Shndërrimi i klientelës në Romë
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Shndërrimi i klientelës në Romë

Kjo luftë mes klientëve dhe zotëve të tyre, ka mbushur një periudhë të gjatë të ekzistencës së Romës. Në të vërtetë, rreth këtij fakti, Tit-Livi nuk thotë asgjë, sepse ai nuk e ka zakon të vëzhgojë nga afër ndryshimet e pësuara nga institucionet; nga ana tjetër, as analet e kryepriftërinjve dhe të tjera dokumente të ngjashme me to, prej ku nxirrnin dokumentacionin e vet historianët e lashtë, të cilëve u referohet Tit-Livi, nuk japin asnjë rrëfenjë rreth këtyre luftërave të brendshme.

Të paktën, një gjë është e sigurt. Në fillimet e Romës, ka pasur klientë; nga kjo gjë kanë mbetur dëshmi shumë të sakta rreth varësisë në të cilën mbaheshin ata nga padronët e tyre. Por nëse do t'i kërkojmë ata disa shekuj më vonë, nuk do t'i gjejmë më. Emri i tyre vazhdon të ekzistojë ende sot e kësaj ditë, por jo klientela. Sepse nuk ka gjë më të ndryshme nga ata klientë të epokës primitive krahasuar me plebenjtë e kohës së Ciceronit, të cilët vetëquheshin klientë, për të përfituar sportulën.

Por ekziston dikush që ngjan më tepër me klientin e lashtë dhe ky është njeriu i çliruar. Si në fund të periudhës së republikës ashtu edhe në fillimet e Romës, njeriu që doli nga robëria, nuk u bë menjëherë njeri i lirë, me të drejtat e qytetarit. Ai vazhdon të jetë i nënshtruar ndaj të zotit të vet. Dikur ai quhej klient, tani ai quhet njeri i çliruar; ka ndryshuar vetëm emri. Për sa i përket zotërisë, emri i tij nuk ndryshon; dikur ai quhej patron; klienti i detyrohet atij jo vetëm mirënjohje, por edhe një shërbim të vërtetë, masën e të cilit e cakton vetëm patroni. Patroni gëzon të drejtën të japë drejtësinë për të çliruarin e tij, njëlloj sikurse e kishte atë edhe kur ishte klient; ai mund ta rikthejë atë sërish në gjendjen e skllavërisë, në rast se kryen krimin e mosmirënjohjes. Pra, i çliruari na kujton saktësisht klientin e dikurshëm. Mes tyre ka vetëm një ndryshim: dikur klientela ishte e trashëgueshme nga ati tek i biri; tani gjendja e të çliruarit resht së ekzistuari në brezin e dytë ose të tretë. Kësisoj, klientela nuk është zhdukur; ajo vazhdon ta mbajë njeriun lidhur edhe në çastin kur robëria largohet prej tij; vetëm se ajo nuk është më e trashëgueshme. Tashmë edhe kjo përbën një ndryshim të konsiderueshëm; se kur ka ndodhur kjo, e pamundur të thuhet.

Ne mund të dallojmë qartë zbutjet e njëpasnjëshme që pësoi fati i klientit si dhe hapat përmes të cilëve ai arriti të gëzonte të drejtën e pronës. Fillimisht, prijësi i gens-it i jepte atij një ngastër toke për kultivim. Nuk do të vonojë dhe ai do të kthehet në zotërues rentier të kësaj ngastre, nëse i shlyen të gjitha shpenzimet që i detyrohet të zotit të tij të dikurshëm. Urdhëresat tejet të rënda të ligjit të vjetër, të cilat e detyronin atë të shlyente detyrimet ndaj padronit të vet, të paguante për prikën e të bijës së tij ose për shlyerjen e gjobave të ndryshme gjyqësore që ai kishte, provojnë, të paktën, se në kohën e shkrimit të këtij ligji, ai mund të zotëronte tokë ose gjë të gjallë. Më pas, klienti do të hidhte edhe një hap tjetër: ai fiton të drejtën, që në çastin e vdekjes t'i linte gjithçka që zotëronte të birit të vet; është e vërtetë se në rast se ai nuk kishte djalë, malli dhe gjëja e zotëruar prej tij i kalonin ende krejtësisht padronit. Por ja edhe një zhvillim i ri: klienti që nuk ka lënë djalë, fiton të drejtën për të bërë testament. Në këtë pikë, zakoni është luhatës dhe i ndryshëm; herë padroni rimerr gjysmën e mallit, herë vullneti i trashëgimlënësit respektohet plotësisht; sidoqoftë, testamenti i tij nuk është kurrë i pavlefshëm. Kështu, klienti, edhe pse nuk mund të quhet ende pronar, të paktën gëzon një të drejtë që shtrihet aq sa është e mundur.

