Stilian Adhami - Të dhëna rreth fizionomisë urbanistike dhe arkitektonike të qytetit mesjetar të Voskopojës
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Stilian Adhami - Të dhëna rreth fizionomisë urbanistike dhe arkitektonike të qytetit mesjetar të Voskopojës

Studimi i zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor të qytetit mesjetar të Voskopojës, i fizionomisë urbanistike dhe arkitektonike të tij, si qendër administrative, prodhimi e tregëtie, paraqet interes si për rëndësinë dhe peshën specifike që Voskopoja pati në të kaluarën, ashtu edhe për trashëgiminë e pasur në lëmin e kulturës materiale, që ruhet ende në ditët tona në këtë qendër historike.

Si pasojë e një sërë faktorësh me karakter ekonomiko-natyror dhe politiko-shoqëror, Voskopoja njohu një zhvillim relativisht të shpejtë të forcave prodhonjëse, duke arritur kulmin e zhvillimit të saj të gjithanshëm në shekullin XVIII. Jehona e këtij qyteti, me kolegjin «Akademia e re» dhe me shtypshkronjën e vet, me zhvillimin e zejtarisë e të tregëtisë dhe me marrëdhëniet edhe me botën e jashtme, me figurat e shquara në shkencë, letërsi e art dhe me kulturën materiale mjaft të rëndësishme, i kapërceu kufijt e vëndit tonë; prandaj, me të drejtë, Voskopoja ka tërhequr me kohë vemëndjen e studjonjësve dhe te udhëtareve te ndryshëm, të huaj dhe vendas, që i kanë kushtuar asaj një literature të pasur.

Ndër autorët e parë, prej të cilëve kemi disa shënime rreth Voskopojës, vlen të përmënden Pukëvili dhe Liku, që e kanë vizituar këtë qytet, pasi kishin kaluar rreth tri dekada nga koha e shkatërrimit të parë të tij. Shënime të dobishme na kanë lënë gjithashtu në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar edhe Hahni, Meyeri, Vaigandi, etj. Kontribut me vlerë historike për Voskopojën kanë dhënë një sërë autorësh shqiptarë me botimet e tyre të veçanta apo artikuj e dorëshkrime, që prej vitit 1888 e këtej, si H. Karmici, I. Dasareti, K. Skenderi, E. Kurila, J. Martiniani, I. M, Qafëzezi, V. Puzanova, Th. Popa etj. Me aspekte e probleme të ndryshme të Voskopojës janë marrë edhe disa autorë ballkanas, siç janë rumunët Gj. Roza, Gj. Alexisi, P. e V. Papahagi, Th. Capidan, V. Papacostea, grekët Dh. e G. «Dhimitrienjtë», K. M. Kumas, K. Saqellariu, N. A. Guda, F. Mihallopullo etj.

Por, megjithë këtë varg të gjatë botimesh, studimesh e përshkrimesh, që i janë kushtuar këtij qyteti mesjetar, apo që e cekin atë kalimthi, të dhënat përsa i përket fizionomisë urbanistike, shtrirjes dhe zhvillimit të tij, si edhe arkitekturës së ndërtimeve qytetare në procesin e evolucionit të tyre, janë të pakta. Me përjashtim të Martinianit, Mihallopullos dhe Qafëzezit, që këto aspekte i kanë trajtuar pjesërisht, nga autorët e tjerë probleme të tilla nuk janë trajtuar fare ose janë prekur cektas e në mënyrë krejt fragmentare. Në këtë punim do të orvatemi të trajtojmë pikërisht disa aspekte që kanë të bëjnë me fizionominë urbanistike dhe arkitektonike të këtij qyteti, veçanërisht atë të shekullit XVIII, të kulmit të lulëzimit të tij, natyrisht për aq sa na lejojnë kushtet e sotme, kur qyteti i dikurshëm prej kohe është kthyer në gërmadha.

Si rezultat i gjurmimeve tona të herëpasherëshme në vënd, i grumbullimit të të dhënave informative dhe i shfrytëzimit në mënyrë kritike të burimeve bibliografike ekzistuese, midis të tjerash, do të japim një planimetri të përafërt të shtrirjes së dikurshme të qytetit me legjet e vjetra të tij, duke korektuar e saktësuar të dhënat e deritanishme lidhur me po-pullatën e tij maksimale dhe do të synojmë në lokalizimin e monumenteve të shumtë të qytetit, prej të cilëve na janë ruajtur vetëm një pjesë e vogël. Qëllimi ynë është që të hedhim sadopak dritë mbi fizionominë dhe karakterin e këtij qyteti të rëndësishëm mesjetar, sot fshat i vogël, për të kontribuar në studimin e mëtejshëm të kësaj qendre historike.

Voskopoja (fig. 1) ngrihet në një pllajë të lartë të Malësisë së Oparit, rreth 1200 m. mbi nivelin e detit, 24 km. në P. të Korçës, mbi rrugën Korçë-Berat. Ajo shtrihet në një luginë të vogël, me drejtim jugë-veri, me gjatësi rreth 3 km dhe gjerësi 2 km, në trajtë katërkëndëshi, e rrethuar nga të tri anët me kodra. Ambienti rrethues, kodrinor e malor, ka gërshetime të shumta; diku kodrat janë të larla shkëmbore e diku zbuten në kodrina deri në fushën e Korçës. Nga ana veriore Voskopoja kufizohet me një varg të gjatë pyjesh tërë pisha, nga Veri-Perëndimi me Çukën e Belloit. nga Perëndimi me një sërë kodrash me emrat Kostamanda, Pasha Tepe ose Luadhi i Bellos, Pellek, bregu i Miho Nastos, nga Jug-u me malin e Çukës dhe Luadhet e Gjergjevicës, nga JugLindja me Shkëmbin e Mustafallarit, kurse nga ana lindore me një varg kodrinash të buta e pllaja të deqëzuara, midis të cilave kalon xhadeja e Korçës. Pikërisht lugina që hapet në drejtimin lindor përbën dhe të vetmen hyrje natyrore për Voskopojën. Që nqa pozita e lartë e kodrave të Shën-Prodhromit duken majat e maleve të Lenies, të pasura me lëndë druri, majat e Ostrovicës ku verojnë bagëtitë dhe, më tutje, ato të Tomorit.

