Apollon Baçe - Qyteti i fortifikuar i Beratit
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Apollon Baçe - Qyteti i fortifikuar i Beratit

Qyteti i Beratit gjëndet në buzë të fushës pjellore të Myzeqesë dhe në skajin perëndimor të luginës së Osumit në vendin ku lumi, duke çarë pengesën e fundit të zonës malore, krijon një grykë të ngushtë. I njohur si «kreu i Myzeqesë» , qyteti administronte krahinën dhe kontrollonte kalimin për gjatë luginës së Osumit njëra nga rrugët kryesore që lidhte ultësirën bregdetare me zonën e brendshme malore.

Rrethimi i qytetit kurorëzon kodrën në të djathtë të Osumit, 187 m. të lartë nga niveli i lumit (fig. 1.). Kodra ka një reliev të përshtatshëm për mbrojtje: në jug bie pothuajse thikë mbi Osumin, nga lindja dhe perëndimi ka një pjerrësi 40-45“ dhe vetëm pjesa e veriut (fig. 2), ku gjëndet një qafë që e lidh me kodrën tjetër, paraqitet më e dobët për mbrojtje. Faktor pozitiv që ka ndikuar për ngulimin në këtë vend, është dhe përbërja e kodrës nga formacione të shtresëzuora guri gëlqeror, që gjënden në sipërfaqe dhe nxirren me lehtësi.

Muret rrethuese i janë përshtatur terrenit, kështu që planimetria e fortifikimit (TAB. I) ripërsërit formën e kodrës duke krijuar një trekëndësh të çrregullt me brinjë të lakuara; prej tyre lindorja ka 600 m. gjatësi, ndërsa veriperëndimorja dhe jugperëndimorja nga 400 m. Muret përforcohen prej 24 kullash me forma e përmasa të ndryshme, të shpërndara në mënyre jo të njëllojtë sipas terrenit, dhe prej një oborri të fortifikuar (fig. 2) ku gjëndet hyrja kryesore. Rruga për një hyrje në mesjetë, siç duket nga gjurmë të shkëputura, përshkonte faqen veriperëndimore, duke ruajtur traditën e kalimit me anën e djathtë të pambuluar nga mbrojtësi. Veç hyrjes së mësipërme, për komunikimin me ambientin e jashtëm shërbenin dhe tri hyrje sekondare: në anën lindore, veriperëndimore dhe jug-perëndimore. Paralel me murin rrethues në faqen veriperëndimore, gjënden dhe gjurmët e një muri skarpatë, 10 m. larg të parit. Në brendësinë e territorit të rrethuar që ka një sipërfaqe afro 10 ha., shtrihet lagja «Kala» me tipare arkitektonike të krijuara në shek. XVlll-XIX dhe një sërë monumentesh të tjerë. Në pjesën më të lartë të territorit gjëndet kështjella e përforcuar prej 5 kullash. Komunikimi i saj me ambientin e jashtëm kryhej nepërmjet hyrjes jugperëndimore, kurse me ambientin e brëndshëm nëpërmjet hyrjes perëndimore. Kështjella ndahet në dy pjesë me anë të një muri të përforcuar me dy kulla, prej të cilave pjesa e brendshme shërbente si seli për krerët. Veç ndërtimeve të mësipërme, në faqen jugore duken gjurmët e një sistemi muresh e kullash dhe të një galerie, qe e bashkonin qytetin e sipërm me lumin, duke arritur kështu terreni i rrethor një sipërfaqe prej 16 ha.

Megjithëse fortifikimi i qytetit ka tërhequr vëmëndjen e udhëtarëve e studionjësve, deri më sot me studimin e tij të hollësishëm nuk është marrë askush, por vetëm se është prekur shkarazi nga Pukëvil, Lik, Aleksudhis, Tozer, Rei, G. Strazimiri, etj. I vetmi studim arkeologjik i përket Prashnikerit, por dhe ky kufizohet me një përshkrim dhe analizë të shkurtër të një pjese të substruksioneve ilire, duke mos i prekur ndërtimet e mëvonshme që zënë volumin kryesor.

