Banesa nga prehistoria deri në vitin 168 p.e.sonë
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Banesa nga prehistoria deri në vitin 168 p.e.sonë

~Apollon Baçe

Banori i periudhës së hershme (2.6 milion-100.000 p.e.s.) dhe të mesme të Paleolitit (100-30.000 p.e.s.) ishte Njeriu i Neandertalit (Homo Neanderthalensis). Për shkaqe misterioze, të panjohura deri sot, neandertalasit u zhdukën nga fundi i paleolitit të mesëm (40.000 p.e.s.), për t’ja lënë vendin njeriut të Cro-Magnonit, species së njeriut të sotëm (Homo sapiens sapiens). Gjurmët e para të jetës në arealin Ilir, të Paleolitit të Mesëm dhe Paleolitit të Lartë (30.000-12.000 p.e.s.), i përkasin pikërisht Homo sapiens sapiensit, gjuetar dhe mbledhës frutash.

Gjatë periudhës së akullnajave (110.000-12.000 p.e.s.), veçanërisht në maksimumin e tyre (25.000 p.e.s.), kufiri i jetës, ai i permafrostit, kalonte në cakun e sipërm të gadishujve Iberikë, Apeninë dhe Ballkanikë. I ftohti dhe nevoja për ushqim e përqendruan njeriun evropian në tre rifuxhio, treva strehime: në Gadishullin Iberik, Ballkanin Qendror dhe Ukrainë.

Rreth 12.000 vjet p.e.s. akujt u tërhoqën dhe jeta u bë e mundur edhe në viset e tjera evropiane. Ndërkohë, qëndrimi i gjatë, i izoluar i tre grupeve të mësipërm solli mutacione, shndërrime të ADN-së së tyre, duke u veçuar në tre të quajtur haplogrupe. Prej tyre Rlb vijoi përhapjen nga Spanja në Skoci, I-ja nga Ballkani Qendror në tërë Evropën qendrore dhe në Skandinavi dhe Rla në vendet Sllave dhe Pakistan. Kjo do të thotë se flora, fauna dhe njerëzit të cilët tani banojnë Evropën Qendrore, nga Austria në Suedi, fillimisht kanë qenë banorë të territoreve që përkojnë me Ilirinë dhe Greqinë kontinentale.

Kjo lëvizje u krye me një shpejtësi tepër të ulët: rreth 1 km në vit. Si e tillë, shtrirja në eneolit, periudhën e bakrit, ende nuk e kishte arritur gadishullin Skandinav, ndërsa pas kësaj periudhe gjurmët e njeriut dëshmohen edhe në këtë gadishull. Organizimi i parë shoqëror në këto troje, i përket periudhave mesolitike dhe neolitike (9.000-4100 p.e.s.), të cilat përkojnë me lulëzimin e bashkësisë matriarkale. Krahas gjuetisë dhe peshkimit, gjatë revolucionit neolitik lindi bujqësia, zbutja e kafshëve, endja dhe poçaria, e cila, përveç anës utilitare, fitoi dhe vlera artistike.

Neoliti i mesëm (5800-4800 p.e.s.) shënjon një rritje të mëtejshme të popullatës dhe një lidhje më të mirë midis grupeve të vendosur në njësitë gjeografike. Mbështetja e kulturës materiale në elementët e trashëguar dëshmon vazhdimësinë dhe zhvillimin mbi bazën autoktone. Kjo vërehet veçanërisht në periudhën pasuese, atë të neolitit të vonë (3800-2600 p.e.s.) dhe eneolitit, bakrit (2600-2100 p.e.s.).

