Apollonia
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Apollonia

Rrënojat e Apolonisë gjenden pranë fshatit Pojan të Fierit, mbi një kodër të ulët, e cila kontrollonte dikur rrjedhën e poshtme të lumit Aoos, para se të derdhej në detin Adriatik.

Pseudo Skylaksi (26) e vendos në distancën 50 milje nga deti dhe fare pranë lumit Aias (Aoos). Straboni(VII,5,8 C 316) jep distancën 10 stade nga lumi Aoos dhe 60 stade nga deti. Porti lumor i qytetit përmendet në disa ngjarje historike dhe që nga gjysma I e shek. II p.e. sonë shënonte fillimin e rrugës Egnatia (Polyb. XXXIV, 12,3). Më pas qyteti bëhet një stacion i rëndësishëm në rrugët romake që vinin përgjatë bregdetit nga Dyrrhachion dhe Aulona, apo që nisej nga Apolonia për t’u bashkuar në Scampa me via Egnatia, apo nëpër luginën e Aoos për në Epir ose Maqedoni.

Kërkimet arkeologjike

 Më 1861 shkeli në Apoloni arkeologu i parë, francezi L. Heuzey, që botoi planin e qytetit antik dhe disa skulptura. Arkeologu austriak K. Patsch botoi objektet arkeologjike, që ruheshin në Manastirin e Shën Mërisë, ndërsa kolegu i tij C. Praschniker bëri gërmimet e mirëfillta arkeologjike më 1916-1918 dhe i botoi rezultatet e kërkimeve të tij pas Luftës së Parë Botërore. Një mision francez i drejtuar nga Leon Rey zhvilloi gërmime arkeologjike në Apoloni në vitet 1924- 1938 mbi bazën e një koncesioni nga qeveria mbretërore shqiptare. Rezultatet ishin mjaft premtuese me zbulimin e stoas, buleuterionit dhe më pas të odeonit dhe bibliotekës. Një koleksion i rëndësishëm qeramike u krijua nga gërmimet në nekropol. Gjatë Luftës së Dytë Botërore arkeologu italian C. Sestieri zbuloi ndërtesën e një gimnazi antik në jug të manastirit. Gërmimet sistematike rifilluan më 1947 nga një ekspeditë e Institutit të Shkencave e drejtuar nga Hasan Ceka, që zbuloi murin jugor të temenosit dhe gërmoi në nekropolin tumular dhe murin rrethues.

Më 1958 - 1960 një ekspeditë shqiptaro-ruse e drejtuar nga S. Islami, H. Ceka dhe V. Blavatski u dha një hov të vërtetë gërmimeve, duke zbuluar tempullin e Dianës në agora, një pjesë të murit rrethues, disa banesa dhe një rrugë të qytetit. Gjithashtu, u gërmua një tumë e madhe me 136 varre me inventar mjaft të pasur.

Pas largimit të rusëve më 1961, gërmimet u vazhduan nga H. Ceka, që zbuloi çezmën e madhe monumentale të qytetit. Më pas A. Mano dhe B. Dautaj filluan gërmimin e teatrit (1969 - 1982), ndërsa V. Dimo dhe L. Koço vazhduan gërmimet në nekropol dhe në murin rrethues. Në vitin 1981 u ngrit Muzeu Arkeologjik i Apolonisë në ambientet e Manastirit të Shën Mërisë.

Që nga viti 1992 një ekspeditë e përbashkët shqiptaro-franceze, e drejtuar nga N. Ceka nga Instituti Arkeologjik i Akademisë së Shkencave dhe P. Cabanes i Universitetit të Parisit, rifilloi gërmimet në agora, duke zbuluar një rrugë të gjerë, e cila futet në sheshin e temenosit nga perëndimi, si dhe murin mbështetës të një tarrace mbi të cilën ngrihej një tempull. Gërmimet u vazhduan pas 1994 nën drejtimin e B. Vrekës nga pala shqiptare dhe të J-L. Lamboley të Universitetit të Grenoblës, duke zbuluar një ndërtesë publike në perëndim të rrugës dhe një tempull të tipit romak mbi podium mbi tarracën në jug të saj.

