Tetri i vogël
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Tetri i vogël

Nikaia Buthroti Kassopea Dimale Veliani (Elea?) Ammotopos (Orraon ?) Ambrakia

Teatri i vogël kapet qartë në 6 qytete (Nikaia, Dimal, Buthrot, Elea/Velian, Kassopea 2, Ambrakia 2) dhe supozohet në 5 të tjera (Klimatia, Argos Amphiloceum/ Lutro, Elimokastron, Orraion/ Amotopos). Në përgjithësi, ai daton më herët se teatri madh, por skema e tij nuk është unike. Karakteristikë e përbashkët për ta duket se është logeioni, palku skenik më i gjatë se ndërtesa skenike dhe skena dykatëshe, gjasisht me thyromata.

Nikaia

Nikaia, kryeqendra e parë e Bylinëve, ndodhet 1 km larg Bylisit, kryeqendrës së mëtejshme të koinonit.

Teatri i saj,101, nuk është pjesë e agorasë së cilës i kthen me indiferencë shpinën. Teatri ndodhet rreth 80 m larg qendrës, në mes të shpatit lindor, i cili përtej skenës nis e rrëzohet me shpejtësi. Nga shkallarja e hapur drejt lindjes (57°), shikimi përplaset me peizazhin e valëzuar dhe monoton të kodrave të Mallakastrës së Egër.

Shkallarja. Shkallarja me rreth 25 rreshta, i brenda-shkruhet një strukture mbajtëse drejtkëndëshe (53 x 28 m) e harkuar nga pas. Këndi i pjerrësisë së shkallares është 26 0 dhe lartësia nga niveli i orkestrës 8 m. Sipas këtyre përmasave, teatri ka pasur një kapacitet për 2900- 3300 spektatorë.

Formën e harkuar shkallarja e fitoi nëpërmjet prerjes së shkëmbit. Rreshtat e ndenjëseve u montuan në këto prerje ose u mbështetën në strukturën mbajtëse. Kjo e fundit përbëhet prej tufave të mureve rrezore dhe mureve koncentrike, ndërprerja e të cilave me njëri-tjetrin krijon arka të zbrazëta të mbushura me dhe e cifla guri. Në ballinën e majtë të shkallares, muret koncentrike përfundojnë në trajtë kontrafortesh (1.10 x 0.45 m) që synojnë të rrisin qëndrueshmërinë e murit. Bankat e rreshtit të parë, të spektatorëve të shquar (proedria), janë punuar me blloqe të veçanta dhe bashkuar në varg. Në shumicën e tyre ato janë punuar nga një bllok i vetëm dhe rrallëherë janë dycopëshe (tip 1 a,b). Ndenjëset janë profiluar për mbledhjen e gjurit dhe kanë mbështetëse shpine. Rreshtat e tjerë janë të thjeshtë, të tipit ekonomik (Eretria 3), me seksion kuadratik (0,42 x 0,83 m). Numrat në disa prej tyre, tregojnë se ato montoheshin sipas një radhe të caktuar.

Kalimi i artistëve në orkestër dhc i spektatorëve të shquar në vendet e tyre, kryhej vetëm nëpërmjet korridorit të majtë, drejtvizor dhe të ngushtë (1.50 m). Në të kundert, ky korridor mungon nga ana e djathtë. Si e tillë masa e spektatorëve kalonte për në teatër nga sipër dhe anët. Muratura e ballinave është pseudo-izodomike, me blloqe guri me faqe të rrafshëta. Disa prej blloqeve, si në Buthrot, mbartin mbishkrime për lirimin e skllevërve ose dhënie qytetarie. Vendosja e një pjese kokëposhtë ose gdhendja e tyre pjesore, tregon rindërtimin e ballinave, gjasisht pas ndonjë tërmeti.

Orkestra e rrafshuar në shkëmb nuk është rigorozisht rrethore, por ka trajtën e gjysmë elipsit të deformuar. Rrethi i saj hipotetik prek ballin e skenës. Kanali për largimin e ujërave (euripof) me diametër 11.30 m, përvijon orkestrën menjëherë pas mbështetëses së këmbëve të rreshtit të parë. Kanali është primitiv, i gdhendur në shkëmb në formën e një ulluku (25x5cm), çka tregon se taban i orkestrës ka qenë shkëmbi i rrafshuar, i pambuluar me dhe të ngjeshur. Skena. Ndërtesa skenike ka qenë dykatëshe, me planimetri në formën e shkronjës T (16,40 x 7,60 m), rreth 4.70 m e lartë. Prej saj ruhen gjurmët e themelit të gdhendur në shkëmb dhe pak blloqe.

