Në fillimin e luftës midis Devletit dhe Rusisë, Franca lajmëroi Devletin Osman se rusët do të dërgonin një flotë në Mesdhe. Dhe, ndërkohë që osmanët ishin duke diskutuar nëse diçka e tillë ishte e mundshme, rusët dërguan disa luftanije nga Deti Balltik, me përforcime edhe nga Britania, Holanda dhe Venediku. Ata, po ashtu, kishin angazhuar edhe oficerë marine dhe detarë. Trupat ruse u shfaqën në gadishullin e Moresë dhe nxitën popullsinë të hidhej në revoltë kimdër Devletit Osman. Mehmed Pasha, djali i Muhsin Pashait, u dërgua në More për fi shtypur këto revolta. Kaptanë Derja osman, Husameddin Pasha u nis drejt Mesdheut dhe u përball me flotën ruse në dy beteja. Xhezajirli Hasan Beu do ta kishte marrë anijen kryesore të flotës ruse, nëse nuk do të kishte rënë zjarr, që i dogji dy anijet, dhe dy flotat u ndanë. Flota osmane ankoroi në portin e Çeshmes, pranë Izmirit, në vitin 1184/1770, ndërsa rusët me ndihmën e oficerëve detarë të Britanisë, Holandës dhe Venedikut, u hodhën në një sulm të befasishëm dhe dogjën anijet osmane. Ndërkohë, si ushtarak i aftë, Xhezajirli Hasani, që u ngrit në rangim e pashait dhe më pas u emërua si vezir, avancoi drejt Dardaneleve. Flota ruse rrethoi kështjellën e ishullit të Lemnosit, por Hasan Pasha arriti ti transportonte ushtarët e tij me anije të rastit në këtë ishull. Ai i sulmoi rusët dhe i mundi ata në betejë, pas së cilës ai u ngrit në rang, duke marrë titullin gazi.