Plebenjtë
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Plebenjtë

Tani duhet të nënvizojmë një tjetër element të popullsisë, i cili, edhe pse i vendosur nën shtresën e klientëve e thuajse krejtësisht i pallogaritshëm, do të fitonte pak nga pak e pa u ndierë, aq forcë sa të arrinte të thyente organizimin e lashtë shoqëror. Kjo klasë, e cila arriti të kishte numrin e saj më të madh në Romë sesa në çdo qytet tjetër, quhej plebë. Për të kuptuar rolin që ajo luajti në historinë e qytetit dhe të familjes, te njerëzit e lashtësisë, duhet të shohim origjinën dhe karakterin e kësaj klase.

Plebenjtë nuk ishin klientë; historianët e antikitetit nuk i ngatërrojnë këto dy klasa mes tyre. Diku, Tit-Livi thotë: "Pleba nuk deshi të merrte pjesë në zgjedhjen e konsujve; kështu konsujt u zgjodhën nga patricët dhe klientët e tyre." Ndërsa diku tjetër: "Pleba u ankua se patricët kishin shumë ndikim në kuvende si rijedhojë e votimit nga ana e klientëve të tyre." Te Denisi i Halikarnasit lexojmë: "Pleba doli nga Roma dhe u tërhoq në malin e Shenjtë; patricët mbetën në qytet, vetëm me klientët e tyre." E më tej: "Pleba e pakënaqur nuk pranoi të vihej nën armë, patricët rrokën armët me klientët e tyre dhe u nisën për luftë." Kjo plebë, qartazi e dallueshme nga klientët, nuk bënte pjesë, të paktën gjatë shekujve të parë, në atë që quhej popull romak. Në një formulë lutjeje të lashtë, e cila përsëritej ende në kohën e luftërave punike, perëndive u kërkohej të tregoheshin të mira "ndaj popullit dhe plebës." Pra, në fillimet e veta, pleba nuk përfshihej në popull. Populli përbëhej nga patricët dhe klientët e tyre; pleba ishte jashtë.

Rreth formimit fillestar të kësaj plebe, autorët e lashtësisë hedhin fare pak dritë. Kemi të drejtë të hamendësojmë se ajo përbëhej, në një pjesë të madhe, nga popullsi të lashta, të pushtuara dhe të nënshtruara. Megjithatë, habitemi kur shohim te Tit-Livi, i cili i njihte traditat e vjetra, se patricët i qortonin plebenjtë, jo se e kishin prejardhjen nga popuj të mundur, por se ishin të pafe e madje pa familje. Mirëpo, ky qortim, që tashmë në kohën e Licinius Solonit ishte i pamerituar e që bashkëkohësit e Tit-Livit e kishin të vështirë për ta kuptuar, duhej ta kishte origjinën në një epokë shumë të lashtë, e cila na shpie në kohët më të hershme të qytezës.

Në fakt, në vetë natyrën e ideve të lashta fetare, shohim shumë shkaqe që mbartin formimin e një klase të ulët. Besimi shtëpiak nuk përhapej; i lindur në gjirin e një familjeje, ai qëndronte mbyllur aty; çdo familje duhej të krijonte vetë besimin e saj, të krijonte vetë perënditë dhe kultin e tyre. Mirëpo, mund të ketë ndodhur, që familje të caktuara të mos kenë pasur fuqinë mendore për të krijuar një hyjni, për të krijuar një kult, për të shpikur një himn apo ritmin e lutjes. Vetëm për këtë shkak, këto familje mbeteshin në gjendje inferioriteti ndaj atyre familjeve, të cilat tashmë e kishin një besim dhe për rrjedhojë, ato nuk mund të hynin në shoqëri bashkë me to. Sigurisht, mund të ketë ndodhur, gjithashtu, që familje të caktuara, që dikur kishin pasur një kult, ta humbitnin atë, qoftë si rrjedhojë e neglizhencës, qoftë si pasojë e harresës së riteve apo si pasojë e ndonjë prej atyre krimeve apo ndotjeve, të cilat i ndalonin njeriut t'i afrohej vatrës për të vazhduar kultin e vet. Së fundmi, mund të ketë ndodhur që klientë të caktuar, të cilët kishin pasur gjithnjë kultin e zotëve të tyre dhe nuk kishin njohur kurrë kult tjetër, të jenë dëbuar nga familjet apo t'i kenë braktisur ato me dëshirën e vet. Kjo donte të thoshte të hiqje dorë nga besimi. Le të shtojmë këtu që djali i lindur nga një martesë pa rite, cilësohej bastard, njëlloj sikurse edhe ai që kishte lindur si rrjedhojë e një tradhtie bashkëshortore dhe për të feja shtëpiake nuk ekzistonte. Të gjithë këta njerëzj të përjashtuar nga familjet dhe të nxjerrë jashtë kultit, binin në klasën e njerëzve pa vatër. Ekzistenca e plebës ishte pasojë e pashmangshme e natyrës ekskluzive të organizimit antik.

