Historia e Shtetit Ilir në këtë kohë është e lidhur ngushtë me përpjekjet që bëhen në Maqedoni dhe në Ballkan për të përballuar rrezikun e ri romak. Gjendja që u krijua pas luftës kundër etolëve dhe antiohut dhe ngjarjet që përcaktuan marrëdhëniet midis Maqedonisë e Romës, gjetën një vlerësim të ri në Iliri. Politika agresive e Romës, që synonte tani asgjësimin e plotë të Shtetit Maqedon, nuk mund të pritej mirë nga shtetet e vogla të Ballkanit, përfshi këtu edhe Shtetin e dobësuar Ilir. Gjendja e ekuilibrit që ishte krijuar nga prania e forcës maqedone dhe asaj romake, njëra përballë tjetrës në Gadishull, ishte i vetmi faktor që kishte siguruar, në një mënyrë ose në një tjetër, që nga lufta e parë maqedone, ekzistencën e këtyre shteteve. Prishja e kësaj gjendjeje nuk ishte në interesin e tyre. Duke vlerësuar drejt këtë rrezik forcat antiromake në Iliri u gjallëruan dhe u aktivizuan. Si pasojë, në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit vihet re një kthesë në marrëdhëniet e mbretit ilir me Romën, që shprehet në largimin nga politika e tij e vjetër dhe në afrimin me Maqedoninë. Të dhënat numizmatike dëshmojnë për vendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike dhe politike midis Shtetit Ilir dhe Maqedonisë. Edhe prania e trupave ilire në përbërjen e gamizonit të Kasandresë, që na dëshmohet nga Livi dhe që sipas fjalëve të tij "i pat dërguar prej kohësh Pleurati", flet në favor të këtij mendimi.
Senati reagoi me forcë të madhe kundrejt qëndrimit të ri ilir, veçanërisht pas ardhjes në fuqi të Gentit, i cili pasoi Pleuratin në vitin 181 p.Kr. Politika romake u drejtua kundër mbretit të ri me tërë ashpërsinë e saj. Ai u akuzua si nxitës për rifillimin e piraterisë nga ana e ilirëve dhe për trajtimin e keq që po u bëhej gjoja aleatëve të Romës dhe qytetarëve romakë në Korkyra Nigra. Me këtë pretekst senati caktoi në vitin 178 p.Kr. një flotë të posaçme prej 10 anijesh, e cila do të vepronte në Adriatik për të majtur ujërat midis Ankonës dhe Tarantos nga flota ilire.
Brenda vendit mbreti u vu, jo pa nxitjen e Romës, përpara vështirësive edhe më serioze. Kundër tij u ngritën dalmatët, të cilët u shkëputën nga mbretëria. Përpjekje të tilla u bënë edhe nga krerë të fiseve të tjera. Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së lartë me tendenca proromake, e cila kishte përkrahës edhe në oborrin mbretëror. Në këtë luftë ai nuk u ndal as përpara sakrifikimit të vëllait, Platorit, të cilin politika romake synonte ta vinte në fron në vend të tij.