Për shkak të periudhës së gjatë të ekzistencës dhe përdorimit të vazhdueshëm për mbrojtje, rrethimi paraqet një përzierje të çrregullt duarsh të ndryshme, periudhat e ndërtimit:

Periudha llire - Ndërtimet e para që i përkasin periudhës ilire janë disa fragmente muresh e kullash prej bloqesh guri me gjatësi 60-250 cm., lartësi 40-50 cm. dhe gjërësi 50-60 cm; shumica prej tyre ka formë të rregullt kuadratike dhe vetëm nji pakicë formë trapezoidale. Bloqet janë punuar në pesë faqe e ndahen: në bloqe gëlqeror me pjesën e jashtme punuar vrazhdë me konveksitet rreth 10 cm. dhe bloqe konglomerati me faqe të drejta. — Ndërsa bloqet prej gëlqerori janë të shumtë dhe gjenden kudo (fig. 3, 4, Tab. II, 2), ato prej konglomerati janë mjaft të pakët dhe i hasim vetëm në pjesën e hyrjes, të vendosura mbi bloqet prej gëlqerori (ana e djathtë fig. 4 Tab. II, 2). Ky fakt dhe, ndryshimi në teknikën e punimit na shpien në përfundimin se këtu kemi të bëjmë me një fazë të dytë ndërtimi, që kufizohet me meremetimin e pjesshëm të hyrjes, e cila ka qënë më e ekspozuar ndaj goditjeve. Bloqet janë vendosur në të thatë në rreshta horizontalë, me puthitje të përsosur dhe vetëm rrallë është përdorur shkallëzimi.

Traktet e ruajtura të këtyre mureve na japin mundësi të rikonstruktojmë në një farë mase planimetrinë antike dhe sistemet e mbrojtjes (Tab II 1). Nga fragmentet «in situ», të përmëndura prej Prashnikerit, duken vetëm fragmentet në pjesën e hyrjes, ndërsa ato në murin lindor ndofta janë mbuluar nga mbeturinat e hedhura prej mureve. Veç tyre, në faqen veriperëndimore u zbuluan dy fragmente muresh dhe kullash. ndërsa në faqen jugore vumë re një fragment me bloqe të ripërdorura, por të marra në afërsi, gjë që kuptohet nga riputhitja e kllapave. Siç shihet nga planimetria, të tre brinjët e trekëndëshit mbyllen, rrjedhimisht hipoteza e Prashnikerit se muret mesjetare me sa duket ndjekin konturin antik, është e drejtë. Po kështu, nga gdhëndja e shkëmbit para faqes perëndimore dhe ripërdorimi i bloqeve antike në kullat e kështjellës, na vërtetohet dhe qënja e Akropolit, por konturet e tij nuk përcaktohen dot për shkak të kuotës së lartë të rrënimeve dhe dherave të hedhur.

