Aristokracia qeveris qytezat
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Aristokracia qeveris qytezat

Pra, i njëjti revolucion, në forma fare pak të ndryshme nga njëra-tjetra, ishte kryer në Athinë, në Spartë, në Romë e në të gjitha qytezat e tjera, historinë e të cilave e njohim. Kudo ai kishte qenë vepër e aristokracisë, kudo ai kishte pasur si pasojë eliminimin e funksionit politik të mbretit, duke i lënë atij vetëm funksionin fetar. Nisur nga kjo epokë e përgjatë një periudhe, kohëzgjatja e së cilës për qytete të ndryshme ka qenë e ndryshme, qeverisja e qytezës mbeti në duart e aristokracisë.

Kjo aristokraci ngrihej mbi origjinën e lindjes dhe besimin fetar. Parimi i saj qëndronte në ndërtimin fetar të familjeve. Burimi prej ku ajo rridhte, ishin të njëjtat rregulla si edhe ato që kemi parë më lart në kultin shtëpiak dhe në të drejtën private, domethënë në ligjin e trashëgimisë së vatrës, privilegjin e djalit të madh, të drejtën e thënies së lutjes, të cilat lidheshin me lindjen. Titull i kësaj aristokracie me sundim absolut ishte feja e trashëgueshme. Sipas besimeve të lashta, pronar i tokës mund të ishte vetëm ai që kishte një kult shtëpiak; anëtar i qytezës mund të ishte vetëm ai që mbartte karakterin fetar që bënte qytetarin; prift mund të ishte vetëm ai që rridhte nga një familje që kishte një kult; magjistrat mund të ishte vetëm ai që kishte të drejtën të përmbushte një flijim; njeriu që nuk kishte kult të trashëgueshëm duhet të ishte klient i një njeriu tjetër, ose, në rast se ai nuk i nënshtrohej këtij fati, ai duhej të qëndronte jashtë çdo lloj shoqërie. Për breza të tërë, njerëzve nuk u ra kurrë ndër mend që kjo pabarazi ishte e padrejtë. Atyre nuk u shkoi kurrë ndër mend se shoqëria mund të ndërtohej edhe sipas rregullash të tjera.

Në Athinë, që nga vdekja e Kodrusit e deri në kohën e Solonit, i gjithë autoriteti u vendos në duart e eupatridëve. Ata ishin edhe priftërinj edhe arhontë. Ata ishin të vetmit që jepnin drejtësinë dhe njihnin ligjet, të cilat nuk ishin të shkruara dhe ata përçonin nga ati tek i biri, formulat e shenjta.

Këto familje ruanin sa mundnin format e lashta të regjimit patriarkal. Ato nuk jetonin të grumbulluara në qytet. Ato vijonin të jetonin në zonat e ndryshme të Atikës, secila në pronat e veta të mëdha, të rrethuara nga shërbëtorë të shumtë, të qeverisura nga prijësi i tyre eupatrid dhe praktikonin në pavarësi absolute kultin e vet të trashëguar. Gjatë katër shekujsh, qyteza athinase ishte thjesht konfederatë e prijësve të fuqishëm të familjeve, të cilët mblidheshin në ditë të caktuara, për kremtimin e kultit qendror ose për ndjekjen e interesave të përbashkët.

Shpesh, është nënvizuar fakti se sa memece është historia rreth kësaj periudhe të gjatë të ekzistencës së Athinës dhe në përgjithësi rreth ekzistencës së qytezave greke. Na habit fakti se, ndërsa është ruajtur kujtimi i shumë ngjarjeve të kohës së mbretërve të lashtë, historia nuk ka regjistruar thuajse asnjë ngjarje nga koha e qeverisjeve aristokrate. Pa dyshim, kjo është rrjedhojë e faktit se gjatë kësaj periudhe, të pakta kanë qenë ngjarjet e denja për një interes të përgjithshëm. Kthimi në regjimin patriarkal kishte pezulluar, thuajse krejtësisht dhe kudo, jetën kombëtare. Njerëzit jetonin të ndarë dhe kishin pak interesa të përbashkët. Horizonti i gjithkujt ishte grupi i vogël dhe lagjja e vogël, ku individi jetonte si eupatrid ose si shërbyes.

