Revista "Monumentet" nga nr. 2, 1971
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Revista "Monumentet" nga nr. 2, 1971

Apollon Baçe - Qyteti i fortifikuar i Beratit Frano Prendi, Koço Zheku - Lisi në dritën e të dhënave të reja arkeologjike Vangjel Toçi - Amfiteatri i Dyrrahit

 

Redaksia:

Gani Strazimiri (Kryeredaktor)

Aleksandër Meksi, Apollon Baçe, Emin Riza, Gjerak Karaiskaj, Neritan Ceka, Selim Islami (Zv. Kryeredaktor), Stilian Adhami.

Apollon Baçe - Qyteti i fortifikuar i Beratit

Qyteti i Beratit gjëndet në buzë të fushës pjellore të Myzeqesë dhe në skajin perëndimor të luginës së Osumit në vendin ku lumi, duke çarë pengesën e fundit të zonës malore, krijon një grykë të ngushtë. I njohur si «kreu i Myzeqesë» , qyteti administronte krahinën dhe kontrollonte kalimin për gjatë luginës së Osumit njëra nga rrugët kryesore që lidhte ultësirën bregdetare me zonën e brendshme malore.

Rrethimi i qytetit kurorëzon kodrën në të djathtë të Osumit, 187 m. të lartë nga niveli i lumit (fig. 1.). Kodra ka një reliev të përshtatshëm për mbrojtje: në jug bie pothuajse thikë mbi Osumin, nga lindja dhe perëndimi ka një pjerrësi 40-45“ dhe vetëm pjesa e veriut (fig. 2), ku gjëndet një qafë që e lidh me kodrën tjetër, paraqitet më e dobët për mbrojtje. Faktor pozitiv që ka ndikuar për ngulimin në këtë vend, është dhe përbërja e kodrës nga formacione të shtresëzuora guri gëlqeror, që gjënden në sipërfaqe dhe nxirren me lehtësi.

Muret rrethuese i janë përshtatur terrenit, kështu që planimetria e fortifikimit (TAB. I) ripërsërit formën e kodrës duke krijuar një trekëndësh të çrregullt me brinjë të lakuara; prej tyre lindorja ka 600 m. gjatësi, ndërsa veriperëndimorja dhe jugperëndimorja nga 400 m. Muret përforcohen prej 24 kullash me forma e përmasa të ndryshme, të shpërndara në mënyre jo të njëllojtë sipas terrenit, dhe prej një oborri të fortifikuar (fig. 2) ku gjëndet hyrja kryesore. Rruga për një hyrje në mesjetë, siç duket nga gjurmë të shkëputura, përshkonte faqen veriperëndimore, duke ruajtur traditën e kalimit me anën e djathtë të pambuluar nga mbrojtësi. Veç hyrjes së mësipërme, për komunikimin me ambientin e jashtëm shërbenin dhe tri hyrje sekondare: në anën lindore, veriperëndimore dhe jug-perëndimore. Paralel me murin rrethues në faqen veriperëndimore, gjënden dhe gjurmët e një muri skarpatë, 10 m. larg të parit. Në brendësinë e territorit të rrethuar që ka një sipërfaqe afro 10 ha., shtrihet lagja «Kala» me tipare arkitektonike të krijuara në shek. XVlll-XIX dhe një sërë monumentesh të tjerë. Në pjesën më të lartë të territorit gjëndet kështjella e përforcuar prej 5 kullash. Komunikimi i saj me ambientin e jashtëm kryhej nepërmjet hyrjes jugperëndimore, kurse me ambientin e brëndshëm nëpërmjet hyrjes perëndimore. Kështjella ndahet në dy pjesë me anë të një muri të përforcuar me dy kulla, prej të cilave pjesa e brendshme shërbente si seli për krerët. Veç ndërtimeve të mësipërme, në faqen jugore duken gjurmët e një sistemi muresh e kullash dhe të një galerie, qe e bashkonin qytetin e sipërm me lumin, duke arritur kështu terreni i rrethor një sipërfaqe prej 16 ha.

Megjithëse fortifikimi i qytetit ka tërhequr vëmëndjen e udhëtarëve e studionjësve, deri më sot me studimin e tij të hollësishëm nuk është marrë askush, por vetëm se është prekur shkarazi nga Pukëvil, Lik, Aleksudhis, Tozer, Rei, G. Strazimiri, etj. I vetmi studim arkeologjik i përket Prashnikerit, por dhe ky kufizohet me një përshkrim dhe analizë të shkurtër të një pjese të substruksioneve ilire, duke mos i prekur ndërtimet e mëvonshme që zënë volumin kryesor.

Për shkak të periudhës së gjatë të ekzistencës dhe përdorimit të vazhdueshëm për mbrojtje, rrethimi paraqet një përzierje të çrregullt duarsh të ndryshme, periudhat e ndërtimit:

Periudha llire - Ndërtimet e para që i përkasin periudhës ilire janë disa fragmente muresh e kullash prej bloqesh guri me gjatësi 60-250 cm., lartësi 40-50 cm. dhe gjërësi 50-60 cm; shumica prej tyre ka formë të rregullt kuadratike dhe vetëm nji pakicë formë trapezoidale. Bloqet janë punuar në pesë faqe e ndahen: në bloqe gëlqeror me pjesën e jashtme punuar vrazhdë me konveksitet rreth 10 cm. dhe bloqe konglomerati me faqe të drejta. — Ndërsa bloqet prej gëlqerori janë të shumtë dhe gjenden kudo (fig. 3, 4, Tab. II, 2), ato prej konglomerati janë mjaft të pakët dhe i hasim vetëm në pjesën e hyrjes, të vendosura mbi bloqet prej gëlqerori (ana e djathtë fig. 4 Tab. II, 2). Ky fakt dhe, ndryshimi në teknikën e punimit na shpien në përfundimin se këtu kemi të bëjmë me një fazë të dytë ndërtimi, që kufizohet me meremetimin e pjesshëm të hyrjes, e cila ka qënë më e ekspozuar ndaj goditjeve. Bloqet janë vendosur në të thatë në rreshta horizontalë, me puthitje të përsosur dhe vetëm rrallë është përdorur shkallëzimi.

Traktet e ruajtura të këtyre mureve na japin mundësi të rikonstruktojmë në një farë mase planimetrinë antike dhe sistemet e mbrojtjes (Tab II 1). Nga fragmentet «in situ», të përmëndura prej Prashnikerit, duken vetëm fragmentet në pjesën e hyrjes, ndërsa ato në murin lindor ndofta janë mbuluar nga mbeturinat e hedhura prej mureve. Veç tyre, në faqen veriperëndimore u zbuluan dy fragmente muresh dhe kullash. ndërsa në faqen jugore vumë re një fragment me bloqe të ripërdorura, por të marra në afërsi, gjë që kuptohet nga riputhitja e kllapave. Siç shihet nga planimetria, të tre brinjët e trekëndëshit mbyllen, rrjedhimisht hipoteza e Prashnikerit se muret mesjetare me sa duket ndjekin konturin antik, është e drejtë. Po kështu, nga gdhëndja e shkëmbit para faqes perëndimore dhe ripërdorimi i bloqeve antike në kullat e kështjellës, na vërtetohet dhe qënja e Akropolit, por konturet e tij nuk përcaktohen dot për shkak të kuotës së lartë të rrënimeve dhe dherave të hedhur.

Më qartë ndërtimet antike duken në afërsi të hyrjes kryesore (fig. 4). Fragmenti majtas saj, i ruajtur në 9 m. gjatësi, ndryshon nga një në tre rreshta dhe formon një kënd 20° me pjesën ballore të hyrjes, ndërsa fragmenti djathtas, i ruajtur në 5 m., formon një kënd 40°. Vetë hyrja (Tab. 11,2) ka një gjerësi 9,8 metrash. Në brendësi të saj muri antik ngrihet në 2 deri 4 rreshta lartësi, duke na dhënë mundësinë të rikonstruktojmë planimetrinë. Siç e vë në dukje Prashnikeri, hyrja ndahej në dy pjesë: një korridor i parë për zvogëlimin e numrit të sulmuesve dhe një korridor i dytë i pajisur me dy porta; qënja e portës së parë vërtetohet nga dy bloqe bazamente në pjesën e mesit dhe nga gdhë-ndja e bloqeve mbi ta për vendosjen e kasës së portës, ndërsa qënja e portës së dytë vërtetohet nga gjurmët e pilastrës së djathtë në dalje: dy bloqe mbi njeri-tjetrin të pajisur me vijë peshimi. Nuk jemi lë një me-ndimi me Prashnikerin se porta e tretë, në hyrje, është mesjetare, mendojmë se ajo i përket kohës antike, kur u krye riparimi i hyrjes. Në sondazhin që bëmë në faqen e djathtë të jashtme të kullës së sotme, zbuluam se edhe këtu muri i mëvonshëm ngrihet mbi substruksionin antik, gjë e cila vërtetoi se kemi të bëjmë me një kullë hyrje. Në murin B (fig. 3), fragmenti i ruajtur, që ndryshon nga dy në pesë rreshta lartësi, përfundon në kullën 3. Kjo e fundit ka formë katërkëndshe dhe ruan gjurmë të faqeve anësore, prej të cilave faqja e majtë që ruhet në 8 rreshta arrin një lartësi 5 m. nga bazamenti i kullës. Largësia midis këtyre dy faqeve 7,5 m. na jep gjerësinë e kullës së kësaj kohe, ndofta standarte nga që një pjesë e mirë e kullave të mëvonshme, përtë cilat dyshojmë se janë ngritur mbi antiket, kanë po këtë gjërësi. Para një pjese të kullave, në këtë anë, duken gjurmë tarracimi në formë shkallëzimi prej bloqesh kuadratike, punuar pa kujdes, që shërbejnë për mënjanimin e shkarjes.

