Xhamia e Mbretit
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Xhamia e Mbretit

Edhe pse e gjymtuar keq në fillim të viteve ’70, kjo ndërtesë është dhe ka qenë më e hershmja e xhamive të Elbasanit. Ajo ndodhet në rrugën kryesore të lagjes brenda mureve, rrugë që kalon nga porta jugore drejt veriut për në katedralen ortodokse. Përpara gjymtimit të kohëve të fundit, xhamia ka qenë e përbërë nga tre elementet e zakonshëm: salla e faljes, minarja dhe hajati. Ky i fundit ka qenë një ndërtim prej druri dhe, padyshim, produkt i një restaurimi të hershëm. Salla e faljes dhe minarja kanë qenë pjesët më të vjetra të kësaj ndërtese, të punuara sipas traditës së shekullit XV. Salla e faljes është e vetmja pjesë e ndërtesës që vazhdon të mbahet në këmbë akoma (1979); ajo është një drejtkëndësh i madh prej 14.70 m në pjesët anësore dhe thuajse me të njëjtat përmasa tek muri i mihrabit. Muratura është e llojit të gjendur në mënyrë të shpeshtë në Ballkanin perëndimor, komizat e dritareve janë të mbushura me gurë ose me blloqe të punuar imët, të cilëve u është dhënë një sipërfaqe e lëmuar prej gëlqereje të bardhë, duke marrë kështu pamjen e një punimi kluasonazhi të vërtetë. Punimi është shumë i rregullt me dy shtresa tullash të vendosura horizontalisht dhe dy të tilla të vendosura vertikalisht duke formuar një komizë. Salla e madhe ka qenë e ndriçuar nga katër dritare në secilin prej mureve anësore dhe po ashtu edhe katër të tjera të vendosura në murin e mihrabit. Në të dyja anët e hyqes së vetme ndodhej një dritare, duke e çuar numrin e dritareve në 14. Përpara vitit 1972 mund të dalloheshin dy lloje dritaresh; ato drejtkëndore të mëdha, të ndodhura në pjesën e poshtme të mureve dhe dritaret pak më të vogla me harqet osmane me majë, në pjesën e sipërme të ndërtesës. Secili nga harqet ishte i ndërtuar në mënyrë shumë të kujdesshme me tulla të holla. Dritaret në pjesën e poshtme kanë harqe më pak të theksuar mbi to, po ashtu të ndërtuar me tulla. Në vitin 1972, këto dritare nuk ishin në formën e tyre origjinale. Gjatë një riparimi, që ka mundësi të jetë bërë në shekullin XIX, ato janë bërë më të vogla me ndihmën e drurit e të allçisë dhe u janë shtuar komiza të reja e shufra hekuri. Pas rrënimit të ndërtesës, pas vitit 1967, gjendja e saj u ndryshua për keq. Muret u mbuluan nga një shtresë prej ngjyre të verdhë të pistë, çka e bëri punimin e bukur kluasonazh thuajse të padallueshëm dhe urat e ndërtimit midis pjesës së sipërme dhe asaj të poshtme u zhdukën. Kështu, kësaj ndërtese i janë bërë dritare drejtkëndore shumë të mëdha.

Harqet e mbetura u bllokuan të gjitha me llaç, të përforcuara nga korniza të reja prej druri. Ndryshimet u bënë me qëllim që ta shpërfytyronin objektin si ndërtesë osmane, e cila më pas u përdor si një “qendër për edukimin politik të popullit”. Gjithashtu, minarja u shemb dhe themeli i saj u bashkua me një paradhomë të re të ndërtuar me një mur prej tulle të dobët, e cila zuri vendin e portikut të mëparshëm prej druri. Në gjendjen që ishte para vitit 1972, minarja ka qenë e vendosur në këndin veriperëndimor të sallës së faljes. Hyrja në të bëhej nga brenda ndërtesës. Një pjesë e kësaj hyrjeje shihet akoma nga jashtë. Themeli formohej nga pesë faqet e një tetëkëndëshi, i ndërtuar nga e njëjta punë kluasonazhi e tipit të mirë, sikurse edhe salla e faljes. Trupi dilte nga një brez ndërmjetës i formuar nga një kornizë dhe një zonë e brendshme e pjerrët, e cila përgatiste bazën për një aks dymbëdhjetë faqësh. Ky bosht ishte i ndërtuar me tulla të holla, i mbuluar nga një shtresë e lëmuar gëlqereje. Ballkoni qëndronte mbi një pimim stalaktiti prej tulle dhe i suvatuar me gëlqere. Parmakët prej guri dallohen se janë produkt i një meremetimi. Minarja, e cila ishte relativisht e ulët, vazhdonte mbi ballkon në formë poligonale dymbëdhjetëkëndore të mbuluar me kapak në formë koni.