Edhe në Romë, secila prej familjeve patrice jetonte në pronat e saj, e rrethuar nga klientët e vet. Në qytezë vihej për festat e kultit publik ose për të marrë pjesë në kuvendet e ndryshme. Gjatë viteve që pasuan dëbimin e mbretërve, pushteti i aristokracisë ishte absolut. Askush veç patricit, nuk mund të përmbushte funksionet priftërore në qytet; vestalët, kryepriftërinjtë, salienët, flaminët, ogurët mund të zgjidheshin vetëm nga radhët e kastës së shenjtë. Konsuj mund të ishin vetëm patricët; vetëm ata përbënin Senatin. Edhe pse kuvendi i Centurive, ku plebenjtë mermin pjesë, nuk u eliminua, kuvendi i vetëm që ishte legjitim dhe i shenjtë, ishte kuvendi i Kurive. Në dukje, krijohej përshtypja sikur zgjedhja e konsujve bëhej nga Centuritë; por kemi parë se ato mund të votonin vetëm emrat që patricët u paraqisnin e veç kësaj, vendimet e tyre i nënshtroheshin një ratifikimi të trefishtë, nga Senati, Kuritë dhe ogurët. Vetëm patricët jepnin drejtësinë dhe njihnin formulat e ligjit.

Ky regjim politik, në Romë do të zgjaste vetëm për disa vjet. Përkundrazi, në Greqi, ai sundoi për një periudhë të gjatë. Odiseja na paraqet një tablo besnike të kësaj gjendjeje shoqërore në pjesën perëndimore të Greqisë. Në fakt, atje shohim një regjim mjaft të ngjashëm me atë që kemi njohur në Atikë. Vendi ndahej mes disa familjeve të mëdha e të pasura; shërbyes të shumtë kultivojnë tokën ose përkujdesen për bagëtitë; jeta është e thjeshtë; prijësit dhe shërbyesit ulen rreth së njëjtës tryezë. Prijësit thirren me një emër që në disa shoqëri të tjera u kthye në një titull të madhërishëm,. Këta prijës familjesh kanë një karakter të shenjtë; poeti i quan mbretër hyjnorë. Itaka është fare e vogël; por ajo ka një numër të madh prej këtyre mbretërish. Mes tyre, në të vërtetë, ka një mbret suprem; por ai nuk ka aspak rëndësi dhe duket se nuk ka kompetencë tjetër veç kryesimit të këshillit të prijësve. Madje, disa shenja na japin të kuptojmë se mbreti i nënshtrohej zgjedhjes dhe duket fare qartë se Telemaku bëhet prijës suprem i ishullit, vetëm kur ai zgjidhet nga të gjithë të barabartët. Kur Uliksi kthehet në atdheun e tij, duket se subjekte të tij janë vetëm shërbyesit që i përkasin atij; kur ai vret disa prej prijësve, shërbyesit e këtyre të fundit rrokin armët dhe hyjnë në një luftë, që poeti nuk e konsideron aspak të qortueshme. Te Feakasit, Alkinou ka autoritetin suprem; por shohim se ai shkon dhe merr pjesë në kuvendet e prijësit dhe ai nuk ka të drejtë të thërrasë dhe të mbledhë këshillin, porse ky i fundit është ai që i kërkon mbretit të marrë pjesë në të. Poeti përshkruan një kuvend të qytezës feakase; vështirë se ky kuvend mund të quhet kuvend i shumicës së popullit; në të mblidhen vetëm prijësit, të thirrur individualisht prej një lajmësi, sikurse është edhe në Romë rasti i comitia calata; prijësit ulen mbi stola guri; mbreti merr fjalën dhe ai i cilëson dëgjuesit e vet me emrin mbretër skeptërmbajtës.