Nga ana tipologjike Prashnikeri (i cili nuk përmend qënjen e dy teknikave të ndryshme), muret antikë të Beratit i krahason me muret e Lisit dhe të Zgërdheshit. Ne fazën e I e shohim të ngjashme me muret e Lisit llla, me një pjesë të mureve të Butrintit dhe me muret e qytezës së shën lliut në Elbasan, ndërtime të datuara nga fundi i shek. IV; ndërsa fazën II të ngjashme me fazën II të mureve të Zgërdheshit të datuara në fundin e shek. IV dhe fillimin e shek. III.

I pari, Liku, i pasuar nga Batifoli, Prashnikeri, Tomasheku etj., ka shprehur mendimin, me të cilin bashkohemi edhe ne, se Berati i sotëm është Antipatrea e përmendur në ngjarjet e vitit 216 nga Polibi dhe të vitit 200 nga Tit Livi. Sipërfaqja e madhe prej nga mbeturinat e keramikës «pseudoterrasigillata“ që datohet në shek. I.

Periudha Bizantine - Në periudhën bizantine emrin e qytetit e rigjejmë në listën e fortifikimeve të ndërtuara prej Justinianit, por të deformuar nga Prokopi i Qezaresë në trajtën «Antipagrai». Shuflai, duke u mbështetur te Jeliç, e identifikon Antipagrain me Antipatrean. Afërsia më e madhe Antipagrai - Antipatrea, domosdoshmëria e fortifikimit të kësaj pike nevralgjike për kontrollin e rrugës së Osumit dhe pohimi i Prokopit se kemi të bëjmë me një rindërtim, na shpien në përfundimin se Antipagrai është Antipatrea. Pas Prokopit qyteti identifikohet me Pulheriopolisin e përmendur në shek. VI, ndofta në mënyrë të deformuar nga Hierakli, dhe në të IX nga Porfirogjeneti. Për herë të parë këtë tezë e gjejmë te Farlati, i cili citon Veselingun. Sipas tij, qyteti mund të jetë ndërtuar nga Pulheria, motra e Teodosit II, hipotezë që Rikaqis mundohet ta vërtetojë duke cituar pa baza Sozornenin. Me sa dimë, në kohën e Teodosit në Epir, nuk u ndërmorën punime fortifikimi; kjo dhe fakti se qyteti përmendet në listën e rindërtimeve të Justinianit me emrin e parë, na shpien në përfundimin se emrin Pulheriopolis, qyteti e mori më vonë.

Gjurmët e periudhës së hershme bizantine në gjendien e sotme nuk i përcaktojmë dot. Ndërtimet e mëvonshme përfaqësohen nga një muraturë e çrregullt, me gurë gëlqerorë të papunuar, që për nivelim, lidhje dhe ruajtje nga uljet e çrregullta, përshkohet prej brezash tulle. Këto ndërtime i përkasin katër fazave të ndryshme, të cilat mund t'i ndajmë në kullat «7», «9», «23» dhe në muret e kullat e kështjellës.

Kulla «7» (Tab. 111, 4) ka formë prizmi pesëkëndësh dhe është e ndërtuar me një muraturë me gurë të vegjël, që përshkohet prej një brezi katër rreshtash tulle.

Kulla «9» (Tab. III, 1) është një kullë e fuqishme katërkëndëshe, e ndërtuar në pjesën e poshtme me bloqe antike të ripërdorura, ndërsa në pjesën tjetër me gurë mesatarë e të vegjël, të lidhur me një llaç të hirtë, stukuar në fugat me llaç shamot. Kulla përshkohet nga 3 breza pesë rreshtash tulle.

Kulla «23» prej kësaj periudhe ruan gjysmën veriore. Në faqet e ruajtura ka një muraturë prej gurësh të vegjël, që përshkohet vetëm në sipërfaqe dhe jo në thellësi nga dy breza me pesë rreshta tullash, në të cilët tullat e brezit të parë ndryshojnë në përmasa nga ato të brezit të dytë. Kulla është e zbrazët dhe ka përmasa të brendshme 4,3 x 3,9 m. Në lartësinë 1 m. në faqen e saj të brendshme duken gjurmë trarësh, që dëshrnojnë se kullat e kësaj periudhe ishin të ndara prej dyshemesh druri në kate, që përdoreshin për ambiente të ndryshme.

Faza e katërt përfaqesohet nga muri rrethues i kështjellës; rreth 500 m. i gjatë, që përforcohet nga 3 kulla: «1a» (Tab. III, 2) dhe «3a» 6 dhe 7 këndëshe në anën e brendshme dhe kulla «12» me formë katërkëndëshe, gjysmë e rindërtuar, në anën e jashtme. Rrethimi paraqet një ndërtim unik të meremetuar më vonë; me sa mund të gjykojmë nga pjesët e ruajtura, lartësia minimale e mureve të tij ka qenë 8 m ndërsa e kullave 12 m. Murtitura e kështjellës prej bloqesh antike të ripërdorura në pjesën e poshtme të kullave dhe prej gurësh të vegjël e mesatarë në pjesët e tjera, përshkohet në sipërfaqe prej brezash lulle; në kullat dy breza, ndërsa në muret një. Në disa vende gurët rrethohen prej kornizash me tulla ose tjegulla, duke të dhënë përshtypjen e një «cloisonnage» primitive, karakteristikë për ndërtimet pas shek. IX. Komunikimi i kështjellës me pjesën e brendshme, sipas Çelebiut, kryhej me anën e një porte që ndodhej në lindje. Veç asaj, në kullën «3a» gjendet një portë e vogël shërbimi.

Mendojmë se ndërtimet e mësipërme i përkasin periudhës pas shek. IX. Këtë e provojmë me largësinë e madhe dhe të parregullt midis brezave, me numrin e ndryshëm të rreshtave në po të njejtën kullë dhe me mospërshkimin e tërë trashësisë së murit prej brezit të tullës, karakteristika këto për periudhën pas shek. IX, kur teknika «opus mixtum» fillon të humbasë rregullsinë. Ngjarjet e njohura, që na lejojnë një farë supczimi për ndërtime në këtë perudhë janë: marrja e qytetit nga bullgarët në gjysmën e parë të shek. IX, që vërtetohet nga letra e Papës Joan XIII dërguar Borisit mbretit të bullgarëve, në të cilën qyteti del si seli peshkopale dhe përmendet për herë të parë me emrin Belegrad; si dhe rritja e rolit social të qytetit në gjysmën e parë të shek. XI.

Në fillim të shek. XIII rrethimi rimëkëmbet prej Mihal Komnenit. Kjo vërtetohet nga monogrami i tij në murin verior të oborrit të fortifikuar (Fig. 5). E një kohe me këtë pjesë të murit, është edhe kulla «1» (Tab III, 3; fig. 3) dhe një pjesë e mirë e mureve dhe e kullave të tjera.

Nga ana strukturore muri i kullës përbëhet, nga dy këmishë prej bloqesh antike të ripërdorura, midis të cilave është derdhur mbushja prej llaçi e gurësh me përmasa të ndryshme. Bloqet janë vendosur me faqen e puthitjes nga ana e jashtme, kështu që rreshtat kanë njëfarë horizontaliteti dhe muret një sipërfaqe të rrafshtë. Bloqet nuk puqen mirë anash me njeri-tjetrin dhe krijojnë boshllëqë deri 20 cm., të mbushur me copa tullash e rrallë tjegullash. Lidhja e tyre është kryer me llaç të dobët, me gëlqere të pashuar mirë, përzier me zhavor lumi. Për ruajtje dhc hidrolizim, fugat janë stukuar me llaç shamot. Kulla përshkohet prej 3 brezash me pesë rreshta tulle; të cilët nuk kalojnë në tërë masën e murit, por gjenden vetëm në sipërfaqe. Rreshtat ndërmjetës në brezat janë të tërhequr në thellësi dhe të mbuluar me llaç. Kështu që, në shikimin e parë, të japin përshtypjen sikur brezi përbëhet prej 3 rreshtash (shih tab. 1); teknikë që datohet në shek. XII. Rrjedhimisht mendimi i Leon Reit se këto ndërtime janë të periudhës së hershme bizantine nuk është i drejtë. Kulla lidhet me murin «A» të ruajtur në lartësinë maksimale 10 m. Muri është ndërtuar me të njejtën teknikë si kullat me ndryshimin, që rreshtat e humbasin krejtësisht horizontalitetin dhe brezat e tullës ndërpriten 1 m. pas kullës.

Si kuptohet dhe nga gjurmët e shumta, Mihal Komneni i bëri një rindërtim të madh rrethimit, kështu që ngjarjet e mëvonshme, në të cilat duhet të jenë kryer luftimet; si pushtimi prej bullgarëve më 1230, pushtimi prej anzhuinëve më 1271, si dhe rimarrja prej bizantinëve, duhet të jenë reflektuar nëpërmjet mermetimeve të pjesshme.