Pa dyshim, ky nuk përbën çlirimin e plotë. Por asnjë dokument nuk na jep mundësinë të përcaktojmë epokën, kur klientët janë shkëputur përfundimisht nga familjet patrice. Ekzistojnë shumë tekste të Tit-Livit, të cilat, në rast se shihen fjalë për fjalë, tregojnë se, që nga vitet e para të republikës, klientët ishin qytetarë. Me shumë gjasa ata ishin të tillë qysh nga koha e mbretit Servius; ndoshta ata votonin në kuvendet e kurive që nga fillimet e Romës. Por prej këtu nuk mund të arrihet në përfundimin se ata ishin tërësisht të çliruar që nga kjo kohë; është e mundur që patricët të kenë pasur interes t'u jepnin klientëve të tyre të drejtat politike dhe të drejtën për të votuar në kuvende, por, gjithsesi, pa u njohur atyre të drejtat civile, pra të drejtat që i çlironin ata nga autoriteti i tyre.

Nuk duket se revolucioni që çliroi klientët në Romë të ketë përfunduar me një goditje të vetme si në Athinë. Ai u krye shumë ngadalë, pa u vënë re, pa u shenjtëruar asnjëherë prej ndonjë ligji formal. Lidhjet e klientelës u liruan pak nga pak dhe klienti u largua pa u ndier nga padroni i vet.

Mbreti Servius bëri një reformë të madhe në përfitim të klientëve; ai ndryshoi organizimin e ushtrisë. Më parë, ushtria marshonte e ndarë sipas fiseve, kurive dhe genteve; kjo ishte ndarja patrice; çdo prijës gens-i vendosej në krye të klientëve të vet. Serviusi e ndau ushtrinë në centurione; në to gjithkush e merrte rangim sipas pasurisë që zotëronte. Prej këtu do të rezultonte që klienti nuk do të marshonte më në krah të padronit të vet dhe në betejë nuk do të kishte më prijësin e vet, gjë që do t'i mësonte atij zakonin e pavarësisë.

Ky ndryshim do të sillte me vete edhe një ndryshim tjetër lidhur me organizimin e kuvendeve. Dikur, kuvendi ndahej në kuri dhe në gente dhe klienti, në rastet kur ai votonte, votonte nën vështrimin e të zotit të vet. Por, duke qenë se ndarja në centuri u vendos si për ushtrinë ashtu edhe për kuvendet, klienti nuk gjendej më në të njëjtin kuadër me padronin e vet. Vërtet ligji i vjetër e urdhëronte atë të vijonte të votonte njëlloj me të zotin e vet, por si mund të verifikohej votimi i tij?