Kjo klasë haset pothuaj në të gjitha qytezat e lashtësisë, por e ndarë gjithsesi nga një vijë demarkacioni. Një qytezë greke ka gjithnjë një aspekt të dyfishtë; ajo ka qytezën, në kuptimin e vërtetë, i cili zakonisht ngrihej në majë të një kodre, dhe së dyti, një grumbull shtëpish, të ndërtuara pa ceremoni fetare, pa mure të shenjta rrethuese; ky është vendbanimi i plebës, e cila nuk mund të banojë brenda qytetit të shenjtë.

Në Romë, ndryshimi fillestar mes dy popullsive është goditës. Qyteza e patricëve dhe e klientëve të tyre është ajo që Romuli ka themeluar sipas riteve, në pllajën Palatine. Vendbanimi i plebës është Azili, një lloj gardhimi, i vendosur në rrëpirën e malit Kapitolin, ku mbreti i parë lejoi vendosjen e njerëzve pa plëng e pa katandi, të cilët ai nuk mund t'i lejonte të hynin në qytezën e tij. Më pas, kur në Romë do të mbërrinin plebenj të tjerë, meqenëse ata ishin të huaj ndaj fesë së qytetit, ata u vendosën në malin Aventin, d.m.th. jashtë pomoerium-it dhe qytezës fetare.

Këta plebenj karakterizohen nga një fjalë: ata janë pa kult; të paktën, patricët i akuzojnë ata për këtë gjë. "Ata nuk kanë të parë", gjë që në mendimin e kundërshtarëve të tyre do të thotë se ata nuk kanë të parë të njohur dhe ligjërisht të pranuar. "Ata nuk kanë etër", domethënë ata më kot mund të orvateshin të përshkonin vargim e stërgjyshërve të tyre, por ata nuk do të gjenin kurrë një prijës familjeje fetare, një pater. "Ata nuk kanë familje, gentem non habent", domethënë, ata kanë vetëm familjen natyrore; për sa i përket familjes që formon dhe përbën besimin, gens-in e vërtetë, këtë ata nuk e kanë.

Martesa e shenjtë, për ta nuk ekziston; ata nuk njohin ritet. Duke mos pasur vatër, bashkimi që vatra vendos për ta është i ndaluar. Kësisoj, patrici, i cili nuk njeh dhe nuk pranon bashkim tjetër të rregullt veç atij që lidh bashkëshortin me bashkëshorten në prani të hyjnisë shtëpiake, kur flet për plebenjtë mund të thotë: Connubia promiscua habent moreferarum.

Pa familje, ata nuk gëzojnë të drejtën e autoritetit atëror. Ata mund të kenë mbi fëmijët e tyre pushtetin që u jep forca fizike apo ndjenja natyrore; ata nuk kanë atë autoritet të shenjtë me të cilin feja vesh atin e familjes.

Për ta, e drejta e pronës nuk ekziston. Çdo pronë duhet të krijohet dhe të shenjtërohet nga një vatër, nga një varr, nga perënditë terme, domethënë nga të gjitha elementet e kultit shtëpiak. Nëse plebeu zotëron një ngastër, kjo ngastër nuk ka karakter të shenjtë; ajo është e përdhosur dhe nuk njeh sinor. Por, a ishte e mundur, në kohërat e fillimit, që ai të zotëronte një tokë? Dihet se në Romë askush që nuk është qytetar, nuk mund të ushtrojë të drejtën e pronësisë; mirëpo plebeu, në periudhën e parë të Romës, nuk është qytetar. Juriskonsulti thotë se pronar mund të bëhesh vetëm përmes së drejtës së Kuiriteve, por fillimisht plebeu nuk llogaritet mes kuiritëve. Në fillesat e Romës, ager romanus-i, është ndarë mes fiseve, kurive dhe genteve; por plebeu, i cili nuk i përket asnjërit prej këtyre grupeve, nuk bën, sigurisht, pjesë në këtë shpërndarje. Këta plebenj, që nuk kanë fe, nuk e kanë atë që u jep mundësinë njerëzve të lënë shenjën e tyre mbi një pjesë të tokës dhe ta bëjnë atë të vetën. Dihet se, për një kohë të gjatë, ata banuan në Aventin dhe aty ndërtuan shtëpitë e tyre; do të duheshin tre shekuj dhe shumë luftëra, që ata të fitonin më në fund të drejtën e pronës mbi këtë tokë.