Rreth viteve 80 të shek. XIII, në saje të planeve të anzhuinëve për të hyrë në thellësi të Ballkanit, qyteti fiton një rëndësi të dorës së parë. Kjo kuptohet lehtë nga rëndësia që i japin bizantinët dhe anzhuinët marrjes së qytetit. Nga përshkrimi i Pahymeresit kuptojmë se qyteti në këtë kohë ishte bashkuar me lumin nëpërmjet një ledhi dheu, ndofta të pajisur me palisadë. Veç kësaj, në vitin 1280, përmendet për herë të parë Varoshi, por ai nuk gjëndet në anën jugore, si mendon Shuflai, por në veriperëndimoen, jashtë rrethimit të qytetit. Arrimë në këtë përfundim duke u mbështetur në gjurmë nërtimesh, që i përkasin mesjetës së mesme dhe në faktin se, ndërsa në përshkrimin e Pahymeresit vihet në dukje se ana jugore ka qenë vazhdimisht në duart e bizantinëve, në letrën e tij Karli Anzhu falënderon mëkëmbësin për marrjen e Varoshit. Zhvillimi i Varoshit mendojmë se është rrjedhim i rritjes së madhe të popullsisë me banorët e Durrësit, shumica e të cilëve, siç del nga dokumentat anzhuine, pas tërmetit të vitit 1276 u shpërngulën për në Berat.

Periudha e principatave feodale shqiptare - Faza e tretë e ndërtimit i përket periudhës së principatave feudale shqiptare. Arësyet që na shpien në këtë përfundim janë: qënja e ndërtimeve të mëdha që kufizohen midis ndërtimeve të vona bizantine dhe të hershme turke; mungesa e ngjarjeve me rëndësi për një rindërtim kapital në intervalin 1280 - fillimi i shek. XIV dhe rëndësia që fiton qyteti në shek. XIV kur kthehet në pronë dhe qendër të familjes së Muzakajve.

Siç shihet nga planimetria (Tab. IV), në këtë periudhë u rindërtuan pothuajse të gjitha muret, u ndërtuan një sërë kullash; u bë rrethimi i selisë në brendësi të kështjellës dhe muret e bashkimit të rrethimit të sipërm me lumin.

Pas ndërtimit të parë të periudhës ilire, ky është ndërtimi më i madh, që dëshmon se gjatë periudhës së principatave feudale shqiptare kemi një rritje të rolit të qyteteve, të cilët marrin tiparet e plota të qytetit mesjetar.

Ndërtimet e mësipërme janë kryçr me një muraturë të «derdhur»: midis dy pareteve prej gurësh të vegjël të papunuar dhe coprash tjegulle lidhur me llaç gëlqereje (Tab. IV, 1), teknikë që hasim në kishat në brendësi të rrethimit, të datuara në shek. XIII-XIV, është hedhur një përzierje çakëlli dhe gurësh me llaç. Muratura për forcimin dhe për shpërndarjen e ngarkesave e të goditjeve, përshkohet nga një rrjetë trarësh horizontalë. Rrjeta përbëhet prej trarëve gjatësorë me seksion 14x14cm., të vendosur në breza tre trarësh çdo 70 cm. lartësi, që ndërlidhen me anë kllapash me trarët transversalë.

Muret kanë trashësi rreth 1,70 m. dhe ndahen në trapin e kalimit 90 cm. dhe në parapetin 80 cm. të pajisur me bedena 100 cm. të gjerë. Kullat kanë formë katërkëndëshe, me përmasa bazë rreth 5 x 7 m. dhe, siç kuptohet, nga ngushtimi i seksionit të murit në një lartësi 6 m. nga baza dhe gjurmë të tjera kanë qenë ndarë me dysheme dërrase në tre kate. Në kullën «3» (Tab II, 1) (fig. 14) që ruhet deri në gjysmën e katit II, në 10 m. lartësi, gjenden dy frengji për arbaleta që fillojnë me seksion gjysmë rrethor me diametër 100 cm. dhe përfundojnë me seksion katërkëndësh 100x20cm.

Në murin e rrethimit gjendet një kullë e brendshme e mbuluar prej dheu, e cila në anën e jashtme ka një portë (Tab IV, 2), 2,20 m të gjërë dhe 2,60 m të lartë, për komunikimin drejtpërdrejtë të kështjellës me ambientin e jashtëm. Porta mbulohet nga një hark i ulët prej tullash me përmasa 50x25x5cm. lidhur me llaç shamot, mbi të cilin gjendet një hark karakteristik për ndërtimet e shek. XIV me fushën të zbukuruar me dekor «cloiscnnage». Këtë lloj harku dhe dekori e hasim dhe në ambientin nëntokësor brenda rrethimit të selisë.

Frano Prendi, Koço Zheku - Lisi në dritën e të dhënave të reja arkeologjike

Në literaturën historike arkoologjike ekzistojnë pikëpamje të ndryshme për themelimin e qytetit të lashtë të Lezhës, i njohur nga burimet e shkruara antike me emrin Lis (Lissus), prej të cilit rrjedh, në pajtim me ligjet fonetike të shqipes, emri i sotëm i qytetit: Lesh, Lezhë.

Disa studjues si Ljubiç, Bauer, Han. Hekard, Degrand, Majer, Ipen, Flus, Prashniker, Shober, Bomo etj., duke u mbështetur në tekstin e Diodorit të Siqelisë, ku thuhet se Lisin e themeloi Dionisi plak, tirani i Sirakuzës (XV, 13, 14), e quajnë këtë qytet të lashtë si koloni helene, kurse të tjerë si Lucius, Fortis, Kataliniç, Myler, Beloh, Novak etj., duke e vlerësuar në mënyrë kritike dëshminë e sipërpërmendur, kanë shprehur mendimin se fjala Aiotrov ose Amxtt, te Diodori duhet lexuar ’Tcrcrav, ’Ttrtr'r), ose, të paktën, duhet kuptuar qyteti antik Issa në ishullin dalmatin të Visit, të cilin edhe Pseudo Skymni, i mbështetur në autorë shumë më të hershëm dhe të mirëbesuar si Timeu dhe Eratosteni, e përmend si koloni sirakuziane.

Historiografia shqiptare, duke mos u thelluar në këto pikëpamje të kundërta për çështjen e sipërme, ka qëndruar deri tani, pa të drejtë për mendimin tonë, në pozitat e atyre që e quanin Lisin si koloni helene, kurse muret rrethuese të tij si vepër kryekëput dioniziane.

Ne nuk do të merremi këtu me shtjellimin e argumentave të shumtë historikë që provojnë të kundërtën, pasi këtë e ka bërë 30 vjet më parë G. Novaku, në studimin e tij mbi veprimtarinë kolonizuese të Dionisit të Sirakuzës në Adriatik, por do të përpiqemi që nëpërmjet të dhënave të reja arkeologjike, të përfituara nga punimet me karakter zbulimi dhe restaurimi që ndërmori Instituti i monumenteve të kulturës në pika të ndryshme të mureve rrethuese të Lisit, të sjellim prova të tjera, edhe më bindëse, në favor të gjenezës autoktone ilire të këtij qyteti, si edhe të përcaktojmë me saktësi më të madhe, veçoritë konstruktive dhe arkitektonike të sistemit mbrojtës të tij.

Gjatë gërmimeve arkeologjike dyvjeçare (1968--1969), këto janë të para gërmime sistematike që ndërmerren në këtë truall të lashtë me histori shumëshekullore, u bë edhe një përcaktim i hollësishëm topografik i zonës së qytetit antik, duke përfshirë këtu edhe kështjellën e tij mbi majën e Shelbuemit, e cila në burimet e shkruara historlke njihet me emrin Akrolis.

Si rrjedhim i kësaj pune u arrit të fiksohen qartë disa mbeturina muresh rrethuese, të panjohura më parë, të cilat, nga pikëpamja teknike dhe stilistike, ndryshojnë shumë, jo vetëm midis tyre, por edhe nga vetë muret rrethuese, tashmë të njohura të Lisit.

Gjurmët e mureve më primitive, të cilat padyshim, kanë qenë pjesë përbërëse e sistemit fortifikues të një vendbanimi prehistorik ilir, u vunë re në majën e malit të Shelbuemit, ku, siç dihet, Prashniker e Shober fiksuan të parët mbeturinat e Akrolisit antik, ndërsa gjurmët e mureve teknikisht më të përparuara, u diktuan pak më poshtë kështjellës së sotme mesjetare, në anën perëndimore të saj.

Muret e vendbanimit të fortifikuar ilir mbi majën e Shelbuemit, janë ruajtur pjesërisht dhe në një lartësi maksimale deri në 1.50 m. Dy faqet e dukshme të murit janë ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatarë të papunuar dhe të vendosur njëri mbi tjetrin në të thatë (fig. 1), duke krijuar shpesh zbrazëti të mëdha midis tyre. Hapësira në mes të faqeve të murit ka qenë e mbushur me gurë mesatarë e të vegjël. Trashësia e tij arrin në 3.20 m. Në anën juglindore të këtij sistemi mbrojtës, u dalluan edhe gjurmët e një hyrjeje (fig. 2).

Në përshkrimin mjaft të hollësishëm që Prashniker dhe Shober, i bëjnë Akrolisit, nuk i përmendin fare këto lloj muresh, megjithëse në skicë-planimetrinë e tyre, për çudi shënohen madje me të njëjtën ngjyrë, sikurse edhe muret antike të Akrolisit. Kjo na shtyn të mendojmë se arkeologët austriakë, duhet t'i kenë vërejtur këto konstruksione mbrojtëse, por s’kanë mundur t’i dallojnë teknikisht dhe, si rrjedhim, kronologjikisht nga muret e Akrolisit antik. Për ne, këto ndërtime fortifikuese ndryshojnë në çdo pikëpamje, prandaj dhe duhen dalluar në kohë. Tipologjikisht ata kanë ngjashmëri të madhe me ato të qytezave ilire të Marshejt e Gajtanit të rrethit të Shkodrës, të cilët, në mbështetje të të dhënave stratigrafike të përfituara nga gërmimet sistematike në.Gajtan, datohen si të fillimit të epokës së hekurit. Kësaj periudhe afërsisht duhet t’i përkasin edhe muret rrethuese të vendbanimit ilir të Shelbuemit.

