kasit, Gn. Domic Ahenobarbi e zmadhoi flotën që i ishte besuar më parë dhe vetëm pas disfatës së plotë të partisë së tij ia dorëzoi atë M. Antonit, me dëshirën e vet, gjë që u pa si një shërbim i shquar”. I lidhur me partinë republikane, po aq sa ç’e kishte pasur familjen të lidhur me Pompeun, ky personazh përfaqësonte një forcë të konsiderueshme që mund të shqetësonte si M. Antonin ashtu edhe Oktavianin e ri, sepse ai kishte në dorë çelësat e komunikimeve mes Romës dhe Lindjes.

Para betejës së Filipit, ai kishte pasur si rol që të bllokonte kanalin e Otrantos për t’i sulmuar pareshtur anijet e transportit të trupave të Oktavianit e të Antonit dhe për të prerë rrugët e furnizimit nga Italia. Bruti dhe Kasi dërguan Stai Murkon me një legjion dhe 60 anije për të bllokuar hyrjen në portin e Brundisit. Bashkë me flotën e Gn. Domic Ahenobarbit, bëheshin plot 130 luftanije që e kishin prerë rrugën detare për në Itali (Apiani, L. C., IV, 15, 115), ndërsa Sekst Pompeu kishte bërë të njëjtën gjë në brigjet e Afrikës. Bash ditën e betejës së Filipit, Apiani rrëfen betejën detare që vuri ballë për ballë, në kanalin e Otrantos, flotën e S. Murkos e të Gn. Domic Ahenobarbit me skuadriljen e Gn. Domic Kalvinit, i cili po kalonte me anije transporti dy legjione në përforcim të ushtrisë së Oktavianit. Duke qenë më të manovrueshme, luftanijet me rrema dolën lehtas fitimtare mbi transportuesit me vela, të cilët ishin pothuajse të palëvizshëm kur binte era; legjionarët u përpoqën të shpëtonin me not apo duke u mbajtur fort pas partalleve të anijeve të mbytura. Kalvini mbërriti në Brundisi pesë ditë pas disfatës së pësuar. Pas kësaj, Gn. Domic Ahenobarbi mori titullin imperator dhe sundoi në rrethinat e bregut të Apulies e të Mesapisë, ndërsa Sekst Pompeu kontrollonte ngushticën e Mesinës, Korsikën dhe Sardenjën. Roma nuk ushtronte më asnjëfarëlloj autoriteti mbi principatat detare që u krijuan mu në portat e Italisë. Zyrtarisht i dëbuar, i kërcënuar me vdekje, imperator-\ dukej krejt i pavarur. Ai preu monedha ari e argjendi: në njërën nga anët e pasme të tyre, një bash anijeje i kthyer nga e djathta kishte sipër si trofe dy shpata e një shqyt, duke bërë aluzion për fitoren detare të vitit 42. Trupat e Oktavianit nuk mund të dilnin nga porti i Brundisit, që sulmohej shpesh. Kur M. Antoni kërkoi të hidhej në Itali, udhës në kthim nga Athina, ra njëherë në ujdi me Gn. Domic Ahenobarbin (Apiani, L. C., V, 55). Oktaviani mund t’ia kishte frikën një rrethimi detar të Italisë në rast aleance mes Antonit, Sekst Pompeut dhe Gn. Domic Ahenobarbit. Paqja e Brindesit ktheu lirinë e lundrimit: Gneu arriti ta martojë të birin, Lucin, me të bijën e M. Antonit; gjatë marrëveshjeve të Misenit, në vitin 38, ai siguroi premtimin për t’u bërë konsull më 32 dhe, në pritje të asaj dite, hoqi dorë nga fuqia e vet detare dhe mori qeverisjen e provincës së Bitynisë. Apiani (B.C., V, 61) shton se banorët e Brundisit u treguan armiqësorë ndaj Antonit që ishte lidhur “me atë që mbante ende të bllokuar tërë Adriatikun, që u kishte djegur atyre anijet dhe që kishte kryer ekspedita piraterie në Itali”. Pas kësaj, Gn. Domic Ahenobarbi arriti ta braktiste partinë e Antonit dhe të afrohej me Oktavianin, pak muaj para betejës së Akciumit.

Fushatat e Oktavianit në Iliri (vitet 35-33 para J. K.)

