Të vetmit elementë semantikë te periudhës prehistorike, të një periudhe ku trashëgimia gojore hesht dhe shkrimi është ende tejet larg, janë ritualet dhe arkitektura sepulkrale. Nëpërmjet tyre, qoftë mugët, ndihet përfytyrimi abstrakt për jetën transcendentale dhe evolucioni i këtij përfytyrimi. Si i tillë, konceptimi i shpirtit si entitet i pavarur abstrakt arrin të materializohet nëpërmjet elementëve jo materialë, konceptualë.
Parë në këtë dritë, sfera materiale, arkitektura, i huazoi sferës shpirtërore, varrimit, perceptimin material, duke krijuar dialogun mes shpirtërores dhe materiales. Këtë huazim, sfera shpirtërore ia shleu sferës materiale, arkitekturës, mjaft vonë, në periudhën helenistike, kur elementëve arkitektonikë, ju dha domethënie shpirtërore. Më qartë kjo e shprehur në varret monumentale të Selcës, të modeluar si naiskose (tempuj të vegjël), propile/hyrje monumentale dhe teatro.
Tumat/tumuli, që në latinisht do të thotë kodërza, shënjojnë fillimin e arkitekturës monumentale sepulkrale dhe të arkitekturës në përgjithësi. Tumat, të lidhura simbolikisht me kultin e diellit', e spikasin vetveten nëpërmjet ngritjes nga rrafshina me siluetën e tyre. Nëpërmjet kësaj siluete ato ndiqnin logjikën racionale të tërheqjes së vëmendjes, ndërkohë që nëpërmjet masës së fuqishme të dheut të hedhur siguronin paprekshmërinë e varreve.
Të pranishme në brezin verior të Evropës që nga eneoliti, në viset e tjera tumat shfaqen në bronzin e hershëm, dukuri që e lidhin me valën e dyndjes së popujve (Kurgan 4,2300 p.e.s.). Pas zgjerimit fillestar në thuaj tërë Evropën, në bronzin e vonë dhe veçanërisht në hekurin e hershëm, shtrirja e tyre hapësinore rrudhet dukshëm: në zonën kulturore të Hallstad-VI dhe në Tliri ku ruajti të pacenuar tiparet kryesore. Si të tilla, tumat mund të kundrohen si pjesë organike e trashëgimisë arkitektonike Ilire.
Kjo dukuri dëshmon shkrirjen pa ruptura të dhimbshme gjatë bronzit të hershëm, të autoktonëve eneolitikë para-indoeuropianë me ardhacakët veripontikë. Më tej, të ngjizurit e rinj u shkrinë, sërish pa dhunë, me ardhacakët e bronzit të ri.
Ecuria ekonomiko- strukturore e kësaj shoqërie dhe integrimi i mëtejshëm në Commomvealth-in helenistik, pasqyrohet në sferën shpirtërore dhe refleksin material të kësaj sfere abstrakte në arkitekturën sepulkrale. Ndonëse repertori i saj i përmbahet repertorit bazik të arealit të Evropës Jugperëndimore, në të vërehen zhvillime tipash, formash dhe elementësh arkitektonikë që krijojnë tipa specifikë, jo rrallë unikalë.
Këtë repertor e kemi kategorizuar në 5 njësi, të ndara më tej në nën tipa:
1. Varre të thjeshtë,
2. Konstruksione mbitokësorë,
3 Varre monumentalë me korridor (dromos) me shkallë
4. Varre me qemer,
5. Varre me fasadë shkëmbore.