Një interes të veçantë paraqesin sidomos mbeturinat e mureve mbrojtëse të një vendbanimi të dytë mbi majën e kodrës së kalasë, të ruajtura në një lartësi maksimale deri në 1.20 m.

Nga sa mund të dallohet, këto mure kanë qenë ndërtuar me gurë të mëdhenj dhe mesatarë të përpunuar përciptas ose fare të papunuar dhe të vendosur njëri mbi tjetrin në të thatë. Bloqet e përpunuara krijojnë vende-vende mundësi për një puthitje normale, sidomos në fugaturat horizontale, ndërsa ato të papunuara, lënë zbrazëti midis tyre nganjëherë të mëdha, të cilat janë mbushur me gurë të vegjël (fig. 3).

Në krahasim me muret rrethuese të vendbanimit të parë mbi majën e Shelbuemit, muret e vendbanimit të dytë, të cilat stilistikisht anojnë nga poligonali i parregullt, shprehin qartë një shkallë më të përparuar përsa i përket teknikës së punimit të gurëve dhe të vendosjes së tyre në muraturë dhe, si rrjedhim, i përkasin një periudhe historike pak a shumë më të vonë. Po t’i krahasojmë këto mure me konstruksionet e fuqishme dhe të ruajtura mjaft mirë të sistemit mbrojtës të Lisit, (TAB. II, 3) do vërejmë se këto qëndrojnë në lidhje të ngushta gjenetike midis tyre, lidhje të cilat shfaqen jo vetëm në ngjashmërinë e madhe teknike, në nxjerrjen dhe coptimin e shkëmbinjëve në blaqe, por edhe në mënyrën pjesërisht të përafërt të punimit të gurëve. Në këto rrethana muret e këtij vendbanimi të dytë ilir, që, si duket, zëvendësoi të parin për arësye të kushteve jo të favorshme topogrofike dhe ekonomike të tij, duhen quajtur si një fazë pararendëse e sistemit fortifikues të qytetit të lashtë të Lisit.

Për datimin e këtyre mureve rrethuese ilire jemi të detyruar hë për hë, në mungesë të të dhënave stratigrafike, t’u drejtohemi veçantive konstruktive dhe stilistike të tyre, të cilat në krahasim me muret e mëvonshme të qytetit, janë më të hershme se të shek. IV para e. sonë. Kësaj periudhe i përkasin edhe ato pak fragmente keramike lokale të gjetura rastësisht pranë këtyre mureve ose gjatë gërmimeve të rregullta si ele-mente sporadike në shtresat e përzjera të periudhës helenistiko-romake, fragmente të cilat, nga pikëpamja teknike dhe tipologjike, riprodhojnë të giitha veçoritë e poçerisë prehistorike ilire.

Në qoftë se për dy qendrat e sipërme të fortifikuara ilire kumtohet për të parën herë në këtë punim, ndryshe qëndron çështja me muret e sistemit mbrojtës të Lisit antik, të përmendura që në shek. XV nga Qiriaku i Ankonës. Siç dihet muret rrethuese të këtij qyteti, për një kohë të gjatë ja tërhoqën vëmendjen studjuesve të huaj dhe në mënyrë të veçantë Prashnikerit e Shoberit, të cilët të parët u morën edhe me përshkrimin e hollësishëm dhe studimin e gjithanshëm të tyre. Por gjatë vlerësimit arkeologjik të pjesshëm apo të përgjithshëm të këtij monumenti, studjues të ndryshëm shfaqën edhe mendime të ndryshme sidomos për çështje të karakterit konstruktivo-stilistik dhe kronologjik të mureve, të cilët, duke i shikuar sot në dritën e vëzhgimeve të reja arkeologjike dhe të përfundimeve të gërmimeve sistematike, diktojnë nevojën jo aq për korrigjime të rastit, se sa për një rishikim dhe vlerësim të gjithmbarshëm të tyre.

Planimetria e Lisit, e hartuar nga Prashnikeri e Shoberi, mendojmë se në vija të përgjithshme dhe sidomos përsa i përket drejtimit të mureve perimetrale dhe murit të brendshëm, që ndan pjesën e sipërme të qytetit nga ajo e poshtmja, i afrohet mjaft gjendjes së vërtetë. Nëpërmjet plotësimeve deri diku të pranueshme, arkeologët austriakë kanë arritur ta mbyllin rrethin e mureve mbrojtëse duke i zbritur ato që nga maja e kodrës, e deri në breg të lumit Drin. Ajo që na duket pak e shpejtuar në plotësimin e kësaj planimetrie, është vendosja e kullave në të shumicën e rasteve me hamendje, veçanërisht në dy krahët anësorë të mureve, shumë pak të ruajtur, që zbresin tatë-pjetë kodrës në drejtim të lumit. Këtë e kanë arritur duke u mbështetur, siç e pohojnë edhe vetë hartuesit e saj, në disa kritere (sipas mendimit tonë jo gjithmonë të drejta) siç janë, grumbujt e gurëve të rrëzuar apo thyerja e drejtimit të murit. Ka edhe pasaktësi të tilla në fiksimin e këtyre komponenteve arkitektonike të sistemit mbrojtës të qytetit, të cilat kanë ardhur si rrjedhim i vrojtimeve nganjëherë të sipërfaqshme dhe të shpejta, pasi nuk ka se si shpjegohet fakti që kthesa e shkallëzuar e murit verior si edhe hyrja në afërsi të saj të merren për kulla. aq më tepër kur kemi parasysh se kjo planimetri u hartua gjysmë shekulli më parë, kur muret ishin në një gjendje më të mirë konservimi se sa sot.

Muret rrethues të qytetit kanë qenë ndërtuar me gurë gëlqerorë të nxjerrë nga shtresat shkëmbore të vetë kodrës. Ata janë shkëputur nga shkëmbinjtë masivë dhe janë coptuar në bloqe me anën e pykave metalike, siç e tregojnë vetë gjurmët e këtij instrumenti te lëna mbi gurë (fig. 5). Muret qëndrojnë mbi themele të sajuar, zakonisht prej një radhë blloqesh jo shumë të trasha, por me faqen mbështetëse të tyre pak a shumë të gjerë për t’i krijuar një bazament sa më të përshtatshëm murit qe ngrihet mbi të. Në vende jo të sheshta, gurët e themelit shpesh herë janë të shkallëzuar dhe largësitë e këtij shkallëzimi i shohim të ndryshojnë në funksion të pjesërishëm ku më shumë e ku më pak të theksuar të terrenit. Në disa raste si themel është shfrytëzuar edhe shkëmbi i gjallë, faqja mbështetëse e të cilit thellohej si fale drejtkëndëshe qëllimisht për të ndaluar rrëshqitjen e mundëshme të muraturës. Dy faqet e murit, e brendshmja dhe e jashtmja, janë ndërtuar me blloqe të mëdha, të daltuar anash në një sipërfaqe të kufizuar sa për të lejuar një mbështetje dhe puthitje të mirë midis tyre në fugaturat horizontale dhe vertikale. Balli i dukshëm i bloqeve, përkundrazi, me anë të një punimi me çekiç është lënë i gufmuar (konveks) (Fig. 9).

Zbrazëtia brenda dy faqeve të murit ka qenë e mbushur me gurë të përmasave të ndryshme dhe veçanërisht me çakëll të trashë, të përfituar nga thyerja e gurit gjatë procesit të gdhendjes së tij (fig. 6). Këto mure, në gjerësinë e tyre dhe në largësi të ndryshme, përforcoheshin me anë muraturash të tërthorta prej gurësh, herë të punuar, herë të papunuar, që lidheshin konstruktivisht me faqet anësore (fig. 7).

Një nga veçoritë tekniko-stilistike që bie më shumë në sy në këtë sistem muresh fortifikimi, është, padyshim edhe gdhendja e thellë në formë kornize (fig. 8) e gurëve të qosheve, në këndet e kullave, të hyrjeve dhe të vetë kthesave të shkallëzuara të murit, tipar ky karakteristik edhe për shumë fortifikime të tjera të krahinave iliro-epirote, të cilin tani vonë, shkencëtari anglez N.G.L. Hamond, shpejtoi ta caktojë edhe në kohë, duke e lidhur me periudhën e fundit të sundimit të Pirros.

Muret perimetrale të qytetit me një gjatësi lineare prej më se 2.000 m. kanë një trashësi që lëvizë nga 3.20 në 3.50 m.

Stili i mureve rrethuese është trapezoidal i parregullt pseudoizodomik (fig. 9) dhe poligonal (fig. 10). por shpeshherë ndodh që të dy këto stile t’i gjejmë të mbërthyer në të njejtën pjesë muri ose të gërshetuar midis tyre në një mënyrë të tillë, sa që është vështirë të dallohet se ku fillon njeri e ku mbaron tjetri.