Gjatë kësaj periudhe, si rrjedhojë e dyndjes së popullsisë nomade të stepave lindore, në krahinat e tjera ballkanike, ndodhën ndryshime të forta etnike. Në të kundërt, në territoret e zëna më tej nga Ilirët nuk vërehet ndonjë ndërprerje e kulturave, përkatësisht përzierje etnike. Përdorimi i veglave prej bakri gjatë kësaj periudhe, më saktë prej bakri arsenikal, ndonëse jo dhe aq të forta por sidoqoftë më të volitshme se ato prej guri, po i hapte rrugën një shoqërie e cila vazhdonte të mbështetej në pronën e përbashkët, por tashmë në gjirin e familjes patriarkale, me një diferencim të punës brenda saj.

Vendbanimi shpellor

Vendbanimi shpellor në arealin e banuar më tej nga Ilirët, dëshmohet që në Paleolitin e mesëm (100-30.000 p.e.s.). Shtrirja në këtë periudhë e akullnajave drejt jugut, solli kërkesën për një strehim të mbrojtur nga agjentët atmosferikë. Kjo kërkesë vitale, në kushtet e njohurive tejet të kufizuara teknike, mund të plotësohej vetëm nëpërmjet përzgjedhjes së strehimeve të oftuara nga natyra. Si i tillë i vetmi vendbanim i përshtatshëm, si në Paleolitin e Mesëm ashtu dhe në Paleolitin e Ulët (30-10.000 p.e.s.) ishte vendbanimi shpellor.

Shpella vazhdoi të jetë vendbanimi kryesor edhe përgjatë Mezolitit (9000-7000 p.e.s.). Por në Neolit dhe Eneolit, si rezultat i zbutjes së klimës dhe shkathtësimit teknik, shpellat nisën t’ja lënë vendin banesave mbi tokë. Megjithëse numri i shpellave të njohura nga kjo periudhë  është ndjeshëm më i madh se i atyre të periudhës paleolitike, ai është më i vogël se i vendbanimeve të hapura. Këto vendbanime shtriheshin tarracave lumore (fig. 8) ose pranë tokave pjellore dhe pyjeve me faunë të pasur.8

Ndonëse një pjesë e shpellave vazhduan të funksionojnë si banesa (sipas kronikave televizive disa edhe sot e kësaj dite), ato nisën të përdoren gjithnjë e më shpesh për funksione ndihmëse, të ndryshme: nga ato rituale: (Ajdovska Jama, e lidhur me Kultin e të Vdekurve), tek mbrojtja provizore (Pëllumbas/Mat, ku hyrja kryhej me litar nga lart) dhe deri tek funksioni si stallë bagëtie, jo i rrallë edhe sot.

Banesa gjysmë nëntokësore

Kjo banesë, është banesa e rëndomtë e neolitit të hershëm dhe të mesëm. Me gjithë luhatjet e vogla arkitektonike, tiparet esenciale: forma, përmasat dhe tektonika janë identike, dëshmi kjo e së njëjtës shkallë zhvillimi ekonomiko teknik, gjasisht dhe afde etnike. Ky areal përkon pak a shumë edhe në drejtim të kulturës tjetër materiale, qeramikës.

 Fillimisht, ndoshta edhe për shkaktë klimës ende të ftohët, përparësi duket se ka pasur banesa gjysmë nëntokësore, më e thjeshtë në ndërtim dhe më rezistente, ndonëse jo dhe aq komode: hermetike dhe pa komunikim me mjedisin e jashtëm. Banesa të tilla janë ato të neolitit të mesëm në Cakran. Banesat me planimetri drejtkëndore dhe sipërfaqe 31-70 m 2 (7 x 4.50 m, 10 x 7 m), në horizontin e hershëm të neolitit të mesëm (5800-4800 p.e.s.) gjendeshin rreth 2- 2.20 m nën tokë, por në horizontin e neolitit të vonë, eneolitit (4800-2800 p.e.s.) kjo thellësi u reduktua në 1.60 m. Zvogëlimi gradual i thellësisë me kalimin nga fillimet eneolitit të mesëm në fillimet e neolitit të vonë, dëshmohen edhe në Kolsh (Kukës) dhe Portat e Hekurta.

