Banesat qytetare të shek. IV/III p.e.s., përveç atyre me planimetri të parregullt spontane, i përmbahen dy tipave: me oborr-korridor dhe oborr të qarkuar me kolona, me peristil. Në to, rolin e bërthamës organizuese dhe ndërlidhëse e luan oborri. Ndonëse banesa me peristil ka sipërfaqe më të madhe dhe dekor më të përkujdesur e të kushtueshëm, banesën me oborr korridor e gjejmë në të njëjtin ishull banimi, shpesh shpinë më shpinë me atë me peristil. Si të tilla ato i përkasin së njëjtës shtresë shoqërore, por caqeve të ndryshëm. Prej tyre, e standardizuar është banesa me peristil, ndërsa ajo me oborr-korridor ka një shpërndarje më të lirë të mjediseve.
Banesa me oborr të jashtëm paraqet një ndërthurje të lirë, si në legot e fëmijëve, të mjediseve në shpinë të oborrit. Si e tillë, ajo përfaqësohet nga një infinitet variantesh dhe sprova për të gjetur origjinën e saj do t’i ngjiste sprovës për gjetjen e origjinës së rrethit.
Trajtat embrionale të kësaj banese hasen në një grup prej katër banesash të shek. V-IV p.e.s. në Çukën e Ajtoit, brenda mureve rrethuese, 20-70 m larg hyrjes Veri-Perëndimore. Ndonëse programi i këtyre banesave është i njëjtë, planimetritë janë mjaft të ndryshme: në formë Lindore, katrore dhe dy të çrregullta, prej të cilave njëra e diferencuar në dyplane lartësie. Banesat, janë pjesërisht të gdhendura në shkëmb dhe pjesërisht të ndërtuara me xokol gurësh të thyer dhe mbistrukturë qerpiçi a gurësh lidhur me baltë. Mungesa e tjegullave a rrasave të gurit, tregon se ato mbuloheshin me furde, tjegulla druri. Orientimi me ballin drejt veriperëndimit lë për të dëshiruar, pasi ato rriheshin nga dielli vetëm në orët e vona të pasdites. Sipërfaqja e barabartë (124 — 131 m2) dhe numri i njëjtë i kthinave, pesë të tillë, tregon se ato i përkisnin së njëjtës shtresë ekonomike.
Koncepti kompozicional, kthinë qendrore në amfiladë me kthinat anësore, është i afert me atë të banesave jugore me shtëpi zjarri. Por sipërfaqja mbi tri herë (65-75 m2 ndaj 225 m2) dhe vëllimi mbi 6 herë më i vogël, tregon se ato i përkisnin një shtrese ndjeshëm më të vobektë.
Ndërsa në këto banesa mungon shtëpia e zjarrit e pranishme në grupin jugor, në to shfaqet një element që i mungon banesave jugore: oborri i vogël si dëshmi e lidhjes me ekonominë agrare. Si i tillë grupi i këtyre banesave, duket se i përket fshataro- qytetarëve që punonin tokat në afersi të qytetit. Qenia në bllok tregon se ato i përkasin së njëjtës shtresë, çka dëshmon veçimin në lagje sipas shtresëzimit ekonomik.
Rolin organizativ në këto banesa e luan oborri, në funksionin e nyjës ndërlidhëse- shpërndarëse. Ndonëse mjaft i vogël (13-23 m2), ai mbartte mbi vete një ngarkesë multifunksionale: gatimin dhe qëndrimin në kohë vere dhe mbajtjen e veglave të punës, ndoshta edhe të ndonjë bagëtie.
Në banesën me planimetri në formë të shkronjës L, oborri nga balli komunikonte me kthinën qendrore, në amfiladë me dy kthinat e tjera, ndërsa anash me një mjedis ndihmës drejtkëndësh, gjasisht stallën e bagëtisë. Porta e ngushtë e oborrit (0.70 m) dhe shkallët në të, tregojnë se kjo bagëti mund të ishte vetëm e imët dhe jo gjedh.
Sipërfaqja më e madhe e njërit nga mjediset e këtyre banesave (25-32 m2), e tregon atë dhomën e ndenjjes ku mblidhej familja, të njësuar si në banesat e sotme të skamura me kuzhinën. Sipërfaqja standarde e mjediseve të tjerë (rreth 16 m2), e përafert me sipërfaqen e dhomave po të sotme të fjetjes, i tregon ata dhoma fjetje të çiftit dhe dy hallkave të tjera të familjes: brezit pararendës, prindërve, dhe brezit pasrendës, fëmijëve. Mungesa e kthinave për personelin e shërbimit si në banesat jugore me shtëpi zjarri, dëshmon mungesën e këtij personeli. Pozicionimi i banesave njëkatëshe në terrenet e rrahur keq nga dielli dhe i atyre trekatëshe në terrenet e rrahura mirë nga dielli, tregon për vlerën e ndryshme të truallit në funksion të insolacionit.