Më 42, Galia e këtej Alpeve u shkri me Italinë duke u zhdukur si provincë nëpërmjet lexRoscia. Kufiri lindor u vendos përgjatë Arsës në Istrie (nja 30 kilometra në perëndim të Rijekës); Straboni e saktëson prerazi se Pola është në Itali; ky ndryshim kufiri mund të jetë bërë në të gjallë të Agripës, ndërmjet viteve 18 dhe 12 para J. K. Cezarit i ishte dhënë që në vitin 58 qeverisja e provincave të Galisë së këtej Alpeve dhe të Ilirisë, por kjo e fundit vazhdonte të ishte e papërcaktuar mirë e shihej më fort si njëfarë shtojce e provincës së këtej Alpeve. Pas vitit 49, Cezari organizoi provincën e Ilirikut, e cila përfshinte edhe venetët në veri dhe kishte një guvernator më vete. Në jug, provinca e Maqedonisë kufizohej me detin Adriatik dhe përmblidhte qytetet e mëdha të Apolonisë e të Dyrrahit. Gjatë triumviratit të dytë u krijuan kolonitë e Tergestit (Trieste), Parentit (Poreçi) dhe Polës (Pula). Ai që 1 futi Venetinë dhe Istrien në rajonin X të Italisë me qendër Akuileian, ishte Augusti. Një nga privilegjet e Italisë ishte, pa dyshim, që nuk detyrohej të mbante e të duronte prani trupash, të cilat kishin të drejtë të qëndronin vetëm më tutje, nëpër provinca. Ky rregull mbeti në zbatim deri në kohën e Septim Severit, më 193. Përjashtim prej tij bënte vetëm flota e Ravenës, efektivat e së cilës përbëheshin kryesisht nga qytetarë të lirë të huaj ose me prejardhje skllavi.

Mark Antoni e ngarkoi që në fillim, në vitin 39, Asin Polionin që të udhëhiqte luftën kundër parthinëve, në prapatokën e Dyrrahut, si edhe kundër dardanëve në zotërimin ilir që i kishte rënë në pjesë me paqen e Brindesit dhe me ndarjen e botës romake mes dy triumvirëve. Atij i duhej t’i përforconte pozitat e veta në Ilirinë jugore, sepse krahina kishte rëndësi jetike për lidhjet me Italinë. Nga ana e tij, edhe Oktaviani sigurisht që nuk e nënvlerësonte rëndësinë e kësaj zone, çka e tregojnë fushatat që ndërmori në vitet 35-34. Të dyja pjesët e botës romake takoheshin me njëra-tjetrën përgjatë meridianit të Skodrës, pikërisht aty ku mbahej edhe kontakti i afërt me Italinë e me kryeqytetin e saj, Romën.

Shumë pikëpyetje janë ngritur lidhur me dy fushatat që ndërmori Oktaviani3: çfarë synimi kishin vallë, ta bënin më të qëndrueshëm kufirin e Galisë së këtej Alpeve e të përforconin pozicionet romake në Ilirik, apo thjesht të shtinin prapë në dorë territoret e humbura gjatë luftërave civile e të forconin pozitat romake, sidomos duke bashkuar trojet veriore dhe ato të Maqedonisë, duke i nxjerrë nga izolimi pikëmbështetjet bregdetare, veçanërisht kolonitë cezariane (Salonën, Epidaurin dhe Naronën) në brigjet dalmate dhe nëpër ishuj. Japodët i patën sulmuar dy herë Akuileian eTergestin gjatë njëzet viteve të kaluara, i patën shkaktuar disfatë D. Brutit në vitin 43, kur ky kishte dashur të dilte në Maqedoni duke kaluar nga veriu i Adriatikut. Dion Kasi (49, 34, 2) e fillon rrëfimin e fushatave të Oktavianit duke theksuar se ato ishin plotësisht të domosdoshme, kryesisht për arësye se salasët, tauriskët, liburnët dhe japodët kishin kohë që nuk e paguanin më detyrimin.

