Periudha që përfshin shek. VII - XV, është një nga periudhat kyçe për Historinë e Shqipërisë. Ajo karakterizohet nga lindja dhe zhvillimi i marrëdhënieve feudale në prodhim, nga formimi i kombësisë shqiptare mbi bazën e elementit etnik ilir, nga lufta e pandërprerë e popullit shqiptar kundër feudalëve të Bizantit, të Serbisë e të Europës perëndimore për pavarësi dhe krijimin e një territori kompakt, dhe së fundi nga lufta heroike kundër pushtuesve turq për mbrojtjen e vendit, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Në shekujt e parë të mesjetës, Iliria, ku përfshihej edhe territori i vendit tonë, u ndodh nën presionin e dyndjes së popujve që vinin nga veriu. Nga fundi i shek. VI dhe gjatë shek. VII vërshuan fiset sllave që i sollën pasoja të rënda shkatërrimtare ekonomisë dhe kulturës së kësaj treve. Megjithatë, popullsia autoktone e kësaj zone mundi ta kapërcejë krizën dhe t’i qëndrojë asimilimit. Kështu, që nga shek. XI e më vonë, shqiptarët cilësohen si «një popull» dhe trojet e tyre përmenden në dokumentet e kohës në trajtën «Arbanon» ose «Albanon» të njohur si emër i një fisi ilir që nga shek. II i erës së re. Ky emërtim në shek. XIII-XIV përfshinte një pjesë të mirë të trojeve të banuara nga shqiptarët, ndërsa në shek. XV ai arrinte në veri deri në vijën Tivar-Podgoricë-Prizren dhe në jug në tokat e Çamërisë së sotme. Që nga fundi i shek. XII, si rezultat i zhvillimit të përgjithshëm të vendit dhe i fuqizimit ekonomik e politik të feudalëve arbëreshë në rradhët e administratës së lartë bizantine, lindi i pari shtet feudal arbëresh i pavarur, “Principata e Arbërisë, të cilën rrethanat historike nuk e lejuan të konsolidohej".
Vetëm në gjysmën e dytë të shek. XIV, pas shëmbjes së perandorisë serbe iu hap rruga e zhvillimit të lirë principatave shqiptare, të cilat përfshinë në gjirin e tyre në këtë periudhë edhe qytetet kryesore të Shqipërisë, si Durrësi, Shkodra, Berati, etj.
Në këtë periudhë, pjesa më e madhe e feudalëve të Shqipërisë ishin me kombësi arbëreshe. Marrëdhëniet feudale ishin bërë marrëdhënie sunduese, në pjesën më të madhe të territoreve të Shqipërisë, me përjashtim të zonave malore, ndërsa bujqësia, zejtaria dhe tregtia arritën shkallën më të lartë që ato njohën gjatë mesjetës. Principatat feudale shqiptare ishin në konflikte të vazhdueshme midis tyre, konflikte që tentonin në krijimin e një shteti feudal të bashkuar. Por kjo tendencë e përgjithshme u pengua nga zhvillimi historik i ngjarjeve të fundit të shek. XIV kur, kundër Shqipërisë si dhe kundër gjithë Gadishullit Ballkanik u drejtuan sulmet e pushtuesve otomanë. Duke përfituar nga kjo gjendje si dhe nga vetë grindjet dhe konfliktet që ekzistonin midis feudalëve shqiptarë, Republika tregtare e Venedikut, me forcën e parasë dhe diplomacisë zaptoi qytetet kryesore të bregdetit shqiptar, para se ato të binin në duar të turqve. Në shek. XV Shqipëria u bë arenë luftërash të përgjakshme.
Në vitet ‘30 të këtij shekulli Shqipëria e Jugut u përfshi nga vala e një kryengritje popullore nën drejtimin e Gjergj Arianitit kundër pushtuesve osmanë, ndërsa që nga viti 1443 deri në rënien e kalave të fundit të Shqipërisë më 1478-79, për 35 vjet rresht, populli shqiptar me mjetet e tij të kufizuara ekonomike dhe njerëzore mundi t’u bëjë ballë forcave të panumërta të Perandorisë Osmane të udhëhequr nga dy sulltanët më të mëdhej të kohës Murati i II dhe Mehmeti II. 25 vjet të kësaj lufte u udhëhoqën nga burri i shtetit dhe udhëheqësi i madh ushtarak Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Shqipëria, gjatë mesjetës së hershme dhe të mesme, duke u ndodhur në kryqëzimin e vijave të mëdha të qarkullimit, përvetësoi dhe përpunoi ndikime të shumëanëshme kulturore. Në arkitekturë kjo dukuri manifestohet në ndikimin e stilit bizantin me elementë romanikë të ardhur nga perëndimi. Arkitektura bizantine në Shqipëri nuk është rezultat i ndërfutjes të elementëve të shkëputur që qëndrojnë në mënyrë pasive, por e një përvetësimi organik, që i ka rrënjët në një veprimtari të vazhdueshme shumë shekullore, si dhe në zhvillimin ekonomik e shoqëror në nivelin e nevojshëm. Por në këtë arkitekturë ndikuan edhe një sërë faktorësh të tjerë, siç është fakti që ajo u ngrit mbi bazën e një arkitekture paraardhëse dhe që kultura mesjetare shqiptare mundi të trashëgojë nga ajo ilire mjaft tipare të karakterit të saj, të shfaqura në fusha të ndryshme të kulturës materiale ashtu si dhe në arkitekturë, ndikoi gjithashtu arkitektura popullore, faktori etnik si dhe rrethana të veçanta ekonomiko shoqërore e politike. Në këtë kuptim arkitektura mesjetare shqiptare pati veçoritë e saj specifike dhe dha kontributin e vet në thesarin e përbashkët të arkitekturës dhe artit të popujve ballkanikë. Duke zënë pozitë të veçantë në trevat e Perandorisë bizantine, territori i vendit tonë shërbeu në periudha të caktuara si transmetues apo rrezatues i vlerave arkitektonike drejt perëndimit dhe anasjelltas. Por edhe ky rol nuk ishte i kushtëzuar thjesht nga prirjet politike të feudalëve shqiptarë dhe pushtuesit e huaj, por edhe nga niveli ekonomiko shoqëror në etapa të caktuara dhe siç është rasti në gjininë e fortifikimeve, nga nevoja dhe arritjet e arkitekturës në këtë fushë.
Gjatë mesjetës së hershme dhe të mesme në territorin e vendit tonë na përfaqësohen gjini të ndryshme arkitekturore, duke filluar që nga banesat, ndërtimet mbrojtëse, të kultit e deri tek ndërtimet inxhinjerike si rrugët, urat, etj.Shumëllojshmëria e tipave në këtë gjini arkitekture si dhe e nivelit të lartë ndërtues tregon se arkitektura mesjetare në vendin tonë nuk qëndron prapa asaj të vendeve fqinje më të zhvilluar, gjithashtu ajo flet për lidhje dhe kontakte të vazhdueshme me këto vende, për ndikime reciproke dhe për zgjidhje arkitekturore origjinale, si në elementë të veçantë, ashtu edhe në tërësi në formulimin e tipave. Vazhdimësia e traditës duket si në teknikën e ndërtimit ashtu edhe në formulimin planimetrik dhe hapësinor të këtyre ndërtimeve. Kjo u arrit ose duke marrë si modele ndërtime që ekzistonin dhe ishin në përdorim, që nga periudha e vonë antike ose nëpërmjet rindërtimit të tyre. Kjo dukuri vërehet në mënyrë të veçantë në ndërtimet e kultit dhe në fortifikimet.Por një zhvillim më të madh dhe të gjithanshëm pati arkitektura në vendin tonë, sidomos gjatë periudhës së konsolidimit dhe lulëzimit të principatave feudale shqiptare.
Një fenomen urbanistik me rëndësi, që merr zhvillim më të plotë në këtë periudhë, dhe kishte të bënte me zgjerimin e lulëzimin që patën qytetet, sidomos gjatë shek. XIII-XIV, është lindja e varrosheve ose lagjeve jashtë mureve rrethues të qyteteve. Kjo dukuri ishte fillimi i një procesi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e qendrave të banuara qytetare, i cili shënonte lindjen e qytetit të hapur.Gjatë shek. XIII-XIV ndërtimet mbrojtëse patën gjithashtu një zhvillim të dukshëm, zgjerohen ose riparohen muret rrethuese të qyteteve dhe në disa raste rrethohen me mure edhe varroshet.
Arritjet më të shquara në arkitekturën e kultit të krishterë i përkasin pikërisht shek. XIII-XIV. Me gjithë ndikimet që vërehen në këto ndërtime nga arkitektura e provincave të tjera bizantine dhe deri diku dhe e Evropës Perëndimore ato kanë edhe mjaft veçori që i dallojnë nga të parat. Midis këtyre ndërtimeve, vërehen ndërtime të arritura si dhe vepra të mirëfillta arti. Gjatë shek. XV, në gjendjen e re që u krijua për shkak të luftës së madhe shqiptaro-turke dhe pushtimeve osmane, në mjaft krahina të Shqipërisë u shkatërruan qytete dhe kështjella si dhe vepra të shumta arkitekture. Kjo gjendje e re pati pasoja dhe në fenomenet arkitekturore. Procesi i lindjes së qytetit të jashtëm që kish arritur në prag të shek. XV një zhvillim të dukshëm me rezistencën që i bënë qytetet shqiptare pushtimit osman u pengua seriozisht. Bie në një farë mase niveli i ndërtimit dhe arkitekturës të ndërtimeve të kultit të krishterë, ndërsa i kushtohet një vëmendje e veçantë ndërtimeve mbrojtëse që lidheshin me rezistencën kundër pushtuesve turq. Në këto të fundit u futën parime të reja që kushtëzoheshin nga përparimi i mjeteve dhe i mënyrave të sulmit.