Prashniker dhe Shober me të drejtë i patën quajtur këto konstruksione, pavarësisht nga karakteri i tyre i ndryshëm stilistik, si të një faze të vetme ndërtimi, por nuk na duken bindës, atëherë, kur ata përpiqen ta shpjegojnë këtë fenomen me natyrën, herë të pjerrët, herë të sheshtë të terrenit, mbi të cilin këto mure ngriheshin. Bashkekzistenca e këtyre dy stileve në sistemin fortifikues të Lisit, mendojmë se duhet shpjeguar, jo aq me relievin e terrenit, se sa me formacionin shkëmbor-masiv të vendit, prej të cilit janë nxjerrë gurët dhe me nevojën e një shfrytëzimi maksimal të bloqeve me vëllimet dhe format e nxjerra prej gurores.

Ndryshe nga arkeologët austriakë, Bomo, i cili kohët e fundit u muar me shqyrtimin e kronologjisë së disa fortifikimeve iliro-epirote, dalloi në sistemin mbrojtës të Lisit jo një, por dy faza ndërtimi. Fazën e parë të përfaqësuar sipas mendimit të tij, nga stili poligonal, pa rreshta, ai e lidh me qënjen e një vendbanimi të fortifikuar para shek. IV para erës sonë, kurse fazën e dytë të përfaqësuar nga stili poligonal këndrejtë me rreshta i përafërt me trapezoidalin e parregullt si vepër dioniziane. Provat që ai sjell në favor të këtij periodizimi të mureve rrethues të Lisit, për mendimin tonë, nuk kanë asnjë mbështetje dhe as që nuk e vlen për t'ja nënshtruar ndonjë diskutimi të veçantë. U tha edhe më lart dhe kjo në bazë të vëzhgimeve tona të vazhdueshme dhe të zbulimeve të reja arkeologjike, se këto dy stile janë aq mjeshtërisht të ndërthurura midis tyre, sa që nuk lënë as më të voglin dyshim për karakterin bashkëkohës të përdorimit të tyre.

Ndryshe nga muret e njëkohshme perimetrale të qytetit, muri i brendshëm ndarës paraqet një teknikë tjetër ndërtimi, me veçori dalluese konstruksioni dhe punimi guri. Ky mur, trashësia e të cilit arrin në 1.70 m., në mbushje të brendshme përmban gurë të vegjël dhe nga njëherë fragmento keramike të shek. ll-l p.e. sonë. Bloqet e gurëve në përgjithësi janë punuar në forma afërsisht trapezoidale, sikurse edhe ato të mureve rrethuese, por me një ndryshim, se faqet e dukshme të tyre nuk janë më të gufmuara, por të gdhendura rrafsh. Shpesh ato janë pajisur me vija të thelluara paralele në drejtime të ndryshme, të cilat i kanë shërbyer për lehtësimin e procesit të datimit të gurit, por që më vonë janë lënë, siç duket, edhe për efekte dekorative. Këto veçori teknike o dallojnë mirë këtë mur të brendshëm, të ngritur nga themelet, si një fazë të dytë ndërtimi në kuadrin e sistemit mbrojtës të qytetit. Kjo bëhet edhe më e qartë kur kemi parasysh, se copa të vogla muri me një teknikë të ngjashme punim guri, janë gjetur edhe mbi mbeturinat e mureve perimetrale (fig. 12), si dëshmitarë të një ripërtëritjeje të tyre në një periudhë më të vonë, kur ato ishin dëmtuar rëndë nga koha.

Në sistemin e fortifikimit të Lisit antik, në mënyrë të veçantë të tërheqin vëmendjen hyrjet e shumta, me anë të të cilave qyteti komunikonte me territorin e jashtëm ose midis rajoneve të brendshme të tij. Në vetëvete, ato përfaqësojnë elementet më të rëndësishme dhe njëkohësisht më interesante nga pikëpamja arkitektonike. Deri më sot ne kemi arritur të fiksojmë 10 hyrje dhe të gjitha këto në rrethimin e rajonit të lartë të qytetit. Nga këto 8 janë të jashtme dhe dy të brendshme. Janë zbuluar vetëm 6, prej të cilave 5 janë restauruar deri në masën e lejuar nga materiali i gjetur në vend (fig. 13).

Hyrjet e zbuluara nga pikëpamja tipologjike dhe e konstruksionit, në vija të përgjithshme, kanë ngjashmëri të madhe midis tyre. Kryesisht ato paroqesin tipet më të thjeshta të hyrjeve të njohura nga fortifikimet iliro-epirote. Një korridor apo udhëkalimi e gjatë, e formuar nga ndërprerja e murit rrethues ose nga thyerja e drejtimit të tij prej nga kanë rrjedhur edhe ato pak ndryshime të vogla që mund të vërehen në konfiguracionin planimetrik të tyre (fig, 13). Përmasat e portave janë të ndryshme: më e vogla 1.60 m. e gjerë te hyrja, me udhëkalimi 3.20 m. të gjatë; ndërsa më e madhja ka një gjerësi prej 4.10 te hyrja dhe një gjatësi korridori prej 9.60 m. Për lehtësi orientimi hyrjet i kemi emërtuar si më poshtë: 1) Porta e Gaviarit (FAB. I, 1) në qoshen juglindore të sistemit mbrojtës të qytetit; 2) Porta e vogël (TAB. I, 3) në murin perëndimor; 3) Porta jugperëndimore (TAB, I, 2); 4) Porta e burimit (TAB. II, 1) në anën veriore; 5) Porta e madhe (TAB. III, 2) në murin verilindor dhe 6) Porta e brendshme (TAB. III, 1) në murin ndarës të qytetit. Me përjashtim të portës jugperëndimore, në të gjitha hyrjet e tjera të zbuluara, dyert kanë qenë të vendosura brënda korridorit. Pragjet e tyre janë të sajuara nga tre bloqe gurësh të vendosur nga të dy anët ngjitur me faqet anësore të korridorit, mbi të cilët fiksoheshin kasat dhe kanatat e drunjta të dyerve, dhe i treti, më i vogli është vendosur në mes, i ngulur vertikalisht për të formuar mbështetsen e kanatave gjatë mbylljes së tyre (TAB. II, 2). Zakonisht hapësira midis këtyre bloqeve fiksuese dhe mbështetëse, është e mbyllur me një ose dy rreshta të shkallëzuar gurësh.

Në qoftë se ne sot njohim shumë mirë pragjet e këtyre portave dhe përafërsisht mënyrën e ndërtimit të dyerve të drunjëta, deri në mekanizmat lëvizëse metalike të tyre (fig. 14), nuk dimë ende se çfarë zgjidhje konstruktive dhe formë arkitektonike mund t’i kenë dhënë ndërtuesit mbulesës së këtyre hyrjeve, pasi gjatë gërmimeve nuk u gjet asnjë element që të na ndihmonte në këtë drejtim.

Portat kanë qenë të mbrojtura me nga një kullë anësore, e cila, me sa duket, për arësye taktike vendosej në të djathtë të hyrjes; bën përjashtim vetëm kulla e portës së brendshme. Porta e madhe, si më e rëndësishmja që mund të ketë qenë, ishte e mbrojtur me dy kulla anësore. Shtojmë se kullat, në këtë sistem fortifikimi, përforconin jo vetëm hyrjet, por edhe muret rrethuese, në pjesët e tyre më të ekspozuara suimeve të armikut. Këto u jepnin mundësi mbrojtësvc nga një-ra anë, për të kontrolluar një zonë sa më të madhe shikimi dhe, nga ana tjetër për t’i drejtuar shtizat e tyre në pjesët e pambrojtura të trupit të kundërshtarit që përpiqej të çante rrugën përmes portave të qytetit.

Me përjashtim të njerës kullë që është gjysmërrethore, që të gjitha të tjerat janë katërkëndëshe. Ndryshojnë vetëm në përmasa dhe në daljen e tyre jo të barabartë nga faqet e mureve. Ngjitja në këto kulla të larta bëhej me anë të shkallëve të gurta të ndërtuara në anën e brendshme të tyre (fig. 15).

Paraqitja e këtyre veçorive konstruktive arkitektonike dhe stilistike të sistemit rrethues të Lisit, që posa i analizuam shkurtimisht në këtë punim, nuk do të ishte e plotë, po të mos shtrohej edhe çështja e kohës së ndërtimit të këtij rrethimi, aq më tepër kur dihet se për datimin e tij janë shprehur mendime të ndryshme. Kështu p.sh. disa studjues të cilët e quajtën Lisin krijesë të veprimtarisë kolonizuese të Dionisit të Sirakuzës në Adriatik, caktuan si kohë të ngritjes së mureve rrethuese të tij fillimin e shek. IV para e. sonë). Prashniker e Shaber madje i morën këto mure si një burim të sigurtë datimi edhe për konstruksionet e tjera fortifikuese të ngjashme tipologjikisht me ato të Lisit, kurse Bomo në këtë drejtim shkoi edhe më larg, duke i vlerësuar këto si një bazë kryesore për vendosjen e një kronologjie absolute të mureve iliro-epirote.

Përkundrazi Novaku dhe tani së fundi Garashanin, të cilët në kundërshtim me të parët e çmuan Lisin si një qytet thjesht ilir, duke u nisur nga burime të tërthorta historike dhe krahasime tipologjike, i datuan këto mure, i pari në fundin e shek IV ose në fillimin e shek. III para e. sonë, ndërsa i dyti si të kohës së sundimit të Agronit.

