Sipas Dionisit të Halikarnasit “Enea dhe shpura tij shkuan (nga Aktiumi) në Ambraki.. Gjurmët e tia në Ambraki ruhen në dy vende... në një tempull të perëndeshës (Afërdita) dhe në një shtatore të Eneas afër teatrit të vogël” (Dion. Hal 1. 50). Si i tillë fragmenti dëshmon drejtpërdrejt praninë e teatrit të vogël dhe tërthorazi të teatrit të madh.
Teatri i vogël ndodhet në qendër të Ambrakisë, 100 m larg tempullit të Apollonit. Teatri nuk është ndërtuar si zakonisht në shpat, por mbi mbushjen mbi një banjë luksoze të fundit shek V p.e.s., me dysheme me mozaik me motive mitologjike. Teatri përbëhet nga shkallarja gjysmërrethore me diametër të jashtëm 18.5 m, të brendshëm 6.7 m dhe lartësi rreth 3 m. Shkallarja ka 7 rreshta të thjeshtë (Eretria 3, 40 x 40 cm), të përbërë nga blloqet e ndenjjes dhe pllaka e mbështetjes së këmbëve. Shkallarja përshkohet nga dy shkallë (0.76 m), të cilat e ndajnë në 3 pyka (kerkides). Mbi stilobatin 10 metërsh të ballit të palkut (proskeniori), mbështeteshin 6 gjysmëkolona jonike. Duke i shtuar atyre epistilin, balli i palkut rezulton 2.4 m i lartë. Stili dhe skema arkitektonike e datojnë teatrin në periudhën e mbretërisë së Pirros. Rëndësinë e tij në jetën shoqërore të qytetit e dëshmon pozita qendrore dhe sakrifikimi i banjës luksoze për ndërtimin e tij. Përmasat tregojnë për një kapacitet të kufizuar rreth 300 vetë. Si i tillë ai nuk është teatër i mirëfilltë, por vend mbledhjesh politike, e shumta një odeon, që ad litteram do të thotë vend për të kënduar.Nëse do ta pranonim si vend mbledhjesh politike, më për shtat do t’i shkonte buleja, këshilli qytetar, normalisht me 3/400 anëtarë. Mosdiferencimi i rreshtit të parë nga rreshtat e tjerë, e tregojnë organ kolegjial, me të drejta të barabarta. Katër teatro të tjerë hamendësohen në Klimatia, Lutro (Argos Amphilokion), Elimokastron dhe Arpitsa.