Si e tillë kjo dukuri nuk është sporadike, por e përgjithshme, e shpjegueshme me zbutjen e klimës dhe ndoshta kultin e vatrës: mosbraktisjen e truallit të banesës së të parëve.

Influenca e faktorit klimatik kuptohet nga një fragment i Strabonit, i kapërcyellit të  erës sonë, sipas të cilit “Dardanet rremojnë gropa nën plehun e bagëtive dhe aty rrojnë” (Strab. 7. 5. 7). I kthyer në dëshmi normale, fragmenti përshkruan banesën gjysmë nëntokësore me çati të mbuluar me kashtë a pleh bagëtie që shquan për vetitë termoizoluese.

Rikonstruksionin e kësaj banese e mundëson arkitektura e një sërë ndërtimesh ndihmëse në Shqipërinë e Veriut (Has, Lezhë, Pukë, Mbishkodër) dhe një relacion i vitit 1637 i peshkopit dhe studiuesit Frang Bardhi. Mbështetur në to, banesa me planimetri drejtkëndëshe dhe xokol gurësh të thyer, vijonte kryesisht nën tokë. Faqet gjatësore të punuara me gurë të thyer dilnin për 30- 40 cm mbi tokë, faqet e ngushta trajtoheshin me kallkan, ndërsa çatia dyujëse mbulohej me kashtë.

Dyshemetë e këtyre banesave janë prej argjile të përzier me byk ose copëra qeramike dhe të ngjeshur e nive-luar mirë. Kjo shtresë vendosej drejt e në taban, në kalldrëm dhe në raste të rralla mbi një shtresë trarësh mbi kalldrëm (Topo-jan, Dibër). Mesin e dyshemeve e zinin vatrat, normalisht në formë govate katrore me taban dhe buzina argjile ose rrasash guri. Seria e furrave kuadratike ngjitur me njëra tjetrën dhe e furrave gjysmë sferike përballë tyre në Kamnik (Kolonjë), tregon se një pjesë e ndërtesave ishin në funksion të punishteve të qeramikës.

Banesa mbitokësore

Evolucionin e banesës neolitike nga neoliti i mesëm e këtej, e ilustron Obre  (Sarajevë), me pozitë qendrore ndaj arealit në shqyrtim. Në horizontin e neolitit të ri, krahas banesave të familjeve të mëdha me sipërfaqe 60- 80 m2, janë zbuluar dhe banesa me sipërfaqe 35 m. Në një kohë kur nuk mund të flitet për diferencim ekonomik, kjo dukuri tregon shpërbërjen e familjes së madhe tre gjeneratëshe në familje të vogla dy gjeneratëshe.

Banesat ndaheshin në dy kthina në komunikim me njëra-tjetrën. Në të parën (18 m2), ndodhet një shtrojë dërrasash, ndërsa në mes një vatër në formë në formë 8-shi me skelet thuprash të lyer me argjilë. Prania e saj dhe e shtrojës së dërrasave në skaj të dhomës për fjetjen e 5-6 vetëve, tregon se ky ambient shërbente si dhomë zjarri (Herdraum, Hearthroom) dhe dhomë fjetje.

Evolucioni programor i banesës reflektohet edhe në evolucionin teknik: Muret prej trine të suvatuar me llaç balte janë më të gjerë (0,30 m) dhe struktura mbajtëse më e fortë, me skelet prej shtyllash të fuqishme, ngulur thellë në tokë.

Banesa në horizontin e dytë në Kolsh, e neolitit të mesëm, ka përmasa të konsiderueshme dhe skelet të fortë, me shtylla të fuqishme, të ngulura në gropa të mëdhat -1.50 m larg njëra-tjetrës. Në dyshemenë e banesës gjendet një gropë e çrregullt (5 m3) e mbushur me hi, thëngjij dhe suva balte të pjekur nga zjarri që dogji banesën e mëparme. Gropa, e cila fillimisht shërbeu për nxjerrje argjile për banesën e re dhe më tej u përdor për groposjen e mbeturinave të banesës së djegur, dëshmon për sedentarizmin mijëravjeçar të popullsisë neolitike.