Duke lënë më një anë burimet historike të dyshimta për çështjen që na intereson, si edhe ngja-shmëritë tipologjike për të cilat jemi të bindur se jo gjithmo.në të shpien në përfundime lë sakta kronolo-gjike, ne jemi mbështetur për datimin e themclimit të qytetit, rrjedhimisht dhe të murevc rrelhuese të tij, kryesisht në përfundimet e gërmimeve të këtyre dy vjetëve të fundit.

Duhet thënë që në fillim se, gjatë zbulimit të portave ku ne përqëndruam gërmimet tona, nuk hasëm në asnjë vend depozitime të rregullta kulturale dhe ky fenomen ka shpjegimin e vet. Portat, siç e treguan edhe gërmimet, funksionuan për një periudhë shumë të gjatë deri në kohën e vonë antike apo mesjetare, kohë në të cilën ato qenë mbyllur. Në këto rrethana mbushja e tyre u bë vonë dhe pak a shumë e shpejtë me dyndjen e dherave nga lart, të përziera edhe me hedhurina të ndryshme. Rëndësi ka të shënohet fakti se në këto depozitime të parregullta kulturale, të përfaqësuaro nga fragmente të shumta keramike dhe melalike me karakter, destinacion dhe moshë të ndryshme, si edhe nga mjaft monedha helenistike, romake dhe bizantine etj., materialet më të hershme nuk shtyhen kurrë përtej fundit të shek. IV dhe fillimit të shek. III para e. sonë. Kësaj kohe i përkasin edhe fragmentet e keramikës, të datuara mirë, të tipit apul.

Datimit të këtyre mureve rrethuese të qytetit, i shërbyen edhe dy gërmime të vogla kontrolli që u bënë, njëri në majën e kodrës së kalasë dhe tjetri, në afërsi të bregut të Drinit. Edhe në këto dy pika sondazhi (kësaj rradhe me stratifikim deri diku të rregullt kulturash: mesjetare dhe romake me përzierje objektesh helenistike në kala, dhe romako-helenistike buzë Drinit), elementet më të hershme i përkasin gjithashtu fillimit të shek. III ose fundit të shek. IV para e. sonë. Janë pikërisht këto të dhëna arkeologjike stratigrafike të përfituara nga gërmimet e deritanishme që na shtyjnë të mendojmë se, fundi i shek. IV para e. sonë duhet lë shënojë kohën e themelimit të qytetit dhe të ngritjes së mureve mbrojtëse të tij.

Kjo është gjithashtu edhe periudha e formimit të një numri qytetesh të tjera të fortifikuara ilire, jo shumë larg Lisit, si e kanë treguar gërmimet arkeologjike që u zhvilluan në këto vjetët e fundit, në Zgërdhesh të Krujës dhe në Xibër të Matit. Megjithë se ende në fillim, ato na kanë dhënë materiale të shumta që e lidhin qartë këtë trekëndësh qëndrash ilire jo vetëm nga pikëpamja kronologjike, por edhe ekonomiko-kulturore. Ajo që na çudit në këtë mes, është vetëm ndryshimi stilistik midis mureve rrethuese të tyre. Sidoqoftë ky është një problem që nuk përfshihet në sferën e temës sonë dhe që kërkon një studim të veçantë.

Në dritën e këtyre të dhënave të reja kronologjike, natyrisht nuk mund të qëndrojë më datimi tradicional i themelimit të Lisit në vitin 390 ose 385 para e. sonë dhe aq më pak teza që e lidh themelimin e tij me veprimtarinë kolonizuese të Dionisit plak të Sirakuzës.

Në përforcim të këtij mendimi, do të ishte me interes, të përmendet edhe fakti se, të paktën deri tani, në asnjë vend të zonës së qytetit antik nuk është gjetur, qoftë edhe rastësisht, ndonjë mbishkrim greqisht apo monedhë para helenistike, që të tregojë tërthorazi për qenjen e Lisit koloni helene; asnjë fragment arkitekture dhe keramike të prodhimit klasik të shek IV para e. sonë që të flasë për zhvillimin e veprimtarisë qytetare në këtë kohë. Të gjitha këto, për mendimin tonë, dëshmojnë për fillimin e jetës qytetare në Lis jo përpara fundit të shek. IV para e. sonë. Natyrisht ky qytet nuk u ngrit në një vend të zbrazët, por, si e pamë edhe më lart, të banuar që më përpara nga popullsia ilire, e cila mbrohej nga qendra e saj e fortifikuar mbi majën e kodrës së kalasë. Ishte si duket, ky vendbanim i fortifikuar ilir, i cili, në procesin e zhvillimit të pandërprerë ekonomiko-shoqëror, u transformua në një qendër të madhe me ekonomi e kulturë qytetare ilire, të mbrojtur nga një sistem tjetër i ri fortifikimi, më i ndërlikuor dhe më i fuqishëm se ai i banimit pararendës, me një konstruksion të përsosur për atë kohë dhe me një stil ndërtimi karakteristik për shumë qendra të fortifikuara të arealit iliro-epirot të epokës helenistike ndoshta dhe protohelenistike. Këto mure të sistemit mbrojtës të qytetit, sa të bukura aq edhe ma-dhështore, janë padyshim, vepër e mjeshtërve vendas ilirë, të cilët i ndërtuan sipas stilit të kohës, por duke pasë si bazë përvojën e tyre shumëshekullore dhe nuk janë vepër e konstruktorëve helenë, siç e quajtën pa të drejtë Prashnikeri e Shoberi.

Për datimin e mureve të periudhës së dytë të ndërtimit, në sistemin e fortifikimit të Lisit, ne jemi mbështetur në fragmentet e qeramikës së shek. ll-I p.e. sonë të zbuluara në mbushjen e murit të brëndëshëm, si edhe në dy mbishkrime latine të zbuluara në vitin 1968 ku bëhet fjalë për ripërtëritjen e mureve, të një kulle dhe të një porte, me vendim të këshillit të qytetit dhe nën përkujdesjen e magistratëve ekzekutivë të tij, Gaviarit dhe Meges. Mbishkrimet i përkasin mesit të shek. I para e. sonë. Për një riforcim të tillë të sistemit mbrojtës të qytetit, flet edhe vetë tradita e shkruar historike. Jul Cezari nën vartësinë e të cilit gjendej në atë kohë Lisi, në veprën e tij «Mbi luftat civile», shkruante se: «këshilli i qytetarëve romakë që kishte në dorë Lisin, qytet të cilin ua kishte besuar më parë Cezari, . . . ishte përkujdesë ta fortifikonte. ..» (B. Civ. III, 29, 1). Pra si shihet, këtu kemi të bëjmë me një përputhje të përsosur të burimeve historike me ato epigrafike, për çështjen e kohës së përforcimit të mureve rrethuese të qytetit, që do të ishte mesi i shek. I para e. sonë

Meqë ra rasti duhet thënë se mbishkrimet e sipër-përmendura, të murosura, dikur në pika të ndryshme të sistemit fortifikues të Lisit, për të përkujtuar magistratët që u përkujdesën për riforcimin e tij dhe bashkësinë qytetare, me shpenzimet e së cilës u kryen punimet, nuk janë të parat që zbulohen në truallin e këtij qyteti të lashtë. Që në vitin 1436, Qiriaku i Ankonës pat parë dhe lexuar mbi mur një epigram të tillë të ngjashëm për nga përmbajtja që u datua si i periudhës së hershme perandorake dhe që u shërbeu studjuesve si dokument për të provuar një rindërtim të dytë të mureve rrethuese pas atij të shek. I p.e. sonë.

Mirëpo në dritën e mbishkrimeve të reja, ne kemi bindjen se ky epigram, sot i zhdukur i Qiriakut, i cili mund të ketë qenë i murosur te porta e burimit, ku ne diktuam gjurmët e një «tabula ansata» me tekst fare të fshirë, është lexuar gabim në rreshtin e parë dhe datuar gjithashtu gabim. Kështu fjala ARNN që vjen fillë mbas emrit gjentilik GAVI dhe të cilin Momzen e quajti, si një patronim apo emër tribuje të plotësuar më vonë me pikëpyetje ARNNENSIS, sipas mendimit tonë duhet lexuar ARIUS, duke e quajtur këtë si mbaresë të emrit gjentilik të GAVI-ARIUS. Kështu në rreshtin e parë, në vend të LUCI GAVI/ARNN AUGUR, do të kemi LUCIUS GAVIARIUS AUGUR. .. që do të ishte në rastin tonë po ai Gaviarius augur, për të cilin bëjnë fjalë mbishkrimet tona të shek. I p.e. sonë. Me këtë korrigjim leximi dhe datimi, privohet nga baza dokumentare mendimi i Prashnikerit e i Shoberit për një rindërtim të dytë të Lisit në periudhën e hershme perandorake. Natyrisht riforcime në sistemin e fortifikimit të qytetit ka pasur edhe më vonë, por jo në periudhën e hershme perandorake. Shumë-shumë, ato mund të lidhen me periudhën e vonë antike. Janë riforcime të pjesshme që dallojnë nga ato të parat, për karakterin e tyre të shpejtë dhe shkel e shko duke vendosur në një mënyrë të parregullt njeri mbi tjetrin bloqet e rrëzuara dhe duke reduktuar trashësinë e murit fillestar perimetral nga 3.20 m. që ishte në 2 m.