Apiani (//., 16) i përmend me radhë popujt kundër të cilëve ai drejtoi fushata luftarake: brenda një viti, ai nënshtroi oksiejtë, perthenatët, batiatët, taulantët, kambeasit, kinamorët, menomenët dhe pyrisejtë. Me mund më të madh, ai mposhti edhe gjashtë popuj të tjerë: dokleatët, karnët, interfrurinët, naresët, glinditionët e tauriskët. Fqinjët e tyre, hipasinët dhe besët, u nënshtruan vetë. Agripa mposhti ishujt Melita e Korkyra Melaina, fole piratësh, banorët e të cilëve u masakruan dhe u shitën si skllevër. Vargu i popujve të përmendur nga Apiani, që është shumë më i gjatë nga sa u përmend më lart, duket se niset nga dëshira për t’i bërë një përshtypje të madhe Senatit me anë të përshkrimit të sukseseve. Popujt e nënshtruar paraqiten sipas shkallës së vështirësisë së luftimeve të zhvilluara kundër tyre, pa kurrëfarë meraku për t’u bërë ndonjë renditje gjeografike; shpesh, identifikimi i tyre mbetet i vështirë: a mos vallë perthenatët janë parthenët e njohur pranë Lisit, pra parthinët? Përmendja e taulantëve duket sikur nënkupton që operacionet e Oktavianit kanë dalë në prapatokën e Dyrrahut, pra në zonën që ishte nën sundimin e Antonit.

Në vitin 35, Oktaviani udhëhoqi një ofensivë kundër japodëve dhe panonëve, e cila përfundoi me marrjen e Segestës (Siskias) në luginën e Savës. Gjeneralët e tij vendosën aty një garnizon të fuqishëm prej 25 kohortash që u përdorën në një ekspeditë kundër dakëve. Në vitin 34, ai sulmoi dalmatët (delmatët) e prapatokës së Salonës, të cilët kishin poshtëruar A. Gabinin më 48 dhe i kishin bërë qëndresë P. Vatinit në vitet 45-44; operacionet u përfunduan në vitin 33 nga Statil Tauri dhe dalmatët dhanë pengje e paguan haraç. Këto fushata siguronin kontrollin mbi luginën e Savës nga Emona (Ljubljana) deri në Segestë, si edhe kontrollin mbi të gjithë krahinën bregdetare përgjatë Adriatikut: nënshtrimi i dalmatëve ishte një shpagim për poshtërimet që u ishin bërë romakëve në vitin 48. Mbetej që të sigurohej komunikacioni i rregullt ndërmjet Segestës (Siskias), pra luginës së Savës, dhe Maqedonisë, duke mbajtur nën mbikqyrje në verilindje kufijtë dakë.

Mbretërimi i Augustit

Beteja e Akciumit, në vitin 31, e cila shënoi ngadhënjimin e Oktavianit mbi rivalin e tij, Mark Antonin, u zhvillua në ujërat e detit Jon, në detin e hapur përballë gjirit të Ambrakisë (Artës), në afersi të qytetit të madh të Nikopolit, që u themelua pak më vonë nga fitimtari në përkujtim të kësaj fitoreje. Kështu, uniteti i botës romake u ripërtëri, meridiani i Skodrës nuk e pati më kuptimin e një kufiri mes Lindjes e Perëndimit, dhe dy brigjet e Adriatikut iu kthyen sërish shkëmbimeve dhe rolit të tyre si urë lidhëse. Qyteti i Nikopolit u popullua me anë të shpëmguljes së detyruar të popullatave nga Akarnania, Etolia, Kasopia e Ambrakia. Ai nuk ishte koloni romake, por qytet (polis) me institucione greke, aty rrëzë kodrës së Mihalicit, majë së cilës Oktaviani ngriti një monument në përkujtim të fitores, të zbukuruar me bashet e anijeve që i ishin zënë armikut. Oktaviani shpëmguli aty garat aktiase, festimet e të cilave organizoheshin nga qyteti i Anaktorit dhe federata akamane për nder të Apolonit, në limanin e Aktit, në jug të ngushticës së hyijes së gjirit të Ambrakisë. Pas kësaj, lojërat aktiase u zhvilluan në Nikopoli dhe vazhduan të organizohen edhe në shekullin III, siç e tregon një mbishkrim4 i lexuar nga Qiriaku i Ankonës dhe i rigjetur pjesërisht në kastro-n e Janinës, i cili u përket viteve 241-242. Qyteti i Nikopolit ishte një vendqëndrim ku ndaleshin shpesh perandorët që vinin nga Italia për të shkuar në Greqi, siç dëshmohet nga altarët e shumtë të ngritur për nder të perandorit Hadrian dhe të gruas së tij, perandoreshës Sabina5, me rastin e kalimit të tyre në qytetin e themeluar nga Oktaviani për të përkujtuar fitoren e tij mbi Mark Antonin. Edhe gruaja e Augustit, Livia, është objekt mbishkrimesh nderimi në Dodonë6 dhe, pas vdekjes së Augustit, në Apoloni nën emrin lulia Sebasta7. Qe Herod Atiku ai që më vonë, pas vitit 160, datë kur u bë kryeprift i pëijetshëm i perandorit, u tregua zemërgjerë me portin e Orikut, njëlloj si me Athinën, Delfin, Olimpinë apo Korintin.