Luginën e Voskopojës e përshkojnë tre përrenj, që kanë ujë vazhdimisht dhe që e ndajnë këtë rrafshnaltë në tri pjesë; përroi i Zhombrit ose i Gjergjevicës apo i Shën-Harallambit, që duke rrjedhur nga kullat e Gjergjevicës kalon nga Jug në Veri, përroi i Strugut, që përshkon Voskopojën nga Perëndimi në Veri, dhe përroi i Peltekut ose i Poshtenikës apo i Shën-dëllisë, i cili rrjedh nga një pjesë e Kostamandës dhe drejtohet po ashtu nga Perëndimi në Veri. Që të tre këta përrenj derdhen në lumin Azo të Voskopajës, i cili, duke i kaluar anash Voskopojës në pjesën e poshtëme nga Lindja në Veri-Perëndim, pasi bashkohet me përruan e Shipckës dhe, më tej, në Pulahë, me lumin e Oparit, derdhet në Devoll në Perëndim të Gjinikasit pranë fsnatit Nikollarë.

Pozita natyrore e favorshme në thellësi të maleve, jo larg artereve të mëdha të komunikacionit, e kësaj rrafshnalte të mbrojtur nga korrentet e ftohta, e përshtatshme për t'u mbrojtur edhe ngo sulmet e kundërshtarëve, me ujra të bollshme dhe lugina disi pjellore e livadhe të gjelbëruara, ka ndikuar për ta bërë Voskopojën një vendbanim me mundësi zhvillimi pak a shumë të qetë dhe pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të pushtuesve turq. Në sajë të këtyre kushteve Voskopoja ka qënë përherë një nga vendet më klimaterike e turistike të Shqipërisë jugore. Voskopoja ka qënë kryevend i malësisë së Oparit. Prodhimet bujqësore të saj kanë qënë të pakta, por, falë kullotave të shumta, ka pasur mjaft prodhime blegtorale.

Një ndër çështjet e pakthjelluara ende mirë për Voskopojën është ajo e fillimeve të saj. Legjendat dhe mendimet mbi themelimin e vendbanimit janë të ndryshme dhe të dhëna të dokumentuara plotësisht nuk ka. Sidoqoftë, sot për sot, me që nuk i kemi vënë vetes për detyrë zqjidhjen e këtij problemi, të cilin do ta trajtojmë në një studim të veçantë, ne bashkohemi me rezervë me mendimin mbizotërues se fillimet e para të ndërtimit të Voskopojës të paktën duhen kërkuar aty nga shek. XIV, në mos më parë. Historia e saj para shekullit XIV është krejt e errët, për deri sa asnjë nga autorët e vjetër nuk e përmënd atë dhe, për më tepër, të dhënat arkeologjike heshtin në këtë drejtim.

Vetëm nëpërmjet vëzhgimit të rrënojave të shumta të këtij qyteti-gërmadhë, të burimeve të shkruara si dhe të analizës së kulturës materiale ne mund të vihemi në gjëndje të përfytyrojmë atë ç’ka qënë ajo në fillim, të shohim rrugën që ka ndjekur shtrirja urbanistike e qytetit, cilat kanë qënë lagjet e para, -ç’arkitekturë është përdorur për ndërtimet e ndryshme, etj.

Ka shumë të ngjarë që bërthama fillestare e fshatit ta ketë pasur zanafillën me kasollet e para aty nga ana veriore e rrafshnaltës së Voskopojës, afërsisht në vendin ku është ndërtuar kisha e Shëna-premtes dhe përreth saj, e cila konsiderohet më e vjetra e kësaj qendre dhe bashkëmoshatare me të. 'Një tezë e tillë është hedhur dhe mbrojtur nga autorë të ndryshëm, , por gjen mbështetje edhe në traditën gojore. Në të mirë të saj flasin edhe varrezat e vjetra, apo ndonjë mbeturinë gërmadhash që vërehet aty-këtu që nga gropa e pllajës pranë Gurit të Babës, nga ana Veri Perëndimore e Shënapremtes, e deri në zonën Veri-Lindore të kësaj kishe. Është fjala për ngulimet e banorëve të parë në këtë truall, qofshin këta barinj endacakë, që sipas traditës u vendosën aty dhe ndoshta i dhanë wmrin Voskopojës (nga profesioni j tyre fusha e barinjve), qofshin këta të shpërngulur nga vendbanimi më i afërt, Voskopi i braktisur.

Në shek. XV ka mundësi që Voskopoja të ketë qënë një farë qendre urbane deri diku e populluar dhe e dëgjuar për deri sa, siç na kumtan Hahni dhe ndonjë autor tjetër, me zaptimin e Stambollit nga Turqit më 1453, mjaft intelektualë refugjatë shkuan e u vendosën në Voskopojë.

Gjithashtu siç pranojnë dhe Kostandai, Aravantinoi, Saqellaridhi, Vutirai etj. e së fundi Mihallopullo, një rritje e dukëshme e popullatës së Voskopojës duhet të jetë bërë gjatë shek. XVI mbas nënshtrimit të Shqipërisë nga turqit, atëhere kur, me ndalimin e lëvizjes së popullsisë në ato vise, siç shprehet dhe Hekarti, shumë fise endacake të kucovllehëve dhe të sarakaçanëve u detyruan të nguliteshin diku dhe të krijonin vendbanime të vogla, zakonisht nëpër vise malore ku vepronin me bagëtitë e tyre. Popullsia e saj rritej vazhdimisht me banorë që vinin aty për të shpëtuar nga ndjekjet e pushtuesve turq dhe, më pas, për t’i shpëtuar islamizimit, mbasi pozita e Voskopojës midis maleve ishte më e fshehur. Duke qënë ajo në brendësi të vendit, në një zonë malore, për një kohë nuk u ndie drejtpërdrejtë pesha e rëndë e feudalizmit ushtarak shkatërrimtar turk.