Një element tjetër shumë i rrallë i kësaj xhamie ka qenë portiku i hapur prej druri. Ai ishte shumë më i gjerë sesa vetë xhamia, një tipar ky i zakonshëm në Shqipëri. Tetë shtylla të drunjta përpara dhe dy të tjera anash mbanin një çati të drunjtë me një tavan dhe një shtresë prej tjegullash. Midis shtyllave kishte harqe dekorative me një punim prej çatmaje, ku të gjitha kishin hijeshinë tipike të ndërtesave osmane të shekullit XIX. Çatia e sallës së faljes ka qenë gjithashtu produkt i kësaj fushate riparimi të shekullit XIX. Me qëllim për të rrethuar hapësirën e gjerë të brendshme, një lloj i rrallë mbajtëseje ishte e formuar nga tri shtylla prej druri, të konceptuara si një pasazh i tërthortë. Ky është një element shumë i rrallë, prej të cilit kam parë vetëm një shembull tjetër, xhaminë e Muradit II në Uzunkoprii në Trakën turke, e ndërtuar në 1435, por e riparuar shumë në fillim të shekullit XVII. Pasazhi i Elbasanit e ndante dhomën e faljes në dy pjesë thuajse të ngjashme. Në pjesën përballë, atë që ishte afer me hyrjen, ndodhej një mafil i gjerë për gratë, i ndërtuar gjithashtu prej druri dhe që i përket shekullit XIX. Pas vitit 1967, paraqitja e brendshme e sallës u ndryshua dhe hajati u zëvendësua nga një sallë hyrëse e një cilësie të dobët. Gjithçka u bë për të ndryshuar aspektin origjinal të ndërtesës. Nuk është e nevojshme të thuhet se nuk ka mbetur asnjë gjurmë e mundshme nga minberi apo mihrabi. Megjithatë, pjesët më origjinale të ndërtesës, pjesa më e madhe e muraturës së shekullit XV dhe baza shumëkëndore e minares, ekzistojnë akoma dhe mund të kthehen në gjendjen e tyre origjinale.

Viti në të cilin u ndërtua xhamia si dhe identiteti i ndërtuesit të saj nuk dihen me saktësi. Emri i ndërtesës tregon për një ndërtues mbretëror. Megjithatë, e vetmja xhami që i atribuohet një sulltani nga një burim kaq i mirëinformuar, siç është Evlia Çelebiu, ka qenë ajo e Mehmedit II mbi hyijen e Pazarit. Kjo xhami është shembur në shekullin e kaluar, ndoshta gjatë shtypjes së revoltave shqiptare kundër reformave të Tanzimatit dhe po ashtu me çmontimin e fortesës. E vetmja xhami që Evlia përmend brenda kështjellës, është ajo e Sinan Pashës, e cila është një nga xhamitë më të mëdha dhe më të rëndësishme të qytetit. Xhamia tjetër e kështjellës ka qenë ajo e Mehmedit II. Në lidhje me këto dy xhami, ai tregon:  “Ekzistojnë gjithsej 46 mihrabe. Më i vjetri prej tyre është ai i xhamisë së mbretit, Sulltan Mehmed Kan Gazi, e cila ndodhet mbi portën e kështjellës, një xhami e vjetër me shumë njerëz që kryejnë ritet në të”. Në përshkrimin e tij për kështjellën në një faqe më përpara, ai përmend gjithashtu xhaminë e Sulltanit: “Mbi harkun e kësaj porte, e cila e ka drejtimin nga kibla (afersisht nga jugu), ndodhet emri i “Babait të pushtimit”, Sulltan Mehmedit, i shkruar mbi një copë të bardhë mermeri, me të gjithë stërgjyshërit e tij, madje edhe deri tek “Osmancik” (Osmani I) dhe data e themelimit të Elbasanit, 859 H (1454/45), (e cila është gabim në vend të 870 H (1465/1466). Mbi këtë portë, ndodhen tre gurë me formë katërkëndore prej mermeri të bardhë, të cilët janë të lidhur me zinxhirë. Ata goditen me shigjeta dhe plumba dhe vrojtohen nga të gjithë kalimtarët. Po ashtu, mbi porte, në pjesën e sipërme, ndodhet xhamia Hunkar, një xhami shumë e vjetër e mbuluar me tjegulla”. Shumë afer kësaj xhamie ndodhej Kulla e Sahatit. Një përshkrim i tillë vështirë se mund të hidhet poshtë. Të gjithë elementet e përmendur ekzistojnë akoma, përveç xhamisë.

