Xhamia Mbret në Berat
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Xhamia Mbret në Berat

Xhamia Mbret në Berat e quajtur dhe e Bajazitit, ndodhet në qendër të qytetit të Beratit, si pjesë e një kompleksi arkitekturor ku, veç saj janë dhe teqeja e Halvetive me gjithë konakët si dhe ajo e Sheh Qerimit. Për të Çelebiu, që dhe ai e emërton e Sulltan Bajazitit të II-të, na thotë se është xhamia më e madhe dhe më e rëndësishme, që frekuentohet më shumë, është 60 gjurmë e gjatë dhe 50 gjurmë e gjerë, me minare të lartë e të bukur, me tri porta, një përpara dhe dy anash, dhe me një hajat të madh sa një xhami, është xhami e vjetër e ndërtuar në stil arkaik. Siç kuptohet dhe nga mbishkrimi që ruhet i pikturuar në strukturat e mafilit, xhamia, në vitin 1832-1833 (1248 H) ka pasur një rindërtim të rëndësishëm nga që ishte në rrezik shembjeje. Sipas mbishkrimit, në atë kohë janë kryer ristrukturimi dhe zbukurimi i sallës, rindërtimi i mihrabit dhe minberit, si dhe punime të tjera që nuk përcaktohen dot. Këto ndërtime, sipas mbishkrimit u kryen nga Veziri i Madh Mehmet Reshid Pashai, kur pat ardhur në Shqipëri për të shtypur kryengritjen kundër Tanzimatit dhe kur rrënoi kalanë e Beratit. Gjatë këtij rindërtimi ka shumë gjasë të jetë suvatuar salla e lutjeve, në anën e jashtme, duke vështirësuar përcaktimin e rindërtimeve të mureve, pra nuk mund të themi se cilat janë pjesët e ruajtura nga ndërtimi i parë, dhe çka i takojnë rindërtimit të mësipërm.

Salla e lutjeve është me planimetri drejtkëndëshe, me përmasa 12,1 x 15,4m. Në të hyhet nga porta në anën veriore, nëpër portikët, si dhe dy porta të tjera në muret perëndimore e lindore. Veç tyre, që përmenden edhe nga Çelebiu, një portë tjetër të shpie drejtpërsëdrejti në mafil. Në të hipet dhe nga porta e shkallët e jashtme, të shtuara më vonë. Porta kryesore mbulohet me hark guri gjysmërrethi, brenda një portali drejtkëndor prej gurësh të profiluar bukur. Mbi portal është një nike e mbuluar me hark fundlundre është mbi portalin si dhe një ballkon që lidhet me portën mbi të.

Vëllimi i sallës ndahet nga arkade prej tre harqesh që në muret anësore mbështeten në dy shtylla dhe dy pilastra. Përballë, në murin jugor, është mihrabi me prerje gjysmërrethi, mbuluar me stalaktite dhe i zbukuruar me dy kolonada anësore dhe një pjesë trekëndëshe mbi stalaktitet me motive bimore. Anash tij, në vendin e zakonshëm, është minberi prej strukturash të drunjta. Pjesën veriore të sallës e zë mafili i vonë, ku në të dy anët e hyrjes, janë dy sofa, me parmakë të ulët, pak më të ngritura nga toka. Mbi parmakët e mafilit është një rrjetë prej listelash të kryqëzuara.

Salla mbulohet nga tavani prej dërrasash, të cilin, arkada mbajtëse e strukturave të çatisë e ndan në dy pjesë të veçanta. Tavani përbëhet prej dhjetë kupolash, dy prej të cilave, ato qendrore janë më të mëdha dhe zbukurohet me gdhendje druri me mjaftë hijeshi, sipas frymës së kohës.

Salla ndriçohet bollshëm nga shumë dritare, të vendosura në dy radhë. Dritaret e poshtme janë drejtkëndore dhe mbulohen me arkitra guri. Mbi të, ka nga një nike pak të thelluar, mbuluar me hark të mprehtë gurësh të skuadruar. Dritaret e sipërme janë të gjitha të mbuluara me hark të mprehtë prej gurësh të skuadruar deri në brendësi. Ndër dritaret e poshtme bëjnë dallim ato të murit verior në të dy anët e hyrjes për në sallë, që janë të mbuluara me hark të mprehtë. Për sa i përket portave ato janë mbuluar me hark në anën e jashtme dhe me arkitra të rrafshët në anën e brendshme.