Si rezultat i rritjes së popullatës nga shtesat natyrore dhe ngulimet e reja të të ardhurve, me kalimin e kohës, fshati u shtri në drejtim jug-perëndim nga vëndi i origjinës, duke u bërë dalngadalë një fshat i madh, që merrej kryesisht me blegtori dhe pak me bujqësi. Kështu filluan të lindin lagjet e para, si ajo e Sarzës (ose Shën-Mërisë apo Mitropolisë), lagja Rue (ose e Shën-Kollit) dhe e Skamnelit (ose e Shën-Thanasit), emrat e të cilave figurojnë gjatë shek. XVII në kodikun e Shën-Prodhromit, kodik që është botuar nga I. Martiniani më 1939 (d.m.th. para djegjes së vitit 1943 që pësoi manastiri, kur u zhduk edhe kodiku) dhe që është parë edhe nga G. Vaigandi në v. 1889. Sipas këtij kodiku, në kohën e igumenëve Theodhos dhe Gavril (1660-1687) kana marë borxh prej tyre këto tri lagje të Voskopojës: Sarza, Rue dhe e Skamnelit. Fakti që në këtë shekull ende nuk ishin ndërtuar këto kisha tregon se emrat fillestare të këtyre lagjeve me prejardhje nga emrat ose mbiemrat e kryetarëve të fiseve kanë qënë Sarza, Rue dhe Skamnelit (kjo e fundit nga emri i vendit të shpërnguljes) që, me kalimin e kohës, u harruan për t'u lënë vend emrave të kishave të ngritura nga secila lagje, sikundër shohim të emërtohen lagjet e ndcrtuara më vonë me emrat e Shën-Mëhillit, Shën-Janit, Shëndëllisë, Shën-Pjetrit, Shën-Gjergjit, etj. Tri lagjet e para (Sarza, Rue, Skamnelit) përbënin pjesët qëndrore të qytezës dhe u bënë pikënisje për shtrirjen rreth tyre edhe të lagjeve të tjera dhe për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit që nga bregu i Shënapremtes e deri në rrëzat e malit Kostamanda. Disa lagje e kanë marrë emrin nga përrenjtë me të njëjtin emër, si ajo e Strugut dhe e Zhombrit. Kjo e fundit është thirrur edhe lagje e Mecovës, sepse banorët e saj, si rrjedhim i grabitjeve, persekutimeve dhe presioneve për islamizim, dhe të tërhequr nga zhvillimi i arti-zanatit dhe tregëtisë, apo për arësye lidhjesh gjinie, qenë shpërngulur kryesisht nga Mecova e Epirit, ashtu siç ishin vendosur nga mesi i shek. XVII, të tërhequr nga të njëjtat arësye ose shkaqe ië përafërta, edhe mjaft banorë nga Skamneli i Zagorit, duke krijuar kundrejt lagjeve fillestare nga ana veriperëndimore lagjen e Skamnelit (e Shën-Thanasit), që përmëndëm më sipër, apo aty më vonë, nga fillimi i shek. XVIII, prej Postenanit të Përmetit lagjen Postenika ose Postenanika në P të Skamnelit, matanë përroit me të njejtin emër. Të tjera lagje më vonë kanë marrë emrat e famiIjeve të dëgiuara dhe të shtresave të pasura, si lagja e Xegës dhe ajo e Pasanikëve, teksa ajo e banorëve më të varfër, buzë lumit të Voskopojës, thirrej lagja Pezhu. Pas shek. XVIII, kur ngulime të reja populluan deridiku qytetin e shkatërruar gjatë periudhës 1769-1789, lagje të reja u krijuan me emrat e vendeve të prejardhjes, si lagja e Grabovarëve, Oparakëve etj.

Në literaturë përmëndet edhe një lagje me emrin Nalza, emërtuar kështu nga kryetari i fisit, por këtë nuk kemi mundur ta lokalizojmë.

Duke u mbështetur në argumentat që do të sjellim më poshtë, jemi të prirur të besojmë, se Voskopoja ne shek. XVII, e sidomos gjatë gjysmës së dytë, arriti të merrte fizionominë e një qyteti dhe jo të një fshati të zakonshëm.

Vetë zhvillimi urbanistik i këtij vëndbanimi, që në këtë kohë kishte arritur të ketë disa lagje duke thithur edhe banorë të ardhur nga anë të ndryshme, siç përmëndëm më lart rastin e lagjes së Skamnelit, flet në të mirë të kësaj teze. Përveç tri lagjeve që figurojnë në kodikun e Shën-Prodhromit, në burimet historiografike haset edhe lagja e llut (Shën-Mëhillit), pra është fjala për ekzisiencën e të paktën 4 lagjeve në shek. XVII.

Voskopoja në shek. XVII kishte marrë parnjen e një qendre jo të papërfillëshme zejtare e tregëtare. Këtë e vërteton jo vetëm fakti që banorëve të shpërngulur nga vënde të tjera u ofrohsshin kushte pune e jetese më të mirë, por edhe nga vetë marrëdhëniet tregëtare të kësaj qendre me qytete të tjerë të Shqipërisë, e për më tepër edhe me vënde të huaja, ku tregëtarët voskopojarë shisnin prodhime bujqësore, blegtorale e zejtare dhe blinin prodhime të industrisë evropiane. Këto marrëdhenie, megjithëse i shohim të dokumentuara vetëm nga fundi i shek. XVII (v. 1695 e këtej) nëpërmjet korespondencës tregëtare, sidomos me Venedikun, kishin marrë zhvillim gjatë shek. XVII.