Evlia Çelebiu e përshkruan xhaminë e Sinan Pashës si vijon: “Dhe në mes të kështjellës, në sheshin e ulët, ndodhet xhamia e Gazi Sinan Pashës. Ajo është një ndërtesë e madhe, arkaike. Mbi sipërfaqen e mureve të saj drejtkëndore nuk ka ndonjë vend bosh, sepse çdo udhëtar nga Anadolli, Arabia apo Persia ka shkruar këtu pjesë kaligrafike, ndonjë varg poezie, ndonjë kaside, ndonjë gojëdhënë apo ndonjë rresht të vetëm, i cili do të mbushte një libër”. Përshkrimi vazhdon më tej mbi gjatësinë e këtyre mbishkrimeve, të cilave Evlia Çelebiu u shtoi edhe mbishkrimin e vet, që daton më 1081 H (1670/71). Historianët janë pajtuar të gjithë për t’i dhënë Elbasanit pseudonimin e njohur  (Shtëpia e poetëve). Një detaj i rrallë është se, në kohën kur Evlia Çelebiu e pa atë, kjo xhami e “shenjtë” dhe shumë e frekuentuar, ka qenë e mbushur plot e përplot me galeta për “Ushtarët e Islamit”, që në atë kohë bënin ekspeditë ushtarake përpara Kotorit në Mal të Zi dhe Mainës (Peloponezit jugor). Ky element hedh dritë mbi përdorimin laik të Shtëpisë së Zotit ndër osmanët, një praktikë që gjen shumë ngjashmëri në Europën moderne perëndimore.

Asnjëri nga mbishkrimet e shumta të kësaj xhamie nuk është ruajtur. Ne mund të jemi të sigurtë se ndërtesa jonë është e njëjtë me atë që ka parë Evlia Çelebiu. Një xhami e ndërtuar me stilin e shekullit XV, me stilim teknikë kluasonazhi, që ishte element karakteristik i asaj kohe dhe me faqe katrore e të ulëta, i është dukur shkrimtarit tonë, si antike. Mënyra se si mund të kenë qenë pjesët e poezisë, shihet akoma në Teqenë Xhelveti të Beratit, me kasidet e saj të shkruarara për nder të Sheh Mahmud Hiida’i., themeluesit të atij urdhri. Mbishkrimet e Elbasanit mund të jenë zhdukur gjatë riparimit të shekullit XIX, kur ka rënë patina e vjetër dhe e dobët ajo është zëvendësuar me një shtresë të re, duke kopjuar modelin e kornizave të vjetra të dritareve. Një gjë e tillë përfaqëson një humbje për dijen e nivelit të kulturës orientale në Shqipëri, për të cilën Elbasani ka qenë qendra kryesore dhe Evlia Çelebiu është informatori më i rëndësishëm. Për t’iu rikthyer çështjes së datës dhe themeluesit, mund të themi se ka arsye të mjaftueshme për t’ia atribuar këtë ndërtesë Sinan Pashë Borovinicit, i njohur për ndërtimet e tij në Elbasan. Ky fakt na jep një datë, e cila përputhet me atë që shihet në arkitekturën e saj, fundin e shekullit XV ose ndoshta fillimin e shekullit XVI. Gojëdhënat në këtë zonë nuk thonë asgjë në lidhje me këtë ndërtesë. Mund ta pranojmë si të vërtetë faktin se ndërtesa në fjalë ka pësuar shumë dëmtime gjatë shtypjes së kryengritjeve të Anti-Tanzimatit dhe është ripamar më pas me shpenzimet e vetë sulltanit, ndoshta Mahmudit II, i cili ka qenë shumë aktiv në këtë fushë, ose ndoshta Abdulhamidit II, që gjithashtu ka bërë shumë përpjekje në riparimin e ndërtesave të vjetra.

info@balkancultureheritage.com