Në pranverë të vitit 1396
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Në pranverë të vitit 1396

~Oliver Jans Schmitt

Në pranverë të vitit 1396 në Arbëri të Veriut udhëtuan fisnikë venedikas si përfa-qësues të qytetit të tyre amtar, për të marrë nga duart e Gjergjit II Strazimiroviq Balsha, princit të Zetës, sundimin mbi qytetin e Shkodrës dhe krahinën përrotull. Ata kishin udhëtuar me galerën e tyre prej ujërave të kthjellta të Dalmacisë në derdhjen e turbullt të Bunës, ku guva të shpeshta ranore përbënin rrezik për anijet. Ndoshta qysh në atë kohë një udhërrëfyes u dëftente anijeve më të mëdha rrugën nëpër cektinat e lumit deri në manastirin e vjetër të Shën Nikollës “në derdhje”. Në anë të djathtë shihej prej aty fusha e Velipojës fusha e floçkave., ku në dimër kullosnin kopetë e tyre barinj të shumtë. Zona përreth derdhjes së Bunës ishte moçalore, ajri i pashëndetshëm, megjithatë mund të udhëtohej aty ende e të rrihej njëfarë kohe; ndërsa 80 vjet më vonë të rrije gjatë i ankoruar në këto anë ishte baraz me një dënim me vdekje. Në qoftë se e hidhje vështrimin edhe më tutje nga e djathta do të pikasje vargun kodrinor 500 metra të lartë të malit të Rencit, i cili binte butë drejt juglindjes pranë skelës së vogël të Shëngjinit (S. Giovani di Medua) dhe deltës së gjerë të Drinit. Aty ngjishej në rrëzë të një mali të rrumbullakët me kështjellë në majë qyteti i vjetër i Lezhës, dikur porti më i rëndësishëm i Adriatikut në këtë rajon, ndërkohë një grumbull prej pak shtëpish nën një kështjellë të rrënuar.

Të dy nobiles nuk do ta kenë shijuar gjatë mikpritjen e abatit, i cili zotëronte disa pak oborre dhe kasolle peshkatarësh, porse kanë vijuar udhën nëpër Bunë. Lumi mund të lundrohej edhe prej galerave, pasi aty rreth vitit 1400 ai rrokulliste shumë më pak masa të ngurta sesa ç’do të ndodhte pas shpërthimit katastrofal të Drinit disa dhjetëvjeçarë më vonë. Niveli i ujërave të Bunës varej shumë nga ndryshimet e stinëve; në pranverë shkrirja e dëborave e lehtësonte lundrimin drejt brendatokës. Lumi gjarpëronte përpjetë në gjatësi prej 40 kilometrash deri në qytetin e Shkodrës; në vijë ajrore largësia nuk është më shumë se 23 kilimetra. Buna ishte arteria jetësore e Arbërisë së veriut Një pjesë e rëndësishme e tregtisë me Serbinë bëhej nëpërmjet këtij lumi e galerave venedike do tu kenë dalë shpesh përballë anije raguziane transporti. Gjatë udhëtimit të tyre venedikasit do të kenë vërejtur dajlane të shumta dhe mullinj në të dyja anët e lumit, gjithashtu edhe fshatrat e pasura dhe qytetet e vogla me kishat e tyre pranë bregut. Por këto toka që kultivoheshin dendur fillonin veç pas disa kilometrash në veri të fushave të deltës, një ultësire moçalore nën një pyllnajë të dendur pemësh, pyje në toka të njoma, që shtriheshin në gjithë bregun prej Ulqinit e poshtë. Në këtë pyllnajë punonin druvarë të shumtë nga Raguza të cilët mbulonin nevojat e qytetit të tyre me lëndë drusore, për ndërtim anijesh e si lëndë djegëse. Nga kjo denduri e gjelbër nxirrnin krye deri në fillim të shekullit 20 vetëm pak oborre fshatare, ndërsa në dimër e në pranverë mund të lëvizje midis tyre vetëm me lundra. Pasi kalonte anash fshatrave Reç dhe Kërroq udhëtimi vazhdonte nëpër gjarpërime të shumta deri në një rrip ujërrëmbyer midis kodrave të Fraskanjelit (88 metra) në bregun e majtë dhe të Belajt (117 metra) në bregun e djathtë. Menjëherë pas sopit të Fraskanjelit gjendej një qytet shumë i vjetër, monedhat e të cilit mbanin përsipër emrin “Suacium”, të cilin sllavët e quanin Svaç, ndërsa shqiptarët e sotëm Shas, por për një kohë të gjatë thjeshtë Kishat. 

