Piktura e kishës së shpërfytyrimit në fshatin Herebel të Peshkopisë
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Piktura e kishës së shpërfytyrimit në fshatin Herebel të Peshkopisë

Kisha e Shpërfytyrimit është njënefshe, gjysma lindore e së cilës është e vjetër dhe gjysma perëndimore është shtojcë e vonë. Pjesa e vjetër e saj përbëhet prej murit lindor me apsidën trifaqëshe dhe pjesëve të mureve anësore. Këto mure të vjetra janë ndërtuar me gurë, lidhur me llaç gëlqeror e me copa tjegullash ndërmjet gurëve të vendosur rallë, pa ndonjë simetri. Apsida në mesi stoliset dhe prej një brezi të vendosur në mënyrë horizontale, tektullë.

Faqet e brendshme të mureve të vjetër janë veshur me pikturë murore, por, fatkeqësisht, pjesa më e madhe e saj ruhet shumë e dëmtuar.

Nga piktura e kësaj kishe ruhen në apsidë Platitera, e dëmtuar shumë në fytyrë dhe në pjesën e djathtë të trupit, kurse portreti i Emanuelit është zhdukur. Gabrieli i skenës "Ungjillëzimi", që gjendet në anën veriore të murit lindor jashtë apsidës, ruhet në formë busti, sepse pjesa e poshtme e figurës është mbuluar me suva dhe Shën Mëria në anën jugore të apsidës ruhet e fragmentuar.

Nën Platiterën, nga figurat e jerarkëve ruhet ajo e Gjon Gojartit deri në gju dhe vende-vende e dëmtuar. Në faqen e murit jugor ruhet figura e Shën Thanasit, më pak e dëmtuar. Figura e Shën Kollit ruhet pa portretin, sepse ka rënë me gjithë suva. Pjesë skenash paraqiten shumë të dëmtuara dhe të fragmentuara.

Nga kjo pikturë shumë e dëmtuar, me mjaft vështirësi mund të nxirren disa të dhëna, të cilat ndihmojnë diçka për datimin e saj me përafërsi.

Modelimi i portreteve në këto pak figura realizohet me anë të një linje të hollë elegante dhe me konture të buta, të ëmbla, si edhe me përdorimin e okrit që vjen pakëz si në kafe mbi sankirin e gjelbër. Kjo është një mënyrë trajtimi që figurat i paraqet me një plastikë mjaft të përparuar. Këto mund të futen te figurat që ruhen në gjendje më të mirë, si tek ajo e Gabrielit dhe e Shën Gjon Gojartit.

Shën Mëria, si në atë të tipit Platitera, edhe në skenën "Ungjillëzimi" paraqitet me mafor vishnje të errët, realizuar me pala prej linjash të drejta e të thyera. Felioni i Shën Kollit është në ngjyrë të kuqërremtë të çelët, kurse ai i Shën Thanasit me kryqe të vogla. Këto formohen prej pullash të vogla katërkëndëshe të kuqërremta mbi sfond të bardhë, kurse stiharët dhe omoforët e tyre janë të bardhë dhe si zakonisht me kryqe të mëdha, të zeza.

Omofori i jerarkëve vjen i kryqëzuar shumë afër grykës, siç mund të shihet në figurat e jerarkëve në mozaikët paleokristianë të Selanikut dhe tek ato të Shën Sofisë së Kievit (shek. XI).

Epigonatët e jerarkëve stolisen me linja të holla të kuqërremta, si në stiharët e engjëjve në paraklisin e Shpellës së Arkangjelit në Trestenik të Prespës (shek. XII).

Në modelimin e portreteve, përveç linjës së hollë elegante bien në sy edhe ngjyrat e çelta e të kultivuara, të përdorura e kombinuara në mënyrë të shkueshme dhe me art.

Në këtë pikturë, portreti i Shën Thanasit është realizuar shumë më i madh se i të tjerëve, dhe, në tërësi, figura është më e bëshme në krahasim me figurat e tjera. Ajo është modeluar prej linjash të theksuara, me sy të mëdhenj dhe vështrim shumë të gjallë, me mjekër të gjerë grafike. Kjo figurë ka mjaft ngjashmëri me figurën analoge në Kishën e Shën Mërisë të fshatit Cerckë (shek. XII, fillimi i shek. XIII).

Në saje të këtyre pak tipareve, që konstatuam në këtë pikturë të dëmtuar të kishës së Shpërfytyrimit në Herebel, mendojmë se kjo pikturë duhet t'i atribuohet me përafërsi fillimit të shek. XIII.

info@balkancultureheritage.com