ategoritë ndërtimore qytetbanesë, kohësisht shfaqen me fillesa të ndryshme. Banesa, si strehë ndërtimore familjare është tejet më e hershme se qyteti. Ky i fundit është bashkësi e banesave, ndërtimeve të kultit dhe atyre shoqërore. Të dy këto kategori, të bashkëlidhura vijueshëm dhe përherë pasqyruese të shkallës së zhvillimit ekonomiko-shoqëror të shoqërisë përkatëse, kanë zhvillim në kohë. Termi zhvillim, në kontekstin e temës në shqyrtim, gjithë duke qenë dukuria parësore, për arsye të ndryshme, bart edhe hapësira të ndryshme kohore, gjatë të cilave shfaqen procese braktisjesh pjesore, deri në ato tërësore të qendrave qytetare. Banesa dhe qyteti shqiptar, ndërtuar prej shqiptarëve për shqiptarët, që prej antikitetit dhe deri më sot, shtrihej në një hapësirë tejet më të gjerë se ajo e hapësirave të sotme të shteteve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Kështu, trojet historike iliro-arbëresho-shqiptare, kanë qenë shumë më të mëdha se trojet aktualë. Ende sot e kësaj dite, të dy kategoritë ndërtimore shqiptare në trajtim, ndeshen në shkallë të ndryshme edhe në shtetet fqinjë ballkanikë. Ashtu si dhe në hapësirat e tjera ballkanike dhe evropiane më gjerë, banesa dhe qyteti shqiptar, kanë pasur në vazhdimësi arritje të reja, përkatësisht banesa në rrafshet kompozicionalë dhe të trajtimit tekniko-arkitekturor, ndërsa qyteti në zgjerimin hapësinor dhe shkallërisht në përcaktimin e zonave të banimit dhe asaj zejtaro-tregtare. Më tej, në bashkëmarrëdhëniet me fortifikimin, dëndur fortifikimet janë fillesat e qendrave qytetare, si dhe ndërtimi i rrjetit rrugor dhe veprave fetare e atyre shoqërore.
Realitetet ndërtimorë banesë-qytet, kanë filluar të jenë objekt i mirëfilltë studimor rreth viteve 1960, ashtu si fushat e tjera të ndërtimeve mbrojtëse, të kultit dhe atyre shoqërore. Kjo veprimtari, sa e gjerë, aq edhe metodikisht bashkëkohore, e shoqëruar me formimin e brezave të parë të studiuesve, sipas fushave të lartpërmendura, qe njëherazi e shoqëruar me ndërhyrje sistematike restauruese në veprat e cilësuara monument. Do të pohonim natyrshëm se studiuesit e formuar në punë dhe nëpërmjet saj, qenë paralelisht dhe restauratorët e parë të vlerave historiko kulturore të monumenteve në Shqipëri. Vijmë kështu në problemin thelbësor të çdo studimi, atë të të dhënave në këtë fushë, pra të trashëgimisë në fushat bashkëplotësuese banesë-qendër e banuar qytetare. Brezit të parë të studiuesve shqiptarë të vlerave ndërtimore historiko-kulturore, i ra detyra, sa e gjerë, aq edhe e rëndësishme e gjurmimit dhe identifikimit të tyre. Veçanërisht fusha e banesës shfaqej problematike për shkak të mungesës së përvojës, madje edhe në vende të zhvilluara, për shkak të mendësisë së gabuar se, cilësinë monument mund ta bartin vetëm veprat e shquara ndërtimore. Ky këndshikim, në thelb, i heq veprimtarisë ndërtimore në gjininë e banesës thuajse paralele me jetën njerëzore, vlera shumëshekullore të pjesës më vitale të saj. Këto vlera, së pari bartin cilësinë e monumentit historik, veçanërisht për periudha të gjera kohore, për të cilat mungojnë dëshmi të tjera. Mbështetur në këtë këndshikim, gjurmimi i banesës popullore shqiptare, pra dhe asaj qytetare, gjithë duke vlerësuar veprat madhore, barazisht përfshin edhe vlerat unikale dokumentare të banesave të thjeshta. Kuptueshëm, këto banesa të thjeshta, së pari në kompozimin e tyre vëllimor, janë fillesat e mbarë tipologjisë së banesës tradicionale shqiptare, mbisunduese deri rreth kapërcyllit të shek. XIX-XX. Prapambetja relative ekonomike e Shqipërisë shfaqej edhe në ruajtjen e tipologjisë tradicionale të banesës, e cila krijonte hapësira të gjera hulumtuese. Shpallja e qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit “Pasuri botërore”, është tregues i prekshëm i vlerave të arkitekturës tradicionale shqiptare. Hulumtimet për të identifikuar dhe vlerësuar qytetet shqiptare të periudhës mesjetare, kuptueshëm nuk kanë qenë problematikë për arsye se ata tashmë njiheshin, duke qenë përgjithësisht të ngritur që në antikitet, dhe një numër i tyre, për arsye të ndryshme, kanë qenë braktisur. Përkundrazi gjurmët e banesave qytetare mesjetare, kryesisht për shkak të brishtësisë së tyre dhe faktorëve të tjerë, nuk i kanë qëndruar kohës. Shembujt e gjysmës së dytë të shek. XVIII, sipas mbishkrimeve, apo treguesve të tjerë, nuk i kalojnë disa dhjetëra. Kështu, burimet e vetme të besueshme për banesat e hershme janë gjurmët e këtyre ndërtimeve, dalë prej gërmimesh arkeologjike, apo atyre rastësore. Krahas, edhe të dhënat shkrimore që cektas përmendin këto vepra ndërtimore, kanë vlera për specialistët e fushës. Gërmimet arkeologjike që kanë ndeshur në gjurmë rrënoja banesash, ende janë të pakta. Megjithatë, banesat e shtresave të gjera të popullsisë, që jetonte në qytetet mesjetare shqiptare, përgjithësisht të thjeshta dhe të ngjashme në kompozim, materiale ndërtimore dhe teknikën e ndërtimit, janë dëshmi të rëndësishme. Kushtet thuajse të njëjta ekonomiko-shoqërore dhe shkalla krahasimisht e vogël e zhvillimit, pasqyrohej dhe në afrinë dhe njësinë e treguesve thelbësorë të tipologjisë së banesës. Kështu, megjithëse gjurmët e banesave të lashta qytetare, ende janë të pakta, ato janë tregues të përfillshëm të karakterit dhe tipareve të tyre ndërtimore. Krahas, shembujt e shumtë të varianteve të thjeshtë të tipologjisë së kësaj banese në shekullin XVIII-XIX, janë vazhdimësi e atyre pararendës. Kështu, lehtësohet njohja me tipologjinë e banesës qytetare shqiptare të periudhës mesjetare. E ardhmja, me zgjerimin e kërkimeve arkeologjike, do të rrisë të dhënat mbi banesën dhe qytetin mesjetar shqiptar.
Një burim tjetër, thuajse barazisht autentik, për karakterin dhe tiparet e banesës dhe qytetit mesjetar shqiptar, janë statutet e këtyre qendrave. Qenia e statuteve në vetvete, është një tregues i rëndësishëm i shkallës së zhvillimit të këtyre qendrave dhe në rrafsh të gjerë evropian. Gjatë shekullit XIII-XIV, disa qytete shqiptare kanë pasur statute si Shkodra, Durrësi, Danja, Drishti etj. E rëndësishme është e vërteta se kanunet, shprehje e së drejtës pronësore, janë dy tri shekuj më të vonë. Ata, gjithashtu, janë tregues të prekshëm të shkallës së zhvillimit të shoqërive shqiptare, të cilat ndjenin nevojën e kodifikimit të bashkëmarrëdhënieve, kryesisht në rrafshin pronësor, pra atë të trojeve. Ndër statutet shqiptarë të shekujve të fundit të mesjetës ruhet dhe është botuar i plotë ai i Shkodrës me emërtimin “Statuti di Scutari” (Statutet e Shkodrës). Ata përmbajnë 279 kapituj dhe janë shkruar në dialektin venecian të shekullit XIV. Edhe statutet e tjerë të qyteteve shqiptare të kohës, ishin të ngjashëm me statutet e qyteteve italo-dalmatinë të kohës. Statutet e Shkodrës janë të gjysmës së parë të shek. XIV, me shtesa deri në vitin 1469. Në këtë dokument trajtohen problematikat urbanistiko-ndërtimore, gjithë duke qenë kjo veprimtari në thelb e improvizuar. Aty përmenden mjeshtëritë e ushtruara, pra edhe shtresa e zejtarëve, faktorët kryesorë karakterizues të një qendre qytetare, në mesjetë dhe më lashtë. Krahas, në këtë dëshmi, jepen tregues të shumtë mbi pronat e qytetit përreth tij, tokat bujqësore, vreshta e kullota, duke konfirmuar edhe mbajtjen e bagëtive. Kjo dukuri, e cila megjithëse në zvogëlim, ndeshet deri vonë në shekullin XIX në qytetet shqiptarë dhe lidhet, ashtu si përgjithësisht, me rendimentet e ulëta të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të hapësirave fshatare. Të tilla, këto të fundit, ende nuk kishin krijuar mbiprodhime bujqësore e blegtorale, për të mbajtur qendrat qytetare në rritje. Në tiparet e qytetit mesjetar shqiptar, kanë ndikuar faktorë gjeografikë dhe më ndjeshëm në karakterin dhe tiparet e tyre ata ekonomiko-shoqërorë. Deri rreth shekullit XIV, këto qendra, tipologjikisht, pra në tiparet kryesore, përqaseshin dukshëm me ata të perëndimit të Shqipërisë. Në fillesat e qendrave qytetare, kryesisht të tillë që në krye, si qendra ushtarako-administrative, duke qenë ato mesjetaret dendur me fillesa të hershme antike, pozicioni gjeografik i trojeve shqiptare ka ndikuar dukshëm. Kjo vërehet së pari në bashkëmarrëdhëniet e këtyre trojeve me hapësirat e detit Adriatik dhe Jon, duke qenë këta troje bregdetarë, apo të prapatokës. Kuptueshëm, hapësirat bregdetare janë më të vogla. Hapësirat gjeografike shqiptare, veçanërisht ato perëndimore, shfaqeshin natyrshëm si hapësira ndërlidhëse ndërmjet lindjes dhe perëndimit dhe reciprokisht. Krahas, deti ishte një burim i përfillshëm ekonomik. Kjo dukuri, qe shkaku i parapëlqimit të bregdetit shqiptar të Adriatikut, si fillesë për të përshkuar Ballkanin dhe më tej vijuar drejt Lindjes, për pasojë ndërtimi i qendrave qytetare bregdetare. Ndër to përmendim Shkodrën, Durrësin dhe Vlorën, krahas qyteteve më të vegjël bregdetarë me funksionin kryesor, atë të porteve. Durrësi qe fillesa e rrugës Egnatia, e cila përshkonte Shqipërinë, e më tej, hapësira të Ballkanit deri në gadishullin e Azisë së Vogël. Qytetet bregdetare shqiptare kanë pasur lidhje me bregdetin e përtejmë italik dhe veçanërisht me Venedikun, i përfshirë ndjeshëm në jetën ekonomike dhe politike të hapësirave të bregdetit shqiptar.
