Antigonea
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Antigonea

Antigoneia ndodhet në mes të Luginës së Drinos, në anën e djathtë të rrjedhjes së lumit, përballë Gjirokastrës. Para saj lugina zgjerohet në fushën e gjerë, të njohur në antikitet me emrin Fusha e Antigonesë (Liv. XXIII 1.6). Para qytetit, po nga ana e djathtë e lumit, kalonte arteri kryesor Iliri- Epir (Liv 43.21.4, T.P.570-571).

Pozita në qendër të luginës, ndërmjet qafave e kalimeve për në të, dhe rajoneve kryesore bujqësore të trevës i jepnin Antigonesë mundësinë të kordinonte veprimet mbrojtëse ushtarake dhe të administronte ekonomikisht trevën duke shërbyer si qendër kryesore shkëmbimi për luginën. Këtë e dëshmon dhe sipërfaqja mjaft më e madhe se e qyteteve të tjera dhe potenciali i lartë ekonomi

Historia

Antigonea është qyteti i dytë i rëndësishëm i Kaonisë, pas Foinikes. Ajo ndodhet në Jermë pranë fshatit Saraqinisht, pesë kilometra në vijë ajrore në lindje të Gjirokastrës, mbi bregun e djathtë të lumit Drino. Lokalizimi i saj është fiksuar që me gërmimet e drejtuara nga Dh. Budina. Stefan Bizantini, 5. v. Antigoneia e quan atë me të drejtë “qytet i Kaonisë në Epir”. Qyteti e ka marrë emrin nga gruaja e parë e mbretit Pirro, Antigonea, që ishte vajzë me një martesë të parë me mbretëreshën Berenike, që u martua pastaj me Ptolemeun e I. Ajo vdes shumë shpejt pas lindjes së të birit Ptolemeut; që nga viti 295 Pimia martohet përsëri me Lanasën, e bija e Agathokliut të Sirakuzës. Domethënë Pirrua i dha emrin e gruas së vet këtij qyteti të Kaonisë, në periudhën e viteve 297-295, gjë që lë të kuptohet që kaonët që nga kjo datë janë futur në mbretërinë e Ajakidëve. Nuk mund të thuhet se është fjala për një krijim ex nihilo ; Pirrua i ka dhënë emrin e gruas së vet një qyteti që duhet të ketë patur ekzistuar më parë dhe që mori kështu një emër të ri. Ky qytet zotëron pellgun e Drinos, sikurse zotëron Foinikja pellgun e Bistricës ; organizimi i hapësirës, në këtë pellg të Dropullit, paraqet më së miri karakteristikat e polisit grek : vendbanim qytetar, territor bujqësor, fortifikime në periferinë e horës, për të kontrolluar luginat që lejojnë të hyet në territorin e vet: në veri, mbi fauces antigonenses, domethënë grykat e Drinos përpara bashkimit të tij me Aoosin, është kalaja e Leklit ; në lindje, në luginën që të çon në livadhet e Zagorisë, ajo e Labovës; në jug, së fundi, kalaja e Selos. Por Antigonea, sikurse Foinikja, nuk është shkëputur asnjëherë nga koinoni i kaonëve për t’u bërë një qytet-shtet sipas modelit të Greqisë qendrore.

Në përshkrimin e luftrave të ndryshme të viteve 230-167, Antigonea është përmendur shpesh nga autorët e lashtë. Është rasti, së pari, në momentin e marrjes së Foinikes nga ilirët me ndihmën e keltëve në gamizonin e qytetit : përforcimet ilire, të drejtuara nga Skerdilaidi kalojnë nga ngushtica e Antigonesë, domethënë nga grykat e Drinos, pikërisht në shpat të vetë qytetit, dhe ndjekin luginën e Kardhiqit nëpërmjet qafes së Skarficës për të mbërritur në pellgun e Bistricës dhe në qytetin e Foinikes (Polibi II, 5, 6). Trupat epirote dërgojnë atëherë një detashment për të mbrojtur Antigonenë, ndërsa pjesa më e madhe e ushtrisë mbrrin në pellgun e Bistricës për t’u përpjekur t’i përzëjë ilirët që kanë mundur të marrin Foiniken. Kur ilirët vendosin ta lënë qytetin, një pjesë u nisën nëpërmjet detit duke marrë me vete një plaçkë të madhe, ndërsa të tjerët të udhëhequr nga Skerdilaidi rimarrin të njëjtën rrugë nga erdhën: ata kalojnë përsëri nëpërmjet grykave të Drinos, shumë më në veri të qytetit të Antigonesë, që i shpëtoi kështu plaçkitjes.

