Ruhet sot në gjendje rrënojë. Ajo është një bazilikë me tre nefe të ndara nga arkada me një kolonë në mes dhe pilastra në murin perëndimor dhe ambientin e altarit. Ambienti i altarit përbëhet nga bema, protezisi dhe diakonikoni të ndara ndërmjet tyre. Në anën perëndimore është narteksi, i cili për sa mund të gjykohet nga gjurmët ka qenë me dy kate. Muret janë ndërtuar me gurë dhe tulla, me një teknikë të përafërt me atë të mureve të kishës së Perondisë, por me më pak tulla në radhë horizontale. Në pjesën e sipërme të murit perëndimor kemi dhe muraturë me kluasonazh me një tullë vertikale. Me interes është trajtimi i fugave të cilat janë mbushur me një pastë ngjyrë okër njëlloj si në kishën e Mesopotamit. Kjo veçanti teknike si dhe forma planimetrike e njëjtë me atë të Shën Theodhorës në Artë (Greqi) e datojnë këtë monument si të fundit të shek. XIII. Duhet të shënohet këtu përdorimi i tipit tradicional nga njerëz që kanë punuar edhe në monumente të tjerë, si në Mesopotam, pra nga ndërtues vendas. Një bazilikë tjetër është në fshatin Klos të Sulovës, me tre nefe dhe arkadë mbi pilastra, ndërtuar kryesisht me gurë dhe e datuar në shek. XIII-XIV. Kjo bazilikë përbën një shembull të rëndësishëm, që me vendosjen në brendësi të vendit pavarësisht nga niveli i ndërtimi dëshmon dhe më tepër për rrënjat e thella të këtij tipi ndër ne. Studimi i bazilikave mesjetare të Shqipërisë paraqet rëndësi për nxjerrjen në pah të traditave ndërtimore të vendit tonë. Shtrirja e tyre jo vetëm në qendra të rëndësishme apo pranë tyre, por dhe në zona të tjera, tregon gjithashtu traditën ndërtimore dhe vazhdimësinë e saj. Me rëndësi është përdorimi në çdo rast i variantit helenistik (me çati druri), që dëshmon për vijueshmëri të drejtpërdrejtë të tipave paleokristiane e bizantine të hershme dhe për një traditë ndërtimore, pavarësisht nga lidhjet me vendet fqinje dhe perëndimin.