Kati i parë përbëhej prej mjedisit poshtë palkut (hypologeion), të lidhur me mjedisin poshtë skenës (hyposkenë). Stilobati 16.4 metërsh mund të mbante 10 kolona, duke krijuar 11 hapësira 1.25 metërshe, për pinakes a perde.

Kati i parë reflektohej në të dytin me palkun skenik 16.4 m të gjatë, ballin e skenës (10 m), gjasisht me tre thyromata, dhe passkenën (9 x 4.2 m ).

Tipologjia dhe datimi. Në fund të shek IV p.e.s., kryeqendra e Bylinëve kaloi nga Nikaia në Bylis. Largësia midis tyre, fiks 1 km, i tregon ato dy lagje/qytete të po së njëjtës kryeqendër. Pavarësisht se të dy ata jetonin një jetë të përbashkët, në Bylis u ndërtua një teatër i ri me kapacitet sa dyfishi i teatrit të Nikaias. Në këtë koniunkturë të re, teatri i Nikaias u kthye në teatrin qytetar të dyqytetshit Bylis/ Nikaia, duke ia kaluar rolin e teatrit të koinonit Bylisit. Me një optikë të tillë, Në këtë raport datimit të teatrit në Nikaia para atij të Bylisit, i mungon baza logjike. Brendashkrimi i shkallares në një strukturë mbajtëse, haset në Buthrot, Kassopea 2, Nea Pleuron (Etoli) dhe jashtë arealit në Morgantina, Akron (Magna Graecid) dhe Assos (Azi e vogël). Ngjashmërinë më të madhe teatri i Nikaias e ka me Morgantinan (çereku 3 i shek. IV p.e.s.). Forma primitive e kanalit të ujërave të shiut, ulluku i ngushtë i gdhendur në shkëmb, dëshmohet vetëm në dy teatro të datuar prerë në fillim të shek. IV p.e.s., në Argos dhe Assos. Krahas kësaj, forma e çrregullt eliptike e orkestrës dhe korridoret tepër të ngushtëa anësore, janë tipare të teatrove të hershëm.

Formula e dhënies së qytetarisë në blloqet e ballinave të shkallares, është e çerekut 2. të shek. IV p.e.s. dhe nuk haset më në shek. III p.e.s. Po kësaj kohe i përket dhe kolegji i demiurgëve, i përmendur nga mbishkrimet. Ky datim mbështetet edhe nga vetë karakteri i shkronjave të mbishkrimeve. Nisur nga këto, teatrin në Nikaia e shohim të gjysmës parë të shek. IV p.e.s., hipotetikisht të çerekut parë.

Buthroti

Teatri i Buthrotit (Butrintit), kryeqendrës së Koinonit Prasaib, është pjesë përbërëse e agorasë së njësuar me temenosin e hyut Asklep të mjekësisë. Qendra ndodhet në jug të shkëmbit të thiktë të akropolit, e ndrydhur mes tij dhe murit rrethues. Elementet e saj përbërëse: tempulli i Asklepit, stoa kurative, pusi i shenjtë dhe teatri janë trajtuar me vëllime të mbyllura të gurta, në jehonë të shkëmbit të ashpër të akropolit.

Teatri, i cili gjendet ndërmjet tempullit dhe stoas, u ndërtua nëpërmjet shkurtimit të një seksioni të stoas. Mbishkrimi “(u ndërtua) me të ardhurat e hyut [Asklep]”, tregon se teatri u financua me të ardhurat e tempullit të Asklepit, me të cilin lidhet organikisht. Korridori i hyrjes perëndimore të teatrit, është njëkohësisht edhe hyrje e tempullit.

Teatri përbëhet nga shkallarja origjinare, orkestra e shtruar me pllaka në periudhën romake, por gjithnjë brenda kontureve të para dhe skena e transformuar rrënjësisht në mesin e shek. II e.s.

Shkallarja orientohet detyrimisht drejt jugut (157°). Ndërtimi i saj në terren të ulët, nuk u lejon spektatorëve të rreshtave të parë vështrimin e peizazhit. Por nga rreshtat e sipërm shpaloset kanali i Vivarit që lidh liqenin Pelodes me detin dhe Kestrina (fusha e Vurgut) deri tek koni i Çukës së Ajtoit.

