Ç'ishte fillimisht klientela dhe si u shndërrua ajo
Tani do të flasim për një tjetër revolucion, rreth fillimit të të cilit nuk mund të themi asgjë, por që duket qartë se ka ndryshuar ndërtimin e familjes dhe të vetë shoqërisë. Familja e lashtësisë, nën autoritetin e prijësit të vetëm, përbëhej nga dy klasa me rang të pabarabartë mes tyre: nga njëra anë, degëzimet e fëmijëve më të vegjël, domethënë me individë natyrshëm të lirë; nga ana tjetër, shërbyesit ose klientët e një rangu të ulët nga lindja, por të afërt me prijësin si rrjedhojë e pjesëmarrjes së tyre në kultin shtëpiak. Në rastin e parë, pamë se në ç'mënyrë doli ajo nga gjendja e inferioritetit; në rastin e dytë, klasa e shërbyesve dhe e klientëve kishte kohë që aspironte çlirimin e saj. Më në fund edhe ajo do ia dilte mbanë; klientela shndërrohet e së fundmi, zhduket plotësisht.
Ndryshim i jashtëzakonshëm, rreth të cilit autorët e lashtësisë nuk na rrëfejnë asgjë. Po kështu, gjatë Mesjetës, kronikanët nuk na thonë se në ç'mënyrë u transformuan pak nga pak popullsitë e fshatit. Gjatë ekzistencës së shoqërisë njerëzore është regjistruar një numër mjaft i madh revolucionesh, kujtimi i të cilave nuk na jepet nga asnjë dokument. Shkrimtarët nuk i kanë vënë re, pasi ato janë kryer ngadalë, në mënyrë të pandjeshme, pa luftëra të dukshme; kanë qenë revolucione të thella e të fshehta, që trazonin bazamentin e shoqërisë njerëzore, të cilat nuk shfaqnin asgjë në sipërfaqe, duke kaluar pa u vënë re madje edhe nga breza të tërë që kanë punuar për to. Historia mund t'i kapë ato vetëm shumë kohë pasi janë kryer, kur, në çastin e krahasimit të dy epokave të jetës së një populli, ajo konstaton mes tyre ndryshime aq të mëdha, sa kuptohet qartë se në intervalin që i ndan ato, është kryer një revolucion.
Në rast se do t'i referoheshim tablosë që autorët e lashtësisë sjellin rreth klientelës primitive të Romës, kjo e fundit mund të konsiderohej me të vërtetë një institucion i epokës së artë. A ka gjë më njerëzore se ky padron që mbron klientin e tij para drejtësisë, që e mbështet atë me paratë e tij, kur ai është i varfër, dhe që kujdeset për arsimimin e fëmijëve të tij? A ka gjë më prekëse sesa ai klient, i cili nga ana e tij, e mbështet padronin e tij, kur ky i fundit bie në mjerim, i cili i shlyen borxhet, jep gjithçka që ai zotëron për të shlyer pengun e tij? Por në ligjet e popujve të vjetër nuk ka kaq shumë ndjenjë. Dashuria pa interes dhe përkushtimi nuk kanë qenë kurrë institucione. Lidhur me klientelën dhe padronët duhet të krijojmë një ide tjetër.
Ajo që dimë me sigurinë më të madhe lidhur me klientin, është se ai nuk mund të ndahej nga padroni dhe as të zgjidhte një tjetër dhe se gjithashtu, ai ishte i lidhur nga ati tek i biri me të njëjtën familje. Mjafton kjo për të kuptuar se gjendja e jetës së tij nuk qe dhe aq e lehtë. Shtojmë këtu se klienti nuk ishte zot i tokës që ai punonte; toka i përkiste padronit, i cili si prijës i kultit shtëpiak dhe gjithashtu si pjesëtar i një qyteze, është i vetmi që ka cilësinë e pronarit. Nëse klienti kultivon tokën, këtë e bën në emër dhe për përfitimin e padronit të tij. Madje ai nuk ka as pronësi të plotë mbi objektet e tundshme, mbi paratë e pekulës së tij. Provë e kësaj është fakti që padroni mund t'ia marrë të gjitha këto, për të shlyer borxhet ose pengun e tij. Kështu pra, klientit nuk i përket asgjë. Është e vërtetë se padroni ka detyrim të ushqejë klientin dhe fëmijët e tij; por në kthim, ai i detyrohet padronit për punën e tij. Nuk mund të thuhet se ai është tamam ] skllav; por ai ka një zot të cilit i përket, ndaj vullnetit të të cilit ai nënshtrohet për gjithçka. Ai është klient gjatë gjithë jetës e po kështu, pas tij, edhe fëmijët e tij.