Gjatë njëzet viteve që pasuan betejën e Akciumit, rajoni në lindje të Adriatikut nuk përmendet më. Në vitin 16 para J. K., P. Silvius Nerva dhe përfaqësuesit e tij luftuan kundër një kryengritjeje të popullsive të Alpeve lindore, të nxitura nga pushtues që vinin nga Noriku e nga Panonia. Po atë vit, një prokonsull i Ilirikut shtypi një kryengritje të dalmatëve. Lufta e Panonisë, e udhëhequr nga Tiberi nga viti 12 deri në vitin 8 para J. K., bëri të mundur lehtësimin e marrëdhënieve ndërmjet Italisë dhe Maqedonisë: u spastruan luginat e Savës e të Dravës dhe u vu nën kontroll rijedha e mesme e Danubit, duke e zgjeruar mjaft njëkohësisht edhe Ilirikun. Në të njëjtën periudhë, Batoja, një princ dalmat, dërgoi trupa, sipas Dion Kasit (55, 29, 4), për ta shkretuar pak a shumë të tërë bregdetin e Adriatikut deri në Apoloni, qytet para mureve të të cilit u zhvillua një betejë kundër aleatëve të romakëve. Edhe në Danubin e poshtëm shkoi një flotë romake, e cila qarkullonte deri në Kalati, në Detin e Zi; kërcënimi i dakëve vazhdonte dhe Augusti ndërhyri kundër tyre në vitin 6 pas J. K.

Në të njëjtën kohë, Augusti riorganizoi edhe flotën luftarake që e ndau mes Misenit dhe Ravenës, porti i së cilës ishte baza kryesore detare e romakëve në Adriatik dhe kishte një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në mbikqyrjen e brigjeve, në mënyrë që të ndalej çfarëdo gjallërimi i kusarisë nga portet e bregdetit lindor. Përreth dokut ushtarak artificial u ndërtua një lagje e tërë që jetonte në sajë të flotës dhe që e mori emrin prej saj, Classis, sidoqoftë pa ua zbehur, as qytetit, as portit tregtar të Ravenës, rolin e tyre ekonomik si një dalje në det e ultësirës së lumit Po.

Pas fushatave të mëdha ushtarake, pas Filipit (viti 42 para J. K.) dhe Akciumit (viti 31 para J. K.), shumë veteranë me prejardhje nga Italia qendrore, mbase 100 000, u vendosën kryesisht në ultësirën e lumit Po; onomastika dhe epigrafia japin dëshmi për këto lëvizje masive popullsie. Në kohën e Augustit, qytetet u pasuruan me zbukurime monumentale mjaft të ngjashme nga njëri tek tjetri: në Istrie, Pola (Colonia Pollentia Herculanea) ngriti në forumin e saj tempullin e Romës e të Augustit dhe, përveç kësaj, amfiteatrin dhe Porta Aurea-n, të cilët dëshmojnë me ruatjne e tyre të mirë për veprimtarinë urbanistike të asaj periudhe.

Revolta e Panonisë, nga viti 6 në 8 pas J. K., ishte një paralajmërim tjetër serioz që u kanosej drejtpërsëdrejti kolonive në bregdetin adriatik e mbi Savë, si Siskias (Segestës) dhe Sirmit: desidiatët dhe breukët i zhvillonin veprimet e tyre luftarake kryesisht në territorin e Bosnjës, në thellësi të bregut dalmat. Ata u detyruan te dorëzohen në gusht të vitit 8, por Romës iu desh të dërgonte dhjetë legjione e po aq trupa ndihmëse. Iliriku u bë provinca e Dalmacisë në vitin 9 pas J. K. Tiberi e kremtoa ngadhënjimin mbi ilirët më 23 tetor 12. Ai u përkujdes që legatët e tij të qëndronim gjatë në detyrë: P. Korneli Dolabela mbeti guvernator i provincës së Dalmacisë nga pranvera e vitit 14 deri më 20 dhe u zëvendësua nga L. Volusi Saturni deri në vitin 40. Guvernatori P. Korneli Dolabela njihet, pas gërmimeve të E. Marinit8 në Naronë„ falë një mbishkrimi që ai porositi të gdhendej për nder të Augustit, në qendër te Augusteum-it të këtij qyteti, që u ndërtua qysh në gjallje të perandorit, pak kohë pas themelimit të kolonisë së Naronës. Në Isë dhe Enonë, kulti perandorak duket të ketë hyrë pas vdekjes së Augustit. Nëse, në njërën anë, Narona ishte pra qendra e parë e kultit të Augustit, që në të gjallë të tij, kjo koloni u dallua edhe në kohën e Dolabelës me ndërtimin e një rrjeti të madh rrugor që lidhte bregdetin me brendësinë e tokës në drejtim të luginës së Savës.