Shkallarja i brendashkruhet një strukture mbajtëse me planimetri të çrregullt trapeze (31.5 x 15 x 41 x 33 m), 12 m të lartë. Struktura nga para dhe anët qarkohet me mure, ndërsa nga pas konturohet nga shkëmbi i thiktë i akropolit. Shkallarja mbështetet pak në shkëmb dhe kryesisht në mbushjen e përshkuar nga dy mure paralele. Në anën lindore muret vijojnë tej konturit si kontraforte, ndërsa në anën perëndimore këtë rol e luante tempulli.

Shkallarja ndahet prej një korridori (1,54 m) në dy sektorë (zona): i poshtmi me 15 rreshta dhe i sipërmi, vetëm në gjysmën lindore, me 13 rreshta. Sektori i poshtëm përshkohet nga 6 shkallë (0.65 m), që e ndajnë atë në 5 pyka.

Ndenjëset e rreshtit të parë, të dinjitarëve (proedria, 0.48 x 0.74 m), janë të profiluara për mbledhjen e gjurit. Në vendet ku ky rresht përshkohet nga shkallët, kalimi zbukurohet me putra pantere, të kafshës shoqëruese të perëndisë së shfaqjeve teatrale, Dionisit. Në rreshtin e parë mund të uleshin 50 persona, çka tregon se ky ka qenë dhe numri i nëpunësve eponimë.

Blloqet e rreshtave të tjerë  janë të tipit të zakonshëm (Eretria),me seksion drejtkëndësh (0.42 x 0.74 m) . Syprina e blloqeve të pesë rreshtave të parë, është e profilizuar lehtë për vendosjen e këmbëve të rreshtit të sipërm, ndërsa e të tjerëve jo. Një sërë blloqesh mbartin simbolin apotropeik A, të “ndalimit të syrit të lig.” Përmasat dhe struktura tregojnë se teatri i Buthrotit kishte një kapacitet për 1700-2000 spektatorë.

Korridoret e hyrjes (1.40 m), vijojnë paralel me diametrin e orkestrës, midis ballinave të shkallares dhe ndërtesës skenike. Ballina perëndimore, e cila mund të merret dhe si zgjatim i ballit të tempullit të Asklepit, mbart tre nishe kuadratike për dekrete. Krahas tyre, në 31 blloqe të tjera janë gdhendur aktet e lirimit të skllevërve dhe dy dekrete të Koinonit Prasaib. Nëse në mbishkrimet e tjera të Butrintit si nëpunës eponimë përmenden strategu, prytani dhe prifti i Asklepit, në mbishkrimet e teatrit i vetmi eponim është prifti i Asklepit, çka e rendit teatrin në kategorinë e “teatrove tempuj”.

Orkestra. Ballinat e shkallares shtyhen 1.3 m para qendrës së orkestrës, duke i dhënë asaj formën e shkronjës U.

Diametri i rreshtit të parë është 11.4 m dhe diametri i buzës së brendshme të kanalit të ujërave, që në këtë rast përkon me diametrin e orkestrës, 9.50 m. Kanali është krejt i veçantë: i cekët, i gjerë dhe i sheshtë (75x13cm), ai vijonte i hapur deri në ballinat e shkallares dhe pastaj futej nën tokë. Në thuaj çdo bllok të tijin është gdhendur A apotropeike kundër syrit të keq. Nga orkestra ruhet altari (thymele), një trung kolone ku janë gdhendur primitivisht një kanthar vere dhe dy maska. Fillimisht tabani i orkestrës ka qenë prej dheu të ngjeshur, por në periudhën romake ai shtrua me pllaka drejtkëndshe guri.

Rindërtimi romak në mesin e shek. II e.s. e mbuloj skenën origjinare, përjashtuar pak gjurmë nga balli dhe ana e djathtë e skenës. Nisur nga to, skenën e supozojmë dykatëshe, me palk skenik 21 m, më të gjerë se skena, po të tipit Priena, si Nikaia.

Tipologjia dhe datinai. Korridori horizontal dhe i kontrafortuar i hyrjeve, e afron Buthrotin me teatrot në Nikaia dhe Morgantina (14 3. shek. IV p.e.s.). Brendashkrimin e shkallares në një katërkëndësh të përzgjatur, e hasim në Aipiou (Arkadi) dhe Thera (Ciklade). Me këtë të fundit Buthroti përkon dhe nga përmasat, këndi i pjerrësisë dhe forma e ndenjëseve.

