Athina
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Athina

Pas përmbysjes së mbretërisë, eupatridët qeverisën Athinën për katër shekuj. Rreth këtij sundimi të gjatë, historia është memece; dihet vetëm një gjë, ky sundim, për klasat e ulëta, qe i urryer dhe populli u përpoq të dilte prej tij.

Rreth vitit 612, duket se pakënaqësia ishte e përgjithshme dhe ishin shfaqur shenja të sigurta paralajmëruese të një revolucioni të afërt, gjë që kishte zgjuar ambicien e një eupatridi, Cilonit, i cili u përpoq të përmbyste qeverisjen e kastës së tij dhe të kthehej në tiran popullor. Qëndresa e fuqishme e arhontëve bëri që përpjekja të dështonte; por edhe pas tij, trazirat vazhduan. Më kot, eupatridët vunë në përdorim të gjitha burimet e fesë së tyre. Më kot, thanë ata, se perënditë ishin hidhëruar dhe se shumë shpejt kudo do të shfaqeshin fantazmat. Më kot e pastruan ata qy tetin nga të gjitha krimet e popullit dhe ngritën dy altarë për të paqtuar hyjnitë e Dhunës dhe të Mospërfilljes, ndikimi keqbërës i të cilave kishte trazuar shpirtrat njerëzorë. Të gjitha këto nuk shërbyen për asgjë. Ndjenjat e urrejtjes nuk u zbutën. Nga Kreta u soll Epimenidi hirplotë, personazh misterioz që thuhej se ishte i biri i një perëndeshe; atij iu kërkua të kryente një seri ceremonish që largonin të keqen; duke goditur kësisoj imagjinatën e popullit, shpresohej të gjallërohej feja dhe për rrjedhojë të forcohej aristokracia; por populli nuk lëvizi nga e tija; feja e eupatridëve nuk kishte më prestigj mbi shpirtin e tij; ai vazhdoi të ngulmonte në kryerjen e reformave.

Për gjashtëmbëdhjetë vjet radhazi, opozita e egër e të varfërve të maleve dhe opozita e duruar e të pasurve të bregdetit do t'u kundërvihej me vendosmëri eupatridëve. Më në fund, njerëzit më të urtë në gjirin e tre palëve ranë në ujdi mes tyre, për t'i besuar Solonit kujdesin për t'u dhënë fund këtyre grindjeve, duke parandaluar kështu fatkeqësi më të mëdha. Soloni kishte fatin e madh t'u përkiste njëherazi eupatridëve për nga origjina e tij dhe tregtarëve nga punët që pat bërë në rini të vet. Në poezitë e tij, ai na paraqitet si një njeri krejtësisht i çliruar nga paragjykimet e kastës së vet; për nga mendja e tij e hapët, për nga shija për pasurinë dhe luksin, për nga pasioni i tij ndaj kënaqësive të jetës, ai qëndron fort larg nga eupatridët e lashtë dhe i përket Athinës sëre.

Më lart kemi thënë se Soloni nisi me çlirimin e tokës nga sundimi i vjetër që feja e familjeve eupatride kishte ushtruar mbi të. Ai theu zinxhirët e klientelës. Një ndryshim i tillë në gjendjen shoqërore do të sillte edhe një ndryshim tjetër në rendin politik. Duhej që klasat e ulëta të kishin, tashmë, sipas vetë shprehjes së Solonit, një mburojë për të mbrojtur lirinë e sapofituar. Kjo mburojë do të ishin të drejtat politike.

Të shumta janë elementet që mungojnë për të njohur siç duhet kushtetutën e Solonit; por, më së paku, duket se tashmë të gjithë athinasit bënin pjesë në Kuvendin e popullit dhe se Senati nuk përbëhej më vetëm nga eupatridët; madje duket se tani arhontët mund të caktoheshin edhe nga jashtë kastës priftërore. Këto ndryshime të mëdha përmbysnin të gjitha rregullat e qytezës së lashtë. Votimi, magjistratura, funksionet priftërore, drejtimi i shoqërisë, të gjitha këto tani eupatridit i duhej t'i ndante me njeriun e kastës së ulët. Në kushtetutën e re, të drejtat e siguruara nga origjina nuk figuronin aspak; klasat kishin mbijetuar, por tani ato përcaktoheshin vetëm nga pasuria. Që nga ky çast, sundimi i eupatridëve ishte zhdukur. Tashmë ai nuk ishte asgjë, nëse nuk ishte i pasur; vlera e tij përcaktohej nga pasuria dhe jo nga origjina e lindjes. Tani poeti mund të shprehej: "Në varfëri, njeriu fisnik nuk është më asgjë; dhe në teatër populli gajasej me këtë thumb komik: "Ç'origjinë ka ky njeri? -I pasur; sot, këta janë fisnikët.

Regjimi i themeluar kësisoj, kishte dy lloj armiqsh: eupatridët, të cilët shprehnin keqardhjen për privilegjet e tyre të humbura dhe të varfrit që vuanin ende nga pabarazia.