Julio-Klaudianët dhe Flavianët

Nga viti 15 pas J. K. deri më 44, Myzia, Maqedonia dhe Akaia ishin bashkuar nën një komandë të vetme ballkanike. Rajoni i Ilirikut ishte i qetë gjatë mbretërimeve të Tiberit, të Klaudit e të Neronit. Trazirat ishin të ndjeshme vetëm tek popujt që banonin brigjeve të Danubit: tek kuadët, në veri të Panonisë, shpërtheu lufta civile dhe mbreti i tyre, Vani, u strehua në jug të lumit. Në vitin 44 pas J. K., ndërkohë që Maqedonisë dhe Akaisë iu kthye statusi u provincave senatoriale, Klaudi i riorganizoi provincat në gadishullin ballkanik: Panonia, Myzia e Dalmacia iu besuan secila një legati konsullor me gjithësej shtatë legjione dhe po aq forca ndihmëse. Noriku iu besua një prokuratori dhe roli i tij ishte i rëndësishëm për rrugët që përshkonin Alpet drejt veriut, në drejtim të Vindobonës e të Danubit. Dalmacia shtrihej nga Istria lindore deri në krahinën e Lisit, në grykëderdhjen e Drinit.

Legjionet ishin vendosur në kampe, kryesisht pranë bregdetit, në Burnum e Tilurium. Bashkësi qytetarësh romakë (të cilësuara nga Plini, N. H., III, 144, si oppida civium Romanorum) kishte në Rizon, Akruvium (Kotorr) Butua, Olcinium, Skodra, Lis, krahas kolonive të Salonës, Naronës, Epidaurit, laderit, Polës, Parentit dhe të Tergestës. Disa rrugë u ndërtuan përmes Alpeve Verilindore në drejtim të Recisë, si edhe ndërmjet Akuilesë dhe Emonës, pastaj me nisje nga Salona dhe Narona, përveç rrugës bregdetare që lidhte të gjitha kolonitë nga Akuilea në Dyrrahium.

Diku rreth vitit 9 pas J. K., Dalmacia u nda në tri rajone për administrimin gjyqësor të popullsive vendase, rreth Skardonës, Salonës dhe Naronës. Skardona ishte qendra për civitates-et e japodëve dhe për liburnët. Conventus-i i Salonës përkonte me rajonin e Dalmacisë qendrore, më të madhin, ndërsa ai i Naronës përmblidhte trembëdhjetë civitates-e, si vardejtë (ardianët), dokleatët pranë Skodrës dhe pirustët. Prania ushtarake mbetej e konsiderueshme, nën autoritetin e prefektëve ushtarakë që ishin centurionë apo krerë të trupave ndihmëse.

Shekulli i Antoninëve

Bregu lindor i detit Adriatik nuk ishte më aspak një zonë kufitare. Kjo e fundit u shty mbi Danub dhe, nën mbretërimin e Trajanit, pushtimi i Dakisë (106) e zhvendosi në bregun e majtë të lumit. Akuilea, Salona dhe rajonet e verilindjes së Adriatikut ishin udhët e kalimit të ushtrive romake drejt teatrit të operacioneve. Prania e trupave në Dalmaci u zvogëlua mjaft ndjeshëm dhe ato që mbetën ishin vetëm ca forca ndihmëse. Megjithatë, provinca e Dalmacisë mbeti e varur nga një legat konsullor. Qytete të reja u krijuan në Dahnaci, në Arupium tek japodët, në Skardona dhe Rider tek dalmatët, në Doklea në veri të Skodrës. Krijimi i provincës së Epirir, që nganjëherë është përcaktuar si e vitit 67 pas J. K., ka ndodhur në fakt diku aty pas vitit 108, nën mbretërimin e Trajanit. Një qytet i quajtur Hadrianopol u themelua në rrugën që kalonte nga veriu në jug ndërmjet Apolonisë dhe Nikopolit, në luginën e Drinos, në jug të Gjirokastrës, nëse vendgërmimet e teatrit romak të Sofratikës përkojnë vërtet me ngulimin e Hadrianopolit. Tabela e Peutingerit, gjendja e parë e së cilës duhet t’i përkasë gjysmës së parë të shekullit III, jep mjaft saktësime lidhur me këto rrugë perandorake.