Antigonea u përball përsëri me luftë, më 169, gjatë luftës së tretë të Maqedonisë. Në këtë datë, koinoni i epirotëve ndahet në dy pjesë: Karopsi i Ri dhe Kaonia morën anën e romakëve, ndërsa molosët mbeten në aleancën maqedone. Lufta zhvillohet pjesërisht në truallin epirot : Apius Klaudi provoi të merrte Fanoten, në luginën e Thiamit, e mbrojtur mirë nga një gamizon maqedon i udhëhequr nga Kleuas dhe e përforcuar nga epirotë pro-maqedonas. Romaku ka me vete 6 000 forca ndihmëse kaone dhe tesprote, të dërguara nga ana e Karopsit të Ri (Tit-Livi, XLIII, 21). Pasi i shkaktuan humbje të rënda Apius Klaudit që e hoqi rrethimin e Fanotes, Kleuas dhe disa epirotë të udhëhequr nga Filostrati, një nga shefat e anës molose, kalojnë në territorin e Antigonesë, pra në pellgun e Drinos (Tit-Livi, XLIII, 23): maqedonët nisin plaçkitjet, sepse ky territor kaon mbështet romakët, ndërsa Filostrati u ngre prita ushtarëve që dalin nga Antigonea për të kapur plaçkitësit maqedonë. Filostrati arrin të vrasë njëmijë vete të garnizonit të Antigonesë që dilnin në mënyrë të shkujdesur nga fortifikimet e tyre dhe kapi njëqind robër. Ky përshkrim dëshmon qartë për luftën civile që zhvillohej midis dy fraksioneve epirote. Antigonea është qartësisht në anën e kaonëve, aleatë të Romës, që janë nën tiraninë e Karopsit të Ri. Natyrisht, Antigonea i shpëton plaçkitjes të urdhëmar nga Paul Emili në vitin 167: ky ndëshkim rëndon mbi pjesën e Epirit që ka mbështetur çështjen maqedone dhe aspak mbi Kaoninë e Karopsit të Ri që zgjodhi aleancën me Romën. Rrethimi i gjerë i Antigonesë, që arrin në rreth katër kilometra, nuk u godit, sikurse e shohim, përshembull, në Amotopos, mbi fushën e Artës.

Nën Perandorinë romake, Antigonea vazhdoi të luajë rolin e saj si qendër ekonomike dhe administrative e luginës së Drinos, edhe pse burimet antike nuk flasin për të. Kjo mbrothësi u ruajt deri në sulmet e gotëve në fund të shekullit të IV. Por, me shumë gjasë, zhvillimi i Hadrianopolit, në fushë, mbi Gjirokastrën e sotme, shkonte në dëm të Antigonesë, pozicioni i së cilës mbi një kodër të lartë në kufi me fushën ishte sigurisht më pak i favorshëm në kohë paqeje.

Fortifikimi

Hyrja nga muri Jugor
Muri jugor

Faza I

Pllaja 200 m e lartë në të cilën shtrihet Antigoneia ka formën e një trekëndëshi me majë të drejtuar nga veriu. Shpatet e saja lindorë dhe jugorë rrëzohen me shkëmbinj të lartë, në perëndim ulen me pjerrësi drejt luginës, ndërsa në veri lidhen me një qafë me terrenin përreth.

Në anën nga qafa pllajës i bashkëngjitet Kodra e Shën Mëhillit, rreth 40 m e lartë, me shpate 30- 45° të pjerrëta.

Para themelimit të Antigonesë në rrafshin e sipërm të kodrës ndodhej një kështjellë 2,2 hektarëshe (150 x 150 m). Muret rrethues (2,50 m) e qarkonin këtë rrafsh të përforcuar vetëm me dy kulla në anën veriore ku pjerrësia është më e butë. Muratura poligonale përbëhet prej blloqesh prej formacioni konglomerat (rreth 1 x 0,6 m), të latuar mirë në faqet e bashkimit dhe faqe të jashtme të mysët. Muratura është e ngjashme me atë të fortifikimeve të tjera të shek. IV p.e.sonë në trevën e Drinos.

