Ana tjetër e historisë

Ana tjetër e historisë

A është e pamundur të ketë një anë tjetër të historisë? Provat e detajuara që ne kemi nga lapsi i Ciceros apo këndvështrimi i tij, nënkupton se perspektiva e tij do të jetë gjithmonë dominuese. Por nuk do të thotë domosdoshmërish se kjo është historia e vërtetë në çdo kuptim të thjeshtë ose që është mënyra e vetme se si mund të shihen gjërat. Ne kemi vrarë mendjen përgjatë shekujve se sa i ngarkuar është rrëfimi që na ofron Cicero dhe kemi dalluar disa këndvështrime e interpretime alternative pak poshtë sipërfaqes së versionit të tij të ngjarjeve. Vetë Salusti e sugjeron diçka të tillë. Sepse, megjithëse raporti i tij bazohet shumë te shkrimet e Ciceros, duke transferuar të famshmen ‘Quo usque tandem’ nga goja e Ciceros tek ajo e Katilinës, ai mund të ishte duke rikujtuar lexuesit e tij se faktet dhe interpretimi i tyre qenë, në rastin më të mirë, fluide.

Një pyetje e dukshme është nëse fjalimi që ne njohim si Katilinariani i Parë është ajo që me të vërtetë Cicero tha para mbledhjes së senatorëve në Tempullin e Jupiterit më 8 nëntor. Është e vështirë të mendosh se ai është një falsifikim në tërësi. E si mund t’ia hidhte ai duke qarkulluar një version që nuk kishte lidhje me atë që tha me të vërtetë? Por pothuajse e sigurt është gjithashtu që kjo që kemi nuk është një transkript fjalë për fjalë. Nëse ai foli duke lexuar shënimet dhe ato që qenë ekuivalenti i lashtë i pikave të diskutimit, atëherë teksti që ne kemi supozohet se gjendet diku mes asaj që ai mbante mend se kishte thënë dhe asaj që do të kishte pëlqyer të thoshte. Edhe nëse po lexonte nga një tekst pothuajse përfundimtar, kur qarkulloi fjalimin te miqtë, ortakët dhe ata që dëshironte t’i impresiononte, është thuajse e sigurt se ai duhet ta ketë përmirësuar atë disi, duke sistemuar disa pjesë të dobëta dhe duke vendosur disa fjalë më të mençura, të cilat mund të mos i kenë ardhur gjatë fjalimit ose mund t’i kenë dalë nga mendja.

Shumë gjëra varen edhe nga fakti se kur fjalimi u vu në qarkullim dhe pse! Ne e dimë nga letrat e tij për Atikusin se Cicero organizoi kopjimin e Katilinarianit të Parë në qershor të vitit 60 p.e.s., kur ai duhet të ketë qenë shumë i vetëdijshëm mbi polemikat e shkaktuara nga ekzekutimi i <komplotistëve> prej tij, polemika që nuk pritej të kalonin shpejt. Duhet të ketë qenë joshëse dhe e leverdishme për Ciceron përdorimi i tekstit të shkruar të fjalimit në mbrojtje të vetvetes, edhe nëse kjo nënkuptonte nevojën për ndonjë ndryshim apo plotësim strategjik. Në fakt, referimet e përsëritura te versioni që ne kemi, ndaj Katilinës, a thua se ai ishte një armik i huaj (në latinisht hostis) mund të jetë në përputhje me një nga mënyrat se si Cicero iu përgjigj kundërshtarëve të tij: duke iu referuar komplotistëve si armiq të shtetit, ai nënkuptonte se ata nuk meritonin mbrojtjen e ligjit romak; ata patën humbur të drejtat e tyre civile (përfshirë të drejtën për një gjykim të rregullt). Natyrisht, kjo mund të ketë qenë sakaq lajtmotivi i versionit oral të fjalimit të mbajtur më 8 nëntor. Ne thjesht nuk e dimë. Por termi duket se mori rëndësi shumë më të madhe dhe unë dyshoj shumë se këtij termi iu dha një theksim shumë më i madh në versionin e shkruar të fjalimit.

Këto pyetje na shtyjnë të kërkojmë më fort për versione të ndryshme të historisë. Harrojeni perspektivën e Ciceros, a është e mundur të marrim ndonjë ide se si mund ta kenë parë ngjarjen Katilina dhe mbështetësit e tij? Fjalët dhe këndvështrimet e Ciceros tashmë dominojnë provat e asaj kohe për shekullin e parë p.e.s. Por, gjithsesi, ia vlen të tentojmë të lexojmë versionin e tij ose çdo version të historisë së Romës, në kundërrymë, duke vlerësuar veçmas të çarat e vogla në këtë histori, duke mbërthyer prova të tjera, të pavarura që ne kemi dhe duke pyetur nëse vëzhguesit mund t’i kenë parë gjërat ndryshe. A qenë me të vërtetë ata keqbërës aq monstruozë sa i përshkroi Cicero? Në këtë rast, kemi pak informacion, aq sa për të ngritur disa dyshime mbi atë që po ndodhte me të vërtetë.