Program më të avancuar ka banesa eneolitike me çardak në Komadin (Serbi). Banesa me çati dyujëse dhe sipërfaqe 40 m2, ndahet në çardakun dhe dy mjedise të pajisur me furra në formë 8, identike me ato të Obre 2. Ashtu si dhe në Obre, skeleti i përbëhej prei shtyllash druri të noulitura në tokë, mes të cilave thurej trina e suvatuar me Uaç balte nga të dyja anët. Dyshemeja e saj me tre shtresa argjile mbi panelet kuadratike prej trarësh, tregon përkujdesjen për komoditet, ndërsa motivet gjeometrikë të incizuar në suvanë prej balte, dëshmojnë lindjen e kërkesave estetike.

Së fundi, terakotat me bukranion, kafkën simbol të kaut të sakrificës, dëshmojnë për një shoqëri religjioze. Rikonstruksioni ideal i banesës neolitike në Gornja Tuzla (Bosnje), përkon mjaft mirë me programin, arkitekturën dhe konstruktin e këtij tipi banese.

Modelet qeramike të ndërtesave neolitike (4500 p.e.s.) të gjetura në Porodin, 20 km nga Prespa e Madhe, të cilat përkojnë mirë me arkitekturën e banesave të këtij stacioni, lejojnë një rikonstruksion bindës volumetrik.

Banesat kanë pasur çati dyujëse të mbajtur prej trarëve gjatësorë, fillesat e të cilëve theksohen në ballët e ngushtë. Në mesin e kulmit, mbi vatrën, vijonte oxhaku i ngushtë. cilindrik, i cili e shkëpuste traun e kulmit. Kjo dhe e shpjegon përqendrimin e shtyllave mbajtëse në banesat e ruajtura. Faqet gjatësorë të modelit kanë nga një dritare dhe faqja e ngushtë një derë. Si dritaret ashtu edhe dera kanë formën e shkronjës T të përmbysur. Kjo tregon se dyert dhe dritaret ishin të pajisura me flegra dhe në çastin kur ato mbylleshin, banesa vazhdonte të ndriçohej nëpërmjet frëngjisë së ngushtë që i korrespondon shtagës vertikale të T- së.

Palafiti

Vendbanimet buzë lumenjsh a liqenesh në platforma dërrase mbi pilota druri, dëshmohen që në fillesat e kësaj gjinie. Ndër ta palafiti i Neolitit të Mesëm (5500/5000 p.e.s.) në Dunavec (Korçë), është më i vjetri në Ballkan dhe një ndër më të vjetrit në Europë. Palafitet lindin dhe vazhdojnë të jetojnë edhe në Neolitin e vonë (Ripac: Bosnje Hercegovinë), Eneolit (2600-2100 p.e.s: Maliq, Sovjan, Strugë) dhe deri Bronzin e Vonë dhe Hekurin e Hershëm (Donja Dolina/Bosnje, Peshtan/ Maqedoni).

Vazhdimësia pa këputje në kapërcyellin eneolit/ bronz, i cili përkon me valën e të ardhurve të rinj dhe nisjen e procesit të fermentimit të etnosit Ilir, dëshmon përzierjen e butë midis parailirëve dhe të ardhurve të rinj.