Trojet shqiptare, edhe për shkak të pozitës së tyre gjeografike, kanë qenë vijueshëm pre e pushtuesve, gjithë duke qenë pjesë e Perandorive Romake dhe asaj Romake të Lindjes, apo Bizantine, pas ndarjes në vitin 395. Veçanërisht gjatë periudhës bizantine, trojet dhe kryesisht qytetet shqiptare u përfshinë, thuajse vijueshëm prej pushtuesish lindorë dhe herë pas here prej atyre perëndimorë. Dyndjet e popujve në shek. IV-VII prunë shkatërrime dhe rrënime të thella vendbanimesh dhe popullsish shqiptare. Në fillim të shekullit VI shfaqen sllavët, me prirje shkatërruese dhe vrasëse, dhe më tej me synimin e përhershëm për përvetësim e zgjerim trojesh, kryesisht iliro-shqiptare. Këto rrethana, me dendësi dhe tipare të veçanta, ndoqën realitetin, hapësira iliro-shqiptare gjatë mesjetës, duke qenë të shfaqura më ndjeshëm në qendrat qytetare, për vetë funksionin e tyre.
Fisnikëria shqiptare filloi të shfaqet që në fillim të shek. XI, duke synuar krijimin e njësive administrativo-ekonomike nën sundimin e tyre, siç dëshmon edhe Principata e Arbrit, krijuar në fillim të shek. XII, ndërsa në shek. XIV-XV shfaqen formacione të tjera shtetërore shqiptare. Këto principata, patën në krye familjet e Aranitëve, Skurajve, Jonimët, Blinishtët, Topiajt, Gropajt, Muzakajt, Matrëngët, Buat etj. Qendrat e këtyre formacioneve, përgjithësisht ngriheshin larg qyteteve-kështjella, qendra administrativo-ushtarake të pushtuesve të huaj.
Siç kemi përmendur, qytetet, ashtu si mbarë vendbanimet në rrjedhë të kohës, nën ndikimin e ndryshimeve përparuese të mënyrës së jetesës, pësojnë ndryshime në funksionet, pra edhe në trajtimin urbanistiko-arkitekturor. Gjatë periudhës mesjetare, ashtu si përgjithësisht në antikitet, duke qenë fillesat e qendrave qytetare shqiptare, të kësaj periudhe, ato përgjithësisht vazhdojnë të jenë thuajse barazisht, qendra strategjiko-ushtarake dhe administrative. Funksioni i rëndësishëm, më vonë edhe përcaktues i një vendbanimi qytetar, si qendër zejtaro-tregtare, në rastin shqiptar theksohet ndjeshëm gjatë periudhës së mesjetës së vonë. Mesjeta e turbullt shqiptare dhe ballkanike më gjerë, e mbisunduar me luftëra pushtuese dhe fillesa njësish administrative të rajonizuara, ishte larg cilësimit të qendrave qytetare zejtaro-tregtare. Situatat e turbullta politike, nuk lejonin zhvillimet e këtyre qendrave, por theksonin funksionimin e tyre ushtarakoadministrativ. Kjo rrethanë kushtëzonte mbijetesën e qendrave antike qytetare, si Shkodra, Durrësi, Berati etj., krahas lindjes së qendrave të reja mesjetare si Gjirokastra, Korça etj., me fillesa fortifikimet e llojit kala. Për arsyet e rëndësishme të vetëmbrojtjes natyrore të fortifikimeve dhe kushteve të përshtatshme për zhvillimin ekonomik, bërthamat e qyteteve ngriheshin përgjithësisht përbri rrugësh tradicionale, rrjedhave të përfillshme ujore dhe lartësive, vështirë të arritshme. Rreth fundit të periudhës mesjetare, qytetet kryesore të Shqipërisë rrisin praninë e zejtarëve, të cilët, nën ndikimin perëndimor, fillojnë organizimin e korporatave sipas profesioneve, të cilat emërtoheshin “shkollë” ose “vëllazëri”. Për t’u përmendur është edhe qarkullimi i monedhave, veçanërisht gjatë fundit të mesjetës. Disa qytete kishin monedhat e tyre.
Qytetet shqiptarë të shekujve të fundit të mesjetës, duke qenë të zhvilluara brenda hapësirash krahasimisht të kufizuara prej mureve rrethues të fortifikimit dhe duke përfshirë, krahas hapësirave për njësitë ushtarake dhe atyre për sunduesit, sipas hapësirave kishin edhe zona të vogla të banuara. Kalatë e mëdha kishin edhe akropolin, një ndërtim i fortifikuar brenda kalasë, në të cilën jetonte feudali i zonës. Shembulli i Beratit është tipik. Kompozimi i hapësirave të banimit brenda kalave nuk ishte i paraprirë prej planifikimit. Në përcaktimin e tyre, rëndësi parësore, ashtu si në qytetet e kohës, kishte trasimi i rrjetit të improvizuar rrugor.
Megjithëse i tillë, ai i kishte fillesat qartësisht të lidhura me hyrjet e vogla në numër për moscënimin e mbrojtjes. Konfiguracioni i këtij rrjeti rrugor kushtëzohej edhe prej formës së truallit, përgjithësisht të aksidentuar dhe shkëmbor, mbi të cilin ngrihej. Rreth shekullit XIII, në qytetet shqiptare, për shkak të rritjes numerike të tij dhe hapësirës së kufizuar, brenda mureve rrethues, u shfaqën daljet e para të familjeve prej rrethimit, por përherë pranë tij, madje pranë hyrjes kryesore. Kjo dukuri lidhej me pasigurinë dhe domosdoshmërinë për strehim të përkohshëm në hapësirat e fortifikimit. Banesat e thjeshta, pranë njëra-tjetrës, formonin shkallërisht njësi banesore, madje shpesh të rrethuara prej muresh krahasimisht të dobët, siç ka të dhëna për një nënqytet (suburb) në Berat, i cili pas shekullit XVI emërtohet varosh. Lindja e njësive banesore, përgjithësisht të hapura, ishin fillesa të qyteteve të mirëfilltë. Ato me funksionet shoqërore përherë dhe në rritje, nisën rrugën e zmadhimit dhe shumëfunksionalizmit të shoqërisë përherë dhe në rritje. Ashtu siç kemi përmendur, shumica e qyteteve mesjetarë shqiptarë janë vazhdimësi e atyre antikë ilirë, duke qenë njëherazi qendra të fortifikuara ushtarako-administrative. Krahas edhe gjatë mesjetës lindnin qendra të reja qytetare. Qytetet e Shkodrës, Lezhës dhe Beratit, ende ruajnë konturet e hapësirave të fortifikuara, krahas gjurmëve të hapësirave të banuara përtej mureve rrethues. Këto të fundit, gjithashtu, të ruajtura me rrethime, ose të hapura me fillesa në shekujt e fundit të mesjetës. Rasti i qytetit të Gjirokastrës lidhet me periudhën e vonë mesjetare, gjithë duke qenë fortifikimi themelvënësi i tij. Shkodra (fig. 2) është nga qytetet e pakët të fortifikuar, i cili që në periudhën antike ilire shtrihej përtej mureve rrethues, duke qenë së pari kjo zonë në pjesën jugore dhe atë perëndimore. Në periudhën mesjetare, për t’iu shmangur vërshimeve të lumenjve rrethues, fillon ngritja e lagjeve të nënqytetit në pjesën lindore, gjithë duke qëndruar pjesa perëndimore, madje edhe përtej Bunës. Edhe pazari i vjetër i Shkodrës i ka fillesat në mesjetë, duke treguar rolin e rëndësishëm ekonomik të kësaj qendre. Shkodra është një shembull i spikatur i qyteteve shqiptare antiko-mesjetarë e më vonë, e cila i qëndroi vijueshëm rrjedhave historike të ngarkuara me ngjarje të vrazhda. Shkodra, për vlerat e saj, tërhoqi synimet, shpesh të realizuara, për pushtimin dhe përfshirjen e saj në suazat e perandorive të mëdha të kohës, si ato Romake dhe Romake të Lindjes (Bizantine). Sundimi i shkurtër sllav, i mesit të shek. XIV, pasohet me zotërimin e kësaj qendre prej feudalëve arbëreshë Balshaj, në vitin 1355. Në prag të pushtimit Osman, Shkodra si disa qytete bregdetarë shqiptarë, më 1395 kalon nën juridiksionin e Republikës së Venedikut.
Qyteti i Lezhës, zë një vend të rëndësishëm në bashkësinë e qyteteve antiko-mesjetarë shqiptarë. Ashtu si Shkodra, edhe Lezha, ngritur mbi një hapësirë strategjike, pranë bregdetit të Adriatikut, me burime jetësore, i qëndroi rrebesheve historike, duke u rritur e duke zvogëluar dhe duke u mbrojtur, kryesisht me rrethime sipas teknikave të kohës. Lisi ka pararendësin e tij Akrolisin (Lisin mbi majë, apo të epërm). Ai është fortifikim i periudhës së parë të hekurit. Qyteti i Lisit, në perëndim të Akrolisit, ngrihet në shek. IV-III p.e.s, duke u rrethuar me mure guri pa lidhës, të cilët zbrisnin deri pranë rrjedhës së lumit Drin. Rreziku i dyndjeve barbaro-sllave në shek. VI kërcënonte edhe Lezhën, e cila iu nënshtrua ndërhyrjeve për forcimin e fortifikimit. Në shek. VI-VII, Lisi pëson zvogëlim. Që prej vitit 1281, Lezha administrohej prej familjes feudale shqiptare të Dukagjinëve, ndërsa në vitin 1393, bie në administrimin e Republikës së Venedikut. Gjurmët e ndërtimeve antikomesjetare, brenda mureve rrethues të Lisit, nuk ruhen, por gërmimet arkeologjike do t’i zbulojnë dëshmitë e tyre.