Shkëmbimet tregtare u zhvilluan gjatë gjithë shekullit II, në sajë të paqes që mbretëronte brenda Perandorisë. Edhe në Itali, u hapër rrugë të reja si via Traiana, e cila në fakt e dublon via Appia-n, më në lindje, për të lidhur Romën me Brundisin. Të tjera rrugë u hapën në bregun lindor, siç dëshmon mbishkrimi i madh në gur, i gdhendur në Bylis, i cili bën fjalë për ndërtimin e një ure në vitet 162-165. Rruga kryesore që lidhte Akuilenë me Thesalonikun e anashkalonte Dalmacinë nga veriu, por kishte rrugë që dilnin nga portet dalmate dhe depërtonin në brendësi, nga laderi, Salona dhe Narona, megjithëse terreni i brendshëm ishte shpesh i vështirë. Një rrugë tjetër shpinte nga Epidauri në drejtim të luginës së lumit Drina dhe të Sirmit. Një rrugë veri-jug, pranë bregdetit, lidhte Akuilenë me Salonën duke kaluar nga laderi (Zadari); ajo zgjatej, në jug, në drejtim të Naronës dhe Skodrës. Bregdeti dhe prapatoka, që ndahen nga një perde malesh, nuk kanë pasur kurrë ndonjë solidaritet të madh mes tyre, por epoka romake është pa dyshim një nga periudhat e rralla, gjatë të cilave lidhjet ekonomike dhe administrative kanë qenë më të fuqishmet ndërmjet zonës bregdetare dhe pjesës së brendshme të vendit. Kontrastet si pasojë e relievit, klimës dhe bimësisë janë të mahnitshme ndërmjet brezit bregdetar, i cili jeton me lundrimin tregtar, me peshkimin, me kriporet e me rritjen e kulturave mesdhetare (vreshta, ullishte, agrume, pemë frutore, etj.), dhe brendësisë aty pranë, me klimë më të ashpër, më të thatë, të punueshme vetëm në polje-t e lartësive. Pikërisht në brendësi të vendit janë shfrytëzuar miniera hekuri, bakri, ari, zinku, argjendi e kripe guri, si edhe pyje të mëdha lisash në Bosnjë.

Në Istrie janë bërë gërmime në disa villae të periudhës perandorake, sidomos në ishullin e Brionit dhe në Cervera Porto, pranë Poreçit, si edhe në Akuile, ku pjesa për banim e villae-ve bashkohej me pars rustica-n. Pranë Bolonjës dhe në gjithë të ashtuquajturën regio VIII, janë zbuluar villae të shumta, me planimetri drejtëkëndëshe dhe me portik në trajtë U-je ose me një plan kompakt që e bashkonte pjesën për banim dhe pjesën fshatarake. Këto villae janë të shumta në rajonin e Markeve, me gërmadha trokullash, si në Apulie. Blegtoria me shtegim stinor, kryesisht rritja e deleve dhe e dhive, zinte një vend të madh në të dyja brigjet e Adriatikut.

Anepërqark Adriatikut u vendosën familje të mëdha që luanin aty një rol të rëndësishëm ekonomik e social: në Istrie, i tillë ishte rasti i pjesëtarëve të familjes senatoriale Laecanii (C. Laecanius Bassus ishte konsull i rregullt në vitin 64)9, por edhe i atyre Palpellii, si edhe atyre Settidii nga Pola. Familjet e Akuilesë sundonin veriun e Istries, si ata Barbii, të pranishëm nga Triestja në tërë harkun adriatik, apo ata Caminii, të pranishëm në vulat e amforave, dhe ata Caesernii. Të tjerë, Dindii, nga Prenesta, ishin vendosur në Akuile për t’u marrë aty me tregti.