Për plebenjtë nuk ka ligj, nuk ka drejtësi; sepse ligji është vendim i fesë dhe procedura është një tërësi ritesh. Klienti përfiton nga e drejta e qytetit përmes padronit të vet; për plebeun, kjo e drejtë nuk ekziston. Një historian i lashtë thotë se mbreti i gjashtë i Romës ishte i pari që bëri disa ligje për plebenjtë, ndërkohë që patricët i kishin ligjet e tyre qysh prej shumë kohësh. Madje, duket se më vonë ligjet në fjalë iu hoqën sërish plebës, pasi duke mos qenë të ngritura mbi bazën e fesë, patricët nuk pranuan t'i mbanin parasysh ato; gjithnjë sipas të njëjtit historian, shohim se krijimi i tribunëve kërkoi nxjerrjen e një ligji të veçantë për mbrojtjen e jetës dhe lirisë së tyre dhe ky ligj ishte konceptuar si vijon: "Askujt të mos i shkojë ndër mend të godasë apo të vrasë tribunin, siç mund të bënte me plebeun." Pra, duket se ekzistonte e drejta për të vrarë apo goditur një plebe, ose të paktën, që një veprim i tillë i kryer ndaj një njeriu jashtë ligjit, të mos ndëshkohej ligjërisht.

Për plebenjtë nuk ka të drejta politike. Pikësëpari, ata nuk janë qytetarë dhe askush mes tyre nuk mund të jetë magjistrat. Në Romë, gjatë dy shekujve nuk ekzistojnë kuvende të tjera, veç atyre të kurive; mirëpo, kuritë, në përbërje të tyre, gjatë tre shekujve të parë, përbëhen vetëm nga patricët dhe klientët e tyre. Madje, pleba nuk merr pjesë as në përbërjen e ushtrisë, për sa kohë që kjo e fundit ndërtohej mbi bazën e kurive.

Por ajo që e dallon më dukshëm plebeun nga patrici, është se plebeu nuk ka fenë e qytezës. E pamundur që ai të marrë funksion priftëror. Madje mund të besohet se, gjatë shekujve të parë, atij i është ndaluar edhe lutja dhe i mbaheshin të fshehta edhe ritet. Pikërisht si në Indi, ku "çudra nuk duhet të dijë kurrë formulat e shenjta." Ai është i huaj e për rrjedhojë, qoftë edhe me praninë e tij, ai ndyn kurbanin. Ai refuzohet nga perënditë. Mes tij dhe patricit ekziston gjithë largësia që feja mund të vendoste mes dy njerëzve. Pleba është një popullsi e përbuzur dhe e mjerë, jashtë fesë, jashtë ligjit, jashtë shoqërisë, jashtë familjes. Patrici mund ta krahasojë këtë ekzistencë vetëm me ekzistencën e kafshës, more ferarum. Kontakti me plebeun është i papastër. Decemvirët, në dhjetë Tabelat e para, kishin harruar të ndalonin martesën mes dy rendeve; kjo për faktin se decemvirët e parë ishin të gjithë patricë dhe askujt mes tyre nuk i kishte rënë ndër mend se një martesë e tillë mund të ishte e mundur.

Nga kjo paraqitje, mund të shohim se sa shumë klasa i mbiviheshin njëra-tjetrës gjatë periudhës fillestare të qytezave. Në krye qëndronte aristokracia e prijësve të familjeve, ata që gjuha zyrtare e Romës i quante patres, që klientët i quanin reges,. Nën ta qëndronin degëzimet e vogla të familjeve; më poshtë akoma, klientët; e pastaj, më poshtë, shumë më poshtë dhe jashtë qytetit, pleba.

Ky dallim klasor ishte pasojë e fesë. Në kohën kur të parët e grekëve, të italianëve dhe të hinduve jetonin ende së bashku në Azinë Qendrore, feja pat thënë: "I Madhi do të bëjë lutjen." Prej aty kishte rrjedhur paravendosja e të madhit në gjithçka; dega e madhe në çdo familje kishte qenë dega priftërore dhe e zotërinjve. Megjithatë, feja mbante parasysh shumë edhe degët e vogla, të cilat shërbenin si një rezervë, për të zëvendësuar një ditë, degën e madhe që mund të shuhej, duke ruajtur kështu kultin. Ajo llogariste ende si diçka me njëfarë vlere, klientin, madje edhe skllavin, pasi ata mermin pjesë në aktin fetar. Por plebeun, i cili nuk kishte asnjë pjesëmarrje në kult, ajo nuk e llogariste aspak. Kësisoj, rangjet ishin fiksuar.

Por asnjë nga format shoqërore që njeriu përfytyron dhe krijon, nuk është e palëvizshme. Çdo formë ngërthen në vetvete mikrobin e sëmundjes dhe të vdekjes; e në këtë rast, ky mikrob ishte pabarazia tepër e madhe. Të shumtë ishin njerëzit që kishin interes të shkatërronin një organizim shoqëror, që për ta nuk kishte kurrfarë dobie

info@balkancultureheritage.com