Kalorësi Apollonian, reliev i shekullit III p.e.sonë
Atlas duke mbajtur botën mbi supe. Pilaster për mbajtjen e pllakave prej guri (ortostate), rreth peristilit të banesës G shek. II p.e.sonë
Statuja prej mermeri e Perandorit Commodus 189-192 e gjetur afër buleterionit
Statuja prej mermeri e një të riu e gjetur afër buleterionit me gjasë Geta 217-218 p.e.sonë
Dionisi. Statuja prej mermeri e shek. II
Athena Promachos. Kopje mermeri e statujës së Phidias, nga skulptori Athinas, Euemeros, shek.II e.sonë
Portret mermeri i Perandorit Hadrian 117- 138
Portret mermeri i Villia Dikoiosyne (Iustitia), gjysma e dytë e shek. II
Nike Fluturuese. Doreza e një vazo bronzi. Prodhimi korintian i gjysmës së dytë së 6 p.e.sonë
Zeusi i Dodonës. Figurina prej bronzi e prodhimit korintas, e gjetur në lartësinë 101. Gjysma e dytë e shek. VI p.e.sonë

 

Historia

Themelimi i kolonisë së Apolonisë është rreth një gjeneratë më i vonshëm nga ai i Epidamne-Dyrrhahut. Ai duhet të vendoset rreth vitit 600 para Krishtit dhe është, sipas Skymnit (439-440) dhe Strabonit (VII, 5. 8 c 316). vepër e korkyrasve dhe e metropolit të tyre Korintit, edhe pse Pausania vë theksin në rolin e Korkyrës dhe kalon në heshtje atë të korintasve. Stefan Bizantini (s.v. Apolonia dhe Gylakeia) jep disa përcaktime interesante, duke shpjeguar se atje kanë qenë dërguar 200 korintas të udhëhequr nga Gylaku, nga ku dhe qyteti i ri u quajt Gylakeia. Korinti, pra, duhet të ketë dërguar oikistin - themeluesin dhe një grup kolonësh të rinj, numri i të cilëve është me interes për t’u shënuar; edhe pse Korkyra dërgon një grup të barabartë ose më të madh kolonësh, shihet qartë, në këtë rast, se numri i pjesëmarrësve në këtë themelim është i vogël. Për më tepër, të ardhurit e rinj janë pothuajse të gjithë burra, gjë që nënkupton se ata martohen me gra nga popullsia vendase, për të siguruar vazhdimësinë e kolonisë. Që nga brezi i dytë, kolonia popullohet nga një popullsi e përzier, që është gjysma me origjinë korkyro-korintase për nga burrat dhe gjysma me origjinë lokale për nga femrat. Rreth vitit 575, Gylakeia mori disa kolonë të rinj të ardhur nga Disponti në Elidë (Strabon, VIII 3, 32 c 357). Shumë shpejt, pas themelimit, qyteti i ri ndërron emrin, duke zgjedhur Apolonin si themelues hyjnor të qytetit dhe duke marrë emrin Apolonia, sikurse dhe shumë ngulime të tjera greke në dhë të huaj.

Institucionet e Apolonisë kanë tërhequr vëmendjen e Aristotelit (Politika, IV, 4, 5, 1290 b), i cili sheh aty një shembull të qartë të oligarkisë, në të cilën funksionet shtetërore dhe nderet i takojnë një numri të vogël qytetarësh me origjinë fisnike, pasardhës të kolonëve të parë, dhe Aristoteli e bën këtë vërejtje më shumë se dy shekuj e gjysmë pas themelimit të kolonisë; kjo tregon për jetëgjatësinë e këtij regjimi aristokratik, pasuria e të cilit bazohet gjerësisht në pronësinë tokësore. Apolonia dallon shumë nga fqinji i vet Epidamne-Dyrrhahu, që ka si tipar kozmopolitizmin e një qyteti të madh portual. Dallimi i madh theksohet edhe nga Eliani (Varia historia XIII, 16), që vë përballë ksenelasinë (përzënien e të huajve sikurse në Spartë) të apoloniatëve dhe karakterin mikpritës të Epidamnasve ndaj të huajve që mund të vendosen aty dhe të marrin një status legal. Tregimi i Herodotit që bën fjalë për fatkeqësitë e Evenios nga Apolonia, përcakton se pasuria e banorëve mbështetet sidomos në pronësinë tokësore dhe në kopetë e mëdha të bagëtive, më shumë se në funksionin e qytetit si port lumor mbi Aoos, hyrja në të cilin është e vështirë kur bën kohë e keqe.