Në qytezën e Hesiodit, në Askran e gurishtë, hasim një klasë njerëzish, që poeti i quan prijës ose mbretër; janë këta që japin drejtësinë për popullin. Pindari na flet gjithashtu edhe për një klasë prijësish te Kadmejtë; në Tebë, ai i thur lavde racës së shenjtë të Spartës, prej së cilës, më vonë, Epaminondasi do të thoshte se kishte origjinën e tij. Nuk mund të lexohet Pindari dhe të mos habitemi nga prania e frymës aristokrate që mbretëron ende në shoqërinë greke, në kohën e luftërave medike; atje shohim sa e fuqishme pat qenë kjo aristokraci një ose dy shekuj më herët. Ajo që poeti lëvdon më shumë te heronjtë e tij, është familja dhe kemi arsye të mendojmë se gjatë asaj periudhe, ky lloj lëvdimi ishte mjaft i çmuar dhe se origjina e lindjes konsiderohej ende si e mira më e lartë. Pindari na rrëfen rreth familjeve që gjatë kësaj periudhe vazhdonin të shkëlqenin ende në çdo qytezë; vetëm në qytezën e Eginës, ai përmend Mitilidët, Teandridët, Euksenidët, Vlepsiadët, Kariadët, Balikidët. Në Sirakuzë, ai u thur lavde familjeve priftërore të Jamidëve, në Agrixhento asaj të Emenidëve e po kështu edhe në të gjitha qytezat e tjera, që ai ka rastin të përmendë.

Në Epidaur, krejt masa e qytetarëve, domethënë të gjithë ata që gëzonin të drejta politike, për një kohë të gjatë, nuk i kaloi të 180 vetët; të gjithë të tjerët "ishin jashtë qytezës." Qytetarët e vërtetë ishin akoma më të paktë në Heraklion, ku djemtë e dytë nuk kishin të drejta politike. E njëjta gjë ndodhi për një kohë të gjatë edhe në Knida, në Istros, në Marsejë. Në Tera, krejt pushteti ishte në duart e disa familjeve, që cilësoheshin si të shenjta. E njëjta gjë edhe në Apoloni. Në Eritres, ekzistonte një klasë aristokratike e njohur me emrin Basilides. Në qytezat e Eubesë, klasa zotëruese njihej me emrin Kalorësit. Këtu duhet thënë se te njerëzit e lashtësisë, ashtu sikurse edhe në Mesjetë, luftimi mbi kalë konsiderohej privilegj.

Tashmë, monarkia nuk ekzistonte më në Korint, kur kolonë të nisur prej saj themeluan Sirakuzën. Kësisoj, qyteza e re nuk do e njihte aspak mbretërinë dhe fillimisht u qeveris nga një aristokraci. Kjo klasë u njoh me emrin Geomores, domethënë pronarët. Ajo përbëhej nga familje, të cilat, ditën e themelimit kishin shpërndarë mes tyre, sipas të gjitha riteve të zakonshme, pjesët e shenjta të territorit. Kjo aristokraci mbeti përgjatë shumë brezash zot absolut i qeverisjes dhe ruajti titullin e saj të pronarëve, e që dëshmon se klasat e ulëta nuk kishin të drejtë pronësie mbi tokën. Një aristokraci e ngjashme me këtë sundoi për një kohë të gjatë edhe në Milet dhe në Samos.

Revolucioni i dytë. Ndryshimet në ndërtimin e familjes. Zhdukja e së drejtës të djalit të madh. Shpërbërja e gens-it

Revolucioni që kishte përmbysur mbretërinë, kishte ndryshuar më tepër formën e jashtme të qeverisjes sesa ndërtimin e shoqërisë. Ai nuk kishte qenë vepër e klasave të ulëta, të cilat kishin interes të shkatërronin institucionet e vjetra, por i aristokracisë, e cila kërkonte t'i ruante ato. Pra, ai nuk ishte bërë për të ndryshuar organizimin e lashtë të familjes, por për ta ruajtur atë. Shpesh mbretërit kishin pasur tundimin të ngrinin klasat e ulëta dhe të dobësonin gentet dhe kjo ishte edhe arsyeja se përse mbretërit ishin përmbysur. Aristokracia kishte vënë në lëvizje një revolucion politik, vetëm për të penguar revolucionin shoqëror në gjirin e familjes. Ajo kishte marrë në duart e saj pushtetin, jo aq për kënaqësinë e sundimit sesa për mbrojijen nga sulmet që rrezikonin institucionet dhe parimet e lashta të saj, kultin e saj shtëpiak, autoritetin atëror, regjimin e gens-ve e së fundmi, çdo lloj të drejte private, që feja primitive pat vendosur.