Si përfundim, përsa u tha më sipër, dalin këto:

1). Lisi nuk ka qenë asnjëherë koloni sirakuziane, por, përkundrazi, një qytet i madh dhe i fuqishëm ilir buzë Adriatikut. Fjala Lis në tekstin e Diodorit të Siqelisë, duhet lexuar ose, të paktën duhet nënkuptuar Issa. Këtë mendim e kanë shprehur shumë studjonjës duke u nisur që nga gjysma e dytë e shek. XVII. Kështu jo Lisi, por Issa ka qenë themeluar në fillim të shek. IV para e. sonë nga Dionisi i parë i Sirakuzës.

2). Si qendër urbane Lisi u formua nga fundi i shek. IV para e. sonë. Pasi shpërtheu kufitë e ngushtë të vendbanimit pararendës me një ekonomi e kulturë paraqytetare, qyteti zgjerohet tatëpjetë shpatit të kodrës së kalasë, deri në breg të lumit Drin dhe rrethohet me një sistem të fuqishëm fortifikimi, ku bashkekzistojnë në një thurje mjeshtërore dhe harmonike, të dy stilet e njohur të kohës: trapezoidali i parregullt dhe poligonali.

3). Në periudhën e hershme të pushtimit romak, muret e rrethimit të qytetit kishin pësuar dëmtime të rënda, fuqia mbrojtëse e tyre ishte dobësuar. Ndërkaq Lisi rrezikohej me sa duket nga lëvizja kryengritëse e pirustëve. Ishin ndoshta këto rrethana pasigurie që e detyruan këshillin e dekurionëve të qytetit për të marrë masa urgjente për riforcimin e sistemit mbrojtës të tij.

4). Dy venabanimet e fortifikuara ilire mbi malin e Shelbuemit dhe mbi kodrën e kalasë, paraqesin dy faza suksesive pararendëse, në procesin e ngadalshëm, por të pandërprerë të formimit të qytetit antik. Kjo ecuri shkallëzore në rrugën e formimit të kësaj qendre të rëndësishme ekonomike dhe politike ilire, ndiqet jo vetëm në zgjerimin progresiv të sipërfaqes së banimeve të përshkruara, por edhe në përmirësimin gjithmonë e më të madh të teknikës së ndërtimit të mureve rrethuese të tyre, i arritur si rrjedhim i zhvillimit në vijë rritese të forcave prodhuese të ilirëve të kësaj krahine bregdetare.

Zhvillimi progresiv tekniko-stilistik i mureve të ndryshme në zonën e qytetit antik të Lisit, gjatë mijëvjeçarit të fundit para erës sonë, mund të paraqitet në mënyrë të përmbledhur në këtë stratifikim kronologjik relativ:

LIS I - Muret rrethuese mbi majën e Shelbuemit (fig. 1).

LIS II - Muret rrethuese mbi kodrën e kalasë (fig. 3).

LIS llla - Muret rrethuese të qytetit të Lisit (Tab. II, 3)

LIS lllb - Muret e periudhës së rindërtimit të Lisit (fig. 11, 12).

Së fundi, shprehim bindjen se gërmimet dhe punimet restauruese në vitet e ardhshme, do të hedhin më shumë dritë si mbi problemet e trajtuara, shkurlimisht në këtë punim. ashtu edhe mbi çështjet e tjera shumë të rëndësishme por që nuk u trajtuan këtu të karakterit ekonomik e kulturor të Lisit, të kësaj qendre të madhe prodhimi zejtaro-agrar me një tregëti e kulturë të zhvilluar qytetare, të kësaj qendre politiko-administrative, e cila, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, luajti një rol të rëndësishëm në ngjarjet historike të shekujve të fundit të mbretërisë ilire.

Vangjel Toçi - Amfiteatri i Dyrrahit

Për bukurinë dhe madhështinë e Dyrrahit, skelës më të madhe të bregdetit lindor të Adriatikut dhe «qytetit të mrekullueshëm», sikurse e quante Ciceroni, dëshmojnë, ndër të tjera, edhe shumë ndërtime e objekte arti të zbuluara pas çlirimit: godina publike, kulti e private, rrugë e parqe, skulptura, mozaikë, etj. Megjithatë vepra më monumentale që spikat me përmasat e veta gjigande, është amfiteatri që ka filluar të zbulohet vitet e fundit.

Të dhëna të tërthorta për qënjen e një amfiteatri në Durrës, kemi pasur përpara zbulimit të tij, nga një mbishkrim që gjëndej i puthitur në murin e kalasë nga perëndimi i portës së madhe. Sipas mbishkrimit del se një farë L. Flav Telur Getuli që kishte qenë nderuar me një sërë tituj e grada në kohën e perandorit Trajan, ndihmoi me një sasi të hollash për ngritjen e një biblioteke në qytet dhe me këtë rast organizoi lojra ku u ndeshën 12 çifte gladiatorësh - Mbishkrimi që mjerisht tani ka humbur, dëshmonte tërthorazi praninë e një ndërtimi të tillë në Dyrrah, për të cilin hedhin dritë dhe dy relievet e gladiatorëve që kanë qenë ngulur po në portën e madhe të kalasë. Barleti nga ana e tij na jep një dëshmi të qartë për qënjen e amfiteatrit në librin e tij “Historia e Skënderbeut”. Ai tregon se në Durrës ishte një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarësi dhe me mjeshtëri të admirueshme.

Me gjithë këto të dhëna është interesant fakti se arkeologët që kanë ardhur në Durrës dhe kanë vënë në dukje antikitetet e këtij qyteti nuk kanë venë re gjurmët e këtij monumenti; për më tepër edhe harkun e thyer të një galerie të amfiteatrit që anonte te një faqe muri e kalasë së ndërtuar më vonë, disa metra më poshtë kullës. L. Rey e ka quajtur këtë si një pjesë përbërëse të fortifikimit, si një këmbë harku brënda zonës së mbrojtur të qytetit.

Amfiteatri i Dyrrahit është ndërtuar në faqen lindore të kodrës me kuotë 59 m. në pjesën juglindore të kështjellës, në mes harkut verior dhe jugperëndimor të mureve të kalasë. Arësyeja që ka shtyrë projektuesit dhe konstruktorët që ta ndërtojnë atë jo në fushë si zakonisht, por në një faqe kodre, ka qenë si duket tërheqja dalëngadalë e qytetit nga ana e jugperëndimit drejt kuotave më të larta, për shkak të lëkundjeve të shpeshta të tokës që shpejtuan mbylljen e rrjedhës së kënetës dhe shtimin e ujërave të saj, duke bërë që të braktisen disa pjesë të zonës më të ulët të vendbanimit. Në ndërtimin e objektit ka qenë mbajtur parasysh relievi i kodrës me përmbajtje ranore-argjilore, të përshkuar vende-vende nga breza të fortë shtufi.

Shkallarja (kavea) u gjet e zhveshur nga shkallët që shërbenin për t'u ulur spektatorët. Vetëm nga ana e sipërme e saj shihen disa rrypa shkalle (cuneus ose scalarta), që shkojnë në trajtë rreze drejt arenës. Këto shërbenin për të lehtësuar lëvizjen e shikuesve. Në syprinën e shkallares dallohen gjurmët e ndarjeve: podiumi, meniani i parë dhe i dytë, një praecinctium ose shesh i ngushtë kalues në mes lë këtyre të dyve, si dhe portat e daljes nga galeritë për në shkallare (vomitoria). Tabani i syprinës përbëhet kudo nga një përzierje llaçi me gurë të vegjël më tepër gëlqerorë. Me të njejtin malerial mbushen edhe syprinat e harkuara ose soletat e ambienteve që ndodhen nën të. Për shkak lë çveshjeve, tabani është holluar vende-vende dhe në disa pika është thyer. Këto çarje, nganjëherë të mëdha, kanë lënë të duken disa pjesë të ambienteve të nëndheshme, të cilat shërbenin për qarkullimin e brendshëm të spektatorëve d.m.th. nga fasada, në shkallaren e amfiteatrit dhe anasjelltas.

Ambientet që ndodhen nën shkallare përfundojnë sipër me harqe ose soleta llaçi me copa gurësh. Muret e tyre, të trashë 0,80 m-1 m., në dy faqet e dukshme janë veshur me breza prej 3-4 a më shumë rreshta tullash të puqura me llaç dhe të bashkërenditura me breza gurësh shkëmborë. (Fig. 1) Ky lloj muri, i quajtur opus incertum, është i vetmi që përdoret në pjesën e amfiteatrit të zbuluar deri tani.

Zonën e germuar nën tabanin e syprinës së shkallares, e cila është e gjerë nga perëndimi dhe më e ngushtë nga lindja sipas trajtës së monumentit, e kemi ndarë në sektorë që kufizohen secili anash nga dy shkallë të brendshme, të cilat zbresin si rreze drejt arenës.

Sektori A shtrihet midis shkallës 1 dhe 2. Sektori përfshin tri galeri që shkojnë paralel me elipsin e arenës dhe pesë ambiente të tamponuara:

Galeria e parë, më afër arenës, është më e lakuar dhe më e shkurtër se të tjerat (12,35 m.); ka pesë harqe që ndjekin njëri-tjetrin sipas drejtimit të saj. Nga krahu i fasadës së amfiteatrit, ajo zgjerohet me katër kamare ose xhepa, kurse nga ana e kundërt, komunikon me arenën me anë të një porte me hark. Kjo galeri që është më e ruajtura dhe më interesantja për larminë e ambienteve që lidhen me të, ka vetëm një dalje (vomitorium) me gjashtë këmbë shkallë, e cila të shpie në podium.