Ndarja e klientit nga padroni, në çastet më solemne të jetës, në çastet e luftës dhe të votimit, përbënte një hap shumë të madh. Kjo do të shpinte në dobësimin e konsiderueshëm të autoritetit të padronit, të cilit, edhe ai pak autoritet që do t'i mbetej, nisi t'i vihej përherë e më shumë në diskutim. Kur klienti shijoi pavarësinë, ai e deshi atë të plotë. Ai nisi të aspironte të shkëputej nga gens-i dhe të hynte në plebë, ku ai ishte i lirë. Sa raste mund t i paraqiteshin! Gjatë sundimit të mbretërve, ai ishte i sigurt se do të ndihmohej prej tyre, pasi ata nuk kishin synim tjetër veç dobësimit të gens-ve. Në periudhën e republikës, ai mbrohej nga vetë pleba dhe tribunët. Kështu do të çlirohej një numër i madh klientësh dhe gens-i nuk mundi t'i shtinte më në dorë ata. Në vitin 472 para K., numri i klientëve vijonte të ishte ende i konsiderueshëm, pasi pleba ankohej se përmes votimit të klientëve në kuvendet e centurive, këta të fundit kishin bërë që peshorja të anonte në favor të patricëve. Rreth së njëjtës epokë, kur pleba nuk pranoi të bënte pjesë në radhët e ushtrisë, patricët mundën të formonin një ushtri me klientët e tyre. Megjithatë, duket se klientët nuk ishin aq të shumtë në numër sa të kultivonin tokat e patricëve dhe për pasojë këta të fundit qenë të detyruar të huazonin krahun e punës së plebës. Me fort të ngjarë, krijimi i tribunatit, duke u siguruar klientëve të çliruar nga padronët e tyre mbrojtje prej tyre dhe duke e bërë gjendjen e plebenjve më të lakmueshme dhe më të sigurt, e përshpejtoi gradualisht këtë lëvizje drejt çlirimit. Në vitin 372, klientët nuk ekzistonin më dhe Manliusi mund t'i drejtohej plebës me këto fjalë: "Po aq sa ju keni qenë klientë rreth secilit prej padronëve, po aq ju do të jeni tani kundërshtarë ndaj një armiku të vetëm." Duke filluar nga kjo kohë, në historinë e Romës klientët e lashtë, këta njerëz të lidhur pas gens-it në mënyrë të trashëgueshme, nuk hasen më.

Klientela primitive ia lë vendin një klientele të një lloji të ri, një lidhjeje të vullnetshme e thuajse fiktive, e cila nuk mbart më të njëjtat detyrime. Tashmë në Romë, nuk dallohen më tri klasa, ajo e patricëve, klientëve dhe plebenjve. Mbeten vetëm dy, pasi klientët janë shkrirë në gjirin e plebës.

Duket se fisi Marcellus ka qenë një degë shumë e shkëputur nga gens-i Klaudia. Emri i tyre ishte Klaudius; por, meqenëse pjesëtarët e këtij fisi nuk ishin patricë, ata kishin bërë pjesë në këtë gens vetëm si klientë. Të lirë që herët, të pasuruar përmes mjetesh që për ne janë të panjohura, fillimisht ata u ngritën në rangun e plebës, e më pas në atë të qytezës. Gjatë shumë shekujsh, gens-i Klaudia duket se i harroi të drejtat e veta mbi ta. Por një ditë, në kohën e Ciceronit, befas ai u kujtua. Një njeri, i çliruar ose klient i Marcellius-it, kishte vdekur dhe kishte lënë pas një trashëgimi, e cila, sipas ligjit, duhej t'i kalonte padronit. Patricët Klaudius ngritën pretendimin se Marcellius-ët, duke qenë se ishin vetë klientë, nuk mund të kishin klientë, ndaj njerëzit e çliruar prej tyre, duhej të binin, bashkë me trashëgiminë, në duart e gens-it patric, i vetmi i aftë të ushtronte të drejtat e patronatit. Ky proces e habiti së tepërmi publikun dhe krijoi shqetësim për juriskonsultët: madje kjo çështje rezultoi tepër e errët edhe për vetë Ciceronin. Ndoshta ajo nuk do të kishte qenë e tillë katër shekuj më parë dhe fisi Klaudius mund ta kishte fituar çështjen. Por në kohën e Ciceronit, e drejta mbi të cilën ngrihej padia e këtij fisi ishte aq e lashtë, saqë ajo ishte harruar dhe gjykata i dha të drejtë fisit Marcellius. Klientela e dikurshme nuk ekzistonte më.

info@balkancultureheritage.com