Historia e Apolonisë del në burimet e shkruara shumë e paplotë, në kohën kur qytetet e mëdha greke, si Athina, Sparta dhe Korinti marrin pjesë në ngjarjet që lidhen me brigjet e Adriatikut. Pausania (VI. 14, 13) vë në dukje praninë, në sanktuarin e Olympit, të statujës së Meneptolemit nga Apolonia që fiton në vrapimin në stadium në katagorinë e fëmijëve, në vitet 504-500, afërsisht një shekull pas themelimit të kolonisë. Rreth vitit 450, apoloniatët fitojnë një luftë të ndërmarrë kundër Thronionit, e cila u bë shkas për ngritjen e një monumenti në Olimp (sipas Pausanias, V 22, 2-4, konfirmuar edhe nga një mbishkrim i Olimpit, CIGIMEI 2, n° 303). Thronioni ndodhet në jug të lumit Aoos, por identifikimi i tij është i vështirë në kufirin e territorit të abantëve (ose amantëve); në bregdet duhet menduar për qytetin e Triportit, në veriperëndim të Vlorës; në brendësi, Thronioni mund t’i korrespondonte Olympes (në fshatin Mavrovë) ose dhe vetë Amanties (në fshatin Ploçë). Sidoqoftë, është fjala për një shtrirje të territorit apoloniat drejt Juglindjes, në luginën e Shushicës dhe në bregdetin adriatik.

Gjatë trazirave, që shpërthyen në Epidamne-Dyrrhah midis aristokratëve dhe demokratëve, në vitet 435-433, Apolonia rreshtohet qartë në anën e Korintit ; pikërisht në Apoloni grumbullohen kolonët e rinj dhe trupat e dërguara nga Korinti, me rrugë tokësore që nga Ambrakia, për të shmangur rrugën detare të kontrolluar nga korkyrasit. Nuk mund të thuhet me siguri nëse apoloniatët marrin pjesë aktivisht në operacionet detare që vënë përballë korintasit dhe aleatët e tyre me korkyrasit të mbështetur nga athinasit. Eshtë e vërtetë se pozita e Apolonisë në veri të kalimit të ngushtë midis Korkyrës dhe bregut të Kaoni-Thesprotisë nuk lejonte dërgimin e një flote apoloniate që do të donte të bashkohej me forcën detare korintase që vinte nga jugu.

Në shekullin e IV, pasuria e Apolonisë bëhet e qartë edhe një herë me rastin e kontributeve të kërkuara nga sanktuari i Delfit për rindërtimin e tempullit të Apolonit i shkatërruar në vitin 373: një mbishkrim i Delfit (J. Bousquet, CID II, n° 4, col. II, 1-22) na njeh me një dhuratë në elb të bërë nga apoloniatët; e kthyer në para, ajo vlente 3587 drahme dhe 3 '/z obole ; është ofranda më e madhe e përmendur nga ky mbishkrim, më e madhe nga ajo e Megarës që shkon në 3 444 drahme. Në Ko-rint, një tjetër mbishkrim (P. A. Hansen, Cannina epigraphica Graeca saeculi IV a. Chr. N. (1989), n° 809) dëshmon për lidhjet që vazhdonin të ekzistonin midis Korintit. metropolit, dhe qyteteve të veta bija (të paktën Korkyra dhe Apolonia, ndoshta edhe Ambrakia), padyshim për të celebruar fitoren e Timoleonit mbi kartagjenasit në Siqeli pranë lumit Krimisos. rreth vitit 341 para Krishtit.