Datimi i Therës në harkun kohor 478-420 p.e.s., flet në të mirë të një datimi të hershëm të Buthrotit. Kjo mbështetet edhe nga kanali i sheshtë dhe i gjerë, i cili nuk haset kund më vonë se shek. IV p.e.s.

Kufirin e sipërm të kohës së ndërtimit, fundin e shek. V p.e.s., e cakton stoa kurative, së cilës teatri i preu një seksion. Nisur nga ngjasitë tipologjike, teatrin e Buthrotit do ta datonim në shek. IV p.e.s., më tepër nga çereku i tretë i këtij shekulli.

Në mesin e shek. II e.s. skena u rindërtua rrënjësisht duke u veshur me mermer dhe pajisur me shtatore, origjinale (Agripa, Augusti) ose kopje të periudhës helenistike (Koka e Apollonit/ Dea e Butrintit, Herkolanea e Madhe), të cilat shquajnë për punimin e përsosur.

Kassopea

Teatri i ri i Kassopeas (Kamarina, Greqi), ndodhet në agora, 600 m larg teatrit të hershëm dhe të madh të qytetit, Kassopeas 1. Shkallarja e ngritur mbi një suke dheu, orientohet me 276° ndaj perëndimit. Ky orientim shmang peizazhin fantastik të rrethinave dhe detit dhe e drejton shikimin ndaj rrafshit monoton të qytetit. Kjo tregon se peizazhi nuk ishte më pjesë e butaforisë dhe prej tij hiqej dorë lehtë.

Teatri është i vetmi ndërtim që i shmanget ortogonalitetit të rreptë urban, duke e mbyllur pjerrtas, me 15°, anën lindore të agorasë. Ky riformulim, pasqyron frymën e kapërcyellit të shekujve IV/III p.e.s., shprishjen e kontureve të shtangëta ortogonale dhe kalimin në rakurse të lira. Shkallarja 6.5 m e lartë dhe e pjerrët, i brenda-shkr uhet një strukture mbajtëse katërkëndëshe, lehtësisht trapeze (fig. 103, 37 x 20.5 m). Kësaj strukture i bashkëngjitet nga pas një monument në trajtë shëtitoreje.

Shkallarja ka 19 rreshta, me lartësi më të vogël se nor-malja (0.31 x 0.7 m). Si e tillë pjerrësia e saj prej 21 °5 është larg këndit ideal 26 °. Por, falë përmasave të reduktuara të teatrit, akustika nuk pëson ndonjë dëm të ndjeshëm. Nga mbrapa shkallarja vazhdon rigorozisht rrethore, me dy platforma trekëndëshe me destinacion të paqartë anash.

Muret e strukturës mbajtëse përforcohen çdo 3- 3.5 m me kontraforte. Muratura e tyre është poligonale dhe me fuga cilësore, e njëjtë me muraturën e ndërtimeve të tjera sociale të kapërcyellit shek. IV/III p.e.s. Sipas përmasave dhe karakteristikave të mësipërme, Kassopea 2 kishte një kapacitet për 1500- 1800 spektatorë.

Orkestra dhe ndërtesa skenike. Shtyrja e ballinave të shkallares 2 m para qendrës së orkestrës, i jep shkallares formën karakteristike të unazës ekscentrike dhe orkestrës formën e shkronjës U. Diametri i rreshtit të parë (14.4 m), është thuaj i barabartë me gjatësine e ndërtesës skenike, ndërkohë që rrethi i saj hipotetik prek tangjent ballin e skenës. Hyrja në orkestër është e lirë, pa korridore anësore.

Ndërtesa skenike është relativisht e vogël (15.2 x 6.7 m, 100 m2). Në shikim të parë ajo ka planimetrinë tipike të teatrit të madh, me paraskena dhe tbyromata. Por, parë nga afër kjo strukturë nuk funksionon. Nëse paraskeniat do të zhvilloheshin në lartësi, ato do të pengonin shikimin e spektatorëve të pykave anësore dhe të vetmit që do mund ta ndiqnin të plotë shfaqjen do ishin spektatorët e pykave të mesit.