Faza II

Muret rrethues, 3700 m të gjatë, qarkojnë pllajën në ndjekje të të njëjtit izoips. Konturi i tyre përfshin qafën veriore së bashku me fortifikimin në Kodrën e Shën Mëhillit. Planimetria e fortifikimit përbëhet prej një trekëndëshi dybrinjënjëshëm 32 hektarësh, të ndërtuar ex nuovo, të cilit në veri i bashkohet kuadrati 3 hektarësh i fortifikimit të trashëguar. Si e tillë e gjithë sipërfaqja e qytetit arrin në 35 ha.

Fortifikimi i trashëguar në Kodrën e Shën Mëhillit kthehet në akropolin e qytetit duke u përforcuar me nga 4 kulla në anët e jashtme perëndimore dhe veriore (6,5 x 6,5 m) dhe 2 kulla në anën e brendshme. Në anën lindore, të mbrojtur nga natyra, nuk shihen gjurmë kullash. Kthimi në akropol u kushtëzua nga fakti se kjo është e vetmja kodër në tërë pllajën e rrafshët, pavarësisht se ajo ndodhet drejt e në hyrje të qytetit.

Muri i ri rrethues nuk ruhet në tërë trasenë e tij. Në anën juglindore, ndryshe nga anët e tjera me muraturë izodomike, blloqet kanë formë poligonale të pastër.

Kjo shpjegohet me natyrën e formacionit guror në afërsi, faktin se për këtë anë të pakundruar nga jashtë kërkesat estetike ishin terciare dhe kryesorja, me mungesën e kompleksit të përdorimit sinkron të dy stileve krejtësisht të ndryshëm.

Në anën jugore teknika është izodomike.

Në këtë anë kurtinat flankohen prej kullash drejtkëndëshe (7 x 6.4 m) të vendosura 61- 75 m, sa një e shtënë harku larg njëra-tjetrës. Traseja vijon me vija të drejta, të thyera herë pas here me kënd të gjerë. Në mbarim të murit, në skaj të kthesës kënddrejtë, gjendet një nga hyrjet kryesore. Hyrja nga njëra anë mbrohet nga rrëzimi i terrenit ndërsa nga ana tjetër flankohet prej një kulle. Hyrja tjetër është e tipit tangencial.

Kurtinat, 2,20 - 3,70 m të gjera, përbëhen nga dy faqet e lidhura çdo 2,7 -3,1 m tërthor me njëra tjetrën dhe emplecton-i. Kurtinat mbështeten mbi shkëmbin e gjallë të gdhendur rrafsh në terren të drejtë dhe të shkallëzuar në terren të pjerrët. Në vendet ku shkëmbi gjendej nën nivelin e tabanit themeli 0,3 m më i gjerë se muri është gërmuar deri në kontakt me shkëmbin. Blloqet e themelit i kanë faqet anësore të papunuara.

Blloqet e murit kanë formë paralelopipedi (1-2/ kryesisht 1.2 m x 0,40- 0,46 m). Blloqet janë latuar mjaft mirë prej brekçeje shpati. Në syprinën e jashtme shihen qartë, në formën e kanaleve të pjerrët, gjurmët e daltës me majë ndërsa buzët anësore janë prerë 45° për të shmangur thyerjen.

Në qoshet e kullave, hyrjeve dhe takimet e kullave me kurtinat janë përdorur vijat dhe kanalet e peshkimit. Në mesin e faqes së jashtme të disa blloqeve, në vendet ku lartësia është më e madhe, shihen gropëzat për ngritjen me makara.

Ruajtja në linja rigorozisht të drejta e pjesës së sipërme të mureve (1,4 m brenda, 2-3 m jashtë) dhe mungesa e tullave ose blloqeve të rrëzuar para tyre tregon se muratura e gurtë shërbente si xokol për mbistrukturën prej qerpiçi.

Për nxjerrjen e ujërave jashtë rrethimit, rrëzë anës së brendshme të kurtinave vijon një kalldrëm 1 m i gjerë mbi të cilin hapen grykat e kanaleve të kullimit (0,5 x 0,5 brenda, 0,3 x 0,3 m nga jashtë). Kanalet pasi kalojnë me pjerrësi mespërmes kurtinës, përfundojnë 0,4 m larg faqes së jashtme të kurtinës në formë korite guri.

Kullat, 7 x 6,5 m në muret e qytetit dhe 6,5 x 6,5 m në akropol, e kanë katin e parë të zbrazët. Kullat shtriheshin edhe mbi kurtinë, duke arritur në këtë përmasa e tyre reale 6,5 x 9,5 m. Në brendi të kullave të fusnin hyrjet 1,3 m të gjera, Në të dy anët e hyrjeve, inkorporuar në trupin e kurtinës, gjenden kafazet e shkallëve (4,95 x 1,20 m) për në katin e dytë të kullave). Këndi 45 ° i shkallëve tregon se lartësia e shtegut të rojës së kurtinave ka qenë rreth 5 m. Duke i shtuar asaj gjerësinë standard të gjoksmbrojës, kurtinat rezultojnë rreth 7 m të larta.

Kullat kanë mure 1,10 m të gjerë, të punuar me të njëjtën teknikë si kurtinat. Për arritjen e lidhjes më të mirë në çdo dy blloqe gjatësore vijon një bllok i tërthortë. Në takimin me kurtinën disa prej blloqeve të kullave kanë formën e shkronjës L, duke qenë njëkohësisht pjesë e kurtinës dhe e kullës. Tjegullat e shumta në afersi të kullave dëshmojnë se ato mbuloheshin me çati tjegullash. Në afërsi të njërës nga kullat e anës jugore, ndodhet dhe një portë e vogël 1 metërshe për daljen e befasishme në kohë lufte.

Në anën juglindore rrethimit kryesor të qytetit i bashkëngjitet një rrethim tjetër (4,5 ha) me mure me blloqe poligonalë të përforcuar me kontraforte (0,50 x 0,50 m) prej blloqesh kënddrejtë. Si e tillë e tërë sipërfaqja e mbrojtur arrin në 41 hektarë.

Urbanistika

Urbanistika

Për nivelimin e syprinës së qytetit, lehtësisht të pjerrur drejt jugperëndimit, janë përdorur mure tarracimi të ndërtuara me të njëjtën teknikë si muret rrethues. Në rrafshet e niveluar shtriheshin ndërtimet shoqërore dhe ishujt kënddrejtë të banesave.

Orientimi rigorozisht i njëjtë i rrugëve në insulat e zbuluara, 500 m larg njëra tjetrës, tregon se urbanistika e qytetit të Antigonesë i përmbahet sistemit hipodamik, atij ortogonal. Gjatësia e insulave është 53 m, ndërsa gjerësia ende nuk është kapur.

Gjerësia e rrugëve kryesore, anash të cilave vijonin trotuare 1,5 m të gjerë, ka qenë mbi 7m. Rrugët sekondare, të cilat terrenet e pjerrët i kalojnë me shkallëzime, janë 5,5 m të gjera. Si rrugët kryesore ashtu edhe ato sekondare kanë qenë të pajisura me sisteme kanalizimi.. Vetë banesat ndaheshin prej njëra- tjetrës me rrugica 2 metërshe. Agoraja ende e pazbuluar duket se ndodhej në mes të qytetit..

Banesat

Banesa me peristil
Banesa e Pirros

Banesa me peristil

Banesa ka planimetri të rregullt drejtkëndëshe (660 m2, 22 x 30 m) me brinjën e ngushtë të orientuar nga rruga. Bërthama qendrore rreth së cilës zhvillohet banesa është oborri i hapur (impluviumi 9,80 x 10,8 m) ndaj të cilit kthehet e tërë fytyra e saj. Oborri qarkohej prej xokolit që mbante 12 kolona të rendit jonik, 3,70 m të larta. Oborri qarkohej prej një portiku (3,5 m) me tabanin me dhe të ngjeshur. Çatia katërflegërshe e portikut (compluvium-i), në ballë mbështetej mbi arkitraun e kolonadës së oborrit, kurse nga pas në murin e brendshëm të kthinave duke arritur në kulm një lartësi 5- 5,5 m. Njeri krah i portikut zhvillohej i lirë, pa mjedise pas vetes, ndërsa në tre anët e tjera banesa pas portikut zhvillohej me dy kate.

Në anën e jashtme ndodhen 3 kthina, gjasisht dyqane-punishte.

Nga jashtë për në banesë të fuste porta e hyrjes, dyflegërshe, e tërhequr në brendi të korridorit të hyrjes, duke krijuar kështu një strehë nga shiu dhe dielli.

Korridori nuk përkon me aksin e banesës, por me zgjatimin e krahut perëndimor të portikut. Në vazhdimin e tij ndodhej salla e gostisë (sympozion 52 m2) me ballin të hapur, të mbuluar nga një arkitra që mbahej prej dy kolonash dhe dy pilastrash jonike. Tavani i sallës mbahej me trarë druri.

Pas sallës së gostive vijonte grupi i mjediseve të shërbimit, të lidhur në amfiladë me të. Mjediset e banimeve të katit I ndodheshin në krahun e largët të portikut, për të mos inteferuar me lëvizjen e miqve. Qeramika dhe tipi i ndërtimit e datojnë banesën në shek. 3 p.K.

Banesat me oborr-korridor

Në Antigone, afërsisht në mesin e qytetit, janë zbuluar fragmentarisht 7 banesa, të tëra të shtresës së zanatçinjve. Nga fragmentet kuptohet se këto banesa me përmasa rreth 300- 350 m2 (rreth 20 x 17 m) përbëhen prej tre grupesh kryesore: Oborrit, dyqaneve- punishte dhe mjediseve të banimit. Nyje organizuese, përreth së cilës zhvillohet banesa, është oborri korridor në formë drejtkëndëshe, i cili i shkëput grupet nga njeri-tjetri, siguron ndërlidhjen dhe ndriçon dhe ajros mjediset. Sipërfaqja e tij (36-60 m2), e afërt me atë të banesës së tipit prostas, e tregon atë vend kryesor qëndrimi në kohë të ngrohtë.

Në banesën e “lëkurëregjësit”, në ballë të saj, ndodhet dyqani-punishte me depon në shpinë, ku, të ngulur në tokë, ndodhen pythosat për regjjen e lëkurës. Në dyqan pronari kalonte nga brendia e shtëpisë, nga oborri, ndërsa klientët nga rruga.

Karakteristikë e këtyre banesave është shkëputja e kuzhinës si njësi më vete. Shkallëzimi i terrenit tregon se në pjesën e pasme këto banesa qenë dy katëshe, ndërsa në të përparmen një katëshe. Si i tillë numri i përgjithshëm i kthinave të tyre luhatet rreth dhjetës.

Gjetjet arkeologjike

Prej 461 monedhave 385 i përkasin Lidhjes së Epirit (Artemis - shtizë, Zeus - rrufe, Zeus/ Dionë- rrufe, Dionë- trekëmbësh/ 234- 168 p.e.sonë.). Kjo sasi dhe lingota monedhash të papërfunduara e tregojnë Antigonenë qendër të prerjes së monedhave të Lidhjes Epirote. Më tej vinë monedhat e Ambrakisë (51), të Maqedonisë (12), të Kerkyrës (10), Epidamnit, Apolonisë dhe Orikut.

Numrin më të madh të gjetjeve metalike e përbëjnë veglat e bujqësisë dhe artizanatit dhe më pak armët. Qeramika përfaqësohet me një shumicë vulash qeramike ndërtimi, qeramikë ambalazhi dhe qeramikë tryeze e shek. III-II p.e.sonë. Qeramika e periudhës romake mungon.

Identifikimi

14 teserat e votimit Antigoneon lejojnë identifikimin e sigurt të qytetit me emrin e Antigonës, thjeshtrës së Ptolemeut I, me të cilën Pirro i Epirit martohet në vitin 297 p.e.sonë. (Plut, Pyrrh. 4.). Martesa e tij dy vjet më vonë me Lanasën, bijën e Agathoklesit të Sirakuzës, e ngushton diapazonin e ndërtimit të qytetit në vitet 297- 295 p.e.sonë.

Gjetja në Antigone e mbishkrimit Strataguntos Arg, përmendja nga Stefan Bizantini në këtë trevë e fisit të Argjirinëve (steph. s.v. Argyrinoi) dhe emri i Gjirokastrës në mesjetë Argyrokastron e lokalizon qartë këtë fis në luginën e Drinos. Si e tillë Antigonea rezulton kryeqendër e fisit të Argjirinëve të trungut kaon.

Qyteti i ndërtuar në vitet 297-295 p.e.sonë. zëvendësoi qendrën e vjetër në Melan (Omfalion?) për shkak të pozitës qendrore në luginë. Materiali arkeologjik dëshmon se Antigoneia është braktisur pas një shkatërrimi, por që nuk mund të thuhet me siguri se ka qenë vepër e Pal Emilit më 167, sepse Antigoneia ashtu si dhe Kaonia është në këtë kohë aleate e Romës.

info@balkancultureheritage.com