Berati, ashtu si dy qendrat qytetare pararendëse, shquhet si për fillesat e hershme që në shek. IV p.e.s dhe në vazhdimësi të pandërprerë deri më sot. Qyteti i Beratit zinte lartësinë në të djathtë të rrjedhës së Osumit, në një ngushticë e cila simetrikisht ka të ndërtuar një kala tjetër, atë të Goricës, në të njëjtin shekull. Këto qendra, dhe kryesisht Berati, ishin shteg i rëndësishëm dhe i mbikëqyrur që lidhte hapësirat perëndimore, pra edhe ato bregdetare, me trojet lindore dhe anasjelltas. Kalaja e Beratit, e cila mbron një hapësirë, krahasimisht të madhe, i përshtatet shtrirjes dhe konturimit të kodrës mbi të cilën ngrihet. Në vijim të kërkesave të kohës, muret rrethues të Kalasë së Beratit rindërtohen në shek. IV-VI. Edhe më vonë, gjatë fillimit të mesjetës, kalaja ka pësuar rindërtime. Në shek. XIII, ndërtohet oborri i fortifikuar, përbri hyrjes, dhe kulla pesëkëndëshe në veri të kalasë. Në të njëjtën kohë ndërtohet dhe kështjella në brendësi të kalasë. Kjo kështjellë i shërbente kryesisht garnizonit mbrojtës dhe familjes feudale. Më vonë, në hapësirën e kështjellës, në juglindje të saj, duke u ndarë me mure, veçohet selia e parisë së qytetit. Për t’u përmendur është ndërtimi në këtë hapësirë i një stere me vëllim të madh, mbuluar prej dy qemerësh, mbi të cilët ruhen gjurmët e një ndërtimi. Edhe muret anësorë, të cilët prej pjesës jugore të kalasë, zbresin deri në brigjet e Osumit, janë të së njëjtës kohë. Ata sigurojnë marrjen e ujit prej Osumit edhe në periudha luftimi. Qyteti-kështjellë i Beratit përmendet edhe për daljen, krahasimisht të hershme të vendbanimit jashtë mureve rrethues. Kjo pjesë e qytetit, duhet t’i përkasë fillimit të shek. XIII. Ajo më pas shoqërohet me fillesat e lagjes Mangalem, e cila në raste rreziqesh ndërlidhej me hapësirat e Kalasë në veri të saj. Qendra historike e Beratit me bërthamën e saj kalanë 25 shekullore, tashmë “Pasuri Botërore”, është një prej qendrave qytetare të fortifikuara, e cila sot e kësaj dite i qëndron kohës. Rrjeti rrugor i saj, gjithë duke qenë i improvizuar, është kushtëzuar ndjeshëm me fillimin prej hyrjes kryesore, prej së cilës zënë fill tre arterieve edhe këto kryesore, duke qenë arteri qendror fillesa e rrugëve të tjera gjatësore veri-jug dhe atyre tërthoreve. Gjurmë ndërtimesh mesjetare ruhen kryesisht në fushën e ndërtimeve të kultit dhe atyre të përbashkëta, si stera etj. Gjurmët e banesave mesjetare, kuptueshëm, nuk janë ndeshur.
Ndërsa tri qendrat qytetare të përshkruara i kanë fillesat në antikitet, duke mbijetuar vijueshëm deri më sot. Qyteti i Gjirokastrës i ka fillesat rreth gjysmës së dytë të shek. XIII, gjithë duke i mbijetuar vijueshëm kohës. Ashtu si thuajse mbarë qytete të lashtë shqiptarë, edhe Gjirokastra e ka fillimin si fortifikim i llojit kala. Ai shtrihet mbi lartësitë e një kodre, duke konturuar muret rrethues, sipas konfiguracionit vëllimor të kësaj hapësire shkëmbore. Kalaja mesjetare nuk përfshinte shtesën jugperëndimore, e cila së bashku me ujësjellësin e kalasë, u ngrit pas përfshirjes së qytetit në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës. Hyrja kryesore e Kalasë është në pjesën e saj veriore, prej së cilës, rruga e vetme kryesore, përshkon mbarë shtrirjen e saj në aksin qendror. Gjurmët e ruajtura deri më sot dëshmojnë se, ndërtimet strehuese dhe të funksioneve të tjera ushtarake ngriheshin në hapësirën e Kalasë. Dëshmi të pakta mund të lidhen dhe me ngrehina për feudalin zotërues të kështjellës. Gjurmë banesash të thjeshta, vështirë të gjurmohen. Rritja e funksioneve administrativo-ushtarake të kësaj qendre, natyrshëm krijonin kushtet që ajo të merrte edhe funksione ekonomike, të lidhura këto me zejtarinë dhe tregtinë. Kështu, lindi nevoja për ngritjen e banesave të këtyre shtresave, të cilat për rrethanat e njohura, duhet të ishin pranë kalasë. Kështu, rreth fillimit të shek. XV, filloi të lindë lagjja e parë, pranë hyrjes kryesore të Kalasë. Madje, njëherazi, pranë saj zuri vend edhe një hapësirë në funksionin e pazarit. Edhe sot kjo hapësirë e banuar mban emrin domethënës “Pazar i vjetër”, i cili rreth fillimit të shek. XVII, zhvendoset atje ku ruhet sot e kësaj dite. Gjirokastra, në gjysmën e dytë të shek. XIV, qe qendra e familjes feudale shqiptare të Zenevisë. Historia e veprave ndërtimore, për vetë natyrën e tyre, së pari dhe mbi të gjitha mbështetet në dëshmitë e prekshme të së kaluarës, të cilat ruhen në shkallë të ndryshme, apo pjesë të rrënojave të tyre, dalë prej gërmimesh arkeologjike. Brishtësia e teknikave mesjetare për ndërtimin e banesave dhe zhvillimi i shoqërisë, me kërkesa në rritje për kushte më të mira jetese, janë shkaqet kryesore të mungesave të shembujve të banesave mesjetare. Megjithëkëtë, rrugë të tërthorta, por të konfirmuara metodologjikisht prej studimeve të derisotme, dhe njohja e thellë e banesës shqiptare të shek. XVIII-XIX, mundësojnë që të hidhen teza të shëndosha mbi banesën qytetare mesjetare shqiptare. Besojmë se është e rëndësishme të pohojmë se gjatë mesjetës, për shtresat e mesme dhe të varfra të popullsisë, dallimet banesë fshatare - banesë qytetare ishin të papërfillshme. Kjo sepse këto shtresa në qytete shfaqen përfillshëm krahasimisht vonë, në shek. XIII-XVI, me lindjen e varosheve. Kuptueshëm, banorët e rinj të ardhur prej fshatit do të jetonin, në kuptimin e ngushtë dhe më gjerë si në vendbanimin paraardhës. Ata do të kultivonin trojet bujqësore qytetare dhe blegtorinë, pra do të parapëlqenin banesën tradicionale, kryesisht përdhese dhe në trojet e pjerrëta me gjysmëkat. Varianti më i përhapur ka qenë ai me një, apo dy kthina banimi, ndërsa në atë me gjysmëkat, pjesa përdhese strehonte kafshët, ndërsa e sipërmja, pjesërisht përdhe dhe pjesërisht në kat, shërbente për banim. Prej gërmimesh arkeologjike në rrënojat e qytetit të fortifikuar mesjetar të Sardës, janë zbuluar një numër rrënoja banesash të shek. X-XI, të cilat deri më sot janë dëshmi me vlera (fig. 3). Prej gjurmëve të muraturës së tyre prej guri, lidhur me llaç gëlqereje, banesat dallohen se janë njëkthinëshe, me dy dhe tri të tilla. Ndërtimet janë ngritur pa përkujdesje në bashkëvendosjen hapësirore, duke qenë veças, apo pranë njëra-tjetrës. Ndeshen dhe gjurmët e hapësirave të dyerve dhe kamareve. Shtresa e feudalëve shqiptarë, e cila shfaqet në shekujt e fundit të mesjetës, duke i pasur fillimisht ngrehinat e banimit, në hapësirat e zotërimeve të veta. Ato, për rrethanat e kohës ishin banesa të fortifikuara (fortis domus). Rreth shek. XIII, feudalët vendas, përherë e në rritje, tërhiqen prej qendrave qytetare, në të cilat qëndrojnë përkohësisht. Rreth shek. XIV, fillon procesi i zhvendosjes prej banesave në hapësirat e pronave të tyre në qytetet e fortifikuara të kohës, përgjithësisht brenda hapësirave të kalave.