Ekzistonnjëfarë analogjie mes klientit të epokave të lashtësisë dhe bujkrobit të Mesjetës. Në të vërtetë, parimi që i dënon të jenë të nënshtruar, nuk është i njëjtë. Për bujkrobin, ky parim është e drejta e pronës, e cila ushtrohet mbi tokën dhe mbi individin njëherazi; për klientin, ky parim është feja shtëpiake me të cilën ai është i lidhur përmes autoritetit të padronit, i cili është prift i saj. Në drejtime të tjera, si për klientin ashtu edhe për bujkrobin, nënshtrimi është i njëjtë; njëri është i lidhur me padronin e tij, ashtu sikurse tjetri është i lidhur me të zotin e vet; klienti mund të braktisë gens-in po aq sa mund të braktisë bujkrobi angarinë e tij. Klienti, ashtu si edhe bujkrobi, mbetet i nënshtruar nga ati tek i biri. Një pasazh i Tit-Livit na jep të kuptojmë se klienti e ka të ndaluar të martohet jashtë gens-it, ashtu sikurse edhe bujkrobi e ka të ndaluar të martohet jashtë fshatit të tij. Ajo çka është e sigurt, është se ai nuk mund të lidhë martesë pa pëlqimin e padronit të vet. Padroni mtmd t'ia marrë ngastrën që klienti kultivon e po kështu edhe paratë që ai ka, sikurse edhe feudali mund të bëjë me bujkrobin e tij. Nëse klienti vdes, gjithçka që ka në përdorim i rikthehet padronit, njëlloj sikurse edhe trashëgimia e bujkrobit i përkiste e tëra të zotit të tij.
Padroni nuk është vetëm zot; ai është gjykatës; ai mund të dënojë klientin me vdekje. Për më tepër, ai është edhe prijës fetar; klienti gjunjëzohet para këtij autoriteti, njëherazi material dhe moral, i cili e lidh trup e shpirt. Është e vërtetë se kjo fe imponon ndaj padronit detyra të caktuara, por detyra ndaj të cilave ai është gjykatës i vetëm e për të cilat ai nuk dënohet. Klienti nuk ka asgjë që mund ta mbrojë; në vetvete ai nuk është qytetar; nëse ai duhet të dalë përpara gjykatës së qytetit, ai duhet të shoqërohet nga padroni dhe ky i fundit të flasë në emër të tij. A i duhet atij të përmendë ligjin? Ai nuk i njeh formulat e shenjta; por edhe sikur t'i njihte, ligj i parë për të është që ai të mos dëshmojë dhe as të flasë kurrë kimdër padronit të tij. Pa padron nuk ka drejtësi; kundër padronit, kurrfarë rekursi në gjykatë.
Klienti nuk ekziston vetëm në Romë; ai gjendet edhe te sabinët dhe etruskët, ku ai bën pjesë në manus-in e çdo prijësi. Ai ka ekzistuar si në gens-in e lashtë helenik, ashtu edhe në gens-in italian. Ai nuk duhet kërkuar në qytezat dorike, ku regjimi i gens-it është zhdukur që prej shumë kohësh dhe ku të mundurit janë lidhur jo me familjen e një pronari, por me një ngastër toke. Atë e gjejmë në Athinë dhe në qytetet joniane dhe eoliane nën emrin tetë ose pelat. Për sa kohë do të zgjasë regjimi aristokrat, tetët nuk bëjnë pjesë në qytet; të mbyllur në familje, prej ku ata nuk mund të dalin, ata janë në duart e eupatridëve, të cilët, në vetvete, kanë të njëjtën natyrë dhe të njëjtin autoritet si edhe padroni romak.
Mund të hamendësohet se që në fillim, mes padronit dhe klientit ka ekzistuar urrejtja. Nuk është e vështirë të përfytyrohet se ç'do të thoshte të jetoje në këtë familje, ku njëri kishte krejt pushtetin dhe tjetri nuk kishte asnjë të drejtë, ku nënshtrimi pa kushte dhe pa shpresë ishte e vetmja gjë që mund t'i kundërvihej plotfuqishmërisë pa kufi, ku edhe zotëria më i mirë kishte shpërthimet dhe trillet e tij, ku edhe shërbëtori më i nënshtruar kishte smirën, rënkimet dhe zemërimet e tij. Uliksi është zotëri i mirë; shihni se çfarë dashurie atërore ka ai për Eumeun dhe Filatiusin. Por ai urdhëron dënimin me vdekje të një shërbëtori që e ka fyer, duke mos e njohur dhe të disa të tjerëve që kanë rënë në ves gjatë mungesës së tij. Ai është përgjegjës përpara qytetit për vdekjen e pretendentëve për fronin e tij; por për vdekjen e shërbyesve të tij, askush nuk i kërkon llogari.
Në gjendjen e veçimit në të cilën familja kishte jetuar për një kohë të gjatë, klientela kishte mundur të formohej dhe të ruhej. Në atë kohë, feja shtëpiake ishte e plotfuqishme mbi shpirtin. Njeriu që ishte prift falë së drejtës së trashëguar, u shfaqej klasave të ulëta si qenie e shenjtë. Më tepër se njeri, ai ishte ndërmjetës mes njerëzve dhe Zotit. Nga goja e tij dilte lutja e fuqishme, formula e papërballueshme, që tërhiqte favorin ose zemërimin e hyjnisë. Përpara një force të tillë, njeriu duhej të gjunjëzohej; nënshtrimi urdhërohej nga besëtytnitë dhe nga feja. Fundja, si mund të kishte klienti tundimin për t'u çliruar? Ai nuk shihte horizont ijetër veç familjes ku ndodhej, me të cilën ai ishte lidhur në gjithçka. Vetëm në të ai gjente një jetë të qetë, një ushqim të siguruar; vetëm në të, nëse ai kishte një zotëri, ai kishte gjithashtu edhe një mbrojtës; më së fundmi, vetëm në të, ai mund të gjente një altar, ndaj të cilit mund të afrohej. Të lije këtë familje, do të thoshte të vendoseshe jashtë çdo organizimi shoqëror dhe çdo të drejte; do të thoshte të humbisje perënditë dhe të hiqje dorë nga e drejta e lutjes.