Prej Bune duhej afërsisht një gjysmë ore për tiiu ngjitur kodrës përpjetë e për të mbërritur poshtë liqenit, ku ndodheshin në një kodrinë në bregun e majtë të tij shtëpitë dhe kishat e vendbanimit. «Bregu i djathtë dhe i majtë i liqenit përbëhen nga vargje kodrash ndërsa pjesa e sipërme dhe e poshtme është e rrafshët. E para është një fushë e vogël moçalore mjaft e pashëndetshme ku ndodhet fshati i vogël shqiptar Brinja... Qyteti i vjetër shtrihej mbi majën e kodrës. Ai kishte një portë të saj në afërsi të liqenit, një portë e dytë ndodhej në anën tjetër përballë fshatit të sotëm.

Kisha e qytetit me kambanaren e saj dukej që prej së largu. Edhe shumë vjet më vonë udhëtarët do të përshkruanin pamjen e këndshme të liqenit plot me peshq, i cili në dimër “ishte krejt i mbuluar prej rosash, lejlekësh e zogjsh të tjerë”. Fshatarët tregonin në shekullin 17, që qyteti kishte pasur 365 kisha, nga një për çdo ditë.10 Në malin e Lisinjës ka patur liqene, shpella, burime të kripura dhe barishte helmuese, “në këtë vend grash mikluese”.

Me ipeshkvin e Suaciumit dhe feudalët e vendit autoritetet venedike do të kishin shpeshherë punë në të ardhmen.

Liqeni i Suaciumit e zbrazte ujët e tij pranë fshatit Shën Gjergj në Bunë, e cila sipas fjalëve mbërrinte aty gjerësinë e Tiberit; nuk është e sigurtë nëse ekzistonte qysh në atë kohë kisha e pikturuar “alla greca” dhe e zbukuruar me mermer, së bashku me kambanoren e saj. Pas një përdredhjeje tjetër të lumit niste në anët e ultësirës së lagësht të Bunës krahina e pasur me fshatra e Shkodrës. Aty ndodheshin drejtpëdrejt në bregun e djathtë fshati Rrushkull, më në lindje Gramshi dhe më larg fshatrat Trush i Sipërm e Trush i Poshtëm. Pak më në veri të Rrushkullit ndodhej vau me pagesë i Shën Todhrit, burim i rëndësishëm fitimi për ipeshkvin e Suaciumit. Pas tij ndodheshin dy kishat: ajo e Shën Mërisë së Goricës (pranë fshatit me të njëjtin emër) dhe e Shën Teodorit. Midis Goricës dhe manastirit benediktin të Shën Shirgjit e Bakut lumi bënte një harkim të gjerë për nga veriu duke anashkaluar dy fshatra të mëdha në bregun e djathtë, Dajçin dhe Samrishin. Prej aty shiheshin tani kodrat para Shkodrës; në anë të majtë lartësitë afër 150 metrash të Anamalit me fshatin e pasur Oblik, prapa tij Taraboshi gati 600 metra i lartë, që bie i thepisur deri në bregun e liqenit të Shkodrës. Përballë tij shtrihej vargu kodrinor i Bërdicës (nga serbishtja “Brdo”, kodër) deri në vetë qytetin e Shkodrës. Së bashku këto lartësi përbënin edhe një herë një ngushticë për brigjet e lumit. Prapa Samnshit anija kthente drejt jugut, kaptonte Obotin dhe mbërrinte ngrehinën madhështore të manastirit të Shën Shirgjit, njëri prej tregjeve më të rëndësishme të Ballkanit perëndimor. Aty tregtarë lëvrinin me mushka e kuaj, të ngarkuar rëndë me kripë për t’u nisur drejt Kosovës, aty mbërrinin karvanet nga minierat e Serbisë, të ngarkuara me plumb e me argjend. Rojtarë arbër ruanin me kujdes thasët e topat me pëlhurë. Kudo shikoje tregtarë raguzianë; shpesh ndodhnin përleshje dhe zënka midis tregtarëve.Aty shtriheshin varg dyqanet e kioskat, po aty pranë ndodhej dhe një zyrë dogane. Vetë kisha e manastirit ishte më e bukura ngrehinë në krejt Arbërinë e veriut: një bazilikë me shtresa të përkëmbyera prej blloqesh guri e tulle e përbërë prej tri anijatash të larta e të ngushta, mbështetur mbi shtylla drejtkëndore që përfundonin në harqe me majë. Çdo anijatë përmbyllej me një apsidë; anijata e mesit ngrihej mjaft lart përmbi dy anësoret. Portali ishte ngritur në stil roman me një timpanon në trajtë harku.