Qyteti shqiptar i shek. XV-XIX lidhet me mbisundimin e marrëdhënieve feudale. Këto marrëdhënie, pas pushtimit osman në fund të shekullit XV, u zëvendësuan me atë të pronës feudaloushtarake osmane, e cila bazohej në sistemin e timarit. Por, që në fillim të shek. XVII, ky sistem filloi të zëvendësohej me atë të çifligut si pronë e trashëgueshme. Kështu, periudha në shqyrtim mund të cilësohet e feudalizmit të vonë, apo kohësisht e mesjetës së vonë. Trojet iliro-shqiptare, vijueshëm “troje ngushtimi”, kanë qenë për shekuj në suazat e Perandorive të mëdha si ato Romake, Romake të lindjes, krahas atyre të gjera, apo të pjesshme, në hapësira të kufizuara kohore prej kombësish ballkanike. Këto dukuri u finalizuan me përfshirjen e Shqipërisë në hapësirën e Perandorisë Osmane rreth fundit të shek. XV, pas luftës unikale shqiptaro-turke, në të cilën shqiptarët lanë emër në historinë shqiptare dhe evropiane e më gjerë. Kjo luftë, pa paralele për nga kohëzgjatja dhe supremacia e theksuar luftarake e palës turke, pati ndikime të ndjeshme në realitetin shqiptar të kohës, pra, dhe në qytetet shqiptare të kohës. Këta të fundit, ishin kuptueshëm qendrat kryesore të cilat iu nënshtruan synimeve pushtuese. Në këto rrethana, njësitë e para të banimit, të formësuara pranë kështjellave qytetare, nuk mund t’i qëndronin sulmeve prej ushtrish përherë dhe në rritje numerike dhe në nivelin e mjeshtërive luftarake. Pasojat qenë ngadalësimi i procesit të zgjerimit të qytetit të hapur dhe rritja e treguesve mbrojtës të kështjellave qytetare. Lufta shqiptaro-osmane nën organizimin dhe udhëheqjen sa profesionale, aq edhe patriotike të shqiptarit të shquar Skënderbeut, edhe me pasoja të rënda për kombin shqiptar, i lanë atij një shembull të pakrahasueshëm atdhetarie. Historia e Shqipërisë së Gjergj Kastriotit, për shekuj qé dhe do të jetë frymëzuese e ecurisë së kombit tonë me orientim të bashkëlindur perëndimor. Kuptueshëm, Perandoria Osmane, drejtpërdrejt apo tërthorazi nuk mbështeste afrinë e Shqipërisë dhe veçanërisht zonës bregdetare me perëndimin. Megjithatë, lidhjet e administratës Osmane me Venedikun nuk u ndërprenë. Vitet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit u shoqëruan me emigrimin prej trojeve amtare të një pjese të përfillshme të popullsisë shqiptare, kryesisht asaj qytetare. Qëndresa shqiptare kishte pasuar shkatërrimin e shkallëve të ndryshme të qyteteve shqiptare, si Shkodra, Lezha, Kruja, Durrësi, Berati, ndërsa Drishti, Deja e Sfetigradi u shkatërruan përfundimisht. Shkatërrimi i pjesëve të hapura të qyteteve kështjella ndërprenë procesin e krijimit të qytetit të hapur, përbri apo përreth kështjellave përkatëse. Hapësirat, fillimisht të vogla, të varosheve, në thelb ishin fillesat e qytetit në kuptimin pasmesjetar të termit, pra të qendrës zejtaro-tregtare, duke mbetur këto qendra kohësisht gjatë edhe si kultivuese të rrethinave bujqësore. Në fillim të shek. XVI, fillon procesi i islamizimit të popullsisë shqiptare, së pari i asaj qytetare. Ky proces i shkëputi shumë prej shqiptarëve prej ndikimit të kishave ortodokse sllave dhe greke me synime sllavizimin dhe greqizimin e shqiptarëve. Islamizimi i ndjeshëm i popullsisë shqiptare, pas luftës shqiptaro-turke, u shoqërua me ndërtimet e kategorisë së re të ndërtimeve të kultit mysliman, xhami, teqe, tyrbe etj. Krahas, gjatë zhvillimit të qyteteve të periudhës së përfshirjes së Shqipërisë në Perandorinë Osmane, pati edhe ndërtime të kultit kristian. Është rasti për të cekur edhe karakterin e qyteteve shqiptarë të shekujve të mesjetës së vonë (shek. XV-XIX). Ende, në fushën studimore të qyteteve dhe banesës së periudhës në shqyrtim, besojmë së pari si shprehje e diletantizmit, shfaqet cilësimi turko-orientale për trashëgiminë urbanistikoarkitekturore shqiptare të shek. XV-XIX. Theksojmë se pushteti politik, kuptueshëm ka ndikim në kategoritë ndërtimore të kohës, i cili lidhet me shkallën e ndikimit të pushtetit, kryesisht në zhvillimin dhe karakterin e tipareve urbanistiko-arkitekturore të qendrave të banuara. Së pari, si shprehje e diletantizmit, lidhja e tipareve ndërtimore me cilësime të pushtetit politik si, arkitekturë romake e bizantine e më vonë turko-orientale, janë tejet trukuese. Vetëm ndërtimet e kultit, përgjithësisht të kodifikuara në rrafshet funksionalo-kompozicionale, janë të njësuara, ndërsa kategoritë e tjera ndërtimore, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë me regjimin politik. Pushtimi osman i trojeve shqiptare, pruri myslimanizmin e pranuar gjerësisht prej banorëve të saj dhe si pasojë edhe ndërtimet e njësuara të kultit të ri, i cili ishte përvetësuar prej osmanëve rreth shekullit XI. Ngritja e këtyre ndërtimeve në trojet e qyteteve shqiptare, veçanërisht xhamive, me ndërtimin e kompleksit sallë lutjesh dhe minare, një figg i lartë, i cili në qytetet mbi troje plotësisht, apo pjesërisht të rrafshët, krijon një theksim të spikatur. Kuptueshëm, minaret, thuajse të vetmet theksime vertikale në bashkësinë e hapësirave të rrafshëta qytetare me banesa përdhese dhe me kat, shfaqen kështu ndjeshëm. Kjo dukuri, ashtu si kambanoret e kishave, pavarësisht prej dendësive të tyre, nuk mund të bartin cilësorë përcaktues për karakterin e qytetit, kryesisht i shfaqur në rrafshet urbanistiko-arkitekturorë. Është rasti për të ritheksuar se, tiparet e vendbanimeve dhe banesës janë të lidhura ngushtësisht me kushtet ekonomiko-shoqërore të hapësirës ku ata ngrihen, ndërsa monumentet e kultit janë thjeshtë tregues të llojit të besimit fetar. Në këtë kontekst, pohojmë se etnosi iliro-shqiptar ka qenë vijueshëm afrues i arritjeve të popujve të tjerë, pa asnjë paragjykim, por me racionalizëm të prekshëm. Ai, siç thuhet ngjeshurazi, ka qenë bartës i “kulturës së pranimit” si një vlerë vetjake. Më tej, qendrat e banuara qytetare dhe fshatare, në mbarë Europën, në Lindjen e Afërme etj., deri më vonë në shek. XVIIIXIX, në thelb janë krijime spontane, pra të paplanifikuara. Periudha e shek. XV-XIX dhe më dukshëm ato paraardhëse, shfaqen me afri në rrafshet urbanistiko-ndërtimore, prandaj dallimet qytete orientale dhe perëndimore janë dytësore. Në këtë kontekst edhe për arsye të prekshme të trajtuara, qyteti shqiptar i mesjetës së vonë është i tillë vetëm në cilësime dytësore, gjithë duke qenë pjesë e bashkësisë evropiane dhe të asaj të Lindjes së Afërme.
Qyteti shqiptar i mesjetës së vonë, natyrshëm pati një zhvillim më të dukshëm, brenda hapësirave kohore, se periudhat paraardhëse, shprehje e dukurisë së përshpejtimit zhvillimor të shoqërisë njerëzore në rrjedhë të kohës. Gjatë shek. XV deri rreth fillimit të atij XVI, qytetet shqiptare, kryeqendrat e qëndresës gjatë luftës shqiptaro-osmane, ishin tkurrur në vendbanime të vogla, duke humbur pjesërisht, apo plotësisht shumë prej funksioneve të njohura pararendëse. Shekulli XVI, shënoi një kthesë të rëndësishme rimëkëmbjeje të qytetit shqiptar, kryesisht si ripërtëritje dhe zgjerim i arritjeve paraardhëse në prag të luftës shqiptaro-osmane. Edhe për shkak të emigrimeve, madje masive, kryesisht të shtresës qytetare të popullsisë, më së shumti në jugun e gadishullit italik, qytetet filluan të banohen prej popullsive fshatare të rrethinave. Të ardhurit e rinj largoheshin lehtësisht prej hapësirave fshatare për shkak të kushteve të rënda jetësore dhe mundësive të reja në qytete, duke përfshirë dhe ushtrimin e zejtarisë. Megjithatë, edhe gjatë këtij shekulli, rritja e vogël e mbiprodhimit bujqësor e blegtoral të vendbanimeve fshatare, qe pengesë për rritjen e shpejtë të qyteteve si qendra prodhimi zejtar dhe këmbimi. Fillesat e ripërtëritjes së qyteteve shqiptare në shek. XVI lidhen me një veprimtari vijimisht në rritje, kryesisht i banesave, së pari në varoshet, me nisma kryesisht në dy shekujt paraardhës. Kuptueshëm, veprimtaria zejtare përndiqte rritjen e qendrave qytetare, duke shfaqur lindjen, apo rilindjen e qendrave zejtaro-tregtare, tashmë me emërtimin Pazar, i cili, ashtu si shumë emërtime të tjera, ishte prurë prej pushtuesve të rinj dhe përvetësuar shpejt prej shqiptarëve ithtarë të risive. Me përhapjen e shpejtë të besimit të ri, ndaj një zoti të vetëm, në qendrat e banimit, kryesisht ato qytetare, filloi ndërtimi i veprave të kultit mysliman. Këto të fundit, kryesisht xhami me minaren tejet sugjestive, qenë vepra të spikatura në rrafshin vëllimor, natyrisht pa ndikuar përfillshëm në kompozimin e qyteteve, formësuar prej njësive paralele, lagje të banuara dhe qendrës zejtaro-tregtare. Pushteti qendror osman, pa nxitur rritjen e qyteteve shqiptarë, e kundronte atë si të favorshëm, sepse kështu rriteshin të ardhurat e tij. Është rasti për të ritheksuar se pushteti qendror nuk ndërhynte, sepse nuk mundej të ndërhynte në problematikën urbanistiko-arkitekturore të zonave të pushtuara të cilat shquheshin për tradita dhe ecuri specifike dytësore në rrafshin ekonomiko-shoqëror.