Më qartë ndërtimet antike duken në afërsi të hyrjes kryesore (fig. 4). Fragmenti majtas saj, i ruajtur në 9 m. gjatësi, ndryshon nga një në tre rreshta dhe formon një kënd 20° me pjesën ballore të hyrjes, ndërsa fragmenti djathtas, i ruajtur në 5 m., formon një kënd 40°. Vetë hyrja (Tab. 11,2) ka një gjerësi 9,8 metrash. Në brendësi të saj muri antik ngrihet në 2 deri 4 rreshta lartësi, duke na dhënë mundësinë të rikonstruktojmë planimetrinë. Siç e vë në dukje Prashnikeri, hyrja ndahej në dy pjesë: një korridor i parë për zvogëlimin e numrit të sulmuesve dhe një korridor i dytë i pajisur me dy porta; qënja e portës së parë vërtetohet nga dy bloqe bazamente në pjesën e mesit dhe nga gdhë-ndja e bloqeve mbi ta për vendosjen e kasës së portës, ndërsa qënja e portës së dytë vërtetohet nga gjurmët e pilastrës së djathtë në dalje: dy bloqe mbi njeri-tjetrin të pajisur me vijë peshimi. Nuk jemi lë një me-ndimi me Prashnikerin se porta e tretë, në hyrje, është mesjetare, mendojmë se ajo i përket kohës antike, kur u krye riparimi i hyrjes. Në sondazhin që bëmë në faqen e djathtë të jashtme të kullës së sotme, zbuluam se edhe këtu muri i mëvonshëm ngrihet mbi substruksionin antik, gjë e cila vërtetoi se kemi të bëjmë me një kullë hyrje. Në murin B (fig. 3), fragmenti i ruajtur, që ndryshon nga dy në pesë rreshta lartësi, përfundon në kullën 3. Kjo e fundit ka formë katërkëndshe dhe ruan gjurmë të faqeve anësore, prej të cilave faqja e majtë që ruhet në 8 rreshta arrin një lartësi 5 m. nga bazamenti i kullës. Largësia midis këtyre dy faqeve 7,5 m. na jep gjerësinë e kullës së kësaj kohe, ndofta standarte nga që një pjesë e mirë e kullave të mëvonshme, përtë cilat dyshojmë se janë ngritur mbi antiket, kanë po këtë gjërësi. Para një pjese të kullave, në këtë anë, duken gjurmë tarracimi në formë shkallëzimi prej bloqesh kuadratike, punuar pa kujdes, që shërbejnë për mënjanimin e shkarjes.

Nga ana tipologjike Prashnikeri (i cili nuk përmend qënjen e dy teknikave të ndryshme), muret antikë të Beratit i krahason me muret e Lisit dhe të Zgërdheshit. Ne fazën e I e shohim të ngjashme me muret e Lisit llla, me një pjesë të mureve të Butrintit dhe me muret e qytezës së shën lliut në Elbasan, ndërtime të datuara nga fundi i shek. IV; ndërsa fazën II të ngjashme me fazën II të mureve të Zgërdheshit të datuara në fundin e shek. IV dhe fillimin e shek. III.

I pari, Liku, i pasuar nga Batifoli, Prashnikeri, Tomasheku etj., ka shprehur mendimin, me të cilin bashkohemi edhe ne, se Berati i sotëm është Antipatrea e përmendur në ngjarjet e vitit 216 nga Polibi dhe të vitit 200 nga Tit Livi. Sipërfaqja e madhe prej nga mbeturinat e keramikës «pseudoterrasigillata“ që datohet në shek. I.

Periudha Bizantine - Në periudhën bizantine emrin e qytetit e rigjejmë në listën e fortifikimeve të ndërtuara prej Justinianit, por të deformuar nga Prokopi i Qezaresë në trajtën «Antipagrai». Shuflai, duke u mbështetur te Jeliç, e identifikon Antipagrain me Antipatrean. Afërsia më e madhe Antipagrai - Antipatrea, domosdoshmëria e fortifikimit të kësaj pike nevralgjike për kontrollin e rrugës së Osumit dhe pohimi i Prokopit se kemi të bëjmë me një rindërtim, na shpien në përfundimin se Antipagrai është Antipatrea. Pas Prokopit qyteti identifikohet me Pulheriopolisin e përmendur në shek. VI, ndofta në mënyrë të deformuar nga Hierakli, dhe në të IX nga Porfirogjeneti. Për herë të parë këtë tezë e gjejmë te Farlati, i cili citon Veselingun. Sipas tij, qyteti mund të jetë ndërtuar nga Pulheria, motra e Teodosit II, hipotezë që Rikaqis mundohet ta vërtetojë duke cituar pa baza Sozornenin. Me sa dimë, në kohën e Teodosit në Epir, nuk u ndërmorën punime fortifikimi; kjo dhe fakti se qyteti përmendet në listën e rindërtimeve të Justinianit me emrin e parë, na shpien në përfundimin se emrin Pulheriopolis, qyteti e mori më vonë.

