Nga pikëpamja histonke akoma më e rëndë se të gjitha disfatat ushtarake në Azi e Ballkan, qe humbja e prestigjit të Bizantit si rezultat i grushteve që mori ky në Perëndim. Ishte me të vërtetë një tragjedi për perandorinë që, ndërsa në krye të mbretërisë së Frankëve ishte një ndër sovranët më të mëdhenj të mesjetës, fati i saj ndodhej në duar të grave dhe të eunukëve. Me pushtimin e Bavarisë, me kristinanizimin dhe përfshirjen e saksonëve, me zgjerimin drejt Lindjes në dëm të sllavëve, me shkatërrimin e mbretërisë së Avarëve, shkatërrimin dhe aneksimin e mbretërisë së Longobardëve, Karli i Madh e kishte kthyer mbretërinë e tij në fuqinë më të madhe të botës së krishterë. Duke shkatërruar mbretërinë e Longobardëve, ai kishte bërë atë që Bizanti nuk kishte qenë në gjendje të bënte dhe kjo bëri që autoriteti bizantin në Romë të humbiste krejt. Kisha e Romës u lidh akoma më fort me mbretërinë e Frankëve, duke u larguar më tej nga Bizanti. Gjendja nuk mund të ndryshonte ngase në koncilin eNikesë u rivendos paqja fetare midis Kostandinopojës dhe Romës, Bizanti i qe rikthyer ortodoksisë dhe mbronte më me zell se kurrë kultin e ikonave. Koncili i Nikesë nuk arriti t'i pajtojë me të vërtetë dy metropolet. Roma priste nga ky koncil një revokim të të gjitha masave të marra në periudhën ikonoklaste, jo vetëm të atyre fetare por edhe të masave politike. Ajo donte që të rivendosej statukuoja e mëparshme dhe sidomos kërkonte që t'i riktheheshin Romës të drejtat e juridiksionit mbi Italinë jugore dhe mbi Ilirikun. Por Kostandinopoja nuk i mori parasysh këto kërkesa. Në koncilin e Nikesë një problem i tillë nuk u prek fare. Pasazhi i letrës së papës Adrian I drejtuar perandorit bizantin, që bënte fjalë për këtë çështje, u hoq fare në përkthimin greqisht që iu lexua koncilit. Gjithashtu qenë fshirë pjesët ku papa i rezervonte vetes të drejtën të censuronte zgjedhjen e parregullt të patrikut Tarasion dhe protestonte kundër titullit "patrik ekumenik" që mbante Tarasion. Ishin fshirë gjithashtu pjesët e letrës së papës ku flitej për të drejtën e primatit që i takonte Romës ose thjesht primatin e Shën Pjetrit. Realisht papati nuk kishte më kurrfarë ndikimi në Lindje, ashtu si Perandoria Bizantine ishte nxjerrë jashtë nga Perëndimi. Një aleancë me Kostandinopojën nuk mundi t'i jepte më asnjë dobi kishës romane, pavarësisht se tani po dukej sikur ishte arritur përsëri uniteti mbi problemet fetare më të diskutuara të kohës. Përkundrazi, një aleancë me mundësin e madh të longobardëve hapte perspektiva të mëdha, megjithëse një marrëveshje me mbretin e frankëve mbi problemin e kultit të ikonave dukej fort e vështirë dhe kërkonte lëshime të shumta.
Në një polemikë të ashpër, që gjeti shprehjen përfundimtare në Librat Karolinë, Karli i Madh hodhi poshtë si qëndnmet ikonoklaste të sinodit të Konstandinit V, ashtu dhe qëndrimet pro kultit të ikonave të koncilit të Konstandinit VI dhe Irenës. Qëllimi i Librave Karolinë ishte që të ritheksonte, në kundërshtim me Bizantin, pavarësinë fetare të mbretërisë së Frankëve: rëndësia e tyre ishte, pra, pikë së pari politike. Ndaj nuk ka fort rëndësi fakti që polemika në fakt i bënte bisht thelbit të konfliktit dhe që përkthimi latin i akteve të koncilit të Nikesë, që iu lexua Karlit të Madh ishte plot gabime trashanike gjuhësore dhe interpretimi, që e deformonin përmbajtjen e vërtetë të vendimeve nikeane. Në fund të fundit, qëndrimi i Karlit të Madh nuk përputhej as me qëndrimet reale të koncilit të Nikesë; ai i afrohej më tepër tezës së vjetër të Grigorit të Madh, që i kundërvihej si shkatërrimit të ikonave ashtu edhe adhurimit të tyre. Mbreti i Frankëve nuk luajti nga pozitat e veta me gjithë vërejtjet dhe argumentet e paraqitura nga Adriani I. Në fund qe papa ai që u detyrua të tërhiqet. Kulti i ikonave, të cilin koncili i Nikesë i vitit 787, në praninë e dy përfaqësuesve të Adrianit I, e kishte quajtur një detyrë të çdo të krishteri të vërtetë, u dënua në sinodin e Frankfurtit të vitit 794, ku morën pjesë edhe dy përfaqësues të të njëjtit papë.97 Problemi i figurave në Perëndim nuk merrte atë rëndësi që kishte në Bizant dhe lidhja që bizantinët i bënin këtij me problemin e doktrinës së shpëtimit ishte fare e huaj dhe e pakuptueshme në Perëndim. Pavarësisht nga kjo, qëndrimi i papës përfaqësonte një lëshim të rëndësishëm, që tregon qartë se aleanca me Frankët ishte bërë guri themeltar i politikës papale. Adriani I e çoi përpara politikën e filluar nga Stefani II me mjaft sukses dhe u bashkua pa hezitim në aleancë me Frankët. Duke ndjekur vendosmërisht të njëjtën gjë, pasardhësi i tij Leoni III mori një vendim të guximshëm e njëherësh revolucionar, që i dha vulën e vet gjithë politikës së ndjekur nga kisha romane gjatë shekullit VIII. Më 25 dhjetor të vitit 800 gjatë një ceremonie në kishën e Shën Pjetrit, ai i vendosi Karlit të Madh kurorën perandorake.
