Banesat
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Banesat

  

Banesat

Foinike nuk pati zbatuar asnjëherë një sistem ortogonal në vendosjen e lagjeve të banuara dhe banesat kanë qenë vendosur në mënyrë të lirë në pjerrësinë e shpatit të kodrës. Kjo vendosje kishte bërë të domosdoshëm zbatimin e një sistemi tarracash, të vëna në dukje nga Ugolini, por edhe të lidhura gabimisht në një ndarje të akropolit dhe në një zgjerim të tij, të cilët nuk ekzistojnë realisht.

Banesa e dy peristileve

Është zbuluar plotësisht nga gërmimet arkeo-logjike. Gjendet në një tarracë të vendosur menjëherë nën rrafshin e agorasë, rreth 100 m në perëndim të teatrit. Banesa shtrihet në një sipërfaqe 31 x 25 m, midis dy mureve tarracimi të ndërtuara enkas për ngritjen e saj. Muret janë ndërtuar me blloqe të mëdhenj e mesatarë të punuar në forma trapezoidale, ndryshe nga muret e dhomave, të integruar me ta, por me përdorim blloqesh të përmasave të vogla.

Qendrën e banesës e përbënte oborri me përmasa 7.70 x 7.50 m, i rrethuar me një peristil prej 16 kolonash jonike.

Mbi të ngrihej edhe një kat i dytë, që dilte në oborr me një peristil prej pilastrash jonike.

Sipërfaqja e brendëshme e oborrit ka qenë shtruar me një dysheme prej llaçi hidroizolues të veshur me një lloj mozaiku prej zajesh dhe copash tjegulle, por pa motive të caktuara. Ambientet kryesore (A- D) kanë qenë vendosur në anën veriore të oborrit dhe lidheshin me korridorin e peristilit, por edhe midis tyre. Funksionin e andron duket se e kishte ambienti më i madh (L), me përmasa 6.20 x 5.45 m, i vendosur në krah të korridorit të hyrjes. Ky korridor, i cili dilte në një nga migët e lagjes, ka një gjatësi 4.80 x 1.73 m. Ai ishte i shkallëzuar deri në nivelin e derës së vendosur pothuaj në mesin e tij, për shkak të disnivelit midis rrugës dhe rrafshit të oborrit të banesës. Një pjesë të dytë të banesës përfaqësonte një oborr i dytë peristil në lindje të të parit, me përmasa 6.70 x 3.40 m, i qarkuar nga një kolonadë prej 12 kolonash tetëkëndëshe. Vetëm një ambient me dy ndarje dhe me një pilastër në qendër për mbajtjen e katit të dytë komunikonte me këtë oborr. Një pjesë të tretë funksionale të banesës përfaqësojnë katër ambiente të krijuara pas murit mbajtës jugperëndimor të banesës, të cilat komunikojnë me rrugën dhe midis tyre, por jo me vetë banesën. Kjo përcakton funksionin e tyre si dyqane, gjë që përforcohet edhe nga gjetja e pitosave në dy prej atyre ambienteve.

Nga lindja banesa kufizohej nga një rrugicë me një banesë tjetër, të transformuar rrënjësisht gjatë periudhës romake (C11). Për shkak të ndryshimeve të periudhës romake është e vështirë që të përcaktohet forma e banesës fqinjë, e cila shtrihej në një sipërfaqe pothuaj të barabartë. Prej saj ruhet vetëm muri i poshtëm i terracimit, i cili përmban gjashtë ambiente me hyrje nga oborri. Në mesin e oborrit ruhet një sterë e madhe, e cila ka shërbyer për mbledhjen e ujrave të shirave. Stera me diametër 3 m ka qenë gërmuar pjesërisht në shkëmb dhe ka qenë e veshur në paretet e saj me llaç hidroizolues. Më tej, në drejtim të lindjes, ka pasur një hapësirë tjetër, të krijuar nga nje kompleks i fuqishëm muresh tarracimi në formë dhëmbësharre, funksioni i së cilës ka mbetur i paqartë.

Mbi bazën e gjetjeve, kryesisht fragmente qeramike, faza e parë e banesës së dy peristileve mund të vendoset në fund të shek. IV dhe në fillim të shek. III p.e.sonë.

Një grup i dytë gjetjesh, që datohen në shek. I- II e.sonë., lidhen me fazën e dytë të kësaj banese, që shënon një vazhdimësi me ndryshime të pakta në pjesën e dy peristileve, por përfaqësohet me ngritjen e një banese të re në pjesën lindore të saj.

Banesa C11

Hapësira në anën lindore të banesës së dy peristileve(tarraca S) ka qenë përfshirë në kompleksin e një banese të ndërtuar në shek. I e.sonë., duke shkatërruar dhe mbuluar ndërtimet më të hershme.

Ajo shtrihej në një sipërfaqe 41 x 28 m, pjesën më të madhe të së cilës e zinte oborri, ku u ruajt edhe stera së bashku me kthinat e integruara në murin e poshtëm të tarracimit. Qendra e banesës me përmasa 17 x 7 m përbëhej nga katër kthina të integruara në murin e sipërm të tarracimit dhe të vendosura në një rrjesht me pamje nga jugu. Në krahun veriperëndimor të saj zhvillohej një galeri e mbuluar, me gjerësi 10.30 m, ndërsa ana jug-perëndimore e oborrit ka qenë e hapur. Krahu jug-lindor i oborrit kufizohej nga një ndërtesë me përmasa 35 x 5.50 m, ku shtatë ambiente me përmasa pothuaj të barabarta komunikonin me një tarracë të gjatë, me dalje nga rruga kryesore. Megjithëse e lidhur organikisht me banesën, kjo ndërtesë nuk komunikonte me oborrin dhe shërbente si vend pune për artizanë të ndryshëm.

info@balkancultureheritage.com