Banesa me oborr-korridor, më e organizuar se banesa me oborr të jashtëm, zhvillohet rreth një boshti simetrie. Ky bosht që kalon mespërmes oborrit, e ndan banesën në dy blloqe me sipërfaqe afersisht të barabarta: në bllokun e parë ndihmës njëkatësh, dhe bllokun e dytë, shtëpinë e mirëfilltë dykatëshe. Skema organizative e mjediseve në këto dy blloqe nuk është hierarkike, si në banesën me shtëpi zjarri dhe atë me peristil, por parataktike, me mjedise të vendosur përbri, në komunikim të drejtpërdrejtë me njëri tjetrin. Numri i kthinave në dy katet e banesës lëviz nga 8 në 11, ndërsa sipërfaqja e katit të parë 260-300 m2, sa 2/3 e sipërfaqes së banesave me peristil me të cilat qëndrojnë shpinë më shpinë. Element unifikues dhe fokus i shtjellimit të banesës është oborri-korridor (40- 60 m2), trajtimi i të cilit ndryshon nga rasti në rast. Në Nikaia, ai merr mbi vete shrregullsinë e truallit duke sakrifikuar dhe deformuar vetveten. por duke ruajtur të pacenuar formën e rregullt gjeometrike të dhomave.
Në Antigonea dhe Apolloni oborri zhvillohet me kënde të drejtë në formën e shkronjës L. Në Apolloni shtagë e parë e tija është korridori që ndërlidh banesën me mjedisin e jashtëm. Gjurmët e suvasë dhe afreskut, tregojnë se ky trakt ka qenë i mbuluar dhe i trajtuar me përkujdesje artistike. Shtaga në vijim, oborri i hapur, e shkëpuste bllokun e shërbimit nga banesa e mirëfilltë, ndriçonte dhe ajroste mjediset, siguronte kalimin drejt tyre dhe shërbente për qëndrim kohëve të ngrohta. I ndriçuar mirë dhe i mbrojtur prej shiut dhe rrezeve të forta të diellit nga strehët, ky oborr mund të kundrohet edhe si oborr peristil rudimentar. Në Apolloni, në të mund të kalohej drejt nga rrugica që e ndante nga banesa tjetër, duke shmangur kalimin nëpërmjet andronit.
Në bllokun e shërbimit, punishte-dyqanet, magazinat dhe ambientet e gatimit kombinohen lirshëm me njëri tjetrin. Këto mjedise, kapen qartë në Margëlliç, ku pranë tyre ndodhet edhe stera për 2.500 1 ujë. Në Antigonea, në kompleksin trekthinësh të punishte-dyqanit të lëkurë-regjësit klientët kalonin nga rruga, ndërsa i zoti nga brenda shtëpisë. Pytosat dhe veglat e përpunimit të lëkurëve tregojnë se në këtë kompleks regjej dhe tregtohej lëkurë.
Banesa me oborr-korridor, ndryshe nga banesa me peristil që kërkon një truall krejt të rrafshët, mund të shkallëzohej në rrafshe me lartësi të ndryshme, kalimi tek të cilët kryhej me shkallë të brendshme. Tipologjikisht, supozojmë se pjesët e pasme të banesës në Antigonea dhe Apolloni, të shkëputura qartë nga pjesët e tjera ishin dykatëshe, ndërsa pjesët e përparme njëkatëshe. Prania e afreskut, mozaikut dhe antefikset cilësorë, tregojnë se ky tip banese i përkiste shtresave të kamura artizane-tregtare, cakut të poshtëm dhe të mesëm të këtij shtresëzimi, ndërkohë që caku i lartë i përkiste pronarëve të banesave me oborr peristil.
Origjina e banesës me peristil, me oborr qendror të qarkuar me kolona, kërkohet sforcuar në Delos dhe qytetet e tjerë helenë. Por ndërsa banesa me peristil e qyteteve helene, në rastin më të mirë daton nga gjysma e parë e shek III p.e.s. dhe në shumicë në shek II/I p.e.s., pallatet dhe shtëpitë me peristil në kryeqytet e Maqedonisë Aigai dhe Pella datojnë në çerekun e tretë të shek. IV p.e.s. Si i tillë ky tip banese me frymëzim të qartë Ahaemenid, u soll në Maqedoni nga Aleksandri i Madh pas fushatave persiane, prej ku u përhap në rajonet fqinje të Maqedonisë: në Greqi dhe Iliri.
Në Iliri, banesa me peristil është e pranishme në qendrat e fuqishme qytetare, me popullatë më të pasur dhe botëkuptim më kozmopolit (Bylis, Apolloni, Antigonea, Foinike, Kassopea), ku ajo daton kryesisht në kapërcyellin e shek IV/III p.e.s., më herët se piku i përhapjes në Greqi. Si e tillë ajo u huazua drejtpërdrejt nga Maqedonia dhe jo tërthoras nga Greqia.