Përshkrimin plastik të këtyre palafiteve, të fundit shek. VI p.e.s., e sjell Herodoti. Sipas tij “Paionët e rretheve të malit Pangaion edhe Doberët, Agrianët dhe Odomantët dhe vetë liqenit Prasiada nuk u nënshtruan asnjëherë nga Megabazi, ndonëse ai tentoi ti pushtonte banorët e liqenit. Shtëpitë e tyre janë ndërtuar në këtë mënyrë: Në mes të liqenit, majë pilotave të larta, është fiksuar një platformë dërrase që lidhet me tokën nëpërmjet një ure. Pilotat mbi të cilët qëndrojnë shtrojat, në kohët e shkuara i vendosën bashkërisht tërë banorët.

Më vonë i vendosnin kështu: Secili nga ata që martohej, sillte nga mali që quhet nga Orbel tre trarë për secilën nga tri gratë që merrte dhe i vendoste atje. Secili burrë mbi platformën kishte një kasolle që banonte dhe nga kasollja të çonte poshtë në liqen një qepen i lidhur mirë.

Fëmijët e vegjël i lidhnin për këmbe me litarë nga fidka se mos binin poshtë në liqen. Kuajt dhe bagëtitë i ushqenin me peshk. Ky peshk kapet me shumicë aq të madhe sa që nëse ndonjëri hap qepenin dhe lëshon me litar koshin e zbrazët, koshi mbushet plot me peshk. Kishte dy lloje peshku: njëri që quhet paoprakes dhe qetri tilones (Herod. 5. Terpsichore). Nisur nga toponomia e Herodotit (Dober/Dibër, Prasiada/Prespë, mali Orbel/ Mali Herbel), liqenin Prasia nuk do ta identifikonim me liqenin Doiran në afërsi të Selanikut, por me atë të Prespës.

Më mirë struktura e palafiteve dhe banesave në to njihet nga vendbanimet në Donia Dolina mbi lumin Sava dhe Ripac mbi lumin Una, afluent po i Savës. Palafiti në Ripac, minimalisht me sipërfaqe 4000 m2, është një nga palafitet e mëdhenj neolitikë. Platforma prej dërrase e palafitit mbështetej në rreth 2500 pilota të ngulura thellë në taban.

Platforma ndahej në 5 njësi drejtkëndëshe me sipërfaqe rreth 800m2 (14 x 60 m), mes të cilave kalonin kanale 3 m të gjerë dhe mbi to urat drunjta që i lidhnin me njëra tjetrën (fig. 20). Nisur nga sipërfaqja e kasolleve (rreth 30 m2) dhe rrugët, rruginat dhe sheshet mes tyre, rezulton se çdo platformë mund të mbart te rreth 15-17 kasolle dhe familje, përkatësisht 500- 600 banorë.

Palafiti i Donja Dolinës, i fundit të bronzit/fillimit të hekurit (shek. 13- 6 p.e.s.), ndodhet në një bërryl të lumit Sava. Nga lumi ai mbrohej prej një gardhi me trinë të thurur mes pilotave, ndërsa një gardh i dytë po me trinë, e qarkonte nga toka për ta mbrojtur nga sulmet e kafshëve të egra.

Banesat (40-55 m2) rreshtoheshin platformave paralele, perpendikulare me rrjedhën e lumit. Në ballin nga toka, rruginat mes banesave ishin të pajisura me shkallë që lejonin komunikimin me bregun. Krahas banesave, në platformat kishte një sërë tarracash dhe sheshesh për grumbullimin dhe kryerjen e aktiviteteve të ndryshme. Midis platformave kalonin kanale të gjerë të veshur me parete dërrase, të cilët shkarkonin ujërat e  vërshimeve. Mbi kanalet kalonin urate e drunjta, të cilat lidhnin platformat me njëra tjetrën.

Përqëndrim të veçantë vendbanimet palafitet patën në pellgun e 4 liqeneve Ohrit, dy Prespave dhe Maliqit i cili në këtë kohë ende nuk kishte nisur të degjeneronte në kënetë. Prej tyre përreth  liqenit të Ohrit janë zbuluar 6 palafite (Lin, Vrbnik, Strugë, Peshtan, Trpejca, Shën Naum), 3 të tjerë përreth liqenit të dikurshëm të Maliqit (Maliq, Sovjan, Dunavec) dhe nga një në brigjet e Prespës së Madhe (Nikolec) dhe në takimin e lumit Shumi me Drinin (Vrbnik).