Shekulli XVII shënon një etapë të rëndësishme në zhvillimin e qytetit shqiptar, i cili tashmë hyn pakthyeshëm në etapën e rritjes së zhvillimit ekonomik. Rritja e spikatur demografike dhe paralelisht ajo e veprimtarisë zejtare, si në numrin e zejeve, ashtu edhe në madhësinë e tyre, u shoqëruan me rritjen e veprimtarisë ndërtimore në qytete, kryesisht në kategorinë ndërtimore të banesave. Të dhënat e rëndësishme të udhëtarit të njohur, të rreth mesit të këtij shekulli E. Çelebi, janë domethënëse. Megjithëse me prirjen e pakuptueshme për zmadhimin e shifrave, kuptohet qartë se qyteti i hapur shqiptar i kohës kishte arritje të përfillshme. Emërtimet e lagjeve, ende të ruajtura, si dhe të dhëna të tjera, lehtësojnë paracaktimin e hapësirave të reja të banimit dhe atyre zejtaro-tregtare. Disa qendra kishin arritur shtrirjen që u ruajt përgjithësisht edhe gjatë shek. XVIII-XIX, natyrisht me dendësi më të madhe ndërtimesh. Kështu, qyteti shqiptar kishte fituar fizionominë urbanistike, e cila u ruajt në tiparet thelbësore edhe në shekujt pasues. Kuptueshëm, realizimet urbanistike janë më konservatore, apo më të qëndrueshme në kohë në krahasim me veprat ndërtimore, lehtësisht të ndryshueshme deri në zëvendësim.
Shekulli XVIII shënon periudhën e arritjeve më të spikatura të ekonomisë feudale në vendin tonë. Sistemi i esnafëve pruri arritje në prodhimin zejtar dhe forcimin e shtresës së tregtarëve. Rritja e rolit ekonomik të qyteteve u shoqërua dhe me rritje të haQyteti i vonë mesjetar shqiptar i shek. XVXIX, me histori të pasur zhvillimi në kohë mori tiparet themelore urbanistike, aty nga gjysma e dytë e shek. XVII. Në këtë periudhë, qendrat qytetare shqiptare kishin zgjidhur çështjet kryesore, atë të shtrirjes së tyre, përcaktimit të zonës zejtaro-tregtare, rrjetit rrugor etj. Kjo skemë, në arritjet e saj kryesore u ruajt thuajse e paprekur. Arritjet e rëndësishme urbanistike për kohën, të qytetit të periudhës së vonë mesjetare dëshmojnë për familjarizimin e ndërtuesve me një sërë konceptesh urbanistike, të cilat deri diku, kanë plotësuar pjesërisht përparësitë e munguara të planifikimit. Këto koncepte kanë gjetur zbatime disi të ndryshme për disa arsye, ndër të cilat kryesoret janë forma të truallit ndërtimor, dhe më gjerë, potencialet zhvillimorë të qendrave të banuara. Që në shek. XVII, në qytete përmendet një funksionar i veçantë “agai i ndërtimeve”.pësirave qytetare, por kryesisht me dendësimin e banesave në lagjet ekzistuese. Në këtë shekull, ngritja e kullave të sahatit pasuron kryesisht pamjet e qyteteve fushorë. Rritja e prodhimit zejtar dhe shumimi i tregtimit të tyre, krahas mbiprodhimeve bujqësore dhe blegtorale, i dha shkas ndërtimit të banesave, përgjithësisht pranë zonës zejtaro-tregtare.
Shekulli XIX shënon rritje të mëtejshme të qytetit shqiptar, gjithë duke qenë me popullsi disa herë më të vogël se ajo fshatare. Në këtë periudhë, kryesisht rreth mesit të këtij shekulli, shfaqen dukuritë e para të mënyrës kapitaliste të prodhimit. Kuptueshëm, është fjala për një kalim shkallëzor, i cili lidhet dhe me rënien dhe shkatërrimin e sistemit të esnafëve. Krahas, tregjet tradicionalë krahinorë dhe ndërkrahinorë, vijojnë të përbashkohen drejt krijimit të tregut kombëtar, shprehëse të dukurisë përbashkim-përparim. Zhvillimi hapësinor i qyteteve shqiptarë të kohës është i ndryshëm, si pasqyrim i shkallëve të ndryshme të zhvillimit ekonomik, kryesisht prej zgjerimit të tregjeve. Kështu, Gjirokastra, Berati, Elbasani etj., në përgjithësi nuk ndryshojnë në tiparet e tyre thelbësore urbanistike, të kristalizuara një shekull më parë. Përkundrazi, Shkodra, gjatë këtij shekulli njohu një proces të theksuar zgjerimi, pra zhvillimi në hapësirën ku shtrihet sot, duke iu larguar kalasë, e cila në vitin 1865 humbet çdo funksion me largimin prej saj të administratës së qytetit. Rritja e bujshme që pati qyteti i Korçës, veçanërisht në gjysmën e dytë të shek. XIX, si një qendër tipike zejtaro-tregtare, ndër më të spikaturat në këtë kohë është e rëndësishme. Korça shquhet, në hapësirën shqiptare dhe më gjerë, prej zbatimit të një plani urbanistik në pjesën lindore të saj. Edhe qendrat zejtaro-tregtare patën zhvillim dhe shpesh rindërtime të pjesshme, apo tërësore, sipas arritjeve të kohës, përgjithësisht prej rrënimeve, zjarreve, apo tërmeteve.
Njësitë themelore kompozicionale të qytetit shqiptar të shek. XV-XIX, janë qendra zejtarotregtare dhe ajo e banuar. Qendra e qytetit nuk shfaqet qartë, ajo në shumë raste nuk përputhet me qendrën administrative në Kala, e cila deri vonë, rreth gjysmës së parë të shek. XIX, në qytetet me hapësira banimi mbeti po aty. Qendra zejtaro-tregtare, elementi thelbësor kompozicional i qytetit shqiptar të mesjetës së vonë, përcaktuar së pari si hapësirë e pazareve të hapur të shek. XIV-XV, zinte hapësira të ndryshme në bashkëmarrëdhënie me lagjet e banuara. Këto të fundit, shfaqen si njësi deri diku të veçanta, përgjithësisht me kufizime relievi, apo të rrjetit rrugor dhe përherë qartazi të ndara prej qendrës zejtaro-tregtare. Siç kemi përmendur, përgjithësisht qytetet e mesjetës së vonë i kanë pasur fillesat në hapësirat e fortifikuara. Dalja e qytetit përtej mureve, apo më saktë fillesat e qytetit të hapur, kanë pasur së pari afri të theksuar me pjesën e fortifikuar, deri rreth shekullit XIV, vetë qyteti. Shkaku i kësaj dukurie është synimi për siguri. Me forcimin e administratës, e cila shkonte paralel me rritjen e qyteteve, kuptueshëm lagjet e banuara zgjerohen, duke iu larguar qendrës së fortifikuar, shpesh qendra e kompozimit të qytetit. Banesat përbëjnë ndërtimet kryesore të lagjeve të banuara, por në to, dendur, ngrihen edhe ndërtime kulti dhe rrallë ato shoqërore. Lagjet qendrore kanë dendësi më të madhe ndërtimesh, në dallim prej atyre periferike.
Qyteti shqiptar i mesjetës së vonë mund të klasifikohet sipas dy kriteresh. Kriteri i parë lidhet me pajisjen ose mospajisjen në zanafillë të qendrës së banuar të fortifikimit, ndërsa i dyti lidhet me natyrën e terrenit, të përthyer apo të rrafshët, në të cilin ngrihet vendbanimi qytetar. Qytetet me zanafillë fortifikimin janë përgjithësisht më të shumtë dhe më të zhvilluar, si Berati, Shkodra, Kruja, Elbasani, Gjirokastra etj. Ndër qytetet fushorë përmendim: Tiranën, Kavajën, Voskopojën dhe Korçën, e cila megjithëse ka pasur kala në shek. XV, ajo nuk i qëndroi kohës funksionalisht, duke i lënë vend zhvillimit të qytetit të hapur dhe më tej planifikimit në shekullin XIX. Lindja e varosheve, fillesave të qytetit të hapur, me ardhmëri të motivuar rritëse, bashkëmarrëdhëniet qytet i fortifikuar, qytet i hapur janë dukshëm në favor të njësisë së dytë, ndërsa hapësira e mbrojtur, ose shuhet, ose mbetet njësi ndërtimore, pjesë e qytetit të hapur si në Berat, Krujë dhe Elbasan. Lidhur me natyrën e terrenit mbi të cilin ngrihen qendrat qytetare, dallohen ata mbi troje të pjerrët, pjesërisht të aksidentuar dhe ata të rrafshët. Të parët shfaqen që me fillesat e varosheve dhe vazhdojnë, pjesërisht të tillë, si Berati, Kruja, Shkodra mesjetare, apo plotësisht të tillë si Gjirokastra. Ndër qytetet mbi troje të rrafshët përmendim Elbasanin, Tiranën, Kavajën, Korçën dhe Shkodrën, pas shek. XVIII. Disa prej qendrave qytetare mbi troje të rrafshët kanë lindur si pasojë e kalimit gradual prej qendrave fshatare në ato qytetare.