Fakti që përveç kishës së Shënepremtes, që ishte ngritur prej kohe, në gjysmën e parë të shek. XVII u ndërtua edhe manastiri i Shën-Prodhromit (v. 1632-34) dhe nga fundi i këtij shekulli hidhen themelet edhe të një kishe të madhe në trajtë bazilike (Kisha e Shën-Mërisë) dëshmon për karakter jo më të një fshati, por të një qendre urbane me popullatë pak a shumë të konsiderueshme. Tjetër burim, që hedh dritë ex sientio në përforcim të tezës sonë, përbëinë tri kishat e tjera të mëdha të ndërtuara në Voskopojë nga fillimi i shek. XVIII e deri në v. 1724 (Kisha e Shën-Kollit, e Shën-Mëhillit dhe e Shën-Thanasit). Pavarësisht nga rritja e vrullëshme e qytetit në gjysmën e parë të shek. XVIII, do t’ishte jashtë llogjikës të pranohej, që urbanizimi i kësaj qendre është bërë i rëndësishëm.

Gjatë shek. XVIII, ose më mirë gjatë viteve 1700-1760, Vaskopojën e shohim në kulmin e lulëzimit të saj. Ajo arriti të gëzonte, lidhur me administrimin e saj, një farë autonomie relative, ku rol të dorës së parë loznin esnafët dhe kryesitë e tyre. Sipas Hahnit në këtë kohë ajo ishte «qyteti më i civilizuar në tërë Shqipërinë).

As K. Skënderi dhe as J. Martiniani, që të dy Voskopojarë-oparakë dhe që i kanë kushtuar studime të veçanta Voskopojës, nuk na kanë dhënë një varg lë plotë të lcgjeve të vjetra që përfshinte qyteti në s’nek. XVIII dhe as që i kanë lokalizuar ato plotësisht. Kemi parasysh edhe botimin e fundit të Martinianit të vitit 1957. E. Kurila thotë se qyteti ishte ndarë në 6 lagje, kurse Velianiti i ngre këto në 12, por pa i emërtuar fare. Nga gjurmimet tona të zhvilluara jo vetëm mbi burimet biblioarafike, por edhe në terren, duke shfrytëzuar edhe traditën gojore, për aqë sa është e mundur, doli se Voskopoja nëkohën e lulëzimit dhe të shtrirjes së saj maksimale përshinte 14 lagje të mëdha e të vogla. Duke u mbështetur në traditën gojore, që ende ruan emrat e lagjeve sipas përrenjve që i ndajnë ato, në dokumentacionin e shkruar si edhe në vëzhgimet në vend të të gjitha rrënojave të qytetit gërmadhë, mundëm të hartonim një skemë thuajse të saktë të shtriries urbanistike të qytetit të Voskopojës në shek. XVIII me kufjtë e përafërta të lagjeve të vjetra. (Tab. 1) Nga të 14 lagjet e dikushme na rezulton se 6 ishin lagjet kryesore dhe më të organizuarat, në 4 zona të mëdha të ndara nga të tre përrenjtë që përshkojnë qytetin. Voskopoja në kulmin e zgjerimit të saj arriti të shtrihej në një sipërfaqe rreth 180 ha, me një perimetër të përafërt me 6 km. Nuk na rezulton të kemi të bëjmë me një qytet të fortifikuar; për këtë dëshmon edhe mungesa e gjurmëve të mureve rrethuese.

Duke trajtuar zhvillimin urbanistik të qytetit, nuk mund të mos ndalemi për të bërë një periodizim të shkurtër të rrugës së përshkuar prej tij gjatë shekujve:

Periudha e parë, që nga themelimi (shek. 14-16), i përket kohës kur nga një fshat i vogël me pak kasolle, dalëngadalë, Voskopoja rritet per të marrë në të ardhmen fizionominë e një qyteti, pra i takon periudhës kur ajo ende ka ruajtur karakterin e saj blegtoral të një fshati të madh. Si i tillë, edhe zhvillimi urbanistik, i njejtë si kudo në qendrat e ngulimeve të barinjve, pa dyshim i është përshtatur nevojave krejt baritore e blegtorale.

Periudha e dytë, që ne po trajtojmë, është ajo e zhvillimit dhe e lulëzimit të Voskopojës si qytet (nga shek. XVII deri në dekadën e shtatë të shek. XVIII), kur me zhvillimin e artizanatit dhe të tregëtisë dhe me përparimin e madh arësimor, kulturor dhe artistik, edhe urbanistika e qytetit konceptohet në një mënyrë më të avancuar për kohën. Voskopoja rradhitet ndër qytetet e mëdhenj të vëndit tonë, me lagje të shumta, me tregje jo vetëm me krahinat fqinjë të Shqipërisë së jugut dhe asaj të mesme, si dhe me vise të tjerë të Perandorisë Turke, por edhe me vise të Evropës jugore, qendrore e lindore.

Periudha e tretë, do të ishte koha që shkon nga viti 1769 deri në vitin 1916, kur Voskopoja pëson tri shkatërrime me rradhë dhe, me gjithë periudhat e shkurtëra të disa rimëkëmbjeve të përkohshme, më 1916 mori fund si qytet.

Nga pikëpamja urbanistike, siç pasqyrohet nëpër disa gravura të shek. XVIII (fig. 2) dhe ndonjë fotografi të fundit të shekullit të kaluar, siç tregojnë rrënojat dhe relievi, qyteti i dikurshëm i periudhës së lulëzimit të vet ka qënë ndërtuar në taraca me tri shkallëzime të njëpasnjëshme, të ndërprera si zona nga përrenjtë që i përshkojnë.

