Shekulli i Antoninëve
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Shekulli i Antoninëve

Bregu lindor i detit Adriatik nuk ishte më aspak një zonë kufitare. Kjo e fundit u shty mbi Danub dhe, nën mbretërimin e Trajanit, pushtimi i Dakisë (106) e zhvendosi në bregun e majtë të lumit. Akuilea, Salona dhe rajonet e verilindjes së Adriatikut ishin udhët e kalimit të ushtrive romake drejt teatrit të operacioneve. Prania e trupave në Dalmaci u zvogëlua mjaft ndjeshëm dhe ato që mbetën ishin vetëm ca forca ndihmëse. Megjithatë, provinca e Dalmacisë mbeti e varur nga një legat konsullor. Qytete të reja u krijuan në Dahnaci, në Arupium tek japodët, në Skardona dhe Rider tek dalmatët, në Doklea në veri të Skodrës. Krijimi i provincës së Epirir, që nganjëherë është përcaktuar si e vitit 67 pas J. K., ka ndodhur në fakt diku aty pas vitit 108, nën mbretërimin e Trajanit. Një qytet i quajtur Hadrianopol u themelua në rrugën që kalonte nga veriu në jug ndërmjet Apolonisë dhe Nikopolit, në luginën e Drinos, në jug të Gjirokastrës, nëse vendgërmimet e teatrit romak të Sofratikës përkojnë vërtet me ngulimin e Hadrianopolit. Tabela e Peutingerit, gjendja e parë e së cilës duhet t’i përkasë gjysmës së parë të shekullit III, jep mjaft saktësime lidhur me këto rrugë perandorake.

Shkëmbimet tregtare u zhvilluan gjatë gjithë shekullit II, në sajë të paqes që mbretëronte brenda Perandorisë. Edhe në Itali, u hapër rrugë të reja si via Traiana, e cila në fakt e dublon via Appia-n, më në lindje, për të lidhur Romën me Brundisin. Të tjera rrugë u hapën në bregun lindor, siç dëshmon mbishkrimi i madh në gur, i gdhendur në Bylis, i cili bën fjalë për ndërtimin e një ure në vitet 162-165. Rruga kryesore që lidhte Akuilenë me Thesalonikun e anashkalonte Dalmacinë nga veriu, por kishte rrugë që dilnin nga portet dalmate dhe depërtonin në brendësi, nga laderi, Salona dhe Narona, megjithëse terreni i brendshëm ishte shpesh i vështirë. Një rrugë tjetër shpinte nga Epidauri në drejtim të luginës së lumit Drina dhe të Sirmit. Një rrugë veri-jug, pranë bregdetit, lidhte Akuilenë me Salonën duke kaluar nga laderi (Zadari); ajo zgjatej, në jug, në drejtim të Naronës dhe Skodrës. Bregdeti dhe prapatoka, që ndahen nga një perde malesh, nuk kanë pasur kurrë ndonjë solidaritet të madh mes tyre, por epoka romake është pa dyshim një nga periudhat e rralla, gjatë të cilave lidhjet ekonomike dhe administrative kanë qenë më të fuqishmet ndërmjet zonës bregdetare dhe pjesës së brendshme të vendit. Kontrastet si pasojë e relievit, klimës dhe bimësisë janë të mahnitshme ndërmjet brezit bregdetar, i cili jeton me lundrimin tregtar, me peshkimin, me kriporet e me rritjen e kulturave mesdhetare (vreshta, ullishte, agrume, pemë frutore, etj.), dhe brendësisë aty pranë, me klimë më të ashpër, më të thatë, të punueshme vetëm në polje-t e lartësive. Pikërisht në brendësi të vendit janë shfrytëzuar miniera hekuri, bakri, ari, zinku, argjendi e kripe guri, si edhe pyje të mëdha lisash në Bosnjë.

Në Istrie janë bërë gërmime në disa villae të periudhës perandorake, sidomos në ishullin e Brionit dhe në Cervera Porto, pranë Poreçit, si edhe në Akuile, ku pjesa për banim e villae-ve bashkohej me pars rustica-n. Pranë Bolonjës dhe në gjithë të ashtuquajturën regio VIII, janë zbuluar villae të shumta, me planimetri drejtëkëndëshe dhe me portik në trajtë U-je ose me një plan kompakt që e bashkonte pjesën për banim dhe pjesën fshatarake. Këto villae janë të shumta në rajonin e Markeve, me gërmadha trokullash, si në Apulie. Blegtoria me shtegim stinor, kryesisht rritja e deleve dhe e dhive, zinte një vend të madh në të dyja brigjet e Adriatikut.