Trojet e aksidentuara mbi të cilët ngrihen shumë qytete shqiptare, pjesërisht dhe rrallë pjesërisht, gjatë mesjetës së vonë, përfshijnë relievë të ndryshëm që prej atyre të pjerrët, kurrizet kodrinorë, lartësitë kodrinore, luginëzat etj. Këto qendra dallojnë për karakterin e theksuar dinamik të pamjeve, që i shpërfaqen vrojtuesve të tyre, përgjithësisht bashkëbanorë. Ambientet mbi troje të aksidentuar kanë orientim të detyruar dhe dallohen për kompaktësinë e tyre, për të shfrytëzuar maksimalisht truallin, sa të pakët, aq edhe problematik për bashkëpërshtatje me ndërtimet mbi të. Lidhur me karakterin e truallit, ndërtimet ngrihen në formë vargu si në lagjen Mangalem të Beratit, ose kanë shtrirje të kushtëzuar dhe njëherazi të larme si në rastin e Gjirokastrës, një realizim unikal urbanistiko-arkitekturor. Në lagjen Mangalem, bashkësia e banesave përgjithësisht të vargëzuara, del drejtpërdrejtë në rrugë sipas rastit me një, dy dhe rrallë tri faqe. Si të tilla, ndërtimet, njëri pas tjetrit në lartësi, gjallërojnë ndjeshëm kalimin nëpër rrugët sa dinamike, aq dhe përshfaqëse të një morie dukurish vijueshëm të reja. Në këto ansamble, mbisundon perspektiva e kufizuar, për shkak të truallit me pjerrësi, do të thoshim të aksidentuar. Ky terren ka kushtëzuar ngritjen e banesave në lartësi dy dhe tri katërshe, madje, pjesërisht katër të tillë, duke u zbatuar gjerë kompozimi i njohur me gjysmëkat. Ndërtimet e kultit bashkëshkrihen në këta ansamble, të cilët shfaqin vëllimet ndërtimore të mbivëna në lartësi. Një karakter tjetër kanë qendrat qytetare ngritur mbi troje të rrafshët, apo pjesërisht të tillë. Së pari, banesat e ngritura në këto qendra kishin oborre të gjerë, një pjesë e të cilëve shfrytëzohej për mbjellje perimesh e pemësh. Me shtimin e banorëve të qyteteve dhe diferencimin shoqëror të tyre formulohet edhe pjesa qendrore e qytetit, duke rritur çmimin e truallit dhe për pasojë dendësimin e ndërtimeve. Në zonat periferike, ku kryesisht ushtrohej blegtoria dhe bujqësia, dendësia e ndërtimeve ishte më e vogël. Rrjeti rrugor i qyteteve fushore të mesjetës së vonë, ashtu si në mbarë Ballkanin dhe më gjerë, ishte tejet i improvizuar me kthesa, madje dredhime të shumta. Muret e lartë rrethues të oborreve të banesave, me njëtrajtshmërinë e ndërtimit të tyre, krijonin hapësira sa uniforme, aq edhe monotone, të cilat thyheshin vetëm prej portave të hyrjes me përmasa krahasimisht të mëdha. Rrallë, rruga apo rrugët, të çonin në përballje me monumentet e kultit, kryesisht mysliman, pa ndryshuar asgjë thelbësore në tiparet urbanistike të qytetit. Me rritjen e qyteteve, veçanërisht në shek. XVIII-XIX dhe theksimin e shtresëzimit të shoqërisë qytetare, dasitë e karakterit ekonomik shfaqeshin edhe në hapësirat e banimit, apo lagjet. Këto njësi thelbësore të hapësirës së banuar të qytetit, së pari i kanë fillesat prej një, apo disa trungjesh të afërt familjarë, duke u zgjeruar me banorë të rinj, kryesisht prej fshatrave. Njëherazi, lagjet e banimit, sipas vendndodhjes në bashkëmarrëdhënie me qendrën e qytetit, qendrën zejtaro-tregtare, apo elementë natyrorë si burime ujore dhe formës së truallit, fitojnë vlerësime të ndryshme. Këto vlerësime shfaqen edhe me dallimet mbi bazën e gjendjes pronësore. Kështu, në Berat, familjet e zejtarëve përgjithësisht banonin në lagjet që i qepeshin shkëmbinjve të kalasë, apo Malit të Goricës, ndërsa shtresat e pasura ndërtonin në qendër, apo në rrafshin perëndimor të qytetit. Rrjeti rrugor i qyteteve shqiptare të mesjetës së vonë ndikohet edhe prej llojit të truallit mbi të cilin ngrihet vendbanimi. Në qytetet me fortifikim, arteriet e para rrugore zënë fill nga hyrjet për në kala. Shtrati i tyre përgjithësisht ndiqte vijat e niveleve, por shpesh i përvijoheshin rrugë normal tyre, madje kur pjerrësitë ishin të theksuara ato ngriheshin në formë shkallësh. Në lagjet mbi kurrize kodrinorë, rruga kryesore trasohej përgjithësisht gjatë pjesës më të lartë, nga ku prej saj degëzoheshin rrugë anësore në të dy krahët. Në qendrat qytetare fushore rrugët janë më të gjera, si prej gjerësisë së trojeve, ashtu dhe prej nevojës për përdorimin e qerreve. Rrugët rëndom shtroheshin me kalldrëm. Të përhapura qenë prerjet e qosheve të mureve që dilnin në rrugë, për të lehtësuar kalimin, veçanërisht të kafshëve të ngarkesës. Rrjedhat ujore të përrenjve dhe lumenjve shpesh përshkojnë qytetet, duke bërë të domosdoshme ndërtimin e urave, përgjithësisht prej guri me struktura harqesh e qemerësh. Gjelbërimi i dendur, veçanërisht në qytetet fushorë, është një dukuri e rëndomtë. Edhe në qytetet mbi troje të pjerrët, apo pjesërisht mbi ta e shfa,q më natyrshëm lidhjen e ndërtimeve me trojet shkëmborë. Furnizimi me ujë të pijshëm i banesave dhe më gjerë ka qenë problem në qytetet tradicionalë shqiptarë. Burimet natyrore, sipas rastit dhe rrjedhat kalimtare, kanë qenë burime të përhapura, të cilat shpesh sistemoheshin me tuba qeramikë për të furnizuar pika të caktuara. Puset kanë qenë gjithashtu tepër të përhapur, veçanërisht në qytetet fushorë. Në mungesë të këtyre burimeve, një përdorim përherë e më të gjerë kanë pasur sterat e ujit në banesa, madje dhe në kala, si ajo e Beratit. Sterat grumbullonin ujin e shiut, i cili duke qenë i sterilizuar i qëndronte kohës. Nuk kanë munguar as ujësjellësit që siguronin marrjen e ujit prej burimesh të largët, si në Kalanë e Gjirokastrës.
Qytetet shqiptarë me fillesa të periudhave antike, mesjetare dhe të mesjetës së vonë, ende ruajnë tregues urbanistiko-arkitekturore të periudhave të ndryshme pararendëse. Për arsye të zhvillimeve, krahasimisht të ngadalshme të tyre, gjatë shek. XV deri në gjysmën e parë të atij XIX, në Shqipëri ende ka qendra të cilat ruajnë vlera urbanistike-arkitekturore të së kaluarës, madje duke u vlerësuar dy prej tyre “Pasuri botërore”, ndërsa të tjera, me zona në mbrojtje si qendra historike. Berati. Është një prej qyteteve më të shquar shqiptarë me histori që zë fill në shek. IV p.e.s, kur fisi ilir i dasaretëve ndërtoi mbi kodër, në të djathtë të lumit Osum, një fortifikim të fuqishëm. Përkundrejt tij, mbi një kodër tjetër, një fortifikim i dytë mundëson që ngushtica e Osumit të mbikëqyret lehtë. Berati është një nga qytetet e paktë ku jeta vijoi thuajse pandërprerë, duke u zhvilluar gjatë brenda mureve rrethues të kalasë, ashtu si ende sot. Dalja e qendrës së banuar jashtë rrethimit, mund t’i përkasë gjysmës së dytë të shek. XIII, duke u shtrirë në veriperëndim të kalasë. Krahas, e kësaj periudhe duhet të ketë qenë edhe një lagje e jashtme, e cila kufizohej në veri të kalasë, në jug me lumin Osum, ndërsa në lindje dhe perëndim prej muresh mbrojtës. Pushtimi turk i qytetit më 1417 e gjen Beratin brenda rrethimit, duke përfshirë edhe lagjen në jug të kalasë. Prej të dhënave të Marin Barletit mbi Gjergj Kastriotin, nuk del e qartë nëse ka pasur ndonjë lagje të hapur në Beratin e vitit 1455. Berati, ashtu si qytetet shqiptare në përgjithësi, pas luftës shqiptaro-turke, e cila cënoi rëndë jetën ekonomiko-shoqërore të vendbanimeve shqiptare, rifilloi ripërtëritjen. Kështu, ndërsa në vitin 1431 Berati kishte 175 banesa, në fillim të shek. XVI numëronte 406 të tilla dhe më tej, me 1570, banesat arrijnë në 1094. Kjo mëkëmbje parakupton rritjen mekanike të popullsisë me të ardhur prej fshatrave, të cilët u vendosën në qytetin e hapur, duke i dhënë shtysë edhe rritjes së qendrës zejtaro-tregtare. Kjo e fundit, duke filluar prej varoshit në jug të kalasë, i cili tashmë po formonte lagjen tipikisht beratase “Mangalem”, po shtrihej drejt lindjes. Sipas të dhënash për fundin e shek. XVI, në Berat 50,28 % ishin zejtarë, 10,85 % zotërues çifligjesh, 1,04 % tregtarë, ndërsa 36,83 % të papërcaktuar, me gjasë ushtrues të ekonomive bujqësore dhe blegtorale. Mbisundimi i shtresës tregtare dhe ushtrimi i 23 zejeve e bëjnë Beratin një prej qendrave ekonomikisht të zhvilluara të Shqipërisë, rreth fundit të shek. XVI. Të dhënat e E. Çelebiut për rreth mesin e shek. XVII, flasin për zgjerimin e qytetit të hapur, përherë në rritje. Ai tashti përfshinte lagjet “Mangalem”, “Përroi”, “Goricë” (fig. 8) dhe “Murat Çelepias”. Këto të dhëna dëshmojnë se fundi i shek. XVI e gjen Beratin mjaft të shtrirë në jug, lindje dhe perëndim të kalasë. Njëherazi kishin marrë zgjidhje problemet themelore urbanistike në zonat e reja të banimit, ajo zejtaro-tregtare, trasimi i arterieve kryesore rrugore dhe ngritja e një numri ndërtimesh të kultit kristian dhe mysliman. Tashmë, qyteti i hapur kishte përparësinë, gjithnjë duke u theksuar ajo në krahasim me Beratin antik dhe pjesërisht mesjetar, brenda mureve rrethues të kalasë.
Berati i shek. XVIII, pëson rritje të mëtejshme, kryesisht në dendësinë e ndërtimeve dhe shtrirje të mëtejshme në hapësirat rreth kalasë. Thellimi i shtresëzimit shoqëror mundësoi ndërtimin e banesave të mëdha të parisë feudale, në lagjet me kushte më të mira ndërtimore. Kthimi i urës së Goricës në urë krejtësisht prej guri prej sunduesit të fuqishëm Kurt Pashës, Teqes së Helvetike dhe banesës së Vrionasve me banesat për familjen dhe asaj të të miqve, shquajnë për trajtimin dhe madhësitë e tyre. Më tej, banesat me çardak, në brezin e poshtëm të lagjes Goricë dhe banesa të tjera si ajo e Haxhistasës në kala, rrisin vlerat arkitekturore të Beratit edhe në gjininë e banesës popullore qytetare.
