Borsh (Kalaja e Sopotit)
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Borsh (Kalaja e Sopotit)

Borsh (Kalaja e Sopotit)

Kalaja e Sopotit ndodhet në fshatin Borsh, 2 km larg bregut të detit, në një kurriz të lartë malor. Para saj hapet fusha aluvionale e Borshit, e qarkuar prej një amfiteatri malesh të lartë. Në perëndim fusha përfundon me një plazh të lagur prej ujërave të Jonit ndërsa në veri dhe jug malet vazhdojnë deri në det duke krijuar një gji të mbrojtur. Mbrojtja nga erërat, prania e burimeve të shumtë dhe klima e butë krijojnë kushte optimale për bujqësi dhe kultivimin e agrumeve dhe ullirit.

Këtu kalon Rruga e Akrokerauneve (Llogorasë) e cila të nxjerr në Orik dhe Aulonë. Prej saj, nëpërmjet luginës së Përroit të Picakut dhe më tej Lumit të Vlorës të nxjerrin në Amantie, Kaninë dhe sërishmi në Aulonë. Kjo rrugë, më pak e vës-htirë se e Akrokerauneve, në antikitet ka qenë më e rrahur se rruga e fundit.

Fortifikimi

Kalaja shtrihet në majën dhe shpatet e një kurrizi shkëmbor. Në veri kurrizi bie thikë drejt përroit të Picakut, ndërsa në anët e tjera zbret drejt fushës me pjerrësi 40-45 °. Në juglindje ai lidhet me anën e një qafe, ku dhe kalon rruga për në luginën e lumit të Vlorës, me një terren të butë kodrinor.

Muret rrethues i përshtaten terrenit me vija të drejta duke rrethuar një sipërfaqe prej 2.5 ha, çka e kategorizon atë në kategorinë e polismave, qyteteve të vogla. Për shkak të terrenit të aksidentuar muret nuk u përmbahen izoipseve por vijojnë kryesisht ndeshas tyre me kthesa me kënd të gjerë (150°), të drejtë dhe të ngushtë (30°). Si i tillë konfiguracioni planimetrik i fortifikimit është i çrregullt, poliedrik. Ndonëse traktet e plotë ruhen deri në 50 m gjatësi kurtinat dhe kthesat nuk përforcohen me kulla a dhëmbëzime.

Një mur i brendshëm, tërthor me konturin e jashtëm, përvijon akropolin me planimetri trekëndëshe, konturi i të cilit përputhet atë të kështjellës mesjetare. Në veri dhe lindje muret e akropolit janë të përbashkët me rrethimin e jashtëm ndërsa në jug të veçantë. Si i tillë Borshi renditet në tipin e Qytetit të Shpatit me akropolin lart, si Zgërdheshi dhe Lisi, por në ndryshim prej tyre akropoli i Borshit është i njëkohshëm me rrethimin kryesor.

Në anën lindore një bllok pragu me folenë e kasës së portës (20 x 20 x 23 cm), 4 m larg hyrjes së kështjellës mesjetare, tregon se hyrja ndodhej pikërisht në këtë vend. Faqja shkëmbore e datuar nga ana e kasës në një lartësi 4,5 m tregon përmasat e saja të konsiderueshme. Muratura është pseudoizodomike prej blloqesh gëlqerori të latuar në formë katërkëndëshe (1-1.8 x 0,41 m): Brinjët e sipërme janë gjithnjë paralele dhe fugat horizontale, ndonëse nga njëherë të dhëmbëzuara. Kurtinat 3,30 m të gjera (fig.3) përbëhen prej dy faqeve të lidhura çdo 2.5 m tërthor me njëra-tjetrën dhe emplecton-i.

Balli i blloqeve është i mysët, i punuar me varre, ndërsa faqet anësore të latuara mirë. Brinjët anësore janë kryesisht të drejta dhe rrallë të pjerrëta. Në disa vende vërehet bashkimi i blloqeve me sipërfaqe të lakuar konkave-konvekse. Për peshimin me plumba në muret, çdo 16 m janë gdhendur kanale peshimi (12 x 5 cm), ndërsa skajet e kthesave janë pajisur me vija peshimi. Në terrenet e çrregullt boshllëqet kalohen po me blloqe drejtkëndësh, por me madhësi të vogël.