Gjithçka nis e funksionon së mbari, nëse daljet në trajtë paraskene do t’i konsideronim bazamente për shtrirjen e palkut skenik më gjerë se skena, si në rastin e Prienës.

Si të tillë, do të rikonstruonim një skenë dykatëshe me palk skenik (logeion) më të gjatë se ndërtesa skenike (15.20 ndaj 9.8 m), pas të cilit ndodhej ndërtesa skenike (9.8 x 6.7 m) me ballë me tre thyromata. Në stilobatin e ballit të palkut (prosceniori) mund të mbështeteshin 6 kolona,

të cilat krijonin 7 hapësira drite (1.11 m) për panelet e 15.20 m pikturuara (pinakes).

Datimi. Paralelet e strukturës mbajtëse të shkallares hasen në Assos, Morgantina dhe Akrai (Magna Graecia) dhe në Neapleuron, i cili në shek. III p.e.s. ishte pjesë e landshaftit arkitektonik epirot.

Element qartësisht datues është kolonada dorizuese e stoas së pasme, karakteristike për fillimin e shek. III.

Dimale

Qyteti Dimale ndodhet në fshatin Krotinë, 11 km në Perëndim të Antipatreas (Beratit), 20 km në Veri të Bylisit dhe 27 km në Lindje të Apollonisë. Jeta në të lind që në periudhën e bronzit për t’u zbehur nga shek. I p.e.s. Mbishkrimet, punishtet e qeramikës dhe monumentet fine, ndër to shëtitorja binjake me Apolloninë 2 (fillimi shek. III p.e.s.) dëshmojnë për lulëzimin e jetës kryesisht në shekujt IV/III p.e.s. Qyteti 18 hektarësh shtrihet në një pllajë në formë tetëshi të shtrirë, 422 m të lartë nga deti dhe 196 m nga terreni përreth. Në anën e saj perëndimore lartësohet kodra e akropolit, ku përqendrohen monumentet kryesore: tempulli i Herës, shëtitorja dhe në skajin Veri-Perëndim teatri.

Shkallarja e tij orientohet drejt perëndimit dhe detit (280°). Prej saj vështrimit i hapet gjelbërimi i fushës së Gylakut (Myzeqeja) dhe konturet e Adriatikut. Shkallarja me diametër 50-60 m është e tipit gjysmërrethor. Ballina e saj jugore, së paku 13 m e gjatë, kthehet me 90° për të vijuar si mur mbajtës anësor. Këndi i kthimit 85-90°, tregon për një shkallare gjysmërrethi.

Ndenjëset e rreshtit të parë (prohedria), të pajisura me mbështetëse të pjerrët shpine dhe të profiluara për mbledhjen e gjurit, janë të ngjashme me ndenjëset e prohedrias të teatrit të Nikaias. Rreshtat e tjerë janë të tipit ekonomik (Eretria 3), me seksion kuadratik 0.34 x 0.40 m. Mungesa e dhëmbëzimit të pasmë, tregon se spektatorët nuk i mbështesnin këmbët në pllaka guri, por në mbushjen prej dheu dhe gurësh mes blloqeve, çka e tregon teatrin jocilësor.

Datimi mbetet i hapur, në diapazonin gjysma e dytë e shek. IV p.e.s - gjysma e parë e shek. III p.e.s. Nisur nga madhësia e përafert me Nikaian dhe Kassopean 2, kapacitetin e mendojmë për rreth 2000/2500 spektatorë.

Veliani (Elea?)

Qyteti në Velian (Elea?), shtrihet në një pllajë 12 hektarëshe të malit Kurilla. Insulat e banesave tregojnë për një sistem të rregullt ortogonal. Pllaja 364 m nga fusha ka një mbrojtje të fortë natyrale. Qyteti i lindur së koinonit Tesprot deri nga vitet 335/325 p.e.s., kur kryeqendra u transferua në Gitana (Thucid. 1. 46, Scylax 30). Pas pushtimit Romak të v. 167 p.e.s., qyteti pushoi së ekzistuari. Teatri ndodhet në agora, në mes të brinjës jugore të qytetit, në kontakt me murin rrethues si teatri i ri i Kassopeas. Prej tij ruhen disa rreshta të shkallares që mbështetet në një valëzim të lehtë të terrenit dhe një pjesë e ndërtesës skenike në terren të rrafshët. Shkallarja hapet drejt jug-jugperëndimit (240°). Nga pas ajo përshkon një gjysmë rrethi të plotë me diametër rreth 50 m, ndërsa ballinat drejtvizore shtyhen para mesit të orkestrës. Si i tillë teatri ripërsërit modelin bazik të teatrit të vogël me shkallare gjysmërrethore.