Por me themelimin e qytezës, klientët e familjeve të ndryshme mund të shiheshin me njëri-tjetrin, të flisnin me njëri-tjetrin, të komunikonin dëshirat ose smirën e tyre, të krahasonin mes tyre zotërinjtë e ndryshëm dhe të ëndërronin për një fat më të mirë. Pastaj, vështrimi i tyre nisi të shtrihej përtej rrethinës së familjes. Ata shihnin se përtej saj, ekzistonte një shoqëri, rregulla, ligje, altarë, tempuj, perëndi. Shkëputja nga familjet nuk shihej më si një e keqe pa shërim. Me çdo ditë që kalonte, tundimi bëhej gjithnjë e më i fortë; klientela dukej si një barrë gjithnjë e më e rëndë dhe dalëngadalë po fillohej të besohej se autoriteti i zotërisë nuk ishte më aq legjitim dhe i shenjtë. Atëherë, në zemrën e këtyre njerëzve hyri një dëshirë e zjarrtë për të qenë të lirë.
Pa dyshim, historia e asnjë qyteze nuk mbart deri te ne kujtimin e një kryengritjeje të përgjithshme të kësaj klase. Nëse ka pasur luftëra të armatosura, ato kanë qenë të mbyllura dhe të fshehura në rrethinën e çdo familjeje. Në gjirin e saj është parë, përgjatë brezash të tërë, nga njëra anë përpjekja energjike për pavarësi dhe nga ana tjetër një shtypje e pamëshirshme. Në çdo shtëpi është zhvilluar një histori e gjatë dhe dramatike që sot është e pamundur të gjurmohet. Ajo që mund të thuhet është se përpjekjet e klasave të ulëta nuk qenë pa rezultat. Një nevojë e madhe i detyroi pak nga pak zotërinjtë të lëshonin diçka nga plotfuqishmëria e tyre. Kur autoriteti resht së dukuri i drejtë në sytë e të nënshtruarve, kërkohet ende kohë që sytë e zotërinjve ta vënë re atë; por më në fund edhe kjo ndodh dhe atëherë, zotëria, i cili nuk beson më në legjitimitetin e autoritetit të vet, e mbron atë keq dhe përfundimisht heq dorë prej tij. Shtoni këtu faktin që klasa e ulët ishte e dobishme për të, që krahët e saj, kur kultivonin tokën, krijonin pasurinë e zotërisë dhe kur mbanin armët, përbënin forcën e tij në luftën e rivaliteteve që ekzistonin mes familjeve; pra ishte nevojshme që kërkesa e kësaj klase të plotësohej dhe interesi të bashkohej me humanizmin, duke këshilluar kësisoj nisjen e lëshimeve.
Është e sigurt se kushtet e jetesës së klientëve u përmirësuan pak nga pak. Fillimisht, ata jetonin në shtëpinë e zotërisë, kultivonin bashkërisht pronën e përbashkët. Më vonë, secilit prej tyre iu dha një ngastër toke e veçantë. Tashmë klienti mund të ishte disi më i lumtur. Pa dyshim, ai vazhdonte të punonte akoma për përfitimin e të zotit; toka nuk ishte e tij, ishte më tepër ai vetë që i përkiste asaj. Pak rëndësi ka, ai e kultivonte tokën prej shumë vitesh me radhë dhe e donte atë. Mes tij dhe asaj ishte vendosur jo ajo lidhje që feja e pronës kishte krijuar mes saj dhe të zotit, por një lidhje tjetër, ajo që puna e madje vuajtja mund të krijojnë mes njeriut që jep mundin e vet dhe tokës që jep frytet e saj.
Më pas, do të regjistrohej një zhvillim tjetër. Klienti nuk kultivoi më për të zotin e tij, por për vete. Nën kushtet e një haraçi, që ndoshta fillimisht ishte i ndryshëm, por që më vonë do të bëhej i përcaktuar, ai nisi të gëzonte frytet e të korrave. Djersa e tij gjeti kështu një lloj shpërblimi dhe jeta e tij u bë njëherazi më e lirë dhe më krenare. "Prijësit e familjeve, thotë një autor i lashtësisë, u caktonin ngastra toke njerëzve më të ulët në rang, sikur ata të ishin fëmijët e tyre." Të njëjtën gjë e lexojmë tek Odiseja’. "Një zot shpirtmirë i jep shërbyesit të tij një shtëpi dhe një ngastër toke"; dhe Eumeu shton: "një bashkëshorte të dëshiruar", pasi klienti nuk mundet ende të martohet pa vullnetin e të zotit të vet dhe është zotëria ai që zgjedh gruan e tij.