Në anën nga lindja rrethimit të qytetit i bas-hkëngjitet një shtojcë trapezoidale (0,8 ha). Në cepin verilindor muret përfshinë një shkrep duke krijuar një kullë. Muret e shtojcës janë punuar po me blloqe drejtkëndësh, por teknika e punimit ësh-të mjaft e dobët, me faqe bashkimi të palatuara , të thyera vrazhdët. Shtojca duket se përfshinte një lagje të shtrirë në këtë anë, por për shkak të ndonjë rreziku imediat, përkatësisht për shkak të kohës së pakët në dispozicion, ose për shkak të vështirësisë financiare, muret u ndërtuan me ngut dhe pa cilësi.

Banesat

Në anën verilindore, brenda syprinës së qytetit, ruhen xokolet e gurtë të banesave. Jashtë rre-thimit ndodhet një varg banesash 2-3 katëshe me mure me gurë të vegjël të palidhur me llaç me gje-rësinë e një dhome. Banesat i përshtaten terrenit të pjerrët me 1 ambient në katin e parë, 2 në të dytin dhe 3 në të tretin. Mungesa e gërmimeve nuk lejon datimin e tyre në antikitet ose mesjetë.

Nekropoli

Në jugperëndim, jashtë mureve rrethues ndodhej nekropoli. Prej tij njihet një varr monumental dhe 13 varre të thjeshta, tip arke. Varri monumental ka planimetri drejtkëndëshe dhe një mjedis të vetëm (9,4 x 6 m). Përjashtuar anën jugore, në drejtim të rënies së terrenit, varri ndodhet pjesërisht nën tokë. Dhoma sepulkrale (2,85 x 2,85 x 2,93 m) mbulohet me qemer. Në dhomë të çonte korridori (3,6 x 1,2 m) me 7 këmbë shkallë, në fundin e të cilit ndodhej porta kullsë e gurtë e cila imitonte dyert e drunjta të shtëpive. Në tri anët përkundrejt hyrjes gjendeshin sofatet sepulkralë.

Muret e dhomës (0, 50 m), të ndërtuar me blloqe të latuar, janë suvatuar me llaç hidroizolues gëlqereje me pluhur tjegullash dhe lyer bojëkafe dhe bojëqielli. Dyshemeja mbulohet me një mozaik polikrom me zaje lumi dhe copa tjegullash pa motive.

Muratura është izodomike (0,50 m), me blloqe me faqe të rrafshëta, e pajisur në skajet me vijë peshimi. Në anën e lirë nga jugu muratura shkallëzohet nga 1,4 në 0,5 m. Në tre anët e tjera dhoma sepulkrale qarkohet nga një kanal i mbyllur (1,9 x 0,6 m) për drenazhimin e ujërave nga shpati. Me këtë kanal lidhet dhe një dritare (0,4 x 0,4 m) për ventilimin e dhomës.

Gjetjet arkeologjike

Inventari i varreve (fletë diademash ari, am-fora, kandila me vemik të zi, pikside, lotore, kandelabra, lekythe, shtiza), një monedhë e Epirit (Dionë- Trekëmbësh 234-218) dhe një kantar i çerekut 2 të shek. III p.e.sonë caktojnë si terminus ante quem për varrin monumental, fillimin e shek 3 p.K. Fragmentet e qeramikës me vernik të zi të dendur, të shek. 4 p.e.sonë, të gjetura në brendi të fortifikimit dhe arkitektura e tij primitive, pa kulla dhe kthesa dëshmojnë për ndërtimin nga fillimi i këtij shekulli ose më herët.

Qyteti në Borsh ka luajtur rolin e kryeqendrës së rripit litoral Onhesëm- Akrokeraune dhe pikë kontrolli për rrugën e Akrokerauneve dhe rrugën nëpërmjet luginës së Lumit të Vlorës për në Amantie, Orik dhe Aulonë.

