Vergili
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Vergili

Eneida Gjeorgjiket

Pubël Vergil Maroni, poet romak, lindi afër Mantovës në vitin 70 para e. sonë. Studjoi në Romë për retorikë dhe filozofi. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Napoli. Vdiq në Brundisi, kur po kthehej nga një udhëtim nëpër Greqi.

Ndër veprat më të hershme të Vergilit, më e rëndësishmja është "Bucolica" (Këngë baritore) e përbërë prej 10 eklogesh. Këto këngë me një gamë ngjyrash të bukura pikturojnë botën idilike të barinjve, në përmbajtjen e së cilës dëgjohen mjaft nota realizmi të kohës së autorit. Vepra të tjera të rëndësishme të këtij poeti të shquar romak janë edhe "Eclogae" (Vjersha të zgjedhura), "Georgica" (Poemë mbi bujqësinë) dhe poema epike kushtuar Oktavian Augustit "Aeneis".

Në poemën "Georgica", të cilën e përshkon fund e krye një frymë dashurie e sinqertë për natyrën dhe bujqësinë, bëhet përpjekje për të përgjithësuar njohuritë mbi ekonominë fshatare, kurse në "Eneiden" - në "Iliadën" e "Odisenë" romake - tregohet për peripecitë e udhëtimit të heroit trojan Eneut, i cili përpara se të arrinte në Lat për të formuar gjoja mbretërinë e tij në tokën latine qendroi për pak ditë edhe në Butrint. Kjo poemë e mrekullueshme epike mbeti e papërfunduar dhe doli në dritë vetëm mbas vdekjes së autorit. Në veprën e Vergilit spikat një stil i bukur, një varg melodioz dhe një gjuhë e punuar.

Eneida

LIBRI III

Pas pak na humbën nga sytë kështjellat e larta të faiakëve,

dhe kaluam në brigjet e Epirit e arritëm në portin e

Kaonit dhe hymë në qytetin e lartë Buthrot.

Këtu morëm vesh një lajm, që s'ishte për t'u besuar,

295 Heleni, i biri i mbretit Priam, sundonte në qytete greke,

se kishte marrë gruan e skeptrin e Pirro Aiakidit

dhe se Andromaka ishte martuar prapë me një bashkatdhetar.

U habita dhe më pushtoi një dëshirë e madhe

ta shihja dhe nga ai të gjitha t'i mësoja.

Lashë anijet në port dhe zbrita në tokë;

atë ditë në pyll para qytetit dhe buzë Simoentit të rrejshëm

Andromaka bënte flijime solemne

mbi tumën e Hektorit dhe i falte dhurata te përvitshme,

thërriste shpirtin e tij pranë një varri të zbrazët të rrethuar me plisa të njomë

e qante në këmbët e dy altarëve.

Pas vdekjes së Neoptolemit, nga mbretëria i ra

një pjesë Helenit, i cili këto vise i quajti Kaoni

nga emri Trojan Kaon;

Dhe në këto kodra një Pergam të ri ndërtoi bashkë me një kështjellë trojane

kur ja, nga qyteti, heroi,

i biri i Priamit, Heleni, i shoqëruar nga një turmë, vjen;

na njohu dhe plot me gëzim na shpuri në pallat

ku për çdo fjalë, që thonim ai lëshonte lotë.

Para unë eci e shoh një Trojë ndërtuar sipas shembullit të së madhes,

një Pergam dhe një përrua të thatë me emrin e Ksanthit,

duke hyrë putha prakun e portës Skea.

Gjithashtu edhe shokët e mi teukrët u gëzuan që gjetën një qytet mik.

Mbreti i priti në portikët e gjerë të pallatit;

Në mes të sallës rreth tryezave zbraznin kupat për nder të Bahut,

pinin me enë të arta dhe bënin flijime

Gjeorgjiket

LIBRI I

Në fillim të' pranverës nga majat e zbardhura të maleve

rrjedh lagështia dhe zefiri shkrifton tokën,

le të fillojë atëherë kau, prej parmendës së futur thellë,

të rënkojë dhe të shkëlqejë plori i fërkuar nga brazda.

Toka do t'u përgjigjet atëherë dëshirave të gjithë bujqëve

të uritur, nëqoftëse do të heqi dy vapa e dy të ftohta,

korrjet atëherë do të jenë të tilla sa do të thyhen hambarët.

Por, para se të çajmë një tokë të re,

duhet të dimë erërat dhe sjelljen e kohës

dhe mënyrat e zakonet e të parëve të atij vendi,

çfarë jep kjo tokë këtu dhe çfarë nuk i jep ajo bujkut.

Këtu gruri nitet më me bollëk, kurse atje vreshtat,

atje prodhimi i mirë nga pemët, dhe vetiu gjelbëron

bari. A nuk e sheh, se si Tmoli aromatin e safranit

na dërgon, kurse India - fildishin dhe sabejt e butë - thimjamin,

Halibët e zhveshur - hekurin, dhe Ponti lëngun me erë të fortë

të Kastorit, kurse Epiri - kuajt e fitoreve elidike?

info@balkancultureheritage.com