Berati i shek. XVIII, pëson rritje të mëtejshme, kryesisht në dendësinë e ndërtimeve dhe shtrirje të mëtejshme në hapësirat rreth kalasë. Thellimi i shtresëzimit shoqëror mundësoi ndërtimin e banesave të mëdha të parisë feudale, në lagjet me kushte më të mira ndërtimore. Kthimi i urës së Goricës në urë krejtësisht prej guri prej sunduesit të fuqishëm Kurt Pashës, Teqes së Helvetike dhe banesës së Vrionasve me banesat për familjen dhe asaj të të miqve, shquajnë për trajtimin dhe madhësitë e tyre. Më tej, banesat me çardak, në brezin e poshtëm të lagjes Goricë dhe banesa të tjera si ajo e Haxhistasës në kala, rrisin vlerat arkitekturore të Beratit edhe në gjininë e banesës popullore qytetare.
Një planimetri e vitit 1912 e pazarit të qytetit është me rëndësi për të qëmtuar tiparet e tij, duke qenë ky qendra e dytë e rëndësishme pas bashkësisë së lagjeve të banuara. Ndër to, më përfaqësueset dhe vendosur kohësisht janë ato kala, Mangalem dhe Goricë. E para është ndër të paktat dhe më gjerë e vetmja në Shqipëri, e cila gjithë duke qenë e rrethuar me mure dhe lart qytetit të hapur i qëndron ende kohës. Vendi i veçantë i Beratit në bashkësinë e qyteteve shqiptarë antikë, mesjetarë dhe vijueshëm bashkëkohorë, shpreh hapësirat e gjera të zgjidhjeve urbanistiko-arkitekturore me tipare thellësisht të njëjta.
Shkodra. Lindja e qytetit të Shkodrës, lidhet me Kalanë e Rozafës, të shek. IV p.e.s. Që në antikitet Shkodra ka pasur qytetin e jashtëm, i cili shtrihej në pjesën jugore të kodrës së kalasë. Në periudhën mesjetare zhvendoset nga fusha që përmbytej, duke iu veshur kodrës. Njëherazi ajo shtrihet drejt lindjes duke u rrethuar në shek. XIV me mure. Jashtë tyre ngriheshin varoshet në Bregun e Bunës, përtej saj dhe më tej. Për t’i qëndruar rrethimit turk, qytetarët u ngritën në kështjellë, por më 1479-ën ajo pushtohet. Më pas qyteti fillon të ripopullohet me banorë të viseve të afërta. Më 1485, Shkodra kishte 80 banesa, ndërsa në fillim të shek. XVI, 162 të tilla. Kuptohet se qytetit i hapur kishte filluar të zhvillohej. Fundi i shek. XVI e gjen Shkodrën me 282 banesa. Të dhënat e Çelebiut për Shkodrën e viteve 1670-1671 tregojnë se në fortesë kishte pak banesa. Më tej, ai shkruan për qytetin e hapur e të gjerë, me shtëpi dykatëshe rrethuar me kopshte e vreshta. Fillesat e zgjerimit të qytetit në pjesën e gjerë fushore verilindore ndaj kalasë, me gjasë, i përkasin kapërcyellit të shek. XVII-XVIII. Në vitin 1745, lagja e Tophanes, fillesë e zgjerimit verilindor të qytetit, përmendet si borgo e qytetit, me 150 banesa. Me interes për zgjerimin e qytetit fushor, janë datat e ndërtimit të xhamive në lagjet Rus i madh, Ndocaj dhe Perash, të gjysmës së parë të shek. XVIII. Edhe një banesë me çardak në lagjen Dudas datohet e vitit 1763. Në zhvillim të mëtejshëm, zgjerimi i Shkodrës në hapësirën e re pëson vijueshëm rritje. Kështu rreth viteve 1815, qyteti numëronte 24.000 banorë, ndërsa më 1854, 36.000 të tillë. Zhvendosja në zonën e re, gjatë gjysmës së parë të shek. XIX u përshpejtua edhe për shkaqe të veçanta si përhapja e sëmundjeve ngjitëse, tërmetet, apo grindjet mes feudalësh, me pasojë rrënim banesash. Shtytjen madhore të shpërnguljes prej qendrës së vjetër e shkaktoi rikthimi i Drinit në shtratin e vjetër, pas viteve 1860. Bashkimi i tij me Kirin i bëri të dendura vërshimet dhe praktikisht lagjja e populluar dendur e Tabakëve, nuk mund të banohej. Zonat e banuara kodrinore në verilindje të kalasë, ishin më të mbrojtura prej vërshimeve, prandaj qëndruan ende, tashmë si lagje periferike të qytetit. Largimi nga kalaja, më 1865 i administratës duhet mbajtur si fundi i qëndresës së vjetër.
Qendra zejtaro-tregtare e Shkodrës shtrihej në veri të kalasë, pranë saj, duke qenë, së pari ndërmjet lagjeve Qafë dhe Tabak. Kjo zhvendosje me gjasë ka filluar para pushtimit turk të qytetit. Tiparet urbanistike dhe silueti i Shkodrës fushore, janë nga më tipiket për qendrat qytetare ndërtuar mbi troje të rrafshët. Rrugë krahasimisht të gjera, me gjarpërime të shumta, të cilat konturohen prej mureve të lartë rrethues të banesave, thyhen prej portash monumentale. Krahas, gjelbërimi i dendur dhe silueti i ndonjë minareje, thyejnë disi pamjet e varfra dhe monotone të rrugëve.
Elbasani. Edhe kjo qendër banimi lidhet ngushtas me një fortifikim (fig. 12), i cili u ngrit në një hapësirë me vlera të qëndrueshme strategjiko-ekonomike. Skampini, emri i lashtë i vendbanimit, nisi jetën si qendër pranë rrugës Egnatia. Në shek. IV, në këtë vendbanim, ngrihet një fortifikim i llojit klasik kastrum, me përmasa 308 x 348m, me nga një hyrje në secilën prej katër mureve rrethues. Në prag të pushtimit Osman, kastrumi ishte thuajse i rrënuar. Në vitin 1466, sulltan Mehmeti II, pas dështimit të rrethimit të dytë të Krujës, rindërtoi fortifikimin e tipit kastrum, për të lehtësuar luftën kundër shqiptarëve, që udhëhiqeshin prej Gjergj Kastriotit. Në këtë kohë, kjo qendër u emërtua Elbasan. Përveç garnizonit turk, qyteti u ripopullua me banorë të qendrave fshatare përreth. Elbasani, kryesisht për shkak të vendngritjes bri aksit, sa të lashtë aq të rëndësishëm, që përshkonte Shqipërinë qendrore, i cili lidhte perëndimin bregdetar me lindjen, pra Ballkanin qendror dhe më gjerë, pati zhvillim të shpejtë. Ai së pari u zhvillua brenda hapësirës së gjerë të fortifikimit, ndërsa me gjasë në kapërcyellin e shek. XV-XVI, qendra e banuar filloi daljen jashtë mureve rrethues.
Në fillim të shekullit XVI, qyteti numëronte 285 banesa, të cilat nuk mund të përfshiheshin të gjitha brenda fortifikimit, i cili nuk e kishte humbur funksionin ushtarak. Në fund të shek. XVI, ai arrin të ketë 808 banesa. Struktura e popullsisë në gjysmën e dytë të shek. XVI, 56,4 % zejtarë, 2,2 % tregtarë dhe 40,8 % që ushtronin përgjithësisht bujqësinë dhe blegtorinë, dëshmon karakterin qytetar për kohën të kësaj qëndrese. Në fund të shek. XVI, Elbasani numëronte 21 lagje, me emërtime të familjeve të pasura të vendosura në to, apo me emërtime qendrash të tjera qytetare, prej nga kishin ardhur si banorë të rinj në këtë qendër. Të dhënat e Çelebiut, të rreth çerekut të tretë të shek. XVII, tregojnë se qyteti i hapur, ishte rreth katër herë më i madh se qendra e banuar brenda kalasë. Në qytetin e hapur, ai shkruan për banesa të mëdha dhe mesatare për kohën, të rrethuara me kopshte. Ai përmend qendrën zejtaro-tregtare, banjat dhe krojet publikë, si dhe një numër hanesh. Pranë qytetit, në perëndim të tij rrjedh lumi i Shkumbinit, i cili kalohej me urë si pjesë e trasesë së rrugës së rëndësishme që lidh perëndimin e Shqipërisë me zonat lindore dhe më tej ato ballkanike. Kjo rrugë përshkon dhe qytetin, si rrugë kryesore, përbri murit jugor të kalasë. Edhe Elbasani fushor shfaqet për shikuesit në rrugëtime përgjatë rrjetit rrugor të qytetit, me monotoninë arkitekturore të mureve rrethues të banesave. Silueta e qytetit thyhej gjallërueshëm prej balleve të dyqaneve-punishte, të qendrës zejtaro-tregtare dhe ndërtimeve të kultit – xhami.
Gjirokastra. Qyteti i Gjirokastrës zë një pozitë qendrore në luginën e Drinos. Lindja e qytetit është e lidhur me kalanë, ndërtimi i së cilës duket se i përket gjysmës së dytë të shek. XIII. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV, Gjirokastra është qendër e feudalëve Zenevisë, ndërsa më 1419, ajo bie nën pushtimin Osman. Roli i kësaj qendre dëshmohet edhe në caktimin e saj, më 1431 kryeqendër e Sanxhakut të Shqipërisë. Rreth gjysmës së parë të shek. XIV kishte filluar zgjerimi i qytetit, jashtë mureve rrethues. Shek. XVI, shënon rifillimin e rritjes së tij, veprimtari e cila fuqizohet gjatë shek. XVII, rreth çerekut të tretë të tij, duke arritur që ky qytet, të ketë thuajse shtrirjen që ruajti gjatë dy shekujve të mëvonshëm. Këtij shekulli i përket edhe procesi i formimit të tregut të ri.