Piktura e shpellës së Letmit të Çermenikës
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Piktura e shpellës së Letmit të Çermenikës

Një tjetër pikturë, shumë e ngjashme për nga thjeshtësia e trajtimit me anë të narteksit të Shpellës së Dhivrit, është ajo e shpellës mbi shkëmb të Letmit të Çermenikës, dhe pikërisht në lagjen e Koshorishtit të fshatit Letëm, me lartësi rreth 300 m, mbi përroin Soodol.

Mbi tavanin prej shkëmbi të suvatuar të kësaj shpelle ruhen të pikturuara dy kompozime brenda dy medaljonesh të mëdha. Në njërën ndodhet Krishti i tipit Pantokrator dhe, në tjetrin, Shën Mëria Platitera e tipit Oranta. Mbi maforin e hapur të Shën Mërisë ruhet e pikturuar në miniaturë skena e familjes ktitoriale, e cila ka porositur pikturën e shpellës. Ndërmjet brerores dhe krahut të djathtë të Shën Mërisë ruhet mbishkrimi i piktorit, si pason: "U pikturua, ky tempull hyjnor i së mbishenjtës Hyjëlindëses, me dorën time të Stanos".

Rreth kësaj plkture të shkëmblt të Letmit, për herë të parë ka shkruar autori i këtlj studimi, duke e datuar pikturën si të shek. XI ose të një kohe sa më të hershme. Tani mund të themi se piktura në fjalë duhet t'i atribuohet shek. X dhe jo më vonë se filllmit të shek. XI.

Më vonë, rreth kësaj pikture ka shkruar edhe Andromaqi Gjergji, e cila, duke mos pranuar si të drejtë datimin tonë, dhe duke u mbështetur sidomos në pëlhurën e bardhë, që në atë pikturë gratë e kanë të hedhur mbi kokë duke iu varur nga supet, e ka datuar si "pikturë tipike të shek. XIV".

Datimin pa bazë të A. Gjergjit e kemi vërtetuar si të pasaktë, duke e argumentuar me shembuj të ilustruar nga literatura speciale, se pëlhura mbi kokë që u varet grave nga supet, nuk mund të jetë kurrsesi tipike e shek. XIV, sepse ajo gjendet në figurat e pikturës bizantine që nga shek. VII dhe, në vazhdim, gjatë shekujve pasardhës. Gjithashtu, datimin e gabuar të A. Gjergjit, ne e kemi vërtetuar kryesisht nga tiparet e pikturës së Letmit, të cilat janë fare të thjeshta, skematike, me vizatim krejt naiv, pa distancë dhe pa hapësirë, tipare këto që, në pikturën bizantine njihen si të shek. X e XI. Prandaj, kjo pikturë nuk mund të datohet sl e shek. XIV. Piktura e shek. XIV në Bizant njihet si e periudhës me art më të zhvilluar e më të përparuar, me tipare me prirje realiste, si pikturë e rilindjes së artit bizantin.

Figura e Pantokratorit në pikturën e Letmit përfshihet brenda një medaljoni, i cili prej shpatullave e sipër duket me madhësi mbinatyrore, me qëndrim frontal, duke bekuar me dorën e djathtë, dhe me ungjillin në të majtën, veshur me himation blu të çelët dhe hiton të kuqërremtë (Siene). Portreti i tij është mbi sfondin e kaltër qiellor dhe shpatullat mbi sfondin gri pak më të errët. Rreth kokës figura rrethohet prej një breroreje të madhe ari, të kryqëzuar me dy linja horizontale e vertikale që formojnë kryqin, të cilat hapen aty ku bashkohen me linjën rrethuese të brerores.

Portreti i Pantokratorit duket me sy të mëdhenj e vetulla të larta, me hundë të drejtë e të mprehtë, me flokë që i mbulojnë veshët e i varen nga pas. Duart e tij, në krahasim me portretin, janë më të mëdha, sidomos shumë më e madhe duket e djathta e tij, që është duke bekuar. Madhësia e dorës së djathtë ka për qëllim të vërë në dukje më mirë veprimin e saj, e cila simbolizon dhe pushtetin e fuqisë hyjnore. Ndërsa me të majtën mban ungjillin, që duket sikur nuk mbahet. Në këtë mënyrë ka për qëllim të tregojë praninë e figurës në një mjedis jashtë botës materiale, ku mungon ligji i gravitetit.