Straboni përmend “Panormin, liman i madh midis maleve Keraune” (7 316, 324 ). Limanin Panormos Ptolemeu e vendos midis maleve Akrokeraune dhe limanit Onhesëm (Ptolem. 3 13 2). Lokalizimi i Panormit në Borsh, e vetmja qendër qytetare në litoralin Onhesëm- Akrokeraune, është më logjik se kërkimi tradicional i Panormit në Porto Palermo, pasi ndërsa në Borsh jeta nuk ndërpritet nga antikiteti në mesjetë, në Porto Palermo nuk ka gjurmë jete. Më tej Straboni shkruan “Oriku dhe skela e tij Panormi” (Strab. 7 5 8), çka lind supozimin se Borshi ka qenë një qendër e varur nga Oriku për kontrollin e bregdetit pas Akrokerauneve. Me pushtimin Osman Borshi bëhet kryeqendër e nahijetit të Sopotit.

Xhamia në Kalanë e Borshit

Xhamia në Kalanë e Borshit

Xhamia në Kalanë e Borshit, ndodhet pranë rrënojave të mureve rrethuese të kalasë së Borshit. Është Sopoti mesjetar që përmendet së pari në shek.XIII duke kaluar në zotrime të ndryshme deri sa në regjistrimin osman të vitit 1431-2 shënohet si qendër e timarit të Hizir Beut me 60 shtëpi. Në vitin 1456 kalaja e Sopotit bije në duar të Alfonist të V të Napolit, më vonë të venedikasve që e mbajtën deri në vitin 1479, kur pas rënies së Shkodrës Spoti së bashku me kështjellën e Himarës i dorëzohet osmanëve.

Në vitin 1570 kështjella ra prapë në dorë të një ekspedite të venedikasve të nisur nga ishulli i Korfuzit e të kryengritësve shqiptarë, por trupat turke të Sanxhakut të Delvinës e rimarrin një vit më vonë dhe kryen punime të mëdha rindërtimi, pasi kryengritësit e shkatërruan atë. Xhamia ndodhet e ndërtuar pranë hyrjes kryesore të kështjellës, që edhe pse me dëmtime ruhet relativisht mirë. Është një xhami e tipit sallë me kupolë, me përpjesëtime të rënda dhe e ndërtuar me materiale vendi të përdorur pa ndonjë përkujdesje të veçantë. Është me planimetri katrore me përmasa të planit 8.05 x 8.12 m. Në të hyet nga porta e vetrne në anën veriore që paraprihet nga portiku dikur i mbuluar me çati druri e tjegulla, që ngrihej mbi një sistem harqesh që mbështeten në murin verior dhe pilastra.

Brendësia është karakteristike për xhamitë e këtij tipi, por me përpjesëtime të rënda dhe ndriçim më të pakët. Ajo ndriçohet nga dy dritare të vendosura në pjesën e poshtëm të murit jugor anash mimberit dhe një dritare në murin perëndimor, në nivelin e arkadave nën kupolë. Si kudo mbulimi me kupolë realizohet me ndërmjetësinë e e trompave në qoshet që nënvizohen nga harqe në dukje përgjatë perimetrit të rrethit bazë të kupolës. Kupola në kohë të vonë është mbuluar me një shtresë betoni dhe nuk ruhen gjurmë të mbulesës së dikurshme me mjaftë gjasë prej tjegullash. Në këndin veriperëndimor të sallës së lutjeve është hyrja për në minare. Ajo ruhet deri në nivelin e konzolave për ballkonin. E ndërtuar me gurë të punuar ajo është me përmasa të mëdha e përpjesëtime të rënda, Bazamenti i saj është shumëfaqësh, si edhe trupi i vetë minares.

Për datimin e xhamisë, në mungesë të të dhënave mbishkrimore apo historike të drejtpërdrejta, do mbështetemi në arkitekturën jo të zhvilluar dhe mendimit se kemi rastin e një ndërtese të ngritur me nxitim. Po kështu, rindërtimet masive e ndërmarra pas vitit 1570 në kështjellë kur ajo pushtohet përfundimisht nga turqit, na bindin se e kësaj kohe duhet të jetë dhe kjo xhami.

info@balkancultureheritage.com