Xhamia në Kala të Lezhës
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Xhamia në Kala të Lezhës

Ruhet në gjendje rrënoje, në pjesë më të lartë të fortesës, me ndërtime të tjera të rrënuara pranë. Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve dhe hajati i shtuar më vonë në anën veriore. Salla e lutjeve është drejtkëndëshe në plan, me përmasa të planit, 8.90 x 7.60 m. Muret e sallës ruhen, afërsisht, deri në lartësinë e dikurshme, duke na mundësuar njohjen më të plotë të arkitekturës së ndërtesës, e cila nuk rezulton që të ketë qenë mbuluar me kupolë, siç mendon Kiel.

Në sallë hyhet si zakonisht; nga porta e vetme në anën veriore. Përballë ndodhet mihrabi, gjysmërrethi në plan, me dy dritare anash, nga të dlat, ajo e perëndimit ruan vetëm shpatullën, sepse qoshja jugperëndimore e ndërtesës është rrënuar. Mbi secilën prej tyre duhet të kenë qenë dritare të tjera nga që ruhen shpatullat e asaj nga lindja. Nga dy dritare kanë pasur edhe muret e tjerë të sallës së lutjeve. Prej tyre ruhet e plotë, meqenëse është e murosur, dritarja në anën veriore të murit lindor, dhe mbulohet me hark të mprehtë, ndërtuar me gurë.

Dyshemeja e sallës ka qenë shtruar me pllaka guri të çrregullta, që në një kohë të dytë, pas një mbushjeje është ngritur në nivel më të lartë. Në këndin veriperëndimor të sallës është kalimi i ulët për në minare, e cila ruhet deri në një farë lartësie dhe në brendësi ka shkallët helikoidale. Në anën e poshtme minarja, për aq sa ruhet sot, përbëhet nga tre vëllime. Dy të poshtmit janë prizmatikë me prerje drejtkëndore, i dyti pak më i vogël, ndërsa pjesa e sipërme vazhdon me format e një prizmi tetëfaqësh, që mund të ketë qenë për tërë lartësinë e saj.

Muratura e xhamisë është e çrregullt me gurë të papunuar e të lidhur me llaç gëlqereje, dhe ka si mbushës rërë të ashpër. Në muraturë rrallë shohim copëra tullash. Për të siguruar më mirë atë, muratura ka breza gjatësore e tërthore prej druri.

Në anën veriore të ndërtesës është hajati i mbyllur, dikur dhe ai i mbuluar me çati druri. Fugat e qarta, në vendtakimin me murin verior të sallës së lutjeve, tregojnë se hajati është shtuar në një kohë të dytë. Ai ka mure më të lartë se të xhamisë. Në të hyhet nga porta e vetme në murin verior dhe ndriçohet nga dy dritare në muret anësore. Hajati është i shtruar me rrasa guri të çrregullta. Nën murin perëndimor të hajatit shihet, që del jashtë murit një themel i vjetër.

Për nga niveli i ndërtimit kuptohet se xhamia është ngritur me nxitim, nga mjeshtëra jo të aftë dhe pa kërkesa arkitekturore. Ndërtimi i saj duhet lidhur me rindërtimin e kalasë së Lezhës nga Turqit, që, siç na tregonte mbishkrimi, dikur në një nike të vogël mbi njërën nga hyrjet për në kala, është kryer në vitin 1522 (928 H),nën drejtimin e Muhamet Dervish Uzgurit, në kohën e sundimi të Sulltan Sulejmanit. Siç dihet, kalaja e Lezhës, që mbrojtësit e saj e dogjën përpara se të largohen u mor nga turqit në vitin 1478, dhe, siç thonë kronistët e kohës, e kthyen atë “në pirgje dheri” ose thjesht “e shkatërruan. Që atëherë kalaja e Lezhës nuk përmendet më në dokumentet e kohës. Shpjegimi gjendet në rrethanat historike të atëhershme. Në këto territore për mjaft vite vazhduan kryengritjet e shqiptarëve për çlirimin e vendit. Baza e tyre ishte në ishullin e Lezhës, i cili mbeti i fortifikuar në duart e shqiptarëve deri në vitin 1506 kur ata detyrohen ta braktisin. Që kalaja e Lezhës nuk ekzistonte në këtë kohë, si qendër e ndonjë garnizoni turk, na e thonë tërthorazi burimet, kur gjatë viteve 1502-1506, turqit disa herë u përgatitën për ta marrë ishullin e Lezhës. Për këtë u mobilizua Sanxhakbej të ndryshëm, si Feriz Beu i Shkodrës, ai i Krujës, Elbasanit dhe Durrësit, por nuk përmenden asnjëherë trupa të Lezhës, që po të kishte, do të ishin mobilizuar të parët.

Prandaj, mendojmë se xhamia në kala të Lezhës duhet të jetë ndërtuar pas vitit 1514, menjëherë me vendosjen e garnizonit osman dhe kryerjen e punimeve të rindërtimit të kalasë dhe jo në vitin 1480, siç mendohet.

info@balkancultureheritage.com