Nga burimet historike del se lidhjet midis zonave kryesore të qytetit bëheshin nëpërmjet një sërë urash të mëdha e të vogëla. Duke filluar nga hyrja e qytetit, lagja e Zhombrit lidhej me lagjet Sarza e Rue nëpërmjet 4 urave mbi përruan e Zhombrit. Kjopjesë e qytetit, që ishte dhe qendra e tij, lidhej me pjesën e tretë, d.m.th. me lagjet e Skamnelit dhe të Shën-Janit, me anën e 7 urave mbi përruan e Sttugut, dhe kjo përsëri lidhej nëpërmjet 4 urave me lagjen e fundit, atë të Postenikës. Prej të gjitha këtyre urave, përveç urës së madhe mbi lumin e Voskopojës (fig. 3), që është rindërtuar nga fundi i shekullit të kaluar, gjë nden vetëm dy ura të vogëla të asaj kohe mbi përruan e Strugut, njera më e madhe gjatë rrugës për Shëndëlli, e ashtuquajtura rruga e Beratit (fig. 4), dhe tjetra më e vogël që lidh lagjen Sarza me atë të Shën Janit, ku shtrihet dhe zona e ndërtimeve kulturalo-arësimore. Të dy urat e vjetra kanë hapësirë drite, njera 4 m dhe tjetra 3 m, janë me shpatulla anësore të ndërtuara memuraturë guri të skuadruar, të palidhur me llaç. Që të dyja kanë të njëjtën zqjidhje konstruktive. Pjesca e kalimit, e ndërtuar me konstruksion druri me gjerësi rreth 2,5-3,5 m pa qemer, është kushtëzuar nga konditat e terrenit dhe ngushtica e përroit. Tek ura më e madhe me lartësi të pjesës së kalimit mbi nivelin e ujit rreth 3 m, vihet nëpërmjet një rruge të shtruar mirë me kalldrëm dhe të përkufizuar anash me gurë të mëdhenj.

Një rrjet i gjerë rrugësh e rrugicash me kalldrëm përshkonte tërë qytetin. Këto në përgjithësi kanë qënë të ngushta dhe luhateshin nga 1.5 m deri në 2.5 m. Të tilla ndeshen pjesërisht nëpër disa lagje, sidamos në lagjet e Shen-Pjetrit, të Shëndëllisë dhe të Shën-Janit, ku gërmadhat e ndërtesave kanë ngelur deri diku të paprekura, gjë që s’ndodh nëpër lagje të tjera, ku janë hapur toka buke ose janë tërhequr gurë apo janë bërë ndërtime të ndryshme mbi to, dhe sot pas 200 vjetësh prej shkretimit të parë të qytetit, ne i shohim rrënojat vetëm në pirgje të mëdhenj gurësh. Gjurmë kalldrëmesh të rrugëve të vjetra të qytetit ndeshen të ruajtura më mirë edhe brenda lagjes Sarza, nga ana lindore e hyrjes së qytetit (fig. 5), ashtu edhe gjatë rrugës që shkon nga Shën-Kolli drejt Shën-Mëhillit. Ngushtësia e këtyre rrugicave na bën të besojmë pohimet e ndonjë autori mbi dëndësinë e banesave të ndërtuara afër midis tyre, gjë që përkon në një farë mase edhe me një gojëdhanë popullore.

Qyteti lidhej me krahinat dhe qytetet përreth me një sërë rrugë karvanesh, siç janë rruga me dy degë e karvaneve për Berat, rrugë që pastaj e lidhte me Durrësin e Vlorën, rruga që e lidhte me Korçën, rruga e Shipckës dhe rruga e Gjergjevicës, që të çonte në Vithkuq e Skrapar. Në të hyrë të qytetit, nga ana e majtë e xhades së sotme të Korçës, vërehet edhe sot një trakt rreth 60 m i gjatë dhe 2.5 m i gjerë i rrugës së karvaneve të Korçës. Nga kodiku i Shën-Prodhromit marrim vesh se edhe rruga me kalldrëm nga kisha e Shënapremtes e deri tek lëmi i manastirit të Shën-Prodhromit është ndërtuar gjatë periudhës 1762-1764; gjurmët e kësaj rruge ekzistojnë edhe sot. Është rasti të përmëndim këtu, se nëpërmict rrugës së Voskopojës kolonte edhe posta e rregullt diplomatike midis Stambollit dhe Venedikut. Për mjaft kohë këtë postë e çonin voskopojarët.

Sipas të dhënave, ndërtimet kryesore publike me karakter shoqëror dhe kulturalo-arësimor ishin bërë në një zonë të përbashkët që formonte bërthamën qëndrore të lagjes së Shën-Janit, pikërisht në vëndin ku edhe sot tradita gojore e emërton “Luadhi i Skolivet”. Së pari, ndoshta më 1720 (datë jo e dokumentuar), është ndërtuar shtypshkronja, një ndërtesë kjo që bashkohej me kishën e Shën-Jan-Theollogut. Aty pranë, rreth viteve 1741-1750, ishte ngritur godina e madhe e Akademisë dhe më pas jetimoret, që sipas disave kanë patur pranë edhe spital.

Tregu i qytetit zinte vëndin qëndror, pak a shumë në truallin ku sot është qendra e fshatit në lagjen e Shën-Mërisë (Sarzës), dhe i shtrinte arteret e veta në të gjitha lagjet. Madje çdo shtëpi kishte edhe një punishte të vogël ku qepej, endej, ngjyrosej ahe pregatiteshin sende me vlerë për cilësinë e tyre, ndoshta në bashkëpunim me vetë esnafët ose për llogari të tyre. Ilo Mitkë Qafëzezi është i mendimit që lagja Sarza duhet thënë, mbase më drejt, lagja Çarçi, duke e marrë emrin kjo pikërisht nga çarçia, tregu që ndodhej këtu. Nga më të moshuarit mbahet mend se, edhe para vitit 1900, zejtarët e qytetit dyqanet i kanë pasur në qendrën e sotme. Sipas përshkrimeve që kemi, është fjala për një treg të rëndësishëm, me sheshin e tij të gjerë të mbjellur me pemë dhe me kroje të shumtë, me dyqanet e punishtet rreth e rrotull dhe sidomos me jetën aktive dhe lëvizjen e gjallë, që të jepte përshtypjen e tregut të një qyteti të madh. Atje shkonin për të tregëtuar fshatarët dhe qytetarët e rajoneve të afërta të Shqipërisë jugore dhe të Maqedonisë, si dhe barinjtë e zonave malore, veçanërisht gjatë panaireve të shpeshta që bëheshin shumë herë në vit.