Brenda shihje mure të pikturuara e mozaikë mbi dysheme. Në hyrjen kryesore vizitori mund të dallonte dy mbishkrime në latinisht, që tregonin mbi blatimet bujare dhe mbi pummet ndërtimore që ishin bërë mbi një ngrehinë të moçme', me porosi të mbretëreshës serbe Helena dhe mbretit Milutin në vitet 1290-1293. Lundrimi me anije duhej të përfundonte në Shën Shirgj, ku abati i fuqishëm i vendit patjetër nuk i ka lënë pa i përshëndetur zotërinjtë e rinj. Këta fisnikë do të kenë udhëtuar më tej kaluar mbi kuaj e patjetër do kenë vrarë mendjen se si mund të hapej Buna në ato miljet e veta të fundit për të mbërritur deri në Shkodër. Vërtet plane të tilla i shestuan më vonë në Venedik. Duke kaluar anash kodrës së Bërdicës ata kanë zbritur përsëri në ultësirë e kanë vështruar para tyre malin e kështjellës Rozafa, ku pak kohë më parë kishte pasur selinë e tij osmani Shahin. Prapa tij ngriheshin malet e Cukalit dhe të Maranajt, majat e mbuluara me dëborë të Alpeve veriore të Arbërisë.

Rrjedha gjarpëruese e Bunës prej manastirit Shën Nikollë “në derdhje” deri në Shkodër ishte shtylla vertebrore e Arbërisë Venedike dhe lidhja e vetme midis sundimit të ri venedik dhe detit. Asnjëherë më parë Republika e Shën Markut nuk kishte marrë një krahinë të përtejdetit me kryeqendrën e vet kaq larg nga mundësia e lundrimit të galerave venedike. Provinca e re venedike ishte thjesht një krahinë e brendatokës. Në derdhje të Bunës nuk kishte ndonjë port; udhëtimi drejt Shën Shirgjit mund të pengohej lehtë nga brigjet e lumit, edhe vetë rrjedha e lumit mund të bllokohej pa ndonjë mund të madh. Vendi tjetër ku mund të ankoroje ishte Medua (Shëngjini) e parëndësishme, porti tjetër i vërtetë Lezha e largët. Sfida të reja ushtarake dhe administrative po u dilnin përpara autoriteteve venedike, të cilat prej shekujsh kishin administruar vetëm kështjella portesh dhe ishuj që mund të mbroheshin prej flotës.

Historia e Arbërisë Venedike ka dy fytyra: një venedike mesdhetare dhe një ballkanike. Teksti në vijim dëshiron t’i vështrojë të dyja këto nga afër.

info@balkancultureheritage.com