Kjo përpjekje e madhe dhe e përgjithshme e aristokracisë i përgjigjej, pra, një rreziku. Mirëpo, duket se, pavarësisht nga përpjekjet e saj e madje pavarësisht nga fitorja që ajo kishte arritur, rreziku mbetej i pranishëm. Institucionet e vjetra kishin nisur të lëkundeshin dhe në ndërtimin e brendshëm të familjes do të ngjisnin ndryshime të rëndësishme e serioze.

Regjimi i lashtë i gens-ve, i ndërtuar mbi themelin e fesë dhe familjes, nuk ishte shkatërruar ditën kur njerëzit kishin kaluar dhe ishin vendosur në regjimin e qytezës. Njerëzit nuk kishin dashur ose nuk kishin mundur të hiqnin dorë menjëherë prej tij, pasi prijësit dëshironin të ruanin autoritetin e vet dhe subjektet e tyre nuk kishin pasur menjëherë idenë për t'u çliruar.

Thjesht, regjimi i gens-ve ishte pajtuar me regjimin e qytezës. Por, në thelb, bëhej fjalë për dy regjime që kundërshtonin njëri-tjetrin, për të cilët nuk mund të shpresohej se një ditë mund të pajtoheshin përgjithnjë, por që herët a vonë do t'i shpallnin luftë njëri-tjetrit. Familja, e pandashme dhe e madhe në numër, ishte tepër e fortë dhe tepër e pavarur, në mënyrë që pushteti shoqëror të mos provonte tundimin e madje nevojën, për ta dobësuar atë. Për të mbijetuar, qytezës i duhej të thyente familjen.

Gens-i i lashtë, me vatrën e tij unike, me prijësin e vet sovran, me pronën e pandashme, perceptohej mirë për sa kohë zgjati gjendja e familjes së veçuar dhe nuk ekzistonte shoqëri tjetër veç saj; por sapo njerëzit mblidhen në qytezë, pushteti i prijësit të lashtë detyrimisht zvogëlohet; sepse, paralelisht me faktin që ai është prijës në fisin e tij, ai është njëkohësisht edhe pjesëtar i një bashkësie; si i tillë, ai detyrohet nga interesa të përgjithshëm të bëjë sakrifica dhe t'u nënshtrohet ligjeve të përgjithshme që i kërkojnë atij nënshtrim. Në sytë e tij dhe mbi të gjitha në sytë e subjekteve të vet, dinjiteti i tij është zvogëluar. Pastaj, në këtë bashkësi, sado fort e organizuar ajo mbi baza aristokratike, shtresat e ulëta kanë gjithsesi njëfarë vlere, qoftë kjo edhe si pasojë e numrit të tyre.

Familja, e cila përbëhet nga degëzime të shumta dhe shkon në kuvendet popullore, e rrethuar nga një turmë klientësh, natyrisht ka më shumë autoritet në votime dhe marrjen e vendimeve të përbashkëta sesa familja me më pak anëtarë, e cila ka më pak krahë pune dhe më pak luftëtarë. Mirëpo, nuk do të kalojë shumë kohë dhe njerëzit e shtresave më të ulëta do të fillojnë të kuptojnë shpejt rëndësinë dhe forcën e tyre; tek ata lind njëfarë ndjenje krenarie dhe dëshire për një jetë më të mirë. Le t'i shtojmë kësaj edhe rivalitetet mes prijësve të familjeve që përpiqen të shtojnë ndikimin e tyre dhe të dobësojnë fuqinë e prijësve të tjerë. Shtoni këtu faktin se ata nisin të bëhen lakmitarë për të kryer funksionet e magjistraturave të ndryshme në qytezë, e për këtë, ata përpiqen të jenë sa më popullorë; njëkohësisht, për t'i drejtuar ato sa më mirë, ata nisin të lënë pas dore ose të harrojnë sovranitetet e tyre vendore. Këto shkaqe do të prodhonin pak nga pak një lloj mpakje të ngurtësisë në ndërtimin e gens-ve; kështu, ata që më parë ishin më të interesuarit për ruajtjen e këtij ndërtimi, tashmë jepen më pak pas tij; ata që kishin interes ta ndryshonin atë, po bëheshin gjithnjë e më të guximshëm e më të fortë.