Anepërqark Adriatikut u vendosën familje të mëdha që luanin aty një rol të rëndësishëm ekonomik e social: në Istrie, i tillë ishte rasti i pjesëtarëve të familjes senatoriale Laecanii (C. Laecanius Bassus ishte konsull i rregullt në vitin 64)9, por edhe i atyre Palpellii, si edhe atyre Settidii nga Pola. Familjet e Akuilesë sundonin veriun e Istries, si ata Barbii, të pranishëm nga Triestja në tërë harkun adriatik, apo ata Caminii, të pranishëm në vulat e amforave, dhe ata Caesernii. Të tjerë, Dindii, nga Prenesta, ishin vendosur në Akuile për t’u marrë aty me tregti.

Shtriija e zotërimeve romake mbi Danub e përtej tij, si dhe përdorimi i lumit për transportin e mallrave u dhanë dorë, në provincat e Panonisë, Dakisë e Myzisë, importit të prodhimeve të ardhura nga Italia, Galia e Gjermania, ndërkohë që këto të fundit merrnin ngakrahinat ballkanike metale (hekur nga Noriku, argjend e plumb nga Dalmacia, bakër dhe ar nga Myzia e nga Dakia) dhe skllevër. Nevojat e mëdha të ushtrisë i shpjegojnë transportet e vajit të ullirit nga Istria e madje edhe nga Spanja, të verërave e të produkteve të ndryshme ushqimore. Asaj i duhej të kryente edhe rekrutimin e ushtarëve të rinj: trupat ndihmëse rekrutonin shpesh mes popullsive vendase, ndërsa legjionet nëpër kolonitë e veteranëve. Ky ishte një mjet romanizimi të shpejtë.

Edhe shkëmbimet kulturore e luanin rolin e tyre, ndonjëherë në drejtim të kundërt, si në rastin e Epiktetit, të dëbuar nga Roma nga Domiciani në vitin 94, bashkë me gjithë filozofët e tjerë. Epikteti u vendos në Nikopoli dhe dha atje mësim pa ndërprerje, deri kur vdiq, me sa duket diku mes viteve 125 dhe 130. Dëgjuesit e tij ishin të shumtë e të ndryshëm: disa ishin vetëm kalimthi, përfitonin nga ardhja e tyre në Nikopoli për të dëgjuar fjalët e mjeshtrit, para se të vazhdonin sërish udhëtimin e tyre, sipas Arrianit (Bisedat e Epiktetit, III, 9,14): “Këtej e kemi udhën, thonin; përderisa na është dhënë me qira anija, mund të shkojmë të dëgjojmë Epiktetin. Pa të shohim se çfarë do të tregojë”. Të tjerë vinin për ta pyetur, për t’i treguar brengat e tyre, si për shembull njëfarë Maksimus, i cilësuar si “corrector i qyteteve të lira”, që Plini i Riu e quan “missus in provinciam Achaiam... ad ordinandum statum liberarum civitatium" (Letra, VIII, 24, 2). Epikteti kishte edhe nxënës të rregullt, të cilët vinin shpesh nga larg për të marrë një formim filozofik serioz, para se të merrnin udhët nëpër Perandori e shpesh për në Romë. Më i njohuri i tyre është Arriani i Nikomedisë, i lindur rreth vitit 88, i cili ishte i pranishëm në Nikopoli në çastin e kalimit të atij Maksimusi që po shoqëronte të birin deri në Kasope. Pikërisht, falë Arrianit njihet sot mësimi i Epiktetit, në sajë të Bisedave që ai ka shkruar pa dyshim gjatë viteve që ishte tërhequr në Athinë, por duke u mbështetur në shënimet e marra gjatë qëndrimit të tij në Nikopoli. Ka mjaft të ngjarë që po në Nikopoli ta ketë pritur Epikteti vizitën e perandorit Hadrian, i cili, sipas Spartianit, e vlerësonte shumë atë.

Deti Adriatik ka qenë i hapur ndaj kulteve orientale, veçanërisht ndaj hyjnive frigjiane në bregdetin lindor. I tillë është rasti i Cibelës në Liburni, ai i Nënës së Madhe në Istrie; një statujë e Atisit, që i përket shekullit II pas J. K., është gjetur në Pola, të tjera janë zbuluar në Dalmaci. Akuilea ka qenë një qendër e përhapjes së kulteve të hyjnive egjiptiane, sidomos e atij të Isidës. Jeta fetare u bë e ngatërruar si pasojë e futjes së kulteve të reja, të cilat iu mbivendosën kulteve tradicionale të Romës e të panteonit grek, si edhe kulteve vendase. Kulti perandorak zinte një vend të rëndësishëm në bashkësitë qytetare e fshatare; edhe ai i Mitrës dhe krishtërimi depërtuan në kohën e tyre në jetën e qyteteve e të fshatrave në të dyja brigjet e Adriatikut, por e patën zhvillimin e tyre të plotë kryesisht në periudhën e mëvonshme. Paqja romake dukej se kishte zënë mirë vend, por pikërisht në periferinë e Perandorisë po grumbulloheshin re kërcënuese.

info@balkancultureheritage.com