Kodra me kuotë 101 e Apolonisë ka qenë fortifikuar në shek.V p.Kr. me një mur prej blloqesh katër -këndëshe. Rrafshi i sipërm i kodrës ka shërbyer edhe për vendosjen e faltoreve, siç e dëshmojnë gjetja e kushtimeve për Zeusin dhe Artemisin. Hyrja e vetme për në akropol gjendet në anën jugore dhe ka formën e propileve me një korridor të gjerë dhe pamje monumentale. Akropoli nuk e kishte humbur funksionin mbrojtës edhe në periudhën e Cezarit që e quan akropolin me fjalën latine arx(Caes.B.civ.III,12,l).
I cilësuar si monumenti më i madh e më i ruajtur i Apolonisë, nymfeu shtrihet në një sipërfaqe pothuaj 1500 m2 në shpatin veriperëndimor të kodrës, në pjerrësi 350. Në pjesën më të lartë të tij një rrjet kanalesh mblidhnin ujërat e burimeve dhe i përcillnin në një depozitë qëndrore. Kjo e fundit ka qenë trajtuar në formën e një godine monumentale me një basen katërkëndësh të ndarë në dy pjesë, ku e para shërbente për kullimin e ujërave dhe e dyta për mbushje. Një kolonadë dorike me lartësi 2,40 m zbukuronte fasadën e ndërtesës, duke mbajtur njëkohësisht edhe presionin e ujit mbi ortostatet prapa saj.
Ndërtimi i nymfeut mund të vendoset krahas atij të murit jugor të temenosit rreth mesit të shek. III p.Kr. Një shekull më vonë monumenti u shkatërrua nga një shkarje masive dheu. Fasada e monumentit u restaurua menjëherë pas zbulimit nga K. Zheku, ndërsa një pjesë e mureve të basenit dhe kanaleve nga G. Pani.