Shembujt e kësaj banese janë thuaj copy five të njëra tjetrës, çka tregon se në fillimet shek. III p.e.s. kjo banesë kishte fituar qytetari të plotë dhe ishte standardizuar. Përqendrimi në zona të preferuara rezidenciale afer qendrës, programi dhe dekori arkitektonik, e tregojnë atë banesë të shtresave të kamura, dinjitarëve dhe tregtarëve.
Heqja dorë nga banesa me shtëpi zjarri, ku pjesëtarët e familjes dhe miqtë tuboheshin në një mjedis të vetëm, pa dallim gjinie dhe moshe dhe kalimi në banesën me peristil dhe oborr-korridor, me ndarje të qartë gjinie dhe përkatësie familjare, tregon kozmopolitizmin dhe akulturimin e borgjezisë.
Banesa me peristil njihet mirë nga 9 shembuj të gërmuar, 7 prej të cilëve janë ndërtime ex novo: Apolloni, Bylis 1, Bylis 2, Antigonea 1, 2,3, Foinike. M. E pagërmuar ajo dëshmohet në 8 shembuj të tjerë.
Banesat janë pjesë të ishujve të stërzgjatur të banimit, të tipit “per strigd”, karakteristik për Magna Graecian (Apolloni 120 x 60 m, Bylis 134 x 69, Antigonea 104 x 55 m). Ishujt ndahen për së gjati më dysh nga një rruginë e ngushtë, çka dhe përcakton thellësinë e banesave. Në këta ishuj, banesa me peristil qëndron në grup me banesa të tjera po me peristil, ose shpinë më shpinë me banesat me oborr korridor (Apolloni, Antigonea).
Prej tyre andrones ndodhet në vazhdim të korridorit të hyrjes, përballë hyrjes, thalamusi antithalamus në katin e dytë dhe equilia në brinjën nga rruga. Normalisht krahu përballë bllokut të miqve është një galeri pa mjedise pas vetes. Si e tillë skema e peristilit është detyrimisht dy katëshe dhe asimetrike. Bazuar në identifikimin e këtyre mjediseve, kemi arritur në restaurimin ideal të banesës me peristil, të ndryshëm nga rekonstruksionet e tjera të kësaj banese, për ne jo mbushamendëse.
Banesat e shqyrtuara kanë formë katrore ose të përzgjatur në raportin 2/3, me anën e gjatë bashkëngjitur me banesat fqinje dhe të ngushtën nga rruga. Sipërfaqja e katit të tyre të parë varion nga 600-750 m 2, ndërsa e të dy kateve në rreth 900-1000 m 2. Si e tillë ajo është tre herë më e madhe se e banesave të shek. IV p.e.s.
Përthithja e banesave fqinje për ti hibridizuar në mini-banesa me peristil (Foinike) dhe shndërrimi në banesa me peristil i një sëre banesash tradicionale të shek. IV p.e.s. tregon se ky tip banese, më komodi, më luksozi dhe më i kushtueshmi i antikitetit pararomak, ishte kthyer në një çështje mode dhe çështje prestigji për të kamurit.
Ndryshe nga banesat e tjera, banesa me peristil është nazike: nuk e duron pjerrësinë dhe kërkon terrene të niveluar mirë. Ndërsa në Apolloni kjo nuk paraqiste problem, pasi banesa u ngiit në një terren të rrafshët, në Antigonea terreni nivelohet në tre plane, në Foinike mbushja mbështetet në mure të lartë e të fortë anësorë dhe në Bylis muret kontrafortoheshin.
Banesa me peristil ka një strukturë introverte: Drejt brendit/oborrit, ajo shpërvilet plotësisht, ndërsa drejt jashtit/rrugës zhvillohet e verbër: Muret e saj të jashtëm, të rrafshët dhe monotonë, përçahen vetëm nga qepenat e ndonjë dyqani- punishte dhe tamburi i vogël i hyrjes (2.5 x 1 m), i cili falë strehës shpëtonte nga shiu dhe dielli i fortë ata që vinin e trokisnin në derë. Në krye të këtij tamburi ndodhej porta dyflegërshe, e zbukuruar dhe përforcuar me gozhdë bronzi (Apolloni) dhe e mbyllur me shula të fortë (Bylis).
Oborri kryesisht katror (60-90 m2) shërbente si pus drite dhe ajrimi për banesën. Caqet e tija i shënjonte stilobati, kolonambajtësi, mbi të cilin vijonin 12-16 kolona, gjithnjë të stilit jonik, 3-3.5 m të larta së bashku me arkitraun Oborrit i vinte përqark nga të katër anët portiku 2.50-3.50 m i gjerë, me çatitë e pjerrura drejt oborrit për shkarkimin e ujërave të shiut (çompluviuni). Këto ujëra zakonisht filtronin në cisternën në skajin e tij, ndërsa teprica përcillej me kanal jashtë banesës. Nga këto cisterna, ajo e banesës 1 në Bylis ka një formë të veçantë, atë të shishes, thellësi 4 m dhe kapacitet për 10.000 litra ujë, të mjaftueshëm për konsumin mbi dymujor të familjes.