Klienti, i kthyer tashmë në posedues, nuk mund të duronte më të mos ishte njëkohësisht edhe pronar, ndaj nisi të aspironte të bëhej i tillë. Ai nisi të ushqente ambicien për të zhdukur prej kësaj ngastre sinorin e shenjtë, që e kishte kthyer atë përgjithmonë në pronë të zotërisë së dikurshëm, por që mbi bazën e së drejtës së punës, klientit iu duk se i përkiste vetë atij.
Shohim qartë se në Greqi, klientët ia arritën qëllimit të tyre; përmes cilave mjete, nuk e dimë. Se sa kohë dhe përpjekje u është dashur atyre për të arritur një gjë të tillë, këtë mund ta gjejmë vetëm me hamendje. Ndoshta edhe në lashtësi ka ndodhur e njëjta seri ndryshimesh shoqërore që Europa pa të ndodhnin edhe gjatë Mesjetës, kur skllevërit e tokave u kthyen në bujkrobër të angarisë, kur këta të fundit, nga bujkrobër të detyruar, që punonin pa pagesë për pronarin, kaluan në bujkrobër me mëditje, për t'u kthyer përfundimisht, më pas, në fshatarë pronarë.
Ky lloj revolucioni është shënuar mjaft qartë në historinë e Athinës. Përmbysja e mbretërisë kishte sjellë si pasojë rigjallërimin e regjimit; familjet kishin rifilluar jetën e tyre të veçuar dhe secila prej tyre kishte nisur të formëzonte një shtet të vockël, i cili kishte për prijës një eupatrid dhe si nënshtetas një turmë klientësh ose shërbyesish, që gjuha e lashtësisë i quante tetë. Duket se ky regjim ka peshuar rëndë mbi popullsinë e Athinës, sepse nga kjo gjë ajo pat ruajtur një kujtim të keq. Populli e vlerësoi gjendjen e vet aq të mjerë, saqë iu duk sikur epoka e mëparshme kishte qenë me të vërtetë një periudhë e artë; ai ndjeu keqardhje për mbretërit; ai nisi të përfytyronte se nën regjimin e monarkisë ai kishte qenë i lumtur dhe i lirë, se atëherë ai kishte gëzuar të drejtat e barazisë dhe se duke filluar nga momenti i rrëzimit të mbretërve, për të, kishin nisur pabarazia dhe vuajtjet. Në të gjithë këtë, kishte një iluzion, sikurse popujt gjithnjë kanë; tradita popullore e vendos fillimin e pabarazisë atje ku populli nis ta konsiderojë atë të urryer. Kjo klientelë, ky Iloj skllavërimi, i cili ishte po aq i lashtë sa edhe ndërtimi i familjes, për të e kishte pikënisjen në epokën kur njerëzit kishin ndjerë dhe kishin kuptuar, për herë të parë, peshën e padrejtësisë. Por, është më se e sigurt se eupatridët nuk i vendosën ligjet e ashpra të klientelës në shekullin e shtatë. Ata vetëm sa i ruajtën ato. Faji i tyre qëndronte vetëm në një gjë; ata po vazhdonin t'i mbronin këto ligje edhe përtej kohës kur populli i pat pranuar ato pa rënkuar; tani ata po i mbanin këto ligje në këmbë kundër dëshirës së njerëzve. Eupatridët e kësaj epoke ishin, ndoshta, zotërinj më pak të ashpër se të parët e tyre; e megjithatë, ata do të urreheshin më shumë.
Madje, duket se nën sundimin e kësaj aristokracie, gjendja e klasës së ulët u përmirësua. Shohim qartë se pikërisht atëherë, kjo klasë arrin të marrë në zotërimin e saj ngastra toke përkundrejt kushtit të vetëm të derdhjes së një haraçi, i cili përbënte një të gjashtën e të korrave. Tani, këta njerëz, thuajse të çliruar, kishin një banesë dhe duke mos qenë më nën vështrimin e zotërisë së tyre, ata mermin frymë më lirisht dhe punonin për fitimin e tyre.
Por ja që e tillë është natyra njerëzore; kur këta njerëz nisën të shihnin se fati i tyre po përmirësohej, ata nisën të përjetonim akoma më me hidhërim pabarazinë e mbetur. Mosqenia qytetarë dhe mospasja asnjë rol në drejtimin e punëve të qytetit, ishte diçka që ndoshta, ata i prekte jo fort; por të mos kishin të drejtë të bëheshin pronarë të tokës në të cilën ata kishin Jindur dhe do të vdisnin, kjo i prekte shumë më tepër. Le të shtojmë këtu se edhe ajo që ishte e pranueshme në gjendjen në të cilën ndodheshin, nuk ishte ende e qëndrueshme. Nëse ata ishin me të vërtetë posedues të tokës, asnjë ligj formal nuk garantonte posedimin dhe as pavarësinë që rridhte prej tij. Te Plutarku shohim se padroni i vjetër mund të shposedonte shërbyesin e tij; nëse haraçi vjetor nuk paguhej, për çdo Iloj arsyeje, këta njerëz binin sërish në një Iloj skllavërie.