Palafitet e zbuluar i qëndrojnë 2.5- 6 km larg njëri tjetrit, çka supozon se numri i tyre në këtë pellg ka qenë së paku dy herë më i madh. Shkak për këtë dendësi është begatia e liqeneve dhe lumenjve me peshk, fauna e pasur ujore dhe tokat e mira livadhore të kafenjta që siguronin prodhim të lartë bujqësor. Prej tyre më i lexueshëm është ai i Peshtanit (1500-700 p.e.sonë, Platforma e tij prej 8500 m2 mbahej nga rreth 6000 pilota lisi a pishe me diametër kryesisht 30 cm dhe lartësi 3-5 m. Nisur nga dendësia e palafiteve të tjerë, rreth 3 banesa/100 m2 platforma e mësipërme duhet të mbante rreth 250 banesa.

Si i tillë Peshtani me rreth 1500 banorë, është një nga palafitet e mëdhenj Europianë. Shpërndarja e pilotave tregon se platforma lidhej me bregun nëpërmjet një ure druri ndoshta e lëvizshme.

Periudha Ptotourbane dhe Urbane

Ndonëse periudha qytetare kap një hark të shkurtër kohor, nga shek. VI p.e.s. e deri në pushtimin fatal romak të vitit 168 p.e.s., banesa paraqitet me një larmi tipash e variantesh. Mbështetur në elementët e programit dhe strukturën arkitektonike, këto banesa i kemi ndarë në katër tipa bazë: Me Shtëpi Zjarri, Oborr të Jashtëm, Oborr-Korridor dhe Oborr Peristil. Prej tyre, dy të parat i përkasin repertorit autokton, banesa e tipit me Oborr- Korridor nuk ka ndonjë përkatësi kohore dhe etnike, ndërsa ajo me Oborr Peristil, i përket repertorit helenistik.

Banesa autoktone u zhvillua brendshëm, si rrjedhojë e shtimit gradual të mjediseve përreth bërthamave të prototipave prehistorike. Karakteristikë e tyrja është përshtatja ndaj terrenit dhe zbatimi krijues i programit. Banesat e repertorit helenistik u huazuan prej shtresave të kamura kozmopolite. Duke qenë banesa të njëjtit brez klimaterik dhe social, ato nuk u kthyen në trupa të huaj, por u aklimatizuan mirë duke fituar veçori qoftë dhe minimale.

Banesat autoktone me Shtëpi Zjarri dhe Oborr të Jashtëm, lidhen me strukturën e familjes së madhe. Këto janë të vetmet banesa qytetare të shek. V- gjysmës parë të shek IV p.e.s. Në çerekun e fundit të shek. IV- çerekun e parë të shek. II p.e.s., në qendrat e mëdha qytetare tipat tradicionalë i hapin rrugë tipave të rinj: banesës Oborr- Korridor dhe me Oborr Peristil.

Në pikëpamje sociale kjo shënjon dhe kalimin nga familja e madhe e barazisë venomiale në familjen kozmopolite helenistike.

Banesa me Oborr- Korridor, me sipërfaqe inferiore dhe dekor më modest se banesa mondane me peristil, bashkëjeton shpinë më shpinë me të. Kjo merr kuptimin se këto banesa i përkisnin caqeve të ndryshëm të së njëjtës shtresë shoqërore dhe parapëlqimi i njërit apo tjetrit tip lidhej thjesht me kapacitetin financiar, i cili me kohë u kthye në një “question d’honneurd”, çështje nderi a namuzi, kufi shumë i brishtë ky tek borgjezia e pakompleksuar artizano-tregtare.