Megjithëse në burimet e shkruara nuk kemi hasur gjë dhe as nga tradita gojore nuk flitet për ekzistencë hanesh në qytet, ne këtë nuk e vemë aspak në dyshim, duke marrë parasysh veprimtarinë e gjerë ekonomike të qytetit, panairet tregëtore që organizoheshin dëndur këtu, karvanet e pazarakëve që jepnin e merrnin me Voskopojën nga anë të ndryshme. Mendimi ynë përkon në këtë rast edhe me shprehjet lavdëruese qe hasen në literëturën historiografike lidhur me sistemin e goditur komunal të këtij qyteti.

Furnizimi i qytetit me ujë të pijshëm sigurohej nëpërmjet disa ujësjellsave, njeri prej të cilit fillonte nga vëndi i quajtur Tas-Veriga, që ndodhet në një nga lartësitë perëndimore të qytetit. Në lagjen e Strugut, që ndodhet nën të, fshatarët shpeshkanë gjetur fragmente keramike të tubacioneve të këtij ujësjellësi. Vaigandi 2C), që e ka vizituar Voskopojën më 1889, (fig. 6) thotë se vetëm në luginën jugperëndimore kishte gjetur 4 ujësjellës me qyngje gres, nga të cilët edhe atë-here dy vazhdonin të ishin në përdorim. Ai përmend edhe ekzistencën e puseve të shumta, duke shtuar se «uji nuk ka munguar as për 60.000 banorë. Për shumicën e krojeve dhe të çezmave që ka edhe sot Voskopoja, qarkullon gojëdhana, e veshur jo pa hiperbolë, se çdo rrugë kishte çezma dhe se gjithësej paskish pasur 262 të tilla.

Nga të dhënat gojore dhe vrojtimet e bëra na rezulton se me ujrat e përrenjve dhe, për më tepër me ato të lumit të Voskopojës, janë ushqyer mbi 25 mullinj, shumica e madhe e të cilëve nuk ekzistojnë më. Nga këta, 7 kanë qënë gjatë rrjedhjës së Strugut, 1 në Zhombër, dhe të tjerët gjatë lumit të Voskopojës e deri tek ura e Shipckës dhe kalivet e Krushovës. Për të krijuar një ide rreth ndërtimit të këtyre mullinjve po japim disa të dhëna të shkurtëra përshkrimore të një mulliri në breg të përrpit të Strugut, afër urës së vogël, prej të cilit qëndrojnë ende pjesërisht vetëm muret anësore. Ky është ndërtuar me muraturë guri 60 cm, me gurë të punuar disi së jashtëmi, të lidhur me llaç balte; çdo 70 cm lartësi ka breza druri. Ka një sipërfaqe relativisht të madhe 6x12m, dhe furnizohet me ujë nga mbrapa me anën e një tubacioni druri me diametër 0.50 m. Përveç mullinjve, të dhënat flasin edhe për ekzistencën e një derstile dhe të një banje për të argasur shajakun aty nga ana voriore, në vëndin Bënjë, buzë lumit të Voskopojës, që i shërbente dikur qytetit. Mendimi ynë është që të tilla duhet të ketë pasur më shumë, po të marrim parasysh, nga një anë, popullatën e madhe të Voskopojës dhe, nga ana tjetër, faktin që përpunimi i rrobeve të leshta ishte një ndër mjeshtëritë më të njohura të voskopojarëve.

Ne nuk mund të formojmë një ide të plotë për anën e jashtme të banesave voskopojare, ashtu siç kanë qënë në periudhën e lulëzimit të qytetit. Turqit, siç dihet, e shikonin me ç’mir e antipati epersinë ekonomike të të nënshtruarve të tyre, prandaj voskopojarët, për t'ju shmangur rrezikut që mund t'u vinte prej tyre, nuk ngulnin këmbë, sikurse edhe në qytete të tjerë, në dekorimin e jashtëm të godinave. Në këtë vështrim ato kanë qënë të thjeshta.

Banesave të shtresave të pasura u shtohet edhe kati i tretë, kryesisht i destinuar për pritjen e miqve, i cili përbëhej nga çardaku, dhoma të mëdha në të dy krahët e tij dhe dhoma të tjera nga pas, duke marrë emërtimin «shtëpi arkondësh» (pasanikësh) (Tab. II, 1). Tavani i dhomës së miqve ka qënë ndërtuar me mjeshtri dhe stolisur me gravura dekorative. Edhe muret e tyre të brëndëshme shpesh kanë qënë pjesërisht të veshur me dru dhe të pasur me dekoracione. Oxhaku i dhomës së miqve përbënte gjithashtu një stoli më vehte. Martiniani, që siç duket kqyri në vënd mbeturinat e fundit të qytetit shumë vjet para djegjes së 1916-tës, midis të tjerave flet për pamjen madhështore të këtyre godinave, që paraqiteshin si kështjella të fushës.

Oborret e shtruara me pllaka dhe të rrethuara me kopshte me kroje në mes e me avlhra, me qoshqet e ndërtesat më të vogla si ambiente ndihmëse, i jepnin kësaj banese në tërësi një pamje të gëzueshme.

Krahas ndërtimeve të tjera të qytetit shkonte edhe ndërtimi ose rindërtimi i kishave. Periudha e ndërtimeve fetare më të rëndësishme ishte koha e zhvillimit më të madh ekonomik, vitet 1700-1760. Burime të ndryshme japin numura të ndryshme të kishave të ndërtuara në Voskopojën e vjetër. Kështu, p.sh., ndër autorët e fundit, Mihallopullo flet për ekzistencën e 22 kishave, kurse Kurilia thotë se brënda një shekulli (1650-1740) në Voskopojë u ndertuan 24 kisha, dhe secila prej tyre kishte në vartësi 1-2 kishëza (paraklisa), me tempuj të bukur, me amvona e throna të peshkopëve të gdhëndura në dru arre, etj. Ne arritëm të gjurmonim gjithësej 22 kisha dhe një manastir dhe të hartojmë një planimetri (Tab. III), ku japim emërtimet dhe lokalizimin edhe të atyre monumenteve që nuk ekzistojnë më, ose që pjesërisht gjënden vetëm si rrënoja. Nga 23 faltoret e mësipërme sot janë më këmbë vetëm 7 kisha bazilika, 1 manastir dhe 2 kishëza (paraklise). Në literaturë përmënden dy kisha të tjera, ajo e 12 apostujve dhe e Anargjirëve, të cilat janë djegur e shëmbur, por ne nuk arritëm t'i lokalizojmë.

