Teqeja halvetije e Sheh Hasanit
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Teqeja halvetije e Sheh Hasanit

Ndërtesa e katërt dhe, në njëfarë mënyre edhe më madhështoija e kullijes përreth xhamisë së Bajazidit n, është teqeja e Urdhrit Halvetije të dervishëve. Ajo është ndërtesa e përshkruar nga Eqrem Bej Vlora në fillim të këtij shekulli dhe nga Babingeri, në vitet ‘30. Teqeja mund të jetë pasuese e asaj që sipas Evlias, është ndërtuar nga Bajazidi II. Kjo teqe ka patur një strukturë tetëkëndore, e ndërtuar pas murit të mihrabit të xhamisë.

Ndërtesa aktuale ndodhet përballë me vendin e mëparshëm, pak-a shumë përballë hyrjes së xhamisë. Favoret e shumta të Bajazidit ndaj këtij urdhri janë të njohura nga studimet e Kisslingu. Ka shumë mundësi që një urdhër i tillë të jetë prezantuar në Berat, me nxitjen e këtij Sulltani. Kjo teqe e vjetër mund të jetë shkatërruar me kalimin e kohës.

Eqrem Beu thekson se teqeja aktuale është ndërtuar nga Kurt Ahmed Pasha në vitin 1785, për llogari të Sheh Hasanit dhe urdhrit të tij. Ndërtimi dhe data e saj janë përmendur në mbishkrimin e ruajtur mbi hyrjen e semahanes (sallonit).

Ndërtesa që shohim sot është teqeja më e bukur e vendit. Ajo është e përbërë nga tre elemente të ndryshëm: një sallë e gjatë drejtkëndore, e cila ka funksionin e semehanes, një tyrbe më e ulët drejtkëndore dhe një portik. E gjithë struktura zë një hapësirë prej 12.05 x 11.90m . Tyrbja është një sallë e thjeshtë. Sipas Eqrem Beut, ajo ka pasur brenda varret e Kurt Ahmed Pashës dhe djalit të tij, Mehmed Kemaledinit. Të dy këta janë hequr vitet e fundit dhe dhomat janë transformuar në një zyrë për udhëzime politike. Në pjesën e jashtme, tyrbja e sotme dallohet nga semahaneja nga niveli i ndryshëm i dyshemesë së portikut dhe nga madhësia e harqeve përballë tyrbes, në krahasim me ato përballë semahanes. Portiku i tyrbes ka pesë harqe rrethore, të mbështetura mbi pesë shtylla të mermerta në njërën anë të murit. E gjithë struktura është e ndërtuar me shumë kujdes, me motive të alternuara gurësh gëlqerorë me ngjyrë të bardhë apo të verdhë në gri. Të dyja dhomat, si tyrbja ashtu dhe semehaneja, janë të ndriçuara shumë mirë nga një numër dritaresh, të vendosura në dy rreshta njëri sipër tjetrit. Për realizimin e këtyre dritareve është treguar një kujdes i veçantë. Ato kanë formë drejtkëndore dhe janë të zbukuruara në vendet kur fillojnë harqet rrethorë. Dera e mejdanit është e ndërtuar në mënyrë të ngjashme. Pranë kësaj dere ndodhet një shkallë, e cila të çon në një hajat brenda mejdanit, vendi ku mblidheshin gratë për ritualet. Nga pikëpamja hapësinore, mejdani është një kub, po aq i lartë sa ç’ka edhe gjatësinë dhe gjerësinë e tij. Përveç mihrabit stalaktit, të gdhendur bukur, ai që të tërheq më shumë është tavani i mrekullueshëm. Ky tavan është nga më të bukurit në Ballkan. Në të ndodhet një kube tetëkëndore dhe një kube tjetër e vogël në formë të rrethore, sipas stilit të xhamisë së Bajazidit II. Në dallim me këtë të fundit, këtu ka një mori zbukurimesh të shkëlqyeshme, të pikturuara dhe të gdhendura me elemente të cilësisë më të lartë. Pjesa e sipërme e katër mureve, e cila është e zbukuruar me një rrip të gjerë kaligrafie, ku janë të shkruar 99 emrat e bukur të Zotit, është e lidhur me tavanin me anën e një imitacioni të veshur me dru dhe të mbushur me dizenjo lulesh zbukuruese. E gjithë puna është bërë sipas stilit të artit dekorativ osman të shekullit XVIII, që gjendet edhe në mjeshtëritë e mëdha të veprave të Lale Devrit, të të ashtuquajturës “Periudha Tulipane”. Me cilësinë e këtij tavani mimd të krahasohen vetëm disa dhoma të shekullit XVIII në Topkapy Saray. Gjatë shekujve, ndërtesa është konsideruar si një vepër e jashtëzakonshme. Vlera e saj njihet edhe sot, ç’ka ka rezultuar në një restaurim të plotë të të gjithë ndërtesës në fillim të viteve 70. Mbi hyrjen e mejdanit, e vendosur në një qoshe që mbaron me një hark rrethor, ndodhet një mbishkrim në osmanisht, i cili tregon për ndërtimin dhe datën e saj. Me aq sa jemi në dijeni, një mbishkrim i tillë nuk është botuar më parë. Rreshti i parë është në gjuhën arabe. Rreshtat 2, 3 dhe 4 janë të shkruara në formën e rimës -ah:

Kronogrami është shumë i përmbledhur dhe në fjalën e hemistikës së fundit thuhet se teqeja i përkiste nënurdhrit halveti të sektit Xhelveti, i përhapur nga Sheh Mahmud Huda’i i Yskydarit, në fillim të shekullit XVII.

Ky kronogram paraqet llogaritjet e mëposhtme: Celvet - hanekah

Përkthimi në shqip është si më poshtë:

Themeluesi i ndërtimeve të bamirësisë dhe veprave të mira, Kurt Ahmed Pasha—Zoti ia lehtësoftë kryeqen e punëve të mira! Falënderimet i takojnë Qenies së pashoqe, Zotit!

E gjithë bota dëshmon ekzistencën Tënde, Njësinë Tënde të pastër.

O Zot, lavdëroje dhe nderoje Ahmedin, të zgjedhurin (Profetin Muhamed)

Gjithashtu, familjen dhe Shokët e tij, sepse ata janë drita e udhëzimit. Këtë oborr të dashurisë (mistike) e ka ndërtuar Kurt Ahmed Pasha, Zoti e bekoftë!

Kronogrami:

“Urdhri Xhelveti”. Viti 1196

info@balkancultureheritage.com