Shtëpi me vatër zjarri

Banesës së njohur me emrat “shtëpi me vatër” (Hearth-house) a “shtëpi me mjedis me vatër” (Herdraumhaus), në shqip më për shtat i shkon emërtimi i huajtur nga banesa Tiranase: banesa me “shtëpi zjarri” (shpi Zjerrmi). Bërthamë kompozicionale dhe nyje organizuese-ndërlidhëse e këtij tipi është Shtëpia e Zjarrit, mjedisi me vatër, emërtim që tregon se në origjinë ky mjedis ishte e tërë shtëpia.

Në këtë bërthamë multifunksionale qëndrohej, magazinohej, gatuhej, hahej dhe flihej. Në aspektin social, ky ishte mjedisi që bashkonte dhe lidhte familjen. Me kohë kësaj bërthame iu shtuan mjedise të tjera, të cilat morën mbi vete funksionin origjinar të fjetjes dhe pjesërisht qëndrimit. Por, për shkak të përmasave të vogla dhe mungesës së vatrës, këto mjedise nuk mund t’i plotësonin funksionet jetike të shtëpisë së zjarrit: gatimin dhe qëndrimin në kohë të ftohtë. Në të kundërt, në rastet e shtimit tej masës të pjesëtarëve të familjes ose ardhjes së miqve të shumtë, shtëpia e zjarrit i rimerrte lehtë funksionet e mjediseve ndihmëse, përkatësisht fjetjen dhe qëndrimin.

Formalisht, banesa me shtëpi zjarri lidhet me arketipin prehistorik, me banesën njëkthinëshe me vatër. Si i tillë, rrugëtimi i saj nis herët, me konstruksionet monoqelizore neolitike me vatër në mes (Kamnik, Mitrovicë, Vica/Zagori: Epir) dhe ato të bronzit (Badhër). Rrugëtimin e mëtejshëm të tipit e shënjon ndarja nga kthina me vatër e kthinës për fjetje (Obre), por hapin vendimtar e shënjon banesa në Donja Dolina, e fiindit të bronzit/fillimit të hekurit. Rruga e zhvillimit të mëtejshëm të këtij tipi ndiqet nëpërmjet banesave në Kassopea, Orraion (Ammotopos) dhe qytetin në Çukën e Ajtoit.

Banesat me Oborr

Banesat qytetare të shek. IV/III p.e.s., përveç atyre me planimetri të parregullt spontane, i përmbahen dy tipave: me oborr-korridor dhe oborr të qarkuar me kolona, me peristil. Në to, rolin e bërthamës organizuese dhe ndërlidhëse e luan oborri. Ndonëse banesa me peristil ka sipërfaqe më të madhe dhe dekor më të përkujdesur e të kushtueshëm, banesën me oborr korridor e gjejmë në të njëjtin ishull banimi, shpesh shpinë më shpinë me atë me peristil. Si të tilla ato i përkasin së njëjtës shtresë shoqërore, por caqeve të ndryshëm. Prej tyre, e standardizuar është banesa me peristil, ndërsa ajo me oborr-korridor ka një shpërndarje më të lirë të mjediseve.

Kompleksi rezidencial

Kompleksi rezidencial në Çukën e Ajtoit ndodhet në perëndim të fortifikimit, 75 m larg dhe rreth 50 m poshtë tij. Përmasat, numri i ndërtesave e mjediseve, si dhe pozita e shkëpusin atë cilësisht nga banesat e tjera të Çukës së Ajtoit, duke e përcaktuar si banesë të polidinastit, të parit të qytetit. Terreni ku shtrihet ansambli është mjaft më i qetë se ai i shpateve të fortifikimit ku ngrihen banesat e tjera, por sërish ai ruan një pjerrësi prej 20° të këmbyer me rënie shkëmbore. Terreni i rrethuar me mure me blloqe guri të latuar, ka një sipërfaqe prej 1150 m2 dhe një trajtë pak a shumë të rregullt, gjeometrike, atë të dy katrorëve të bashkëngjitur. Në këtë ansambël veçohen dy grupe banesash. Grupi i parë, prej dy ndërtesash paralele, ndodhet në gjysmën perëndimore. I dyti, që ndodhet në pjesën lindore përbëhet prej dy ndërtesash të bashkuara në formën e shkronjës L. Në brendinë e rrethimit të fut hyrja kryesore, e cila ndodhet në skajin jugperëndimor.

