Lufta për fronin
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Lufta për fronin

Kriza e rëndë që përfshiu Bizantin në periudhën e luftës së ikonave, i dha shenjat e para qysh në kohën e sundimit të Filipik Bardhani t, dhe këtu konsiston në fakt rëndësia historike e kësaj periudhe të shkurtër e të pafat sundimi. Filipiku kishte rindezur jo vetëm debatet kristologjike, por kishte shkaktuar edhe një konflikt të çuditshëm mbi ikonat, një luftë që vërtet nuk godiste ende kultin e ikonave si të tilla, por që sidoqoftë e shfrytëzonte karakterin simbolik të figurës (ikonës) si një mjet të konfliktit, duke paralajmëruar me këtë luftën e madhe ikonoklaste të viteve të ardhshme.

Si armen, Filipik Bardhani dukej se kishte prirje drejt monofizizmit. Nuk shkoi deri aty sa të kërkonte njohjen zyrtare të kësaj herezie, por u ekspozua si një përkrahës i vendosur i monotelizmit që kishte qenë dënuar tridhjetë vjet të shkuara, në koncilin VI ekumenik. Me inisiativën e vet nxori një edikt perandorak me të cilin hidhte poshtë vendimet e koncilit VI ekumenik dhe e shpallte monotelizmin si të vetmen doktrinë ortodokse. Kjo kthesë gjeti shprehjen e saj simbolike në shkatërrimin e një pikture të pallatit perandorak, që paraqiste koncilin VI ekumenik, si dhe në prishjen e një mbishkrimi përkujtimor të koncilit, që ishte vënë përpara pallatit, mbi portën Milion. Në vend të tij u vendos një figurë e perandorit dhe një tjetër e patrikut Sergj. Në të njëjtën mënyrë, më vonë perandorët ikonoklastë hiqnin figurat me përmbajtje fetare, por popullarizonin me forcë figurat e perandorit. Monotelizimi i Filipikut nuk mundi të fitonte, politika e tij kishtare shkaktoi kundërshtime të rrepta, që e shpejtuan përmbysjen e tij, por pavarësisht nga kjo ai mundi të gjejë disa përkrahës, ose të paktën simpatizantë, në ambientet e klerit të lartë bizantin, e midis tyre edhe patrikun e mëvonshëm, Germanin. Për më tepër, u rishfaqën prirje monofizite, gjë që tregon se herezia monofizito-monotelite nuk ishte çrrënjosur aspak nga Bizanti.

Kuptohet që përqafimi i hapur nga ana e perandorit i një herezie që kishte qenë dënuar në koncilin e fundit ekumenik, shkaktoi në Romë një kundërshtim të vendosur, që u shpreh në një formë vërtet karakteristike. Kur u shpall hipja e tij në fron, Fiiipiku i dërgoi papës Konstantin I një portret të tij të shoqëruar nga një predikim të mbushur me koncepte monotelite. Në Romë portreti i perandorit heretik nuk u pranua dhe nuk u shtyp as në monedha; emri i tij nuk u përmend në ceremonitë fetare dhe në datimin e ngjarjeve. Heqjes së tablosë që paraqiste koncilin VI ekumenik nga pallati perandorak i Kostandinopojës, papa iu përgjigj duke sjellë në kishën e Shën Pjetrit tablo që paraqisnin të gjashtë koncilet. Kështu, pak para shpërthimit të konfliktit të madh mbi kultin e ikonave, midis perandorit heretik dhe papës u zhvillua një luftë e çuditshme, ku figurat (ikonat) shërbenin si mjet lufte dhe ku qëndrimet e palëve shpreheshin me pranimin ose refuzimin e paraqitjeve të caktuara figurative (ikonografike).

Konfuzioni erdhi e u shtua nga përmbysje të mëdha në fushën e politikës ndërkombëtare. Pasiguria që sollën ndryshimet e fundit në qeveri, favorizoi arabët, që përfituan për të kryer inkursione të reja në territorin bizantin. Nga ana e tij, khani i bullgarëve Terveli, nuk la t'i shpëtojë rasti për të marrë hakun e aleatit të tij të vjetër, Justinianit II, dhe filloi luftën kundër vrasësit të tij, perandorit të ri bizantin. Përparoi deri në muret e Kostandinopojës dhe shkretoi rrethinat e kryeqytetit bizantin. Vilat luksoze dhe fermat e periferisë, ku familjet më të shquara bizantine kalonin periudhën e verës, u plaçkitën nga hordhitë bullgare. Fakti që Treveli përshkoi pa u shqetësuar gjithë Trakën dhe arriti deri tek muret e Kostandinopojës tregon se sa të dobëta ishin forcat bizantine në pjesën europiane të perandorisë. Për të rregulluar gjendjen u sollën trupa nga thema Opsikion nëpërmjet Bosforit. Por këto trupa u rebeluan kundër Filipikut e më 3 qershor 713 perandori u shfuqizua dhe u verbua.