Në periudhën helenistike, Apolonia, sikurse fqinji i saj Epidamne-Dyrrhahu, është vënë në zotërim herë pas here nga Kasandri më 314, pastaj është rrethuar nga Glaukia Taulanti, i cili e heq rrethimin në momentin e kalimit të Akrotatit të Spartës. Së fundi janë trupat e Korkyrës që e lirojnë Apoloninë nga gamizoni i saj maqedonas, ndërkohë që e gjithë prapatoka kontrollohet nga Glaukia. Korkyrasit, sipas Diodorit (XIX, 78), u japin lirinë apoloniatëve dhe i kthejnë Epidamnin Glaukias "mbret i Ilirëve”. Në vitin 312, Kasandri rikthehet për të rrethuar Apoloninë, por ai u zmbraps nga apoloniatët, ushtria e të cilëve u rreshtua në betejë përpara mureve, sipas Diodorit (XIX 89, 1-2). Duket që në këtë datë. Glaukia të ketë arritur të vendosë autoritetin e vet mbi Apoloninë sikurse dhe mbi Epidamnin. Në kohën e Pirros (297-272). autoriteti i mbretit epirot shtrihet gjerësisht në Ilirinë e jugut, në mënyrë të sigurtë deri në Apoloni dhe në luginën e Shkumbinit, dhe ndoshta edhe deri në Epidamne-Dyrrhah. Për t’iu kundërvënë Pirros, mbreti ilir Monuni pret, të paktën një tetradrahmë të tipit maqedonas me emrin e vet, gjë që nuk do të thotë se ai e ka shtrirë pushtetin e vet mbi Maqedoninë; ai pret gjithashtu edhe disa tre-drahme ose staterë duke huazuar tipin tradicional të staterëve të Dyrrhahut dhe të Apolonisë, që ka në faqe lopën në këmbë në të djathtë, me kokën të kthyer për të lëpirë viçin që po i jep të pijë; disa studiues kanë arritur nga kjo në përfundimin, pak të nxituar, se këto monedha tregonin për vendosjen e pushtetit të mbretit Monun mbi këto dy qytete. Do të parapëlqenim të shihnim këtu dëshirën për të rimarrë tipet monetare të një qyteti të madh tregtar, si Dyrrhahu, duke përfituar kështu nga emri i mirë që kishte fituar kjo monedhë. Monuni lehtësonte, me këtë, këmbimet e mbretërisë së vet, pa patur në zotërim, megjithë atë, të dy qytetet portuale.

Vendosja e romakëve në bregdetin perëndimor të Adriatikut, pikërisht në Brundisium, rreth vitit 266, shpjegon dërgimin nga Apoloniatët në Romë të delegatëve të tyre, sikurse na bën të ditur Valer-Maksimi (6, 6, 5). Gjendja ndryshon në Ilirinë e jugut. me rënien e dinastisë ajakide në vitin 232 dhe me shtrirjen e mbretërisë së ardianëve në Mal të Zi dhe në Shqipërinë e veriut. Ilirët ndërmarrin disa veprime piraterie përgjatë brigjeve të detit Jon deri në Messeni dhe arrijnë të marrin qytetin e Foinikes, në sajë të tradhtisë së garnizonit kelt që mbante akropolin e qytetit. Reagimi romak është i dhunshëm, për shkak të trajtimit të keq që iu bë disa tregtarëve italianë të kapur robër në Foinike: 20 (XX) këmbësorë dhe 2 000 kalorës romakë kalojnë në Apoloni që vihet “në tutelën" e romakëve, sipas Polibit (II, 9-12). Roma vendos protektoratin e vet mbi Korkyrën, Epidamnin, Isën, Apoloninë dhe mbi etnitë e prapatokës. Sigurisht, ushtritë romake kthehen përsëri në Itali në fund të operacioneve, por portet e Epidamnit dhe të Apolonisë u ripërdorën si zona të zbarkimit gjatë secilës prej tri luftrave të Maqedonisë. Pas rënies së mbretërisë së Maqedonisë. Roma organizon provincën e Maqedonisë më 148 që përfshin të dy portet e bregdetit adriatik. Ata janë, si njeri dhe tjetri, pikënisje të via Egnatia. që rimerr itinerarin e aksit transballkanik, i përdorur që prej shumë kohësh, i cili lidh bregdetin adriatik me Lyknidin (Ohrin) dhe arrin, përmes Maqedonisë. në portin e Selanikut për të vazhduar më tej drejt Lindjes deri në Bizant.