Rregulli i pandashmërisë, i cili dikur përbënte forcën e familjes së lashtë, gradualisht nisi të braktisej. E drejta e djalit të madh kusht për unitetin e saj, u zhduk. Sigurisht, nuk duhet shpresuar aspak që ndonjë autor i lashtësisë të na japë ndonjë datë të saktë për këtë ndryshim të madh. Me fort të ngjarë, një datë e tillë nuk ekziston, pasi ky ndryshim nuk ndodhi brenda një viti. Kjo është realizuar përgjatë një shtriijeje të madhe kohore, fillimisht brenda një familjeje të vetme, pastaj në një familje tjetër e pak nga pak në të gjitha familjet. Ajo u realizua, si të thuash, pa kuptuar.

Gjithashtu, mund të besohet se njerëzit nuk kaluan me një hop, nga pandashmëria e pasurisë, në ndarjen e barabartë mes vëllezërve. Me shumë të ngjarë, mes këtyre dy regjimeve ka pasur një periudhë kalimtare. Ndoshta, gjërat në Greqi dhe në Itali u zhvilluan njëlloj sikurse edhe në shoqërinë e lashtë hindu, ku ligji fetar, pasi pat urdhëruar fillimisht pandashmërinë e pasurisë/e; la, më pas, të lirë babanë tu jepte ndonjë pjesë edhe fëmijëve të tij më të vegjël, e më vonë, pasi pat kërkuar që djali i madh të kishte, të paktën, një pjesë dyfishe, lejoi që ndarja të bëhej në mënyrë të barabartë e madje shkoi deri aty sa të rekomandonte një gjë të tillë.

Por rreth këtyre ndryshimeve, ne nuk disponojmë asnjë tregues të saktë. Një gjë është e sigurt, e drejta e trashëgimisë së djalit të madh dhe pandashmëria e pasurisë ka qenë rregull i lashtësisë, por që më pas zhduket.

Ky ndryshim nuk u krye menjëherë dhe sipas së njëjtës mënyrë në të gjitha qytezat e lashtësisë. Në disa prej tyre, ligji ruajti për një kohë të gjatë pandashmërinë e pasurisë. Në Tebë dhe në Korint, në shekullin e tetë, ai ishte ende në fuqi. Në Athinë, legjislacioni i Solonit ruante ende një lloj parapëlqimi për djalin e madh. Ka qyteza, ku e drejta e djalit të madh u zhduk vetëm si pasojë e kryengritjeve. Në Herakles, në Knida, Istros, Marsejë, degëzimet e vëllezërve më të vegjël rrokën armët për të shkatërruar, si autoritetin atëror ashtu edhe privilegjin e vëllait të madh. Nisur nga ky çast, kjo apo ajo qytezë greke që deri atëherë kishte numëruar jo më shumë se rreth njëqind vetë që gëzonin të drejtat politike, tashmë arriti të numëronte deri në pesëqind ose gjashtëqind vetë. Të gjithë pjesëtarët e familjeve aristokratike u kthyen në qytetarë dhe tashmë të gjithë ata kishin të drejtë të merrnin poste në magjistraturë apo të bënin pjesë në Senat.