Në formulimin arkitektonik të xhamisë Mbret një vend të rëndësishëm zë dhe portiku, me përmasa 18,6 x 9,9m, i cili shtrihet më shumë se faqja veriore e sallës së lutjeve. Ai rrethohet nga arkada që mbështeten në pilastra masive në të katër qoshet, në portën e hyrjes dhe në shtylla, në pjesët ndërmjet tyre. Në anët perëndimore dhe lindore kemi nga një arkadë treshe, ndërsa në anën veriore, në qendër, kemi portalin e hyrjes ndërtuar prej muri dhe dy arkada dyshe në të dy anët. Në brendësi të portikut, në të dy anët e korridorit që lidh hyrjen për në hajat me sallën e lutjeve, janë dy arkada me nga dy kolona secila e tre harqe me profil pak më të mprehtë mbi to.

Harqet mbështeten në murin e portalit të hyrjes dhe në faqen veriore të sallës. Kolonat janë prej guri dhe mbi to ngrihen kapitele trungpiramide, me cepa të gdhendur e mbi ta tirande të drunjta. Mbi këto arkada mbështetet struktura mbajtëse e çatisë. Në portik, për t’i shërbyer besimtarëve që ndodhen në hajat, është dhe një mihrab suplementar, i vendosur më në lindje të tij.

Një element me mjaft vlerë për këtë ndërtesë është minarja elegante, e lartë dhe e hollë. Ajo përbëhet nga bazamenti shumëfaqësh, ndërtuar me teknikën e kluasonazhit. Bazamenti përfundon me një kornizë të hollë mbi të cilën është pjesa trung-piramide, ndërtuar prej çmërsi, për kalimin në trupin e minares. Minarja e hollë, gjashtëmbëdhjetëfaqësh, është ndërtuar me gurë çmërsi të suvatuar. Ajo përfundon me kazanin, i cili del konsol ndaj trupit, nëpërmjet një sërë rreshtash prej gurësh të gdhendur hijshëm. Mbi kazan është një pjesë e ulët, e suvatuar, ndërtuar prej gurësh çmërsi. Në të ndodhej porta për në kazan.

Pa një zhveshje tërësore të mureve anësore të sallës së lutjeve është e vështirë të përcaktohet,siç thamë dhe më sipër, se çfarë ruhet nga ndërtimi i vjetër në muret e sotme. Ne kemi dalluar fugën e lidhjes së pjesës së vjetër pranë bazamentit të minares me murin më të ri, ku është dhe porta e perëndimit Nga mbishkrimi mësojmë se xhamia, në fillim të shek. XIX, ishte në rrezik shembjeje dhe prandaj u rindërtua. Mbishkrimi thotë që punimet u kryen me shpenzimet e Vezirit të Madh, Mehmed Reshid Pashës, pikërisht ai që një vit më parë ndërmori sulmin ndaj kryengritësve. Sigurisht që veç çatisë, nënstrukturat e saj edhe pjesë të mureve duhet t’u jenë nënshtruar rindërtimit. Po kështu, na duket se dhe portiku në trajtën e sotme, duhet të jetë ngritur në atë kohë. Mendojmë kështu prej formave të arkadës dhe kapiteleve mbi kolona, që kanë paralele në shumë ndërtime të kohës në qytetin e Beratit.

Për sa i përket kohës së ndërtimit të xhamisë Mbret të Beratit L. Rey, duke u nisur nga emri e ka datuar si të vitit 1492. Edhe mbishkrimi e quan xhaminë si të Sulltan Bajazitit. Pra edhe kjo, si dhe xhamitë e tjera të mbiemëruara Mbret apo të Bajazitit, mund të jentë ndërtuar rreth vitit 1492.

Për sa i përket mendimit se ajo mund të jetë porositur edhe më përpara, ne na duket i pambështetur, sepse mendojmë që në vitin 1492 kjo xhami duhet të jetë porositur edhe të ketë filluar së ndërtuari.

info@balkancultureheritage.com