Gjurmët e periudhës së hershme bizantine në gjendien e sotme nuk i përcaktojmë dot. Ndërtimet e mëvonshme përfaqësohen nga një muraturë e çrregullt, me gurë gëlqerorë të papunuar, që për nivelim, lidhje dhe ruajtje nga uljet e çrregullta, përshkohet prej brezash tulle. Këto ndërtime i përkasin katër fazave të ndryshme, të cilat mund t'i ndajmë në kullat «7», «9», «23» dhe në muret e kullat e kështjellës.

Kulla «7» (Tab. 111, 4) ka formë prizmi pesëkëndësh dhe është e ndërtuar me një muraturë me gurë të vegjël, që përshkohet prej një brezi katër rreshtash tulle.

Kulla «9» (Tab. III, 1) është një kullë e fuqishme katërkëndëshe, e ndërtuar në pjesën e poshtme me bloqe antike të ripërdorura, ndërsa në pjesën tjetër me gurë mesatarë e të vegjël, të lidhur me një llaç të hirtë, stukuar në fugat me llaç shamot. Kulla përshkohet nga 3 breza pesë rreshtash tulle.

Kulla «23» prej kësaj periudhe ruan gjysmën veriore. Në faqet e ruajtura ka një muraturë prej gurësh të vegjël, që përshkohet vetëm në sipërfaqe dhe jo në thellësi nga dy breza me pesë rreshta tullash, në të cilët tullat e brezit të parë ndryshojnë në përmasa nga ato të brezit të dytë. Kulla është e zbrazët dhe ka përmasa të brendshme 4,3 x 3,9 m. Në lartësinë 1 m. në faqen e saj të brendshme duken gjurmë trarësh, që dëshrnojnë se kullat e kësaj periudhe ishin të ndara prej dyshemesh druri në kate, që përdoreshin për ambiente të ndryshme.

Faza e katërt përfaqesohet nga muri rrethues i kështjellës; rreth 500 m. i gjatë, që përforcohet nga 3 kulla: «1a» (Tab. III, 2) dhe «3a» 6 dhe 7 këndëshe në anën e brendshme dhe kulla «12» me formë katërkëndëshe, gjysmë e rindërtuar, në anën e jashtme. Rrethimi paraqet një ndërtim unik të meremetuar më vonë; me sa mund të gjykojmë nga pjesët e ruajtura, lartësia minimale e mureve të tij ka qenë 8 m ndërsa e kullave 12 m. Murtitura e kështjellës prej bloqesh antike të ripërdorura në pjesën e poshtme të kullave dhe prej gurësh të vegjël e mesatarë në pjesët e tjera, përshkohet në sipërfaqe prej brezash lulle; në kullat dy breza, ndërsa në muret një. Në disa vende gurët rrethohen prej kornizash me tulla ose tjegulla, duke të dhënë përshtypjen e një «cloisonnage» primitive, karakteristikë për ndërtimet pas shek. IX. Komunikimi i kështjellës me pjesën e brendshme, sipas Çelebiut, kryhej me anën e një porte që ndodhej në lindje. Veç asaj, në kullën «3a» gjendet një portë e vogël shërbimi.