Për shkak të disa dëmtimeve që ka pësuar figura e Pantokratorit, me shumë vështirësi mund të kapen drejtë karakterlstikat e tjera dhe shprehja e fytyrës së tij. Megjithatë, për tiparet që përmendëm më sipër, kjo figurë ka shumë të ngjarë të jetë e shek. X.

Shën- Mëria, Platitera e tipit Oranta, është dhënë e pikturuar në gjysmëfigurë, me duar të hapura, me qëndrim lutës, e stolisur me mafor të kuq të çelët, që ka tri yjet e virgjinitetit, nga një mbi shpatulla dhe një mbi ballë. Nën maforën që i ka mbuluar kryet, anës fytyrës, i duket napa blu e çelët. Ky portret evidencohet mbi breroren e madhe prej ari të ndritshëm. Fytyra e saj, që ruhet relatlvisht mirë, është modeluar në formë vezake, përkufizuar prej një linje gri të errët, që shtrihet si sfumaturë rreth qendrës, me sy të mëdhenj çakër, vetulla të larta të zeza, kurse duart e saj janë më të vogla, në shpërpjesëtim me portretin.

Emanueli mbi kraharor të saj, rrethuar brenda një medaljoni, ndonëse me fytyrë mjaft të dëmtuar, duket si një çun i rritur në miniaturë, duke bekuar me dorën e djathtë dhe me një rrotull në të majtën që simbolizon misionin e predikimit të tij, veshur me stihar të bardhë, të stolisur me grupe pikash ngjyrë të kuqërremtë të çelët.

Mbi maforën e gjerë të Shën Mërisë është dhënë e pikturuar në miniaturë familja e ktitorit të pikturës. Ajo është e përbërë prej tetë personash, dhënë më tepër se në gjysmëfigurë, duke kompozuar në linjë të drejtë e në mënyrë simetrike. Kryefamiljari, si figura më e madhe, qëndron në mes, tre meshkujt para tij, njëri pas tjetrit, ka shumë të ngjarë të jenë bijtë. Femrat, me sa duket e shoqja me të dy bijat, qëndrojnë pas tij, që, sipas zakonit të vendit, gratë vendosen pas burrave. Personi i tetë qëndron në krahun e majtë të Shën Mërisë, shumë i dëmtuar.

Që kryefamiljari duhet të jetë ktitori i pikturës së shpellës, për këtë na flet maketi i një paraklisi, kapele që ai e mban në duar. Figurat e tjera janë dhënë me duar të zgjatura në qëndrim lutjeje.

Nuk mund të themi se cila do të ketë qenë familja e pikturuar në Shpellën e Letmit, por nga veshja luksoze e grave dhe nga fakti i njohur që në mesjetë ktitorët kanë qenë në radhët e fisnikëve ka shumë të ngjarë që ktitori i figurës së Letmit të ketë qenë ndonjë sundues feudal vendas.

Dy gratë, që ndodhen pas ktitorit, janë pikturuar me fustane të bardha, nga të cilat duken vetëm mëngët e gjata, që u varen nga duart në formë spic, të stolisura me qëndisje. Këto qëndisje janë dhënë në pikturë, gjithashtu, me grupe prej pikash të zeza. Ato tregojnë se në atë kohë, gratë e shtresave të larta të vendit, mëngët e fustaneve i mbanin të qëndisura me motive popullore, siç e shohim edhe sot në mëngët e nuseve të krahinës së Shpatit e të Zadrimës. Rroba e sipërme e grave i ka mëngët të varura nga pas, anash krahëve, në formë gypi, gjë që njihet si mënyrë e veshjes shqiptare dhe është ruajtur deri më sot te mëngorja, veshja e sipërme e fshatarëve tanë në krahina të ndryshme të vendit. Gratë e kanë kokën të mbuluar me pëlhurë të bardhë, të stolisur me qëndisje, e cila u varet në qafë e në supe.