Cicero e paraqet Katilinën si një i dëshpëruar me borxhe të tmerrshme bixhozi, të cilat qenë tërësisht për shkak të defekteve të tij morale. Por situata nuk mund të ketë qenë kaq e thjeshtë. Ka pasur njëfarëlloj krize krediti në Romë në vitin 63 p.e.s., dhe më shumë probleme ekonomike e shoqërore nga sa Cicero tregohet i gatshëm të pranojë. Një arritje tjetër e “konsullatës së tij madhështore” ishte rrëzimi i një propozimi për të shpërndarë tokë në Itali për disa nga të varfrit e qytetit. Që ta themi në një mënyrë tjetër, nëse Katilina u soll si i dëshpëruar, ai duhet të ketë pasur një arsye të fortë për këtë, si dhe mbështetjen e shumë njerëzve të zakonshëm të shtyrë drejt veprimeve të dëshpëruara nga probleme të ngjashme.

Si mund ta themi këtë? Është më e vështirë të rindërtosh ekonominë sesa politikën dy mijë vjet të shkuara, por ne kemi disa detaje të papritura. Evidencat e monedhave të mbijetuara nga kjo periudhë janë veçanërisht domethënëse, si për kushtet e kohës ashtu edhe për aftësinë e historianëve modernë dhe arkeologëve për të shtrydhur materialin që ata kanë në mënyra gjeniale. Monedhat romake shpesh mund të datohen në mënyrë precize, për shkak se gjatë kësaj periudhe ato dizajnoheshin çdo vit të reja dhe ‘firmoseshin nga zyrtarët e përvitshëm që qenë përgjegjës për emetimin e tyre. Ato shtypeshin duke përdorur një seri kllapash të prodhuara me dorë (apo stampash), dallimet e vockla të të cilave në detaje janë ende të dukshme në monedhat përfundimtare. Ne mund të llogarisim përafërsisht se sa shumë monedha mund të stamponte një kllapë (para se ajo të topitej aq sa të mos prodhonte dot një pamje të qartë), dhe nëse ne kemi një kampion mjaftueshëm të madh të monedhave mund të vlerësojmë me përafërsi se sa shumë kllapa janë përdorur për shtypjen e një emisioni të vetëm. Nga kjo mund të krijojmë një ide të përafërt e të gatshme sesa monedha prodhoheshin çdo vit: më shumë kllapa, më shumë monedha dhe anasjelltas.

Sipas këtyre llogaritjeve, numri i monedhave që po prodhoheshin në fund të viteve 60 p.e.s. ka rënë aq fort sa kishte në tërësi më pak monedha në qarkullim nga sa kishte pasur pak vite më parë. Arsyet për këtë janë të panjohura. Si shumica e shteteve para shekullit të tetëmbëdhjetë apo më vonë, Roma nuk kishte politikë monetare dhe as institucione financiare, në të cilat mund të zhvillohet një lloj politike monetare. Por pasojat e mundshme janë të qarta. Pavarësisht nëse ai luajti pa mbarim bixhoz pasurinë e tij apo jo; Katilina - dhe shumë të tjerë - mund të kenë qenë keq për para; ata që ishin sakaq në borxhe duhet të jenë përballur me kreditorët, të cilët, në vështirësi për para për vete, duhet të kenë kërkuar kreditë e tyre.

  1. Kjo monedhë argjendi u prodhua në vitin 63 p.e.s.; dizajn i saj tregon një nga t qytetarët e Romës duke votuar një ligj dhe duke hedhur një tabelë votimi në një ' shtambë për numërim. Dallimet në detaje mes dy versioneve ilustrojnë dallimet në kllapat e stampimit. Emri i zyrtarit përgjegjës për shtypjen e monedhave atë vit, Longinus, është shtypur gjithashtu në monedhë.

Të gjitha këto qenë dhe përveç faktorëve të tjerë afatgjatë, duhet t’u kenë dhënë të përulurve dhe varfanjakëve në Romë një incentivë për të protestuar apo për t’u bashkuar me ata që premtuan ndryshime radikale. Një pabarazi të stërmadhe në pasuri kishte mes të pasurve dhe të varfërve, kushte jetese mjerane për shumicën e popullsisë dhe ndoshta për shumicën e kohës, uri të vazhdueshme ose vdekje urie. Pavarësisht përshkrimit injorues që Cicero i jep simpatizantëve të Katilinës si të paskrupuj, gangsterë dhe të rrënuar, logjika e disa prej shkrimeve të tij, si dhe të shkrimeve të Salustit, sugjeron një situatë tjetër. Ato ose deklarojnë, ose nënkuptojnë se mbështetja për Katilinën avulloi kur u raportua se ai synonte të digjte qytetin. Nëse kjo është e vërtetë, ne nuk kemi të bëjmë me të varfër të këputur tërësisht të pashpresë me asgjë për të humbur - dhe gjithçka për të fituar - nga përmbysja totale. Ka më tepër gjasa që mbështetësit e tij përfshinin edhe të varfrit e përulur e të përvuajtur që ende kishin një interes për mbijetesën e qytetit.