Ammotopos (Orraon ?)

Qyteti 4.9 hektarësh në Ammotopos (Orraon ?) ndodhet midis rrjedhave të poshtme të Arakthosit dhe Afas (Luros), 19 km në veri të Ambrakisë. Veç funksioneve ushtarake, qyteti ishte kryeqendër administrativo ekonomike e krahinës. Këtë karakter dualist e dëshmon edhe struktura e tij urbane: fortifikimi i fuqishëm, stera e madhe e ujit dhe rrjeti i rregullt urbanistik me ndërtesa të spikatura. Qyteti kurorëzon një kodër shkëmbore 158 m të lartë nga rruga, e cila vjen e rrafshohet lart. Në mesin e anës lindore, shihen gjurmët e një gjysmërrethi me diametër 45 m dhe pjerrësi 20°, ndoshta të një shkallareje. Përballë saj, rreth 8 m larg, vijon muri rrethues i qytetit. Si e tillë (gjithnjë nëse gjurma e mësipërme i përket një shkallareje) skena do të ishte e gërshetuar me mur si në Nea Pleuronin e afërt Etol.

Hezitimi për praninë e një teatri lind nga popullsia e vogël e qytetit, rreth 800/900 persona, ndërkohë që Ambrakia nuk është as 15 km larg. Por një mbishkrim i v. 330 p.e.s. përmend kolegjin e Hieromemmnonëve, përfaqësuesve të komuniteteve etnikë, çka do ta tregonte atë auditor kuvendesh krahinorë për sa kohë Ambrakia ishte apoike e Korinthit dhe jo kryeqytet i Pirros (295 p.e.s.).

Ambrakia

Sipas Dionisit të Halikarnasit “Enea dhe shpura tij shkuan (nga Aktiumi) në Ambraki.. Gjurmët e tia në Ambraki ruhen në dy vende... në një tempull të perëndeshës (Afërdita) dhe në një shtatore të Eneas afër teatrit të vogël” (Dion. Hal 1. 50). Si i tillë fragmenti dëshmon drejtpërdrejt praninë e teatrit të vogël dhe tërthorazi të teatrit të madh.

Teatri i vogël ndodhet në qendër të Ambrakisë, 100 m larg tempullit të Apollonit. Teatri nuk është ndërtuar si zakonisht në shpat, por mbi mbushjen mbi një banjë luksoze të fundit shek V p.e.s., me dysheme me mozaik me motive mitologjike. Teatri përbëhet nga shkallarja gjysmërrethore me diametër të jashtëm 18.5 m, të brendshëm 6.7 m dhe lartësi rreth 3 m. Shkallarja ka 7 rreshta të thjeshtë (Eretria 3, 40 x 40 cm), të përbërë nga blloqet e ndenjjes dhe pllaka e mbështetjes së këmbëve. Shkallarja përshkohet nga dy shkallë (0.76 m), të cilat e ndajnë në 3 pyka (kerkides). Mbi stilobatin 10 metërsh të ballit të palkut (proskeniori), mbështeteshin 6 gjysmëkolona jonike. Duke i shtuar atyre epistilin, balli i palkut rezulton 2.4 m i lartë. Stili dhe skema arkitektonike e datojnë teatrin në periudhën e mbretërisë së Pirros. Rëndësinë e tij në jetën shoqërore të qytetit e dëshmon pozita qendrore dhe sakrifikimi i banjës luksoze për ndërtimin e tij. Përmasat tregojnë për një kapacitet të kufizuar rreth 300 vetë. Si i tillë ai nuk është teatër i mirëfilltë, por vend mbledhjesh politike, e shumta një odeon, që ad litteram do të thotë vend për të kënduar.Nëse do ta pranonim si vend mbledhjesh politike, më për shtat do t’i shkonte buleja, këshilli qytetar, normalisht me 3/400 anëtarë. Mosdiferencimi i rreshtit të parë nga rreshtat e tjerë, e tregojnë organ kolegjial, me të drejta të barabarta. Katër teatro të tjerë hamendësohen në Klimatia, Lutro (Argos Amphilokion), Elimokastron dhe Arpitsa.

info@balkancultureheritage.com