Themelimi i perandorisë së Karlit të Madh ushtroi në politikë po atë rol revolucionar që më vonë pati në sferën fetare skizma. Për botën e asaj kohe ekzistenca e një perandorie të vetme ashtu si edhe e një kishe të vetme të krishterë, kishte vlerën e një aksiome. Kurorëzimi i Karlit të Madh i përmbysi këto koncepte dhe pati për pasojë dëmtimin e rëndë të interesave bizantine, pasi deri atëherë perandoria e vetme ishte pa diskutim Bizanti, Roma e Re, të cilit i takonte trashëgimia e perandorisë së vjetër romake. Këmbëngulës në interesat e veta perandorake, Bizanti nuk mund ta shihte veç si një uzurpim kurorëzimin perandorak të Karlit të Madh. Por edhe Roma i qëndroi besnike konceptit të perandorisë unike. Ajo nuk kishte ndër mend të njihte një perandori të dytë krahas Bizantit. Perandoria e re e konsakruar nga papa nuk duhej të zëvendësonte perandorinë e vjetër të Kostandinopojës. Ndaj zgjidhja u gjet duke e konsideruar vakant fronin e Kostandinopojës pas rrëzimit të perandorit të ligjshëm Konstandini VI. Për Romën, ashtu si për Bizantin, i vetmi rend botëror i mundshëm ishte një hierarki shtetesh që të përfshinte të gjithë ekumenin e krishterë dhe që të kulmonte në një perandori unike. Por në të vërtetë pas vitit 800 u krijua një situatë ku dy perandori, njëra lindore dhe tjetra perëndimore, qëndronin njëra kundrejt tjetrës. Ndarja midis Lindjes dhe Perëndimit, që erdhi e u poq gjatë një procesi shekullor dhe që u duk qartë në kohën e krizës ikonoklaste, u krye tani edhe në sferën politike. Ekumenia (bota e krishterë) u nda në dy pjesë të ndryshme nga pikëpamja gjuhësore, kulturore, politike e fetare.
Sado që kurorëzimi perandorak në Shën Pjetër ishte vepër e papës dhe jo e mbretit, pas kryerjes së këtij hapi me plot rrjedhoja të rëndësishme, Karlit iu desh të ballafaqohej me një sërë problemesh. Duhej të siguronte njohjen e Bizantit, pa të cilën titulli i tij perandorak do të mbetej pa vlerë. Natyrisht qëllimi nuk mund të arrihej duke u mjaftuar me thënien se froni i Kostandinopojës ishte vakant përderisa atë e kishte zënë një grua, ose se Bizanti kishte rënë në herezi, siç përpiqeshin të provonin Librat Karolinë. Më 802 të dërguar të Karlit të Madh dhe të papës mbërritën në Kostandinopojë, me detyrë t'i paraqisnin perandoreshës bizantine një ofertë martese nga ana e Karlit të Madh, gjë që do të "ribashkonte Lindjen me Perëndimin". Por pak kohë pas mbërritjes së tyre një komplot pallati e rrëzoi Irenën nga froni dhe e vonoi kështu zgjidhjen e problemit. Frymëzuesit e tij ishin funksionarë dhe ushtarakë të lartë të perandorisë, që hipën në fron Niqiforin, deri atëherë logothetesgeniku. Irena u internua së pari në ishullin Prinkipos e pastaj në Lesbos, ku vdiq pak kohë më vonë.