Mërgimi
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Mërgimi

Te njerëzit e lashtësisë, fjala atdhe do të thoshte toka e etërve, terra patria. Atdheu i çdo njeriu ishte pjesa e dheut, që feja e tij shtëpiake apo kombëtare kishin shenjtëruar; ishte dheu ku preheshin eshtrat e stërgjyshërve dhe që zinin shpirtrat e tyre. Atdheu i vogël ishte rrethina e familjes, me varrin dhe vatrën e saj. Atdheu i madh ishte qyteza, me pritanenë dhe heronjtë e saj, me muret e shenjta dhe territorin e saj të shënjuar nga feja. "Tokë e shenjtë e atdheut", thoshin grekët. Kjo nuk ishte një fjalë e kotë. Ky dhë për njeriun ishte me të vërtetë i shenjtë, sepse ai banohej prej perëndive të tij. Shtet, qytezë, atdhe, këto fjalë nuk ishin një abstraksion si te njerëzit e sotëm; ato përfaqësonin me të vërtetë një tërësi hyjnish vendase me një kult për çdo ditë dhe me fuqi të jashtëzakonshme mbi shpirtin e njeriut.

Me to shpjegohej patriotizmi i të lashtëve, një ndjenjë e fuqishme që për ta ishte virtyti i epërm, drejt të cilit derdheshin të gjitha virtytet e tjera. Gjithçka që njeriu mund të kishte më të shtrenjtë, shkrihej me atdheun. Në të, ai gjente pasurinë, sigurinë, të drejtën, besimin, zotin e tij. Me humbjen e tij, ai humbiste gjithçka. Ishte pothuaj e pamundur që interesi personal të mos pajtohej me interesin publik. Platoni thotë: "Është atdheu që na lind, që na ushqen, që na rrit". Dhe Sofokliu: "Është atdheu ai që na mbron".

Një atdhe i tillë, për njeriun nuk është vetëm strehë. Sapo ai lë prapa muret e tij të shenjta, sapo ai kalon kufijtë e shenjtë të territorit, ai nuk gjen më as fenë e as lidhje shoqërore të çdo lloji qofshin. Kudo tjetër ai është pa zot dhe jashtë jetës morale. Vetëm në të ai gëzon dinjitetin njerëzor dhe detyrat e tij. Ai mund të jetë njeri vetëm aty.

Atdheu e mban njeriun të lidhur nëpërmjet një lidhjeje të shenjtë. Ai e do atë siç do një fe, ai i nënshtrohet atij njëlloj sikur i nënshtrohet një Zoti. "Atij duhet t'i jepemi krejtësisht, t'i kushtojmë gjithçka." Ai duhet dashur në lavdi apo në dobësi, në begati apo në fatkeqësi. Ai duhet dashur në ditë të mira, por akoma më shumë, kur ai është në vështirësi. Sokrati, i dënuar prej tij pa arsye, nuk e do atë më pak. Ai duhet dashur ashtu sikurse Abrahami donte Zotin, deri në flijimin e birit të vet. Mbi të gjitha, njeriu duhej të dinte të vdiste për të. Greku apo romaku nuk vdes aspak për devotshmëri ndaj një njeriu apo për çështje nderi, por atdheut ai i detyron jetën e vet. Në rast se atdheu sulmohet, ajo që sulmohet është feja e tij. Njeriu lufton në të vërtetë për altarët e tij, për vatrat e tij, pro aris etfocis; sepse në rast se armiku do të pushtonte qytezën, ai do të shembte altarët, do të shuante vatrat, do të përdhoste varret, do të shkatërronte perënditë dhe do të fshinte kultin e tij. Dashuria ndaj atdheut është nderimi për etërit e lashtë.

Dashuria ndaj atdheut konsiderohej si diçka tejet e çmuar; njerëzit e lashtësisë nuk mund të përfytyronin ndëshkim tjetër më mizor sesa privimi i njeriut prej tij. Ndëshkimi i zakonshëm ndaj krimeve të mëdha ishte mërgimi.