Megjithëse rebelimin e bëri ushtria, perandor u shpall një civil, protoasekretis Artem, që me hipjen në fron mori emrin Anastas. Këtë emër e kishte pasur para tij edhe një perandor i kapërcimit të shek. V-VI, edhe ai civil para ardhjes në fuqi dhe që, si perandor, u shqua në mënyrë të veçantë për af- tësitë e tij në lëmin e administrimit financiar. Masa e parë që mori perandori i ri qe anulimi i dispozitave me përmbajtje monotelike të paraardhësit të tij dhe njohja solemne e koncilit VI ekumenik. Tabloja që paraqiste në mënyrë figurative këtë koncil, që qe hequr nga Filipiku, u rivendos në vendin e saj, ndërsa portretet e Filipikut e të patrikut Sergj u shkatërruan. Paskëtaj perandori u mor me inkursionet e arabëve, që me sa dukej po përgatisnin një sulm kundër Kostandinopojës. Me energji të madhe Anastasi II mori masa për mbrojtjen dhe për furnizimin e qytetit, caktoi në postet komanduese gjeneralët më të zotë dhe në fund mori vendim t'u dalë përpara armiqve e të zërë në befasi flotën arabe ndërsa kjo bënte përgatitjet e fundit. Si pikë grumbullimi për forcat bizantine u zgjodh ishulli i Rodit. Por me të mbërritur, ushtarët e Opsikionit ngritën përsëri flamurin e revoltës, dhe pasi u kthyen përsëri në kontinent, shpallën perandor një taksambledhës të provincës së tyre me emrin Teodos. Ky u përpoq t'ia mbathte për t'i shpëtuar këtij nderi të papritur e plot rreziqe, por u kap dhe u shtrëngua ta pranojë kurorën perandorake. Në vend të luftës kundër arabëve erdhi një luftë e re civile, që zgjati plot gjashtë muaj, derisa Opsikionët, të mbështetur nga ostrogotët e greqizuar të cilët nga kohët e dyndjeve barbare banonin në provincat e themës së Opsikionëve, mundën aty nga fundi i vitit 715 të vendosin në fronin e Kostandinopojës kandidatin e tyre, ndërkohë që Anastasi vishte rrasën e murgut e tërhiqej në Selanik.

Teodosi III, perandori kundër vullnetit të vet, sundoi për një periudhë akoma më të shkurtër se pararadhësi i tij. Nuk qe ai që luajti rolin kryesor në ngjarjet e mëvonshme, por Leoni, strategu i themës së Anatolisë. Leoni ishte një parvenu me prejardhje plebeu nga Siria veriore. Në periudhën e parë të sundimit të Justinianit II, në kuadrin e politikës kolonizuese të këtij perandori, Leoni me familjen e tij u transferua në Trakë. Kjo rrethanë shënoi fatin e tij, pasi kur "perandori hundëprerë" pas dhjetë vjetësh internimi kaloi më 705 nëpër Trakë gjatë rrugës për rimarrjen e fronit të të parëve, stratioti i ri u rreshtua nën urdhrat e tij. Si shpërblim u emërua spatharios e kështu filloi ngjitja e tij, fillimisht në shërbim të Justinainit II e pastaj të pasardhësve të tij që u ndërruan njëri pas tjetrit në fron. Një ekspeditë e gjatë dhe e rrezikshme në Kaukaz i dha rastin të shfaqë dhuntitë e tij ushtarake e diplomatike. Anastasi II, që donte të vinte në postet drejtuese gjeneralët më të aftë, e emëroi strateg të themës anatolike dhe e vuri kështu në krye të njërës nga provincat më të mëdha e më të rëndësishme. Leoni e shfrytëzoi këtë funksion si trampolinë për të marrë fronin, dhe pas rrëzimit të Anastasit ngriti krye kundër Teodosit të dobët. U lodh me Artavazden, strategun e themës së Armenisë, duke i premtuar dorën e së bijës dhe titullin e nderit kuropalat. Përfundimi i luftës midis perandorit të dobët dhe uzurpatorit energjik ishte i ditur, aq më tepër që Leoni dispononte forca ushtarake më të mëdha. Praktikisht bëhej fjalë për një luftë që dy themat e Anatolisë e të Armenisë i bënin themës së Opsikionit, që mbështeste perandorin Teodos III. Leoni përshkoi territorin e Opsikionit, zuri rob në Nikomedia djalin e perandorit bashkë me trupën e tij dhe përparoi deri në portat e Krisopojës. Paskëtaj filluan bisedimet dhe Teodosi, pasi mori me vete e për bijtë garancitë e nevojshme, hoqi dorë nga kurora dhe u tërhoq në Efest, ku i mbylli ditët e tij në një manastir.

Më 25 mars 717 Leoni hyri në Kostandinopojë dhe u kurorëzua perandor në Shën Sofi. Kështu u mbyll periudha e luftërave për fronin. Perandoria, që gjatë njëzet vjetëve të fundit kishte njohur shtatë ndryshime të dhunshme qeverish, gjeti tek Leoni III (717-741) një perandor që sundoi në mënyrë të qëndrueshme dhe energjike, dhe që do të bëhej themelues i një dinastie të re.

info@balkancultureheritage.com