Pra, për një periudhë që përfshinte katër ose pesë breza, Atika do të trazohej nga probleme të rënda. Ishte e pamendueshme që njerëzit e shtresave të ulëta të vazhdonin të qëndronin në këtë pozicion të paqëndrueshëm e të parregullt, ku i kishte shpënë një zhvillim i pandjeshëm; një nga të dyja, ose duke humbur këtë pozicion, ata duhej të binin sërish në lidhjet e klientelës së vrazhdë ose njëherë e mirë, të çliruar, si pasojë e një zhvillimi të ri, ata do të ngjiteshin në rangun e pronarëve të tokës dhe të njerëzve të lirë.
Mund të hamendësojmë të gjithë morinë e përpjekjeve të bujqve, klientëve të lashtë nga njëra anë dhe qëndresën e bërë nga pronari, padroni i lashtë, nga ana tjetër. Kjo nuk ishte një luftë civile; e në këtë kuptim, analet athinase nuk kanë ruajtur as edhe kujtimin më të vogël të ndonjë lufte. Kjo qe vetëm një luftë shtëpiake, brenda çdo lagjeje, brenda çdo shtëpie, nga ati tek i biri.
Duket se këto luftëra kanë pasur fate të ndryshme, në funksion të natyrës së tokës të krahinave të ndryshme të Atikës. Në zonat e ulëta, atje ku gjendej prona e eupatridit dhe ku ai ishte gjithnjë i pranishëm, autoriteti i tij mbi grupin e vogël të shërbyesve, që ishin gjithnjë nën vështrimin e tij, u ruajt pak a shumë i paprekur; kësisoj, pedianët, u treguan në përgjithësi, më besnikë ndaj regjimit të vjetër. Por ata që punonin në shpatet e maleve, diakritët, që ndodheshin më larg zotëve të tyre, të mësuar më tepër me jetën e pavarur, më të guximshëm e më kurajozë, ngërthenin në shpirtin e tyre një urrejtje të madhe ndaj eupatridit dhe ishin të vendosur të çliroheshin. Ishin kryesisht këta njerëz, që indinjoheshin më shumë tek shihnin mbi fushë "sinorin e shenjtë" të padronit dhe ndienin "tokën e tyre skllave." Për sa u përket banorëve të zonave që lageshin nga deti, paralianët, pronësia mbi tokën ata i tundonte më pak; përpara tyre shtrihej deti, tregtia dhe zejet. Shumë syresh mes tyre ishin pasuruar dhe duke u pasuruar ata kishin fituar disi lirinë. Pra ata nuk bashkëndanin lakminë e zjarrtë të diakritëve dhe nuk ushqenin ndonjë urrejtje të madhe ndaj eupatridëve. Por nga ana tjetër, ata nuk kishin as nënshtrimin e trembur të pedianëve; ata kërkonin më tepër stabilitet në kushtet e jetesës së tyre si dhe garantimin më të mirë të të drejtave të tyre.
Ai që do t'i kënaqte më mirë, brenda mundësive, të gjitha këto dëshira, do të ishte Soloni. Një pjesë e veprës së këtij ligjvënësi, të cilën të lashtët e sjellin deri te ne në një mënyrë jo fort të plotë, ekziston dhe duket se ajo përbën edhe pjesën kryesore të saj. Para Solonit, banorët e Atikës vazhdonin të zotëronin ende të pasigurt tokën e madje ata mund të binin në çdo çast nën robërinë e të zotit. Pas tij, kjo klasë e madhe njerëzish nuk ndeshet më; nuk shohim më as bujq qiraxhinj që duhej të paguanin haraçin, as "tokën skllave", ndërkohë që e drejta e pronësisë është e hapur për të gjithë. Ndryshimi i pësuar është tejet i madh dhe autor i këtij ndryshimi nuk mund të ishte tjetër njeri veç Solonit.
Në rast se do t'u përmbaheshim fjalëve të Plutarkut, Soloni nuk ka bërë gjë tjetër veçse zbuti legjislacionin në fuqi lidhur me borxhet, duke i hequr huadhënësit të drejtën për të skllavëruar borxhliun. Por duhet të shohim më me kujdes atë që na thotë ky autor, i cili ka jetuar shumë vonë pas kësaj epoke, lidhur me borxhet që tronditën qytezën athinase dhe të gjitha qytetet e Greqisë dhe Italisë. Vështirë të besohet se përpara Solonit ka pasur në qarkullim një masë të tillë paraje, e aftë të mundësonte ekzistencën e një numri kaq të madh huadhënësish dhe huamarrësish. Le të mos i gjykojmë ato kohëra sipas atyre që nuk i kanë jetuar ato. Në ato kohë, tregtia ishte shumë e kufizuar; shkëmbimi i kredive ishte i panjohur dhe huazimet duhet të kenë qenë shumë të rralla. Cilat ishin garancitë, që i lejonin huamarrësit, që nuk zotëronte gjë, të huazonte para? Në asnjë shoqëri nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston zakoni për t'i huazuar atij që nuk ka asgjë. Është e vërtetë se thuhet, nëse do t'i besonim më shumë përkthyesit të Plutarkut sesa vetë atij, që huamarrësi hipotekonte ngastrën e vet. Por edhe po të hamendësojmë se kjo ngastër toke ishte pronë e tij, ai nuk mund ta ofronte atë si garanci; pasi në atë kohë, sistemi i hipotekës ende nuk njihej dhe binte ndesh me natyrën e të drejtës së pronësisë. Te borxhet e tyre, për të cilat Plutarku bën fjalë, duhet të shohim detyrimin vjetor që ata duhet t'u paguajnë zotëve të tyre të dikurshëm; ndërsa në skllavërinë ku ata bien në rast se nuk paguajnë, duhet të shohim klientelën e dikurshme që sërish i gllabëron.