Përsa i përket stilit arkitektural të kishave të Voskopojës, që thuajse ruheshin integralisht deri më 1916, duke u mbështetur në ato ekzistueset, mund të themi shkurtimisht (sepse ky problem kërkon trajtim më vete), se në shumicën prej tyre është përdorur stili i bazilikës së vjetër, pa kube, mbuluar me qemere e kalota sferike, me portike në pjesën e përparme (Tab. V). Pra, nuk janë të sakta pohimet e Veliantit dhe të autorëve të tjerë, se kishat e Voskopojës janë të stilit bizantin. As në kalkografitë e shek. XVIII nuk vrojtohet ndonjë kishë me kube, me përjashtim te asaj të Shën-Prodhromit (fig. 7). Ato që thamë për anën e jashtëme të banesave vlejnë edhe për ndërtimin e dekorimin e këtyre kishave.

Nga ana e jashtëme në përgjithësi kishat e Voskopojës nuk duken ndonjë gjë e jashtëzakonshme, por me të hyrë brënda të pushton një ndjenjë admirimi për madhështinë e ndërtimit të brëndshëm dhe për punimet artistike të shquara. Si punimet e gdhëndura në dru dhe, aq më tepër, pikturat murale jonë vepra të shquara të artistëve më të mirë të kohës. si David Selenica, Kostandin e Athanas Korçari, etj. (fig. 8). Voskopojarët nuk kufizoheshin vetëm me mjeshtrit e artistët e tyre, por sillnin edhe të tjerë nga më të aftët e më të famëshmit në Shqipëri, Maqedoni e gjetkë. Me shumë të drejtë kishat e Voskopoiës u quajtën nga bashkëkohësit si më të bukurat e Turqisë evropiane. Në fakt, në vëndin tonë nuk gjejmë kisha të këtij niveli dhe me përpjestime aq të mëdha, (Tab. IV, 1), prandai si të tilla meritojnë dhe kërkojnë studime të giithanëshme.

Zhvillimin e ndërtimeve në Voskopojë e favorizonte edhe sigurimi në vënd i materialeve të ndërtimit, i gurëve dhe i lëndës së drurit. Çatitë me strehët të gjera shpesh mbuloheshin me pllaka guri të latuara, që siguroheshin nga mademet e pasura aty afër. Një nga autorët më të vjetër që ka përshkruar qytetin thotë se Voskopoja «ka qenë e famëshme për madhësinë e shumicën e shtëpive, që ishin të ndërtuara me material të fortë«, kurse Kuzineri, duke trajtuar paraqitjen tërheqëse të shtëpive voskopojare, përmënd sa vijon: «Në ditët tona Voskopoja u pasurua nga tregëtia me Gjermaninë, banorët ndërtuan atje banesa shumë të bukura. Për godinat e mëdha të qytetit që të impononin me volumet, përpjestimet dhe monumentalitetin e tyre flet edhe një autor tjetër. Është fjala jo vetëm për banesat e shquara të pasanikëve, por edhe për godinat publike të ndërtuara për qëllime social-kulturale. Tregohet se ka qënë e hijëshme godina trikatëshe e Akademisë me konviktin e jetimoren e saj prej 40 dhomash, fjetore e salla mësimore, godina e mitropolisë pranë kishës së Shën-Mërisë, ndërtesë e madhe kjo me 30 dhoma. jetimorja e arësimit të ulët giithashtu ka aënë godinë e madhe, banesa e kryepeshkopit të Ohrit, Joosaf Voskopojarit, etj.

Pra, Voskopojës nuk i mungonte asgjë për të marrë zhvillim të vrullshëm ndërtimi, sikundër nuk i mungonin specialistët me tradita të zonës së Oparit, të rretheve të Korçës e të Kolonjës, të cilët kanë ndërtuar në tërë Shqipërinë jugore deri në bregdet. Pa dyshim ndërtimet masive duhet të jenë bërë nga mjeshtrit vëndas. Këtë konkluzion e nxjerrim edhe nga fakti që esnafi i muratorëve në Voskopojë ka qënë një ndër më të pasurit dhe që përfshinte në gjininë e vet më shumë anëtarë. Por ritmi i shpejtë i ndërtimeve në këtë qytet, që arriti në disa mijra banesa brënda një periudhe relativisht të shkurtër, ishte i tillë, që pa tjetër diktoi nevojën edhe të sjelljes së një numuri mjeshtrash ndër më të mirët e Shqipërisë jugore, të Maqedonisë apo të Thesalisë etj. Për këtë flasin edhe dokumentat epigrafike. Kështu p.sh. në mbishkrimin e kishës së Shën-Thanasit, për të cilin patëm rastin të bëjmë fjalë më lart, lexohen emrat e pesë mjeshtrave të ardhur nga fshati Krimi i Kosturit. Në të vërtetë elemenle arkitekturale të për-bashkëta vërehen ndërmjet hajateve të kishave të Voskopojës dhe të manastirit të Rilit në Bullgari, të ndërtuar në shek. XIX nga mjeshtrit prej Krimit të Kosturit, siç janë zbukurimi me tulla etj. (Tab. IV, 2). Gjithashtu, në një mbishkrim tjetër të kishës së Shën-Kollit në thronin e dhespotit, përmendet emri i një specialisti të gdhëndjes në dru me origjinë nga Korfuzi. (Tab. VI, 3). Megjithatë, pavarësisht nga ndikimet e parëndësishme dhe huazimet reciproke të mundshme që duhet të ketë pasur në mes të vendeve fqinjë, veçanërisht si rrjedhim i kontakteve dhe marrëdhënieve të dëndura tregëtare me to, arkitektura e ndërtimeve të Voskopojës, që arrin trajta të larta në shekullin e lulëzimit të saj, nuk shkëputet aspak nga tradita vëndase dhe, rrjedhimisht, nuk ka si të mos mbajë vulën e tabanit ku u mbrujt. Bindja e jonë është se ndikimet e huaja, duhet të kenë qënë pothuaj të parëndësishme: ato kanë pasur të bëjnë më tepër me ndonjë hollësi apo do të mund të jenë praktikuar aty-këtu në godina të veçanta.