Galeria e dytë, e gjatë 15,10 m., e gjerë 2,10 m. dhe e lartë 4 m., mbaron sipër me një tavan gjysmë të harkuar që vjen duke zbritur nga drejtimi i arenës. Edhe kjo galeri është e kufizuar si të tjerat me mure të veshur me breza gurësh e tullash. Ajo ka dy dalje për në shkallare.

Galeria e tretë ka mbetur pothuaj krejt e zbuluar, pasi një pjesë e madhe e tavanit është hequr. Ajo ka vetëm gjashtë shkallë prej tulle të një vomitoriumi që çonte në menianin e dytë të shkallares.

Shkalla Nr. 1 është e gjatë 9,55 m dhe ka tetë këmbë prej tullash dhe katërmbëdhjetë prej bloqesh guri gëlqeror. Shkalla nr. 2, e gjatë 5.90 m. përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë këmbë, nga të cilat vetëm tri të fundit janë prej bloqesh guri.

Sektori B, më i ngushtë se i pari, ndodhet në mes të shkallëve nr. 1 dhe nr. 3. Ai përfshinë një galerizë që ndodhet ngjitur me arenën, vijimin e galerisë së parë të sektorit A, (Fig. 2) dy ambiente të tamponuara me soletë sipër, të ndara në mes tyre nga një hark i madh dhe të ruajtura shumë mirë, si dhe disa kalime që shpinin në hyrjet e fasadës.

Sektori C vjen pas shkallës nr. 3 që është e gjatë 11,50 m. Në këtë sektor kemi zbuluar vetëm një am-bient të mbyllur në formë trapezi (të gjatë 11,45 m.), baza e të cilit përbëhet nga relievi ranor i kodrës. Lartësia e soletës së ambientit nga kjo baze i kalon të shtatë metrat.

Ambientet e përshkruara fare shkurtazi kanë dalë në dritë në tre sektorët e një zone që ndodhet, nën shkallaren e amfiteatrit. Në sipërfaqen e shkallares gërmimet janë shtyrë shumë nga veriu dhe përfshijnë një hapësirë prej gjashtë sektorësh duke ardhur deri në krahun e ngushtë verior të monumentit.

Gjetjet e imta të bëra gjatë gërmimit i përkasin kohës kur ka funksionuar amfitcatri dhe kur janë përdorur disa ambiente të kavesë pas braktisjes së tij. Në shtresa më të thella të depozituara mbi dyshemetë e ambienteve, u gjënden mbi 100 kandila vaji dore që shërbenin për t'u ndriçuar udhën spektatorëve në ambiente të errëta të kavesë, mjaft enë aretine e qelqi, shumë monedha bronxi perandorake romake dhe një mori fragmentesh të ndryshme. Në shtresat më të sipërme, në të gjithë zonën e gërmuar, u nxorën poçe të lyera me zmalt, enë dhe pjesë enësh të thjeshta dhe shumë monedha bronxi e argjendi që u përkasin perandorëve bizantinë. Përveç këtyre, në galerinë dhe kalimet e tjera të shkallares u zbuluan dhe materiale të rënda si kapitele, bazamente dhe pjesë shtyllash, një krah froni zbukuruar me figurën e kokës së një luani, i cili ka qenë vendosur në shkallët e gjëra të podiumit si dhe mjaft fragmente arkitekture.

Pas braktisjes së amfiteatrit për disa shekuj, e gjithë sipërfaqja e arenës, që është gërmuar deri tani, si dhe ajo e galerisë ngjitur me të, kanë qenë përdorur si varrezë. Kufomat, të vendosura përgjithësisht me kokë nga lindja dhe të zhveshura nga çdo stolisje, janë varrosur thjeshtë mbi disa copa tjegulla të per-dorura si taban a jastëk, ose janë mbuluar me tjegulla katërkëndëshe të puqura sipër si kulm çatije apo të vendosura në trajtë arke.

Në varrezën e improvizuar janë futur persona të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Varrimet në arenë kanë qenë ndërprerë përgjithësisht ndoshta nga një tërmet që ka shkaktuar ngjitjen e nivelit të ujit. Pas kësaj është ngritur një faltore e vogël ose kapelë mortore, dhe janë sajuar dy dhomëza-varr, që kanë zënë vend në dy kamaret e galerisë së parë.

Kapela është ndërtuar pas prishjes së pjesshme të kamares Nr. 4 dhe daljes për në arenë që ndodhet përballë (TAB 1,2). Muret e saj janë punuar me materialin e monumentit, por me një cilësi më të dobët sesa muret origjinalë. Të gjitha elementet kryesore që e përbëjnë kapelën: bema me altarin, naosi dhe narteksi; duke marrë parasysh gjatësinë e vogël të saj, janë shkrirë në një.

Në kohën e funksionimit faltorja ka qenë suvatuar nga jashtë dhe brënda dhe është zbukuruar me afreske dhe dy mozaikë mural të punuar me mjeshtëri, me gurë kubikë shumë ngjyrësh. Këta ndodhen në pjesën perëndimore të saj. Mozaiku i parë 1,63 m. i gjatë dhe 1,25 m. i lartë, i ruajtur mirë, është ndarë në dy fusha: e para paraqet shën Stefanin, të cilit i kushtohet kapela, ndërsa e dyta perandorin Aleksandër, rrethuar, sipas konceptit fetar, nga dy engjëj mbrojtës dhe nga dy oborrtarë (TAB. I, 3). Aleksandri, emri i të cilit lexohet në mbishkrimin që ndodhet në pjesën e sipërme të mozaikut, ka qenë i vetmi monark i Bizantit me këtë emër. Ai ishte i biri i Vasilit I Maqedonas (867-885), dhe vëllai i Leonit VI, pas vdekjes të së cilit qëndroi i vetëm në fron nga viti 912 deri në vitin 913. Nga kjo kuptojmë se kapela mortore ka qenë ndërtuar jo më vonë se në këto vite, gjë që vërtetohej dhe nga një monedhë bronxi e Janit l (969-976), që u gjet në skeletin e një varri të vendosur në qendër të konstruksionit. Mozaiku i dytë është më i madh se i pari (2,25 m. i gjërë 1,06 m. i lartë), por i dëmtuar rëndë. Ai paraqet midis të tjerave, në qendër, figurën e perandoreshës.

Sipas stilit dhe teknikës së punimit, këta mozaikë i përshtaten asaj periudhe lulëzimi të artit bizantin që lidhet, duke gjykuar nga qëndrimi dhe nga sytë e mëdhenj dhe ekspresive të figurave, me artin e shkollës së Selanikut.

Sheshi para dhe anash faltores në arenë ka vazhduar të përdoret si varrezë për disa shekuj me radhë, derisa shtresa më e sipërme e saj që paraqet një skenë masakre, ka mbuluar hapësirën rreth kapeles deri afër kubes së absidës, si dhe një pjesë të shkallares.

Tipi i murit opus incertum që ndjek tërë konstruksionin, karakteri i monumentit dhe objektet e shumta (kandilat e vajit, enët aretine dhe monedhat, të gjetura në shtresat më të thella, na bëjnë të mendojmë se amfiteatri u ndërtua në fillim të shekullit II të erës sonë, ndoshta në kohën e perandorit Adrian, gjatë sundimit të të cilit në Dyrrah u përfunduan dhe një sërë veprash të mëdha si ujësjellësi, etj. Kjo datë përkon dhe me kohën e mbishkrimit që bën fjalë për ngritjen e bibliotekës në qytet dhe për organizimin me këtë rast të lojrave gladiatore. Nga ana tjetër, depozitimi i shtresave të gurëve të rënë nga tavanet e ambienteve të shkallares, e sidomos i atyreve në galerinë e parë, tregon se godina u dëmtua mjaft nga tërmeti e sidomos nga ai i vitit 345. Sikurse e dëshmojnë disa përforcime dhe plotësime jo të vona në ambientet e tij, këto ngjarje duket se shkaktuan për një farë kohe pezullimin e shfaqjeve. Në vitet e para të shekullit VI, amfiteatri u braktis përfundimisht, pikërisht në kohën kur, me triumfin e krishtërimit, lojrat gladiatore u ndaluan dhe mbetën në fuqi vetëm venacionet.

Përveç termeteve, një dëm të madh i ka sjellë amfiteatrit dhe ndërtimi i mureve të kalasë që ndodhen pranë të cilat u ngritën në kohën e perandorit Anastas l dhe konçiduan me braktisjen e monumentit. Në këtë kohë duket se u hoqën shkallët e sipërme dhe ambientet u mbushën pjesërisht me dheun e verdhë ranor që doli nga gërmimi për hapjen e themeleve të mureve dhe të hendekut të thelle mbrojtës para këtyre.

Pas braktisjes, monumenti u përdor gjatë shekujve për qëllime të ndryshme. Arena e tij, sikurse e pamë, u shndrrua në varrezë, u ngrit kopela bizantine, u ndërtua një furrë buke, u sajua një furrë për pjekjen e gëlqeres, etj.

Dalja në dritë e tij ka një rëndësi të madhe dokumentare. Një konstruksion i tillë me gjatësi mbi 150 m. dhe lartësi mbi 20 m. duket se i për shtatej famës së një qyteti të njohur si Dyrrahi. Për ta ngritur atë është dashur një mobilizim i madh forcash: projektues, ndërtues, skulptorë, dekoratorë, si dhe një grumbullim shumë i madh materialesh dhe mjetesh transporti. Është kjo aresyeja që ai mund të quhet si një tregues i mirë i dëndësisë së popullsisë. i fuqisë ekonomike dhe i nivelit kultural e artistik të qytetit të Dyrrahit.

info@balkancultureheritage.com