Soloni eliminoi, ndoshta, detyrimin për të paguar, ose, me shumë të ngjarë, ai uli shifrën që duhej të shlyhej aq shumë, saqë u bë e mundur një riblerje më e lehtë; më pas, ai do të shtonte se në të ardhmen, mospagimi nuk e hidhte më njeriun në skllavëri.
Ai do të bënte edhe më. Përpara tij, klientët e lashtë, të shndërruar tanimë në posedues ngastrash, nuk mund të ishin pronarë të tyre: kjo për faktin se në tokën e tyre gjendej gjithnjë sinori i shenjtë dhe i pacenueshëm i zotërisë së dikurshëm. Për të çliruar tokën dhe kultivuesin e saj, ishte e nevojshme që ky sinor të zhdukej. Soloni e përmbysi atë: dëshminë e kësaj reforme të madhe e gjejmë në disa vargje të vetë Solonit: "Ishte një vepër që nuk pritej, thotë ai; unë e përmbusha me ndihmën e perëndive. Dëshmitare e kësaj është perëndia mëmë, Toka e zezë, prej së cilës sinorët largova, toka dikur skllave dhe tani e lirë." Me këto veprime, Soloni kishte kryer një revolucion të jashtëzakonshëm. Ai kishte flakur tej besimin e lashtë mbi pronësinë, i cili, në emër të perëndisë Terme të pandryshueshme, mbante tokën në duart e një grushti të vogël njerëzish. Ai kishte shkëputur tokën nga feja, për t'ia dhënë atë punës. Ai kishte eliminuar, krahas autoritetit të eupatridit mbi tokën, edhe autoritetin e tij mbi njeriun dhe në vargjet e tij tani ai mund të thoshte: "Atyre që mbi këtë tokë pësonin skllavërinë mizore dhe dridheshin përpara zotërisë së tyre, unë u dhashë lirinë."
Është e mundur që ka qenë pikërisht ky çlirim, ai të cilin bashkëkohësit e Solonit e quajtën (hedhja e barrës). Brezat e mëvonshëm, që tashmë të mësuar me lirinë nuk donin ose nuk mund të besonin se etërit e tyre kishin qenë bujkrobër-skllevër, e shpjeguan këtë fjalë vetëm si heqje e borxheve. Por në këtë drejtim, ekziston një energji që na zbulon ekzistencën e një revolucioni më të thellë. Le të shtojmë këtu edhe një frazë të Aristotelit, i cili, pa hyrë në rrëfimin e veprës së Solonit, thjesht thotë: " Ai i dha fund skllavërisë së popullit."
Kjo luftë mes klientëve dhe zotëve të tyre, ka mbushur një periudhë të gjatë të ekzistencës së Romës. Në të vërtetë, rreth këtij fakti, Tit-Livi nuk thotë asgjë, sepse ai nuk e ka zakon të vëzhgojë nga afër ndryshimet e pësuara nga institucionet; nga ana tjetër, as analet e kryepriftërinjve dhe të tjera dokumente të ngjashme me to, prej ku nxirrnin dokumentacionin e vet historianët e lashtë, të cilëve u referohet Tit-Livi, nuk japin asnjë rrëfenjë rreth këtyre luftërave të brendshme.
Të paktën, një gjë është e sigurt. Në fillimet e Romës, ka pasur klientë; nga kjo gjë kanë mbetur dëshmi shumë të sakta rreth varësisë në të cilën mbaheshin ata nga padronët e tyre. Por nëse do t'i kërkojmë ata disa shekuj më vonë, nuk do t'i gjejmë më. Emri i tyre vazhdon të ekzistojë ende sot e kësaj ditë, por jo klientela. Sepse nuk ka gjë më të ndryshme nga ata klientë të epokës primitive krahasuar me plebenjtë e kohës së Ciceronit, të cilët vetëquheshin klientë, për të përfituar sportulën.