Pas saj vijon një oborr në formën e një korridori, i cili përfundon në sheshin ndërmjet dy ndërtesave. E para, në skajin veriperëndimor të rrethimit, ruhet në gjurmë të zbehta. Prej tyre kuptojmë se ndërtesa drejtkëndëshe ndahej në kthina prej muresh të tërthorta. Trajtimi i thjeshtë dhe pozicioni e tregojnë atë një ndërtim ndihmës, në funksion të ndërtesës së parë.

Ndërtesa tjetër, për shkak të rënies së terrenit, ka një zhvillim të ndryshëm vëllimor. Bllokut të saj qendror, drejtkëndësh në plan, i bashkëngjitet nga para një hajat, ndërsa nga pas një kthinë katrore që mbyll kalimin nga oborri. Kati i parë i pararendur nga hajati është i gdhendur në shkëmb.

Në këtë kat të ndarë logjikisht me mure të tërthorta në kthina, ndodhet dhe shkalla për në katin e dytë, i cili zhvillohej pjesërisht mbi taban dhe pjesëisht mbi katin e parë. Në këtë mënyrë e tërë ndërtesa arrinte një sipërfaqe prej 485 m2 (112 m2 kati 1., 373 m2 i 2.). Në pjesën e pasme të katit të 2., duket se vijonte një hajat tjetër qendror, pas të cilit, nga balli dhe në anët e ngushta zhvilloheshin kthinat. Në këtë mënyrë numri i kthinave arrinte në 10.

Grupi lindor i ndërtesave veçohej nga i tërë mjedisi prej një muri të brendshëm. Ai zhvillohet në dy rrafshe të diferencuara në lartësi, përkatësisht me dy oborre.

Në rrafshin verior ndodhet oborri i përparmë, ndërsa në rrafshin jugor oborri i pasmë. Në oborrin e pasmë ndodhet dhe stera cilindrike e ujit, e suvatuar me llaç me pluhur tulle.74 Blloku qendror ngrihet, ashtu si dhe ndërtesa e grupit jugor, mbi rënien shkëmbore.

Blloku kryesor ka planimetri drejtkëndëshe dhe zhvillim të diferencuar volumetrik. Përkundrejt rrafshit të poshtëm ai është dykatësh, ndërsa ndaj rrafshit të sipërm njëkatësh. Në ballin e përparmë të punuar me blloqe poligonale, në tërë lartësinë e katit, ndodhet një hyrje e mbuluar me hark të rremë trekëndësh. Kjo hyrje të çonte drejt korridorit të pasmë, të ngushtë dhe të gjatë, i cili komunikonte me shpinat e kthinave. Në fundin e tij niste shkalla për në katin e dytë, që ndodhej në një nivel me rrafshin e pasmë.

Ky kat nga pas vazhdonte në tabanin e këtij rrafshi, gjasisht të pararendur prej një hajati, ndërsa përpara shtrihej mbi mjediset e katit përdhe. Në këtë mënyrë sipërfaqja e tërë ndërtesës arrinte në rreth 300 m2 (110 m2 kati i 1, 190 m2 kati i 2). Së bashku me mjediset ndihmëse sipërfaqja e grupit lindor është rreth 500 m2, ndërsa së bashku me oborret ajo arrin në 1050 m2. I tërë ky ansambël datohet nga gërmimet në shek. III p.e.s.

info@balkancultureheritage.com