Cicero, në mënyrë të pashmangshme, kishte një interes për ta fryrë rrezikun që përbënte Katilina. Pavarësisht suksesit të tij politik, ai kishte një pozicion të vështirë në majë të shoqërisë romake, mes familjeve aristokrate, të cilat, njësoj si Katilina, pretendonin një prejardhje drejtpërsëdrejti nga themeluesit e qytetit, e madje edhe nga zotat. Familja e Jul Cezarit, për shembull, ishte krenare me prejardhjen e pretenduar nga perëndesha Venus; një tjetër, dhe në mënyrë më interesante, pretendonte prejardhje nga Pasifae mitike, bashkëshortja e Mbretit Minos, çiftimi i jashtëzakonshëm i të cilit me një dem prodhoi monstrën Minotaur. Në mënyrë që të siguronte pozicionin e tij në këto qarqe, Cicero pa dyshim po përpiqej të linte një bëmë gjatë vitit të tij si konsull. Një fitore mbresëlënëse ushtarake kundër një armiku barbar do të ishte ideale, dhe ajo për të cilën ëndërronin shumica e romakëve. Roma ishte gjithmonë një shtet luftarak dhe fitorja në luftë qe rruga më e sigurt drejt lavdisë. Cicero, gjithsesi, nuk ishte një ushtar: ai kishte fituar famë nëpër gjykata, jo duke udhëhequr ushtrinë e tij kundër të huajve të rrezikshëm dhe të pafat. Ai kishte nevojë ‘të shpëtonte shtetin’ në ndonjë mënyrë tjetër.

  1. Ky gur varri romak nga shekulli i katërt i e.s. ilustron një mënyrë të thjeshtë për shtypjen e një monedhe. Monedha e bardhë vendoset mes dy kllapave, të cilat gjenden mbi një kudhër. Njeriu në të majtë po i jep një goditje të fortë këtij ‘sanduiçi’ me çekiç për të shtypur dizajnin mbi monedhë. Siç sugjeron masha në duart e ndihmësit në të djathtë, monedha e bardhë ishte nxehur për ta bërë më të lehtë shtypjen.

Disa komentues romakë vërejtën se kriza luajti shumë mirë në avantazh të Ciceros. Një pamflet anonim, që sulmonte Ciceron përgjatë të gjithë karrierës dhe që është ruajtur për shkak se dikur besohej, dhe gabimisht, se ishte shkruar nga dora e Salustit, deklaron në mënyrë të hapur se ai ‘i ktheu telashet e shtetit në lavdinë e vet personale’, duke shkuar deri aty sa pretendoi se konsullata e tij ishte ‘shkaku i komplotit’ dhe jo zgjidhja. Që ta themi hapur, një pyetje bazë për ne të gjithë është jo nëse Cicero e ekzagjeroi rrezikun e komplotit, por sa shumë e ekzagjeroi.

Skeptikët modernë më të vendosur e kanë konsideruar të gjithë komplotin jo më shumë sesa thjesht imagjinatë e Ciceros - gjë që do të thotë se personi që pretendoi se ishte ‘koleksionist armësh’ qe ekzaktësisht i tillë, letrat inkriminuese qenë falsifikime, delegacioni i galëve qe tërësisht vegël e konsullit dhe tentativat e përfolura për vrasje qenë shpikje paranojake. Një këndvështrim i tillë radikal duket i pagjasë. Në fond të fondit, pati një betejë të drejtpërdrejtë mes mbështetësve të Katilinës dhe legjioneve romake, gjë që vështirë se mund të hidhet poshtë si fantazi. Ka shumë më tepër gjasa që, cilado qofshin motivet fillestare të Katilinës - si radikal largpamës apo terrorist pa parime - ai u shty pjesërisht në veprime ekstreme nga oreksi i konsullit për një luftë dhe prirja për lavdinë e vet personale. Cicero mundet edhe ta ketë bindur veten, pavarësisht se çfarë provash kishte, se Katflina ishte një kërcënim serioz për sigurinë e Romës. Kjo, siç e dimë nga shumë shembuj të kohës sonë, është mënyra se si paranoja politike dhe vetinteresi fonksionon zakonisht. Ne nuk do të jemi kurrë të sigurt për këtë. ‘Komploti’ do të jetë gjithmonë një shembull kryesor i dilemës interpretuese klasike: a kishte me të vërtetë ‘të kuq nën krevat’ apo ajo ishte një krizë, së paku pjesërisht e sajuar nga konservatorët? Kjo duhet të shërbejë edhe si një rikujtesë se në historinë e Romës, si dhe kudo gjetkë, ne duhet gjithmonë të jemi të vëmendshëm për anën tjetër të historisë - gjë që është pjesë e arsyes për shkrimin e SPQR.

info@balkancultureheritage.com