Në luftën civile midis Pompeut dhe Cezarit. Apolonia merr anën e Cezarit dhe, në vitin 45. mirëpret Oktavianin e ri që mëson në këtë qytet për vrasjen e babait të vet adoptiv. Kjo është me siguri arsyeja pse Dyrrhahu shtrëngohet të pranojë vendosjen e një kolonie veteranësh në truallin e vet, ndërsa Apolonia i ruan institucionet tradicionale dhe njihet si “civitas libera et immunis”, sipas shprehjes së Nikollës së Damaskut. “Pax romana” është e favorshme për mbrothësinë e Apo-lonisë, që njeh, në kohën e Antoninëve, një fazë të re ndërtimesh monumentale, si Odeoni, Bouleuterioni (ose Monumenti i Agonotetëve), të cilat zbukurojnë qytetin. Qenë padyshim dyndjet gote, në çerekun e fundit të shekullit të IV, që shënuan rënien e qytetit, aktiviteti monetar i të cilit ngadalësohet shumë pas vitit 375. Emri i Apolonisë del ende në disa lista koncilesh : peshkopi i Apolonisë dhe Bylisit, Feliksi, merr pjesë në koncilin e III ekumenik të Efesit (431), ku ai shprehet në latinisht dhe del kundër Nestorit. Por, shihet që, tashmë, peshkopata është zhvendosur pjesërisht në Bylis, për shkak të plaçkitjeve të pësuara nga Apolonia. Qyteti braktiset në vazhdimësi. Duhet pritur shekulli i XIV që këtu të ngrihet manastiri i Shën Mërisë, duke përdorur monumentet antike si gurore. Ky shfrytëzim vazhdon ende në shekullin e XIX kur bejlerët e Beratit i detyrojnë fshatarët e tyre të transportojnë blloqet e shkulura nga tempulli i Shtyllasit për ndërtimin e pallateve të tyre, sikurse dëshmojnë udhëtarët perëndimorë të kësaj periudhe. Qyteti mbetet i braktisur deri në mbërritjen e arkeologëve.

Monumentet

Përveç trakteve të veçuara arkaike në murin rrethues, monumentet më të hershme në Apoloni i takojnë shek. IV p.Kr., kur qyteti njohu lulëzimin më të madh, duke u shtrirë në të gjithë shpatin perëndimor të kodrës në një sipërfaqe prej 81 ha, që rrethohej nga një mur 4 km i gjatë. Dy maja kodrash zotëronin që nga sipër qytetin.

Jugorja, me kuotë 104 m. përbënte temeno-sin rreth tempullit të Apolonit dhe rrethohej nga një mur dekorativ. Maja me kuotë 101 m përbënte akropolin ushtarak, të quajtur nga Cezari arx. Midis të dyja kodrave dhe në tarracat në perëndim dhe jug të temenosit ishte agoraja. Pjesa tjetër e shpateve të kodrës brenda murit rrethues zihej nga lagjet e banuara. Një sipërfaqe rreth 4 ha në këndin veriperëndimor të qytetit, ku gjendeshin burimet e ujit, ishte euhorion.

Që nga shek. IV p.Kr. një pjesë e lagjeve u shtri jashtë murit rrethues në anën perëndimore, ku, në drejtim me rrugën e portit u krijua edhe një treg. Monumentet kryesore, dy stoa, buleuterioni, odeoni, biblioteka. tempulli i Dianës, janë zbuluar në agora. Në ekstremin veriperëndimor të saj është zbuluar teatri dhe pranë tij një rrugë kryesore si dhe një banesë e madhe e shek.II m.Kr. Një tjetër banesë interesante është gërmuar në jugperëndim të manastirit, ndërsa më në jugperëndim të saj gjendet gimnazi i zbuluar në gërmimet italiane. Krejt në krahun e kundërt, poshtë kuotës 101, gjendet nymfeu.

Monumentet e agorasë u takojnë periudhave të ndryshme ndërtimi. Muri mbajtës i temenosit dhe të dy stoat, të ndërtuar me blloqe katërkëndëshe guri, u takojnë shek.IV-III p.Kr., kur sheshi huazohej nga veriu dhe lindja me një radhë nishesh dhe portiqesh të godinave në përshtatje me perspektivën dhe vëllimet e tyre. Nga veriu, perëndimi dhe jugu kjo hapësirë me trajtim të çlirtë arkitektonik inkuadrohej në sistemin e rregullt ortogonal të qytetit. Nga lindja atë e kufizonte muri rrethues, ku nga dy hyrje kryesore mund të futeshin e dilin shpejt banorët e rrethinave që mermin pjesë në ceremonitë, festat apo veprimtaritë politike në agora.

Buleterioni, odeoni, biblioteka, harku i triumfit dhe tempulli i Dianës, të ndërtuar me tulla dhe llaç, kanë qenë ngritur pothuaj në një kohë, rreth mesit të shek. II m.Kr., kur hapësira e agorasë u gjeometrizua si një forum romak.

info@balkancultureheritage.com