Por ekziston dikush që ngjan më tepër me klientin e lashtë dhe ky është njeriu i çliruar. Si në fund të periudhës së republikës ashtu edhe në fillimet e Romës, njeriu që doli nga robëria, nuk u bë menjëherë njeri i lirë, me të drejtat e qytetarit. Ai vazhdon të jetë i nënshtruar ndaj të zotit të vet. Dikur ai quhej klient, tani ai quhet njeri i çliruar; ka ndryshuar vetëm emri. Për sa i përket zotërisë, emri i tij nuk ndryshon; dikur ai quhej patron; klienti i detyrohet atij jo vetëm mirënjohje, por edhe një shërbim të vërtetë, masën e të cilit e cakton vetëm patroni. Patroni gëzon të drejtën të japë drejtësinë për të çliruarin e tij, njëlloj sikurse e kishte atë edhe kur ishte klient; ai mund ta rikthejë atë sërish në gjendjen e skllavërisë, në rast se kryen krimin e mosmirënjohjes. Pra, i çliruari na kujton saktësisht klientin e dikurshëm. Mes tyre ka vetëm një ndryshim: dikur klientela ishte e trashëgueshme nga ati tek i biri; tani gjendja e të çliruarit resht së ekzistuari në brezin e dytë ose të tretë. Kësisoj, klientela nuk është zhdukur; ajo vazhdon ta mbajë njeriun lidhur edhe në çastin kur robëria largohet prej tij; vetëm se ajo nuk është më e trashëgueshme. Tashmë edhe kjo përbën një ndryshim të konsiderueshëm; se kur ka ndodhur kjo, e pamundur të thuhet.
Ne mund të dallojmë qartë zbutjet e njëpasnjëshme që pësoi fati i klientit si dhe hapat përmes të cilëve ai arriti të gëzonte të drejtën e pronës. Fillimisht, prijësi i gens-it i jepte atij një ngastër toke për kultivim. Nuk do të vonojë dhe ai do të kthehet në zotërues rentier të kësaj ngastre, nëse i shlyen të gjitha shpenzimet që i detyrohet të zotit të tij të dikurshëm. Urdhëresat tejet të rënda të ligjit të vjetër, të cilat e detyronin atë të shlyente detyrimet ndaj padronit të vet, të paguante për prikën e të bijës së tij ose për shlyerjen e gjobave të ndryshme gjyqësore që ai kishte, provojnë, të paktën, se në kohën e shkrimit të këtij ligji, ai mund të zotëronte tokë ose gjë të gjallë. Më pas, klienti do të hidhte edhe një hap tjetër: ai fiton të drejtën, që në çastin e vdekjes t'i linte gjithçka që zotëronte të birit të vet; është e vërtetë se në rast se ai nuk kishte djalë, malli dhe gjëja e zotëruar prej tij i kalonin ende krejtësisht padronit. Por ja edhe një zhvillim i ri: klienti që nuk ka lënë djalë, fiton të drejtën për të bërë testament. Në këtë pikë, zakoni është luhatës dhe i ndryshëm; herë padroni rimerr gjysmën e mallit, herë vullneti i trashëgimlënësit respektohet plotësisht; sidoqoftë, testamenti i tij nuk është kurrë i pavlefshëm. Kështu, klienti, edhe pse nuk mund të quhet ende pronar, të paktën gëzon një të drejtë që shtrihet aq sa është e mundur.
Pa dyshim, ky nuk përbën çlirimin e plotë. Por asnjë dokument nuk na jep mundësinë të përcaktojmë epokën, kur klientët janë shkëputur përfundimisht nga familjet patrice. Ekzistojnë shumë tekste të Tit-Livit, të cilat, në rast se shihen fjalë për fjalë, tregojnë se, që nga vitet e para të republikës, klientët ishin qytetarë. Me shumë gjasa ata ishin të tillë qysh nga koha e mbretit Servius; ndoshta ata votonin në kuvendet e kurive që nga fillimet e Romës. Por prej këtu nuk mund të arrihet në përfundimin se ata ishin tërësisht të çliruar që nga kjo kohë; është e mundur që patricët të kenë pasur interes t'u jepnin klientëve të tyre të drejtat politike dhe të drejtën për të votuar në kuvende, por, gjithsesi, pa u njohur atyre të drejtat civile, pra të drejtat që i çlironin ata nga autoriteti i tyre.
Nuk duket se revolucioni që çliroi klientët në Romë të ketë përfunduar me një goditje të vetme si në Athinë. Ai u krye shumë ngadalë, pa u vënë re, pa u shenjtëruar asnjëherë prej ndonjë ligji formal. Lidhjet e klientelës u liruan pak nga pak dhe klienti u largua pa u ndier nga padroni i vet.
Mbreti Servius bëri një reformë të madhe në përfitim të klientëve; ai ndryshoi organizimin e ushtrisë. Më parë, ushtria marshonte e ndarë sipas fiseve, kurive dhe genteve; kjo ishte ndarja patrice; çdo prijës gens-i vendosej në krye të klientëve të vet. Serviusi e ndau ushtrinë në centurione; në to gjithkush e merrte rangim sipas pasurisë që zotëronte. Prej këtu do të rezultonte që klienti nuk do të marshonte më në krah të padronit të vet dhe në betejë nuk do të kishte më prijësin e vet, gjë që do t'i mësonte atij zakonin e pavarësisë.