Sapo Soloni pat përfunduar veprën e tij, trazirat do të fillonin sërish. "Të varfrit u treguan, thotë Plutarku, si armiqtë më të betuar të të pasurve." Ndoshta qeveria e re urrehej prej tyre po aq sa edhe qeverisja e eupatridëve. Ndër të tjera, duke parë se eupatridët mund të ishin përsëri arhontë dhe senatorë, shumë syresh besonin se revolucioni ende nuk kishte përfunduar. Soloni kishte ruajtur formën republikane; mirëpo, populli ushqente akoma një urrejtje të pakontrolluar ndaj kësaj forme qeverisëse, ku ai kishte parë përgjatë katër shekujve vetëm sundimin e aristokracisë. Nën shembullin e shumë qytezave greke, ai kërkonte një tiran.

Pizistrati, i dalë nga radhët e eupatridëve, por në ndjekje të një ambicieje personale, u premtoi të varfërve ndarjen e tokës, duke i bërë ata për vete. Një ditë prej ditësh, ai do të shfaqej në kuvend dhe me pretendimin se ishin përpjekur ta vrisnin, kërkoi që t'i jepej një truprojë. Njerëzit e klasave të pasura po përgatiteshin t'i përgjigjeshin dhe të zbulonin gënjeshtrën e tij, por ndërkohë "turma nisi të ngrinte krye në mbështetje të Pizistratit; duke parë këtë, të pasurit u shpërndanë nga sytë këmbët". Kështu një nga aktet e para të kuvendit popullor, të ngritur vetëm pak kohë më parë, ishte të ndihmonte një njeri të bëhej sundimtar i vendit.

Megjithatë, duket se sundimi i Pizistratit nuk i ka sjellë ndonjë pengesë zhvillimit të fateve të Afhinës. Përkundrazi, ai do të kishte për pasojë kryesore sigurimin dhe garantimin e masave ndaj reagimit të mundshëm kundër reformës së madhe shoqërore dhe politike në zhvillim e sipër.

Populli nuk u tregua aspak i gatshëm për të rifituar lirinë e tij; koalicioni i të pasurve dhe i të fuqishmëve e rrëzoi Pizistratin dy herë, dy herë do e rimerrte ai pushtetin dhe djali i tij i madh do të sundonte mbi Athinë edhe pas tij. U desh ndërhyrja e ushtrisë spartane në Atikë, për t'i dhënë fund sundimit të kësaj familjeje.

Aristokracia e vjetër pati një moment shprese, për të përfituar nga rënia e Pizistratidëve dhe rikapur privilegjet e saj të dikurshme. Ajo, jo vetëm që nuk mundi ta bënte një gjë të tillë, por do të merrte edhe goditjen më të rëndë që i ishte dhënë ndonjëherë. Klisteni, i cili kishte dalë nga kjo klasë, por që vinte nga një familje që kjo klasë e pat mbuluar me turp dhe fyerje, duke e mohuar qysh prej tre brezash, gjeti mjetin më të sigurt për t'i hequr asaj njëherë e përgjithmonë edhe atë pak forcë që i pat mbetur. Soloni, pavarësisht se kishte ndryshuar ndërtimin politik, kishte lënë në këmbë krejt organizimin e vjetër fetar të shoqërisë athinase. Popullsia vazhdonte të ndahej në dy ose treqind gente, në dymbëdhjetë fratri, në katër fise. Në secilin nga këto grupe vazhdonte të ruhej, si edhe në epokën e mëparshme, një kult i trashëgueshëm, një prift eupatrid, një prijës, i cili identifikohej në personin e priftit. Të gjitha këto ishin mbeturina të një të kaluare që nuk epej; ato ishin themeli që përjetësonte traditat, zakonet, rregullat, dallimet, që kishin sunduar në shoqërinë e lashtë. Këto korniza ishin konceptuar nga feja, domethënë nga pushteti i familjeve të mëdha. Në gjirin e secilës prej tyre dalloheshin dy lloj njerëzish, nga njëra anë eupatridët, që zotëronin në mënyrë të trashëgueshme funksionin priftëror dhe autoritetin, në anën tjetër, njerëzit e klasave të ulëta, të cilët nuk ishin më as shërbëtorë as klientë, por që mbeteshin ende nën autoritetin e eupatridit nëpërmjet fesë. Më kot shprehej ligji i Solonit se të gjithë athinasit ishin të lirë. Feja e lashtë i kapte njerëzit në dalje të pragut të Kuvendit, ku ai kishte votuar lirisht dhe i thoshte: ti je i lidhur me një eupatrid nëpërmjet kultit; ti i detyrohesh atij respekt, nderim, nënshtrim; Soloni të ka bërë të lirë si anëtar të një qyteze, por jo si pjesëtar të një fisi; si i tillë, ti i nënshtrohesh një eupatridi; si pjesëtar i një fratrie, përsëri ti ke një eupatrid për prijës; madje në vetë gjirin e familjes, në gens-in ku të parët e tu kanë lindur dhe prej ku ti nuk mund të dalësh, ti rigjen përsëri autoritetin e një eupatridi. Vallë, përse shërbente kthimi i këtij njeriu në qytetar, përmes ligjit politik, kur feja dhe zakonet këmbëngulnin që ai të mbetej klient? Është e vërtetë se prej shumë brezash, shumë njerëz kishin mundur të shkëputeshin nga ky kuadër, si në rastet kur ata kishin ardhur nga vende të huaja, ashtu edhe kur ata ishin shkëputur nga duart e gent-it dhe të fisit, për të qenë të lirë. Por këta njerëz vuanin të tjera pasoja; në skaj të fiseve, ata ishin në një gjendje inferioriteti moral përkundrejt njerëzve të tjerë dhe pavarësia e tyre pështillej nga një lloj përbuzjeje publike.