Shtriija e zotërimeve romake mbi Danub e përtej tij, si dhe përdorimi i lumit për transportin e mallrave u dhanë dorë, në provincat e Panonisë, Dakisë e Myzisë, importit të prodhimeve të ardhura nga Italia, Galia e Gjermania, ndërkohë që këto të fundit merrnin ngakrahinat ballkanike metale (hekur nga Noriku, argjend e plumb nga Dalmacia, bakër dhe ar nga Myzia e nga Dakia) dhe skllevër. Nevojat e mëdha të ushtrisë i shpjegojnë transportet e vajit të ullirit nga Istria e madje edhe nga Spanja, të verërave e të produkteve të ndryshme ushqimore. Asaj i duhej të kryente edhe rekrutimin e ushtarëve të rinj: trupat ndihmëse rekrutonin shpesh mes popullsive vendase, ndërsa legjionet nëpër kolonitë e veteranëve. Ky ishte një mjet romanizimi të shpejtë.

Edhe shkëmbimet kulturore e luanin rolin e tyre, ndonjëherë në drejtim të kundërt, si në rastin e Epiktetit, të dëbuar nga Roma nga Domiciani në vitin 94, bashkë me gjithë filozofët e tjerë. Epikteti u vendos në Nikopoli dhe dha atje mësim pa ndërprerje, deri kur vdiq, me sa duket diku mes viteve 125 dhe 130. Dëgjuesit e tij ishin të shumtë e të ndryshëm: disa ishin vetëm kalimthi, përfitonin nga ardhja e tyre në Nikopoli për të dëgjuar fjalët e mjeshtrit, para se të vazhdonin sërish udhëtimin e tyre, sipas Arrianit (Bisedat e Epiktetit, III, 9,14): “Këtej e kemi udhën, thonin; përderisa na është dhënë me qira anija, mund të shkojmë të dëgjojmë Epiktetin. Pa të shohim se çfarë do të tregojë”. Të tjerë vinin për ta pyetur, për t’i treguar brengat e tyre, si për shembull njëfarë Maksimus, i cilësuar si “corrector i qyteteve të lira”, që Plini i Riu e quan “missus in provinciam Achaiam... ad ordinandum statum liberarum civitatium" (Letra, VIII, 24, 2). Epikteti kishte edhe nxënës të rregullt, të cilët vinin shpesh nga larg për të marrë një formim filozofik serioz, para se të merrnin udhët nëpër Perandori e shpesh për në Romë. Më i njohuri i tyre është Arriani i Nikomedisë, i lindur rreth vitit 88, i cili ishte i pranishëm në Nikopoli në çastin e kalimit të atij Maksimusi që po shoqëronte të birin deri në Kasope. Pikërisht, falë Arrianit njihet sot mësimi i Epiktetit, në sajë të Bisedave që ai ka shkruar pa dyshim gjatë viteve që ishte tërhequr në Athinë, por duke u mbështetur në shënimet e marra gjatë qëndrimit të tij në Nikopoli. Ka mjaft të ngjarë që po në Nikopoli ta ketë pritur Epikteti vizitën e perandorit Hadrian, i cili, sipas Spartianit, e vlerësonte shumë atë.

Deti Adriatik ka qenë i hapur ndaj kulteve orientale, veçanërisht ndaj hyjnive frigjiane në bregdetin lindor. I tillë është rasti i Cibelës në Liburni, ai i Nënës së Madhe në Istrie; një statujë e Atisit, që i përket shekullit II pas J. K., është gjetur në Pola, të tjera janë zbuluar në Dalmaci. Akuilea ka qenë një qendër e përhapjes së kulteve të hyjnive egjiptiane, sidomos e atij të Isidës. Jeta fetare u bë e ngatërruar si pasojë e futjes së kulteve të reja, të cilat iu mbivendosën kulteve tradicionale të Romës e të panteonit grek, si edhe kulteve vendase. Kulti perandorak zinte një vend të rëndësishëm në bashkësitë qytetare e fshatare; edhe ai i Mitrës dhe krishtërimi depërtuan në kohën e tyre në jetën e qyteteve e të fshatrave në të dyja brigjet e Adriatikut, por e patën zhvillimin e tyre të plotë kryesisht në periudhën e mëvonshme. Paqja romake dukej se kishte zënë mirë vend, por pikërisht në periferinë e Perandorisë po grumbulloheshin re kërcënuese.

info@balkancultureheritage.com