Dënimi me mërgim nuk ishte vetëm ndalim i qëndrimit në qytet dhe largim nga toka e atdheut: ai ishte njëkohësisht ndalim i kultit; ai ngërthente në vetvete atë që modemët e kanë quajtur çshpirtërim. Të ndëshkoje dikë me mërgim, do të thoshte, sipas formulës së përdorur nga romakët, t'i ndaloje atij zjarrin dhe ujin. Me zjarr kuptohet zjarri i flijimeve; me ujin kuptohej uji lustral. Pra, mërgimi e vendoste njeriun jashtë fesë. Gjithashtu, edhe në Spartë, kur një individ privohej nga e drejta e qytetarisë, atij i ndalohej zjarri; një poet athinas vendos në gojën e një prej personazheve të tij formulën e tmerrshme që godiste të mërguarin: "Që ai të ikë, thoshte dënimi, të ikë dhe të mos u afrohet kurrë më tempujve. Që asnjë qytetar të mos i flasë dhe as ta presë atë; që askush të mos e pranojë gjatë lutjeve dhe flijimeve; që askush të mos i ofrojë ujin lustral." Prania e të mërguarit ndynte çdo shtëpi. Njeriu që i hapte derën, në kontaktin me të, bëhej i papastër. "Ai që ka ngrënë dhe ka pirë me të apo që e ka prekur atë, thoshte ligji, duhet të spastrohet."

Nën goditjen e këtij çshpirtërimi, i mërguari nuk mund të merrte më pjesë në asnjë ceremoni fetare: ai nuk kishte më kult, ai nuk kishte më vakt të shenjtë, as të drejtë lutjeje; ai ishte nxjerrë jashtë trashëgimisë fetare.

Duhet thënë se, për njerëzit e lashtësisë, Zoti nuk ishte kudo. Edhe nëse ata kishin një ide të papërcaktuar të një hyjnie të gjithësisë, njerëzit nuk e konsideronin këtë perëndi si perëndinë që ata i luteshin. Perënditë e çdo njeriu ishin perënditë që banonin shtëpinë e tij, lagjen e tij, qytezën e tij. Duke lënë atdheun pas vetes, i mërguari linte njëkohësisht edhe perënditë e tij. Ai nuk gjente më askund një fe që mund ta ngushëllonte apo ta mbronte; ai nuk ndiente më asnjë besim të aftë për ta ruajtur atë; ai ishte zhveshur nga lumturimi i lutjes. Gjithçka që mund t'i kënaqte atij nevojat e shpirtit, ishte larguar prej tij.

Feja ishte burimi prej ku rridhnin të drejtat civile dhe politike. I mërguari i humbiste, pra, të gjitha këto, kur ai humbiste fenë e atdheut të vet. I përjashtuar nga kulti i qytetit, ai zhvishej menjëherë nga kulti i shtëpisë së tij dhe duhej të shuante vatrën e vet. Ai nuk gëzonte më të drejtën e pronësisë; toka dhe të gjitha pasuritë e tjera të tij, konfiskoheshin dhe u jepeshin perëndive ose shtetit. Pa kult, ai nuk kishte më familje; ai pushonte së qeni bashkëshort dhe baba. Bijtë e tij nuk ishin më nën pushtetin e tij, gruaja e tij nuk ishte më gruaja e vet dhe asaj i lindte menjëherë e drejta të merrte një burrë tjetër. Shihni Regulusin; rob në duart e armikut, ligji romak e konsideroi atë të mërguar; nëse Senati i kërkon atij mendim, ai nuk pranon të shprehet, pasi i mërguari nuk mund të jetë më senator; nëse e shoqja dhe fëmijët vrapojnë drejt tij për ta përqafuar, ai nuk e lejon një gjë të tillë, pasi për të mërguarin nuk ka më as grua, as fëmijë:

Fertur pudicae conjugis osculum

Porvosque natos, ut capitis minor,

A se removisse.

I mërguari, thotë Ksenofoni, humbet vatrën, gruan, fëmijët." Bashkë me besimin, ai humbet edhe të drejtat e qytetarisë, fenë dhe të drejtën e familjes; i vdekur, ai nuk ka të drejtë të varroset as në dheun e qytetit e as në varrin e të parëve të tij; sepse ai është një i huaj.

Nuk është për t' u habitur që republikat e lashtësisë, pothuaj gjithnjë kanë lejuar, që fajtori të kishte mundësinë t'i shpëtonte vdekjes përmes arratisjes. Duket se mërgimi përbënte një sfilitje më të fortë sesa vetë vdekja. Juriskonsultët romakë e quanin atë dënim me vdekje.

info@balkancultureheritage.com