Pra, pas reformës politike të Solonit, mbetej për t'u kryer një tjetër reformë në fushën e besimit. Klisteni e kreu atë duke i zëvendësuar katër fiset e lashta fetare me dhjetë fise të reja, të cilat ndaheshin në një numër të caktuar demesh.

Në dukje, këto fise dhe deme ngjasonin me fiset dhe gent-et e lashtë. Në secilën prej këtyre ndarjeve administrative kishte një kult, një prift, një gjykatës, në to zhvilloheshin kuvende për ceremoni fetare, për marrjen e vendimeve rreth çështjeve me interes të përbashkët. Por grupet e reja ndryshonin nga të vjetrat në dy pika themelore. Pikësëpari, të gjithë njerëzit e lirë të Athinës, madje edhe ata që nuk kishin bërë pjesë në fiset dhe në gent-et e lashtë, u ndanë sipas kornizave të përcaktuara nga Klisteni: reforma ishte shumë e thellë dhe u jepte një kult të gjithë atyre që nuk e kishin ende një të tillë, duke futur në shoqërim fetar të gjithë ata që deri atëherë ishin përjashtuar nga çdo lloj shoqërimi. Së dyti, njerëzit u ndanë në fise dhe në deme, jo më sipas origjinës, sikurse ndodhte dikur, por sipas vendbanimit të tyre. Lindja nuk kishte më kurrfarë rëndësie; në këtë ndarje, njerëzit ishin të barabartë dhe privilegjet nuk njiheshin më. Kulti, për kremtimin e të cilit, fisi i ri ose dema mblidheshin, nuk ishte më kulti i trashëgueshëm i një familjeje të lashtë; njerëzit nuk mblidheshin më rreth vatrës së një eupatridi. Fisi apo dema nuk nderonte më si të parë hyjnor eupatridin e lashtë; fiset do të kishin heronjtë e tyre eponimë, të përzgjedhur mes personazheve më të lashta, për të cilat populli kishte ruajtur një kujtim të mirë, ndërsa për sa u përket demeve, ato do të konsideronin këtej e tutje si perëndinë e tyre mbrojtëse Zeusin vigjilues rribi muret rrethuese dhe Apolonin atëror. Që nga ky çast, në demë nuk kishte më arsye që funksioni priftëror të qe i trashëgueshëm, sikurse kishte qenë deri atëherë në rastin e gent-it; po kështu, nuk kishte më asnjë arsye që prifti të ishte gjithnjë eupatrid. Në grupet e reja, funksioni i priftit dhe i prijësit u bë i përvitshëm dhe atë mund ta ushtronte çdo pjesëtar.

Kjo do të ishte reforma, që do t'i jepte goditjen përfundimtare rrëzimit të eupatridëve. Nga ajo kohë, kastat fetare nuk do të ekzistonin më; nuk do të kishte më privilegje si rrjedhojë e origjinës së lindjes, as në pikëpamje fetare dhe as politike. Shoqëria athinase ishte transformuar plotësisht.

Mirëpo, eliminimi I fiseve të vjetra, të zëvendësuara nga fiset e reja, ku të gjithë njerëzit pranoheshin dhe ishin të barabartë, nuk është një fakt i veçantë vetëm për historinë e Athinës. I njëjti ndryshim u krye në Sirenë, në Sicione, në Elis, në Spartë e, me fort të ngjarë, edhe në shumë qyteza të tjera greke. Prej tërë mjeteve të afta për të dobësuar aristokracinë e lashtë, Aristoteli nuk shihte mjet tjetër më të efektshëm sesa ky. "Nëse kërkohet të hidhen themelet e demokracisë, u shpreh ai, duhet të bëjmë atë që Klisteni bëri me athinasit: duhen ngritur dhe vendosur fise dhe fratri të reja; blatimet e trashëgueshme të familjeve duhen zëvendësuar me blatime, ku të pranohen të gjithë njerëzit; marrëdhëniet mes njerëzve duhet të përzihen sa më shumë të jetë e mundur, duke bërë kujdes që të thyhen të gjitha shoqërimet e mëparshme.

Vetëm kur kjo reformë do të përfundonte në të gjitha qytezat, mund të thuhej se forma e lashtë në të cilën ishte derdhur shoqëria e vjetër, ishte thyer dhe se në vend të saj ishte vendosur një ndërtim i ri shoqëror. Ndryshimi i kornizave të vjetra, të vendosura nga feja e lashtë, e cila i pat shpallur ato si të pandryshueshme, shënon edhe fundin e regjimit fetar të qytezës.

info@balkancultureheritage.com