Ky ndryshim do të sillte me vete edhe një ndryshim tjetër lidhur me organizimin e kuvendeve. Dikur, kuvendi ndahej në kuri dhe në gente dhe klienti, në rastet kur ai votonte, votonte nën vështrimin e të zotit të vet. Por, duke qenë se ndarja në centuri u vendos si për ushtrinë ashtu edhe për kuvendet, klienti nuk gjendej më në të njëjtin kuadër me padronin e vet. Vërtet ligji i vjetër e urdhëronte atë të vijonte të votonte njëlloj me të zotin e vet, por si mund të verifikohej votimi i tij?
Ndarja e klientit nga padroni, në çastet më solemne të jetës, në çastet e luftës dhe të votimit, përbënte një hap shumë të madh. Kjo do të shpinte në dobësimin e konsiderueshëm të autoritetit të padronit, të cilit, edhe ai pak autoritet që do t'i mbetej, nisi t'i vihej përherë e më shumë në diskutim. Kur klienti shijoi pavarësinë, ai e deshi atë të plotë. Ai nisi të aspironte të shkëputej nga gens-i dhe të hynte në plebë, ku ai ishte i lirë. Sa raste mund t i paraqiteshin! Gjatë sundimit të mbretërve, ai ishte i sigurt se do të ndihmohej prej tyre, pasi ata nuk kishin synim tjetër veç dobësimit të gens-ve. Në periudhën e republikës, ai mbrohej nga vetë pleba dhe tribunët. Kështu do të çlirohej një numër i madh klientësh dhe gens-i nuk mundi t'i shtinte më në dorë ata. Në vitin 472 para K., numri i klientëve vijonte të ishte ende i konsiderueshëm, pasi pleba ankohej se përmes votimit të klientëve në kuvendet e centurive, këta të fundit kishin bërë që peshorja të anonte në favor të patricëve. Rreth së njëjtës epokë, kur pleba nuk pranoi të bënte pjesë në radhët e ushtrisë, patricët mundën të formonin një ushtri me klientët e tyre. Megjithatë, duket se klientët nuk ishin aq të shumtë në numër sa të kultivonin tokat e patricëve dhe për pasojë këta të fundit qenë të detyruar të huazonin krahun e punës së plebës. Me fort të ngjarë, krijimi i tribunatit, duke u siguruar klientëve të çliruar nga padronët e tyre mbrojtje prej tyre dhe duke e bërë gjendjen e plebenjve më të lakmueshme dhe më të sigurt, e përshpejtoi gradualisht këtë lëvizje drejt çlirimit. Në vitin 372, klientët nuk ekzistonin më dhe Manliusi mund t'i drejtohej plebës me këto fjalë: "Po aq sa ju keni qenë klientë rreth secilit prej padronëve, po aq ju do të jeni tani kundërshtarë ndaj një armiku të vetëm." Duke filluar nga kjo kohë, në historinë e Romës klientët e lashtë, këta njerëz të lidhur pas gens-it në mënyrë të trashëgueshme, nuk hasen më.
Klientela primitive ia lë vendin një klientele të një lloji të ri, një lidhjeje të vullnetshme e thuajse fiktive, e cila nuk mbart më të njëjtat detyrime. Tashmë në Romë, nuk dallohen më tri klasa, ajo e patricëve, klientëve dhe plebenjve. Mbeten vetëm dy, pasi klientët janë shkrirë në gjirin e plebës.
Duket se fisi Marcellus ka qenë një degë shumë e shkëputur nga gens-i Klaudia. Emri i tyre ishte Klaudius; por, meqenëse pjesëtarët e këtij fisi nuk ishin patricë, ata kishin bërë pjesë në këtë gens vetëm si klientë. Të lirë që herët, të pasuruar përmes mjetesh që për ne janë të panjohura, fillimisht ata u ngritën në rangun e plebës, e më pas në atë të qytezës. Gjatë shumë shekujsh, gens-i Klaudia duket se i harroi të drejtat e veta mbi ta. Por një ditë, në kohën e Ciceronit, befas ai u kujtua. Një njeri, i çliruar ose klient i Marcellius-it, kishte vdekur dhe kishte lënë pas një trashëgimi, e cila, sipas ligjit, duhej t'i kalonte padronit. Patricët Klaudius ngritën pretendimin se Marcellius-ët, duke qenë se ishin vetë klientë, nuk mund të kishin klientë, ndaj njerëzit e çliruar prej tyre, duhej të binin, bashkë me trashëgiminë, në duart e gens-it patric, i vetmi i aftë të ushtronte të drejtat e patronatit. Ky proces e habiti së tepërmi publikun dhe krijoi shqetësim për juriskonsultët: madje kjo çështje rezultoi tepër e errët edhe për vetë Ciceronin. Ndoshta ajo nuk do të kishte qenë e tillë katër shekuj më parë dhe fisi Klaudius mund ta kishte fituar çështjen. Por në kohën e Ciceronit, e drejta mbi të cilën ngrihej padia e këtij fisi ishte aq e lashtë, saqë ajo ishte harruar dhe gjykata i dha të drejtë fisit Marcellius. Klientela e dikurshme nuk ekzistonte më.