Nuk është e mundur të thuhet se në ç'epokë u zhduk privilegji i djalit të madh në Romë. Ka të ngjarë që, mbretërit, të përfshirë në luftërat e tyre kundër aristokracisë, të kenë bërë ç'ishte e mundur për ta eliminuar atë, duke çorganizuar kësisoj gentet. Në fillimet e republikës, shohim se në Senat bëjnë pjesë njëqind e dyzet anëtarë të rinj. Ata dilnin, thotë Tit-Livi, nga radhët e para të urdhrit të kalorësve.

Mirëpo, dimë se gjashtë centuritë e para të kalorësve përbëheshin nga patricët. Pra, ishin pikërisht patricë të tjerë që shtoheshin dhe mbushnin boshllëqet në Senat. Por këtu Tit-Livi shton një detaj mjaft kuptimplotë: duke filluar nga ky çast, nisën të dalloheshin dy kategori senatorësh, njëra palë që thirrej patres dhe tjetra që njihej me emrin conscripti - të zgjedhurit. Të gjithë ishin njëlloj patricë; por patres-it ishin prijës të 160 genteve që vijonin të ekzistonin, ndërkohë që konscriptët zgjidheshin nga radhët e degëzimeve të vogla të genteve. Faktikisht, mund të hamendësohet se kjo klasë e madhe në numër dhe mjaft energjike, ofroi bashkëpunimin e saj në veprën e Brutusit dhe të patreve, përkundrejt kushtit të përfitimit të të drejtave civile dhe politike. Pra, ajo fitoi si rrjedhojë e nevojës që ndihej për të, fitore që e njëjta klasë pat arritur përmes armëve në Herakles, në Knidë dhe në Marsejë.

Pra, e drejta e djalit të madh u zhduk kudo: revolucion i konsiderueshëm që nisi të shndërronte krejt shoqërinë. Gens-i italian dhe  helenik humbën unitetin e tyre fillestar. Degët e ndryshme u ndanë; tashmë secila prej tyre mori një pjesë të pronës, shtëpinë e saj, interesat e saj të veçantë, pavarësinë e saj. Singuli singulas familias incipiunt habere, thotë juriskonsulti. Në gjuhën latine ekziston një shprehje e vjetër që duket se daton nga kjo epokë: familiam ducere, thuhej për atë që shkëputej nga gens-i dhe shkonte të formonte trung më vete, ashtu sikurse thuhej njëkohësisht ducere coloniam për atë që linte qytezën dhe shkonte larg, për të themeluar një ngulim. Vëllai që ndahej kësisoj nga vëllai i madh, kishte këtej e tutje vatër më vete, zjarrin për të ndezur, të cilin pa dyshim e kishte marrë nga vatra e përbashkët e gens-it të vjetër, ashtu sikurse edhe ngulimi i ri e ndizte zjarrin e vet, duke e marrë atë nga pritaneja e metropolit. Gens-i do të  ruante vetëm një lloj autoriteti fetar ndaj famljeve të ndryshme që ishin shkëputur nga ai. Kulti i tij kishte epërsi ndaj kulteve të tyre. Nuk lejohej që familjet e reja të harronin se ato kishin dalë nga ky gens; ato vazhdonin të mbanin emrin e tij; në ditë të caktuara, ato mblidheshin rreth vatrës së përbashkët, për të nderuar stërgjyshin e lashtë ose hyjninë mbrojtëse. Madje ato vazhdonin të ruanin edhe një prijës fetar dhe ka fort gjasa që vazhdonin të ruanin edhe një prijës fetar dhe ka fort gjasa që vëllai i madh, të ketë ruajtur edhe privilegjin e rolit priftëror gjë që mbeti për një kohë të gjatë i trashëgueshëm. Jashtë këtyre elementeve, ato ishin krejtësisht të pavarura.

Ky copëzim i gens-it mbarti me vete pasoja të rëndësishme. Familja e lashtë priftërore, e cila pat formuar një grup aq të bashkuar, aq kompakt, aq të fuqishëm, u dobësua njëherë e përgjithmon, aq kompakt aq të fuqishëm, u dobësua njëherë e përgjthmonë. Ky revolucion përgatiti dhe bëri më të lehta ndryshimet e mëvonshme.

info@balkancultureheritage.com