Një mjeshtëri tjetër që u zhvillua mjaft në këtë pellg, e që duke u ngritur në art, na ka lënë në këtë kohë monumente të pavdekëshme në Voskopojë e qëndra të tjera të vëndit, si dhe në Maqedoni e Greqi, ka qënë edhe ajo e të gdhëndurit në dru, ksiloqravura, një degë kjo e arteve të aplikuara, që për funksionin dhe destinacionin e saj ka në themel lidhjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me arkitekturën. Motivet e përdorura në këtë gjini arti dhe ekzekutimi i hollë i tyre në dru, si për dekoracionet e ndryshme të brëndshme të kishave dhe të banesave, ashtu dhe gravurat e botimeve të shtypshkronjave në Voskopojë, dëshmojnë qartë për nivelin e lartë artistik të këtyre punimeve të artit popullor që meritojnë studime të veçanta.

Pasi dhamë një sërë elementesh mbi urbanistikën dhe mbi artitekturën e qytetit, që hedhin sadopak dritë mbi fizionominë e Voskopojës në shek. XVIII, mendojmë se është e nevojshme të rishqyrtojmë me këtë rast edhe një herë problemin e popu-llatës maksimale që ka pasur qyteti në atë kohë, me që mendime nga më të ndryshmet janë çfaqur në lidhje me këtë. Disa autorë si Pukëvili, Kostandai, Hahni, Saqellaridhi, Kuconika, Karmici, Kurilla dhe së fundi, Martiniani etj. e shpien popullatën e saj deri në 60.000. Aravantinoi shprehet se kanë qënë 50.000 banorë, Vakallopullo e kalon këtë shi-fër, të cilën Llambrua, duke e tepëruar fare, e ngre në 200.000 ose të paktën 85.000, ashtu si Bërçiu në 100.000. Lista e autorëve, që kanë dhënë shifra të tepëruara, mund të zgjaste edhe më. Është me in-teres fakti që shumica e tyre, edhe pa e vizituar farc Voskopojën, janë mbështetur në bujën e bërë nga dokumenti latinisht i botuar prej Aleksicit në Bukuresht më 1909. Është fjala për një kërkesë të tregëtarëve voskopojarë të vendosur në Budapest pas prishjes së qytetit të lindjes, të cilët duke përmëndur origjinën e tyre prej Voskopoje, theksojnë me një farë mburrje dhe për oportunitet, pra jo edhe pa hiperbolë, se mëmëdheu i tyre përbëhej prej 12.000 shtëpi. Po një dokument tjetër analog na është kumtuar kohët e fundit edhe nga Shuteriqi.  Është përsëri një lutje e një voskopojari bashkëkohës i shpërngulur në Hungari, prej së cilës del se Voskopoja ka pasur atëhere mbi 10.000 shtëpi, d.m.th. të paktën 50.000 banorë.

Një dëshmitar okular me prejardhje nga Maqedonia, që ka bërë një botim gjeografik më 1826, thotë se Voskopoja më 1726 ka pasur 40.000 banorë. Edhe Kumasi, ndonse në historinë e vet pranon 60.000, në gjeografinë që botoi më vonë, zbret në 40.000. Ndofta këtë informatë Kumasi mund ta ketë marrë nga vetë voskopojarët, që pas braktisjes së qytetit shkuan në Vjenë, me të cilët kishte lidhur marrëdhënie të ngushta. Po këtë numër banorësh jep edhe gjeografi Llorcnti, me të cilin bashkohet edhe Vaigandi e Mihallopullo. Probabilisht, sipos burimeve të shkruara, pra, ky duket numuri më i përafërt i banorëve të saj, i pranueshëm për një shumicë autorësh.

Ne i vumë vetes për detyrë që ta vëzhgojmë mirë në vënd edhe këtë problem, për t’iu afruar sa të jetë e mundur më tepër realitetit. Në vlerësimin tonë kemi marrë parasysh një sërë faktorësh, siç janë gjurmët e gërmadhave që flasin për sipërfaqen e banueshme, ngushtësinë e rrugëve që dëshmon për dëndësinë e ndërtimeve, gjë që përkon edhe me burimet historike, numurin e madh të kishave dhe hapësirat e mëdha të bazilikave me kapacitet secila deri në 1000 vetë, numurin e madh të mullinjve, ujësjellësve dhe çezmave. Të gjitha këto si edhe madhësia e shtëpive, numri mesatar i përbërjes familjare etj, na bindin, pas disa krahasimeve të bëra me parcela e lagje me dëndësi e reliev analog të disa qyteteve tona dhe pas një sërë përllogaritjesh, se popullata maksimale e Voskopojës në shek. XVIII duhet të ketë qënë rreth 25-30.000 banorë, në një kohë kur edhe qytete të tillë si Sofia, Athina, Belgradi nuk arrinin të 20.000 banorët.

Duke pranuar këtë version nuk mund të pajtohemi as me Likun (dhe as me llo Mitkë Qafëzezin që përqafon tezën e tij), i cili, megjithëse nuk mundi ta vëzhgojë në vënd Voskopojën, nuk pranon që të ketë pasur më shumë se 1.000 shtëpi, pra një popullatë shumë më të vogël nga ajo e pranuar prej të gjithëve. Në të njëjtën kohë detyrohemi të mos pajtohemi edhe me tekstin e Historisë së Shqipërisë, i cili thotë se Voskopoja nuk kishte më tepër se 15-20.000 banorë.

info@balkancultureheritage.com