Qëndisjet në pikturë janë trajtuar në mënyrë naive, siç duket edhe i gjithë trajtimi i skenës, si edhe çdo figurë veças. Por këto qëndisje japin idenë e motiveve popullore, të punuara me shirita e kalema, me të cilat stolisen te ne edhe sot pëlhurat e holla të vegjës. Vajza, figura e fundit e pikturuar në skenë, është dhënë me krye zbuluar, me një varg ojnash (kurora prej koka lulesh pa bedena) punuar me grep, lidhur pas flokut. Rroba e brendshme jep idenë se është punuar me thekë, sepse këto i duken rreth qafës. Në krahasim me gratë, vajza në përgjithësi paraqitet e veshur thjeshtë. Edhe dollama e kryefamiljarit, megjithëse nuk dallohet mirë nga dëmtimi i pikturës, duket si me mëngë të varura nga krahët.

Figura grashë, me fustane me mëngë të gjata që u varen nga duart duke përfunduar në formë spic, hasen shpesh nëpër figurat e perandoreshave të Bizantit, që nga shek. IX, si, p.sh., te perandoresha Maria, e shoqja e Botaniatit.

Fustani me mëngë të gjata që përfundon spic, i njohur si veshje e klasës fisnike bizantine, dëshmon që fisnikët shqiptarë në mesjetë imitonin feudalët bizantinë edhe në veshjet e tyre. Megjithatë, në veshjet e parisë vendase të atëhershme shohim të përdoren edhe një varg elementesh popullore. Kjo na bind edhe më tepër për faktin që familja ktitoriale në pikturën e shkëmbit të Letmit, duhet të ketë qenë e ndonjë fisniku vendas.

Në pikturën e Shpellës së Letmit, të tri kompozimet, si Pantokratori, si Shën Mëria me Emanuelin, edhe skena e familjes ktitoriale, për tiparet e tyre të njëjta rezultojnë të së njëjtës dorë piktori, të dorës së piktor Stanos që përmban mbishkrimi.

Modelimi i portreteve dhe, në përgjithësi, trajtimi i figurave duket grafik, ku lindja është kryesorja. Kjo pikturë, përveç linjave të drejta, të thyera dhe të lakuara, karakterizohet edhe nga vizatimi shumë i dobët dhe me shpërpjesëtime. Portretet janë plloçake e në ngjyrë gri. Vetëm te Shën Mëria, nëse do të lejohemi të përdorim termën plastikë, fytyra e saj duket me njëfarë plastike irreale. Ngjyrat e kësaj pikture janë fare të vobekta, të çelta e krejt të ftohta, si ngjyra gri që mbizotëron, por edhe e kuqja dhe e kaltër. Kështu që gama e përgjithshme e kësaj pikture është fare e qetë, e ftohtë, e shuar, si pa jetë.

Kjo pikturë kaq e vobektë, skematike e naive, për tiparet që e karakterizojnë hyn në kuadrin e pikturës më të vjetër mesjetare të vendit tonë, të periudhës menjëherë pas rivendosjes së ikonave ndër kisha dhe duhet t'i atribuohet shek. X.

Realizimi i pikturës së Shpellës së Letmit të Çermenikës, duke qenë afërsisht e shek. X, ka shumë të ngjarë të ketë lidhje me peshkopatën e Çermenikës, e cila zëvendësonte atë të Skampës, kur u prish ai qytet, e cila deri në shek. X përmendet si një ndër 14 peshkopatat që vareshin nga Mitropolia e Durrësit.

Në fshatrat e Çermenikës kemi hasur objekte kulti të krishtera, të shënuara me fragmente të vogla pikture të mbuluara me gurë, të ruajtura deri në ditët tona, gjë që tregon se ajo krahinë e Elbasanit ka qenë e pasur me pikturë monumentale afreske, që si pasuri arti ruhet vetëm piktura e shpellës mbi shkëmbin e Letmit.

info@balkancultureheritage.com