Mendojmë se ndërtimet e mësipërme i përkasin periudhës pas shek. IX. Këtë e provojmë me largësinë e madhe dhe të parregullt midis brezave, me numrin e ndryshëm të rreshtave në po të njejtën kullë dhe me mospërshkimin e tërë trashësisë së murit prej brezit të tullës, karakteristika këto për periudhën pas shek. IX, kur teknika «opus mixtum» fillon të humbasë rregullsinë. Ngjarjet e njohura, që na lejojnë një farë supczimi për ndërtime në këtë perudhë janë: marrja e qytetit nga bullgarët në gjysmën e parë të shek. IX, që vërtetohet nga letra e Papës Joan XIII dërguar Borisit mbretit të bullgarëve, në të cilën qyteti del si seli peshkopale dhe përmendet për herë të parë me emrin Belegrad; si dhe rritja e rolit social të qytetit në gjysmën e parë të shek. XI.

Në fillim të shek. XIII rrethimi rimëkëmbet prej Mihal Komnenit. Kjo vërtetohet nga monogrami i tij në murin verior të oborrit të fortifikuar (Fig. 5). E një kohe me këtë pjesë të murit, është edhe kulla «1» (Tab III, 3; fig. 3) dhe një pjesë e mirë e mureve dhe e kullave të tjera.

Nga ana strukturore muri i kullës përbëhet, nga dy këmishë prej bloqesh antike të ripërdorura, midis të cilave është derdhur mbushja prej llaçi e gurësh me përmasa të ndryshme. Bloqet janë vendosur me faqen e puthitjes nga ana e jashtme, kështu që rreshtat kanë njëfarë horizontaliteti dhe muret një sipërfaqe të rrafshtë. Bloqet nuk puqen mirë anash me njeri-tjetrin dhe krijojnë boshllëqë deri 20 cm., të mbushur me copa tullash e rrallë tjegullash. Lidhja e tyre është kryer me llaç të dobët, me gëlqere të pashuar mirë, përzier me zhavor lumi. Për ruajtje dhc hidrolizim, fugat janë stukuar me llaç shamot. Kulla përshkohet prej 3 brezash me pesë rreshta tulle; të cilët nuk kalojnë në tërë masën e murit, por gjenden vetëm në sipërfaqe. Rreshtat ndërmjetës në brezat janë të tërhequr në thellësi dhe të mbuluar me llaç. Kështu që, në shikimin e parë, të japin përshtypjen sikur brezi përbëhet prej 3 rreshtash (shih tab. 1); teknikë që datohet në shek. XII. Rrjedhimisht mendimi i Leon Reit se këto ndërtime janë të periudhës së hershme bizantine nuk është i drejtë. Kulla lidhet me murin «A» të ruajtur në lartësinë maksimale 10 m. Muri është ndërtuar me të njejtën teknikë si kullat me ndryshimin, që rreshtat e humbasin krejtësisht horizontalitetin dhe brezat e tullës ndërpriten 1 m. pas kullës.

Si kuptohet dhe nga gjurmët e shumta, Mihal Komneni i bëri një rindërtim të madh rrethimit, kështu që ngjarjet e mëvonshme, në të cilat duhet të jenë kryer luftimet; si pushtimi prej bullgarëve më 1230, pushtimi prej anzhuinëve më 1271, si dhe rimarrja prej bizantinëve, duhet të jenë reflektuar nëpërmjet mermetimeve të pjesshme.

Rreth viteve 80 të shek. XIII, në saje të planeve të anzhuinëve për të hyrë në thellësi të Ballkanit, qyteti fiton një rëndësi të dorës së parë. Kjo kuptohet lehtë nga rëndësia që i japin bizantinët dhe anzhuinët marrjes së qytetit. Nga përshkrimi i Pahymeresit kuptojmë se qyteti në këtë kohë ishte bashkuar me lumin nëpërmjet një ledhi dheu, ndofta të pajisur me palisadë. Veç kësaj, në vitin 1280, përmendet për herë të parë Varoshi, por ai nuk gjëndet në anën jugore, si mendon Shuflai, por në veriperëndimoen, jashtë rrethimit të qytetit. Arrimë në këtë përfundim duke u mbështetur në gjurmë nërtimesh, që i përkasin mesjetës së mesme dhe në faktin se, ndërsa në përshkrimin e Pahymeresit vihet në dukje se ana jugore ka qenë vazhdimisht në duart e bizantinëve, në letrën e tij Karli Anzhu falënderon mëkëmbësin për marrjen e Varoshit. Zhvillimi i Varoshit mendojmë se është rrjedhim i rritjes së madhe të popullsisë me banorët e Durrësit, shumica e të cilëve, siç del nga dokumentat anzhuine, pas tërmetit të vitit 1276 u shpërngulën për në Berat.

Periudha e principatave feodale shqiptare - Faza e tretë e ndërtimit i përket periudhës së principatave feudale shqiptare. Arësyet që na shpien në këtë përfundim janë: qënja e ndërtimeve të mëdha që kufizohen midis ndërtimeve të vona bizantine dhe të hershme turke; mungesa e ngjarjeve me rëndësi për një rindërtim kapital në intervalin 1280 - fillimi i shek. XIV dhe rëndësia që fiton qyteti në shek. XIV kur kthehet në pronë dhe qendër të familjes së Muzakajve.

Siç shihet nga planimetria (Tab. IV), në këtë periudhë u rindërtuan pothuajse të gjitha muret, u ndërtuan një sërë kullash; u bë rrethimi i selisë në brendësi të kështjellës dhe muret e bashkimit të rrethimit të sipërm me lumin.

Pas ndërtimit të parë të periudhës ilire, ky është ndërtimi më i madh, që dëshmon se gjatë periudhës së principatave feudale shqiptare kemi një rritje të rolit të qyteteve, të cilët marrin tiparet e plota të qytetit mesjetar.

Ndërtimet e mësipërme janë kryçr me një muraturë të «derdhur»: midis dy pareteve prej gurësh të vegjël të papunuar dhe coprash tjegulle lidhur me llaç gëlqereje (Tab. IV, 1), teknikë që hasim në kishat në brendësi të rrethimit, të datuara në shek. XIII-XIV, është hedhur një përzierje çakëlli dhe gurësh me llaç. Muratura për forcimin dhe për shpërndarjen e ngarkesave e të goditjeve, përshkohet nga një rrjetë trarësh horizontalë. Rrjeta përbëhet prej trarëve gjatësorë me seksion 14x14cm., të vendosur në breza tre trarësh çdo 70 cm. lartësi, që ndërlidhen me anë kllapash me trarët transversalë.

Muret kanë trashësi rreth 1,70 m. dhe ndahen në trapin e kalimit 90 cm. dhe në parapetin 80 cm. të pajisur me bedena 100 cm. të gjerë. Kullat kanë formë katërkëndëshe, me përmasa bazë rreth 5 x 7 m. dhe, siç kuptohet, nga ngushtimi i seksionit të murit në një lartësi 6 m. nga baza dhe gjurmë të tjera kanë qenë ndarë me dysheme dërrase në tre kate. Në kullën «3» (Tab II, 1) (fig. 14) që ruhet deri në gjysmën e katit II, në 10 m. lartësi, gjenden dy frengji për arbaleta që fillojnë me seksion gjysmë rrethor me diametër 100 cm. dhe përfundojnë me seksion katërkëndësh 100x20cm.

Në murin e rrethimit gjendet një kullë e brendshme e mbuluar prej dheu, e cila në anën e jashtme ka një portë (Tab IV, 2), 2,20 m të gjërë dhe 2,60 m të lartë, për komunikimin drejtpërdrejtë të kështjellës me ambientin e jashtëm. Porta mbulohet nga një hark i ulët prej tullash me përmasa 50x25x5cm. lidhur me llaç shamot, mbi të cilin gjendet një hark karakteristik për ndërtimet e shek. XIV me fushën të zbukuruar me dekor «cloiscnnage». Këtë lloj harku dhe dekori e hasim dhe në ambientin nëntokësor brenda rrethimit të selisë.

info@balkancultureheritage.com