Luftërat e Oktavianit kundër Ilirëve
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Luftërat e Oktavianit kundër Ilirëve

Që t’i nënshtronte definitivisht dalmatët dhe fiset e tjera ilire të cilat nuk e njihnin ende pushtetin romak, Oktaviani vendosi që vetë t’i prijë ushtrisë kundër tyre. Lufta filloi në stil të madh në vitin 35 para e.re. me suhnin nga veriu, së pari kundër tokave të japodëve. Njëra mbas tjetrës ranë në duart e Oktavianit qendrat e rezistencës së japodëve, Monetium, Avendo, Arupium dhe Terponus, e mandej Oktaviani sulmoi Metulin, ku, si duket, gjendej edhe kryeqendra e këtij fisi. Në sulmin kundër këtij vendbanimi të fortifikuar lokacioni i të cilit me siguri nuk ka mundur ende të caktohet, u plagos edhe vetë Oktaviani. Megjithatë romakët arritën ta pushtojnë dhe në këtë mënyrë të thyejnë rezistencën e mëtejshme të japodëve. Oktaviani mbas kësaj vazhdoi në drejtim të Siscit dhe e pushtoi këtë qytet me qëllim që ta krijonte si qendër për luftë kundër dakëve dhe fiseve të tjera panone. Vetë Oktaviani u kthye në Romë ndërsa në Sisci la Fuf Geminin. Pas disa muajsh Oktaviani u detyrua të kthehet përsëri, sepse në Sisci shpërtheu kryengritja kundër romakëve. Kryengritjen arriti ta shuajë vetë Gemini, kështu që Oktaviani mundi të nisej menjëherë kundër dalmatëve (viti 34 para e.re.).

Duke parë se e kishin të vështirë t’u bënin rezistencë forcave superiore të armikut, dalmatët vendosën që në luftë të zbatonin taktikën e dyfishtë: të fortifikohen në kështjellat e tyre dhe të bëjnë rezistencën e tyre më të madhe të mundshme, e njëkohësisht të zhvillojnë luftë partizane kundër armikut, duke e pritur dhe duke e sulmuar gjatë kalimeve të tij nëpër viset e vështira. Prijësi ushtarak i dalmatëve, Verzi, u fortifikua me 12.000 ushtarë në Promon, qytet që ua mori liburnëve, me qëllim që t’ia presë rrugën ushtrisë së Oktavianit. Duke ardhur para Promonës Oktaviani së pari mori kodrinat për rreth dhe mandej e filloi sulmin kundër qytetit. Prijësi tjetër ushtarak i dalmatëve, Testimosi, deshi t’i shkojë në ndihmë qytetit të rrethuar, mirëpo romakët ia prenë rrugën dhe e detyruan të tërhiqet. Së shpejti Verzi u detyrua të dorëzohet dhe kështu Oktavianit t’ia hapë rrugën nga zemra e tokave dalmate. Luftën kundër tij e zhvilloi më tutje Testimosi, duke zbatuar taktikën e luftimeve partizane: me sulme të shpeshta dhe të befasishme e trazonte ushtrinë romake. Mirëpo kjo nuk e ndali Oktavianin të përparonte me ushtri të madhe duke mos i lejuar armikut ta befasojë. Duke përparuar ngadalë ai pushtoi qytetet Synodium dhe Andetrium, kështu arriti edhe nën Setovi, ku ishte përqëndruar pjesa kryesore e ushtrisë dalmate, e vendosur që ta mbrojë me të gjitha forcat që kishte në dispozicion. Nën muret e këtij qyteti filloi beteja e fundit, vendimtare e dalmatëve për pavarësinë e tyre. Në një përleshje qe plagosur vetë Oktaviani, kështu që një kohë ia la udhëheqjen e luftës Statil Taurusit, ndërsa vetë u tërhoq në Romë. Mirëpo në fillim të vitit 33 para e.r. kthehet përsëri te Setovia. Qyteti nuk kishte shpëtim: në të mbretëronte uria dhe sapo u kthye Oktaviani, dalmatët vendosën të dorëzohen. Oktaviani u vuri kushte shumë të rënda: duhej të paguanin tribut, t’ua kthenin shqiponjat që ua kishin marrë kur e mundën Aul Gabinin dhe t’i jepnin si peng 700 djelmosha. Ky ishte fundi i pavarësisë dalmate dhe fundi i pavarësisë së ilirëve në përgjithësi. Me 40 deri 50 mijë ushtarë të stërvitur mirë Oktavianit i shkoi definitivisht për dore të nënshtrojë tërë pjesën perëndimore të Ballkanit, ndoshta tërë atë pjesë deri te Danubi dhe Drina. Duke i dhënë fund kështu okupimittë vendeve ku jetonin ilirët, ai mundi që definitivisht t’ia dorëzojë senatit në vitin 27 para e.re.

Duke u kthyer në Romë nga plaçkat që solli prej Ilirisë urdhëroi të ndërtohet një bibliotekë e madhe publike, të cilën për nder të motrës së tij Oktavisë, e quajti “Oktaviana”.

Luftëra sporadike kundër sundimit romak në Iliri u zhvilluan edhe mbas luftërave të Oktavianit, mirëpo këto kryengritje nuk kishin suksese të mëdha. Një kryengritje të këtillë e organizuan dalmatët në vitin 12 para e.r. dhe atëherë e morën edhe Salonën, mirëpo